Letër dërguar zotëri Ali Ahmetit, liderit të shqiptarëve në Maqedoni

I nderuar Komandant, udhëheqësi ynë, duke qenë të vetëdijshëm për ngjarjet e fundit në Maqedoni, unë si ish ushtar i Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare dua ta shpreh brengën time në lidhje me paaftësinë tonë për ta zgjidhur nyjen që ka shumë kohë që lidh duart dhe mendjen e çdo shqiptari. Fjalët e mia nuk burojnë nga inatet apo pretendimet egoiste personale, por nga nevoja e kërkesës së përgjegjësisë. Përgjegjësi kjo që sot duhet ta kërkojë çdo shqiptar i Maqedonisë. Pa dyshim se duhet kërkuar sqarim pse dhe si ne papritmas u gjetëm para aktit të kryer të nënçmimit. Para lojës së ndyrë që edhe njëherë na e përgatitën të tjerët si pasojë e paaftësisë sonë për tu përballe me problemet tona reale.

Reagimi im buron që nga ushtari i parë që dha jetën në luftërat Iliro-romake e gjer ne pikën e fundit te gjakut që ra në pluhurin e atdheut tonë në vitin 2001. Është e qartë se shqiptarët gjakderdhin për më shumë se 2000 vjet dhe kjo për arsye të mungesës së unitetit e lidershipit. Është e vërtetë se përgjatë gjithë historisë sonë ne u rrethuam dhe u pushtuam nga popuj të ndryshëm, por ajo që mua më hidhëron është fakti se përgjatë gjithë kësaj kohe ne i fituam betejat, por i humbëm luftërat! Jemi kombi i vetëm Evropian me aq shumë heronj të shquar që ende gjendet nën pushtim dhe ende lufton për të drejtat e tij. Jemi i vetmi komb evropian me status të padefinuar edhe përkundër rezistencës dhe kokëfortësisë sonë për liri dhe barazi me të gjithë të tjerët. Ishte kjo një hyrje e shkurtër për sqarimin e botëkuptimit tim, por besoj edhe të çdo shqiptari, për gjendjen tonë të mjerueshme. Janë këto brengat e shqiptarëve që pëshpëriten çdo ditë nëpër kafenetë e stërmbushura si pasojë e papunësisë dhe diskriminimit. Është brenga e çdo të moshuari që humbi rininë e tij duke shpresuar në jetë më të mirë. Është shpresa e thyer e çdo prindi që sakrifikoi shumë për shkollimin e fëmijëve të tij. Është dëshpërimi i çdo të riu kur e pranon vendimin e refuzimit për punë në dorën e tij. Është ëndrra e parealizueshme e një fëmije që të bëhet pilot. E ç’të keqe ka në këto pritshmëri Zotëri Komandant?

Arsyeja e vërtetë pse morra guximin të ju shkruaj është brenga për popullin tim që nuk e përjashton punën dhe kontributin tuaj të palodhshëm për zgjidhjen e këtij ngërçi politik. Unë jam i bindur në përkushtimin tuaj, por nuk e kuptoj faktin e ngecjes në kohë. E koha është margaritari më i çmuar i Universit. Është armiku më i madh i njerëzimit. Është gjykuesi dhe shpërblyesi i pamëshirshëm i çdo gjallese. Është dimensioni më i rëndësishëm, që ne për shkaqe ende të pashpjegueshme, e injorojmë dhe harxhojmë kaq pamëshirshëm. Brenga ime nuk mbaron vetëm këtu. Ajo vazhdon përtej horizontit të dukshëm dhe reflektohet në gjendjen e gjeneratave që do vinë pas.

Mjerimi ynë sot pa dyshim se është pasojë e një veprimi të padrejtë të paraardhësve tanë në të kaluarën. Unë e kuptoj barrën e rëndë të cilën e keni ju sot për ti përmirësuar gabimet dhe fatkeqësitë tona në të kaluarën, por nuk e kuptoj faktin e humbjes së kaq shumë kohe. E koha është flori. Prej saj dalin trima e shkruhet histori. Krijohet mirëqenie ose mjerim. Ne, prej një triumfi që do mbahet mend ne histori, nuk prodhuam mirëqenie, por mjerim. Kjo më brengos shumë. Më brengos fakti i vdekjes së çdo shqiptari si pasojë e moszgjidhjes së çështjes së tij. Më brengos ndjenja e inferioritetit që ka çdo shqiptar edhe përkundër trimërisë e krenarisë që bart në ndërdijen e tij. Më brengos qullosja e egos revolucionare dhe reformuese në partinë tuaj si pasojë e disa individëve që padrejtësisht mbajnë peng kohën që dikush e paguan me gjak e pronë të shkatërruar.

Më brengos mungesa e iniciativës suaj për ti kanalizuar njëherë e përgjithmonë interesat individuale të çdo shqiptari në binarët e arritjeve tona kolektive kombëtare. Më shumë më brengos fakti i humbjes së besimit të shqiptarëve në liderët e tyre politikë dhe kalimi i tyre në mëshirën e politikanëve maqedonas. Më brengosi shumë pamja e djeshme ne Kumanovë. Shqiptarët përqafonin Zaevin në vend se të ju përqafonin juve. Kjo duhet të ju brengos edhe juve dhe gjithë kombin shqiptar. Më kujtohet dita kur kapa pushkën për tu radhitë mes djemve më të mirë të këtij nënqielli. Më kujtohet edhe takimi i parë me ju në Kodrën e Diellit. Mbase dhe keni harruar sepse ka kaluar kohe e gjatë dhe shumë ndodhi ua kane mjegulluar kujtesën. Ajo që do ta veçoja nga ky takim ishte brengosja juaj për çdo ushtar të UÇK-së. Mbaj mend që përkrah jush ishte edhe Komandant Iliri (vrasja e të cilit sot e kësaj dite mbeti mister). Mbaj mend brengën në sytë tuaj për sëmurjen e njërit prej bashkëluftëtarëve tanë. Kjo ardhje e juaj më la të kuptoj se njeriu që kisha përballë kishte fuqinë hyjnore dhe tërë kohën e kësaj bote të përkujdesej për çdo ushtar që kishte dhënë betimin për zgjidhjen e çështjes sonë kombëtare.

Ishit ju ai që i përmbushnit të gjitha kriteret për të qenë udhëheqësi ynë. Pritshmëritë tona ishin shumë të mëdha. Me një udhëheqës të tillë (të munguar deri në atë kohë) ne do çanim malet e do preknim qiellin. Do ta përmbushnim amanetin e të parëve tanë. Lufta mbaroi dhe ne kishim fituar të drejtat tona. Së paku kështu ndodhi në letër. I dorëzuam armët sepse kishim besim të plotë në punën dhe idealin tuaj. Ishte ai shikimi i empatisë ne sytë tuaj për ushtarin tonë të sëmurë, që më dha të drejtën tu besoja symbyllas. Une e kisha krijuar bindjen që ndoshta më ndjek edhe sot. Nuk dua ta ndërroj këtë bindje sepse thellë në qenien time prej luftëtari ende rri në piedestal figura juaj. Ajo e Abaz Gjukës. Ajo e kryetrimit që na zgjoi nga gjumi i thellë ku kishim rënë. Sado që ne të diskutojmë e të pëshpëritim mes veti, nuk mund ta kthejmë kohën pas. Vlerat e askujt nuk mund të mohohen, por as të shtohen. Unë sot qëndroj pranë jush jo si një djalosh 18 vjeçar që qe në gjendje të jap jetën e tij, por si një burrë që kërkon llogari për 14 vjet pritje.

Kërkoj shpjegim për 14 vjet të humbura në kërkim të lirisë e barazisë në mënyrë paqësore. Kërkoj llogari për Universitetin, Komunat shqiptare, fshatrat e banuar me shqiptarë, rrugët tona, institucionet tona, flamurin tonë, gjuhën tonë arbnore, përfaqësimin tonë, rastet e montuara dhe dënimet ndaj bashkëluftëtarëve tanë. E kërkoj këtë llogari sepse besova se e fitova me gjakun tim dhe të bashkëvëllezërve të mi. Nuk dua ta kërkoj atë tek udhëheqësit maqedonas, sepse ju jeni babë, e vëllai im. Jeni gjaku im. Ju jeni shqiptar njësoj si unë. Këtë e kërkoj prej ju sepse në vitin 2001 juve u kisha nënë e babë, vëlla e motër. Juve u kisha familje. E familja është mbi të gjitha. Kërkoj llogari sepse si atëherë edhe sot jam në gjendje ta jap jetën time për popullin tim. Jam në gjendje ti shërbej atdheut tim në çfarëdolloj mënyre. E kuptoni sa e rëndë është për mua të shoh çdo ditë njerëz të sëmurë e që mbi sëmundjen kanë peshën e rëndë të varfërisë!? Ti shoh malësorët tanë që na i lëshuan shtëpitë e tyre (gjate vitit 2001) të mos kenë fening ne xhep!? Ta shoh mjerimin e popullit tim të shndërrohet në sëmundje psikike. Të diagnostikohet çdo ditë nga një rast i kancerit në mushkëri si pasoje e ndotjes së ajrit. Ti dëgjoj çdo ditë mallkimet e tyre ndaj jush. Kjo më dhemb Komandant. Më dhemb sepse ju ishit familja ime e unë familjen e kam për të shenjtë!

Por, ç’kënaqësie ndjen njeriu kur familja është mirë e populli vuan?! Ç’të drejtë marrr unë ta mbroj familjen kur ata ma shajnë?! Ku ta gjej motivin dhe forcën tu përgjigjem, kur nuk gjej dot një zgjidhje problemesh?! Nuk shoh askund përparim dhe ngritje kombëtare, por njerëz të dëshpëruar që dita ditës u bashkohen rrymave ekstremiste fetare. Shoh shoqata “bamirëse” fetare që po na e blejnë çdo ditë popullin për një thes miell e një litër vaj. A nuk është e dhimbshme kjo Komandant? Shoh ministrat tuaj te voziten me vetura shtrenjta e të ndërtojnë shtëpi luksoze në kohën kur fshatari i Brodecit kërkon prej meje ti jap borxh 100 denarë sepse nuk ka ta paguaj injeksionin! Së paku ai kërkon borxh sepse ka fytyrë dhe e mban kokën lartë. Nuk kërkon lëmoshë edhe pse është i shtrirë për toke. Krenaria e tij nuk u krijua sot me statuja të rrejshme e pallate milionëshe, por u kalit ne gjenin e tij që brez pas brezi u përçua nga Aleksandri i Madh deri në ditët e sodit! Është kjo krenaria e kombit më të lashtë të Evropës që për fat të keq sot vihet në dyshim.

Zotëri Komandant, unë sot ju përgjërohem të merrni masa sa nuk është vonë. Ju lutem si fëmijë që të veproni sepse jam ende i bindur në atdhedashurinë tuaj. Kam ende shpresë se ju e keni aftësinë për ti përzënë ushujzat që po e mbajnë peng çështjen tonë kombëtare. T’ia kthejmë edhe njëherë krenarinë këtij kombi të përvuajtur. Të rrokemi krah për krahu me njerëzit e ndershëm të kësaj toke dhe të punojmë për të mirën tonë të përbashkët. Të mos tolerojmë interesi i askujt personal të na e shkel qëllimin tonë fisnik të lirisë e barazisë. Le të fluturojmë si shqiponjat e Skënderbeut e të ecim si luanët e Lekës. Fundja mbretërit e qiellit e të tokës askush si mban dot lidhur. Të tillë jemi ne. Të tillë ishim. Të tillë do të jemi përderisa interesi i dikujt për të na shitur nuk na vendos në kafazët e robërisë!

Me respekt Dr.Liridon Disha

Comments

Popular posts from this blog

Legjenda e Mujit dhe Halilit

Ese për Vitin e Ri