Liridon Disha -Letër Drejtuar Zotëri Zoran Zaev, udhëheqësit të opozitës së Republikës së Maqedonisë


Liridon Disha


I nderuar Zotëri Zoran Zaev, po ta dërgoj këtë letër për të ta përcjellë brengën e popullit shqiptar në lidhje me ngjarjet e fundit në Republikën e Maqedonisë. Paraprakisht, duke qenë i bindur në luftën tuaj për demokraci dhe barazi mes qytetarëve të Republikës së Maqedonisë, do të kisha dashtë të ndalem në historikun e krijimit të këtij shteti. Arsyeja e vërtetë pse e bëj këtë, është njohja më e mirë e botëkuptimit të çdo shqiptari që jeton në këtë nënqiell. Është filozofia e vërtetë që buron nga gjaku e djersa e paraardhësve tanë. Nga mundi dhe sakrifica e tyre për mbijetesë. Nga etja për dije e diritë pas një periudhe të errët që bashkarisht e kaluam nën pushtimin barbar Otoman. Në këtë letër timen ndoshta nuk do të pajtoheni plotësisht me mua dhe me bashkëkombasit e mi, por pozita juaj prej intelektuali pa dyshim se do të gjejë mënyrë për ti pranuar mendimet e ndryshme. Fundja demokracia e plotë që keni synim ju, buron pikërisht nga nevoja e gjetjes së kompromiseve mes palëve, me qëllim që të arrihet një sistem vlerash ku të gjithë do të jenë të barabartë para ligjit dhe para institucioneve të shtetit. Ngel me shpresë që ju personalisht të gjeni durimin dhe qetësinë shpirtërore. Të ndani pak kohë për të reflektuar si një lider i një shteti që u krijua mbi baza multietnike. Të jeni të paanshëm në gjykimin e bashkëkombasve të mi. Vetëm kështu do të arrini ti prekni zemrat e tyre dhe të hapni një faqe të re historie. Të bëni kthesën e drejtësisë, e cila njëherë e përgjithmonë do të shkel mbi terrin e robërisë për të shkrepë shkëndijat e para të dritës mbi këtë tokë të Diellit.

Që nga kohërat antike e deri më sot në Gadishullin e Ilirisë (Ballkanin e sotshëm) shtrihet një territor i padefinuar mirë gjeografikisht, por me një kulturë e qytetërim të veçantë nga popullata me etni të konsoliduar Greke dhe me një ngjajshmëri të madhe me një popullatë tjetër të ndarë në fise që quhet Ilire. Ky teritor për gjatë gjithë historisë antike e mesjetare u quajt Maqedoni. Themelet e saj, në historiografinë botërore i vendosi Filipi dhe pastaj i vulosi djali i tij Aleksandri (Leka) i Madh. Aleksandri i Madh arriti që këtë mbretëri ta zgjerojë dhe ta shndërrojë në perandori për afat të shkurtër kohor. Pas vdekjes së Aleksandrit të Madh, Perandoria e Maqedonisë pushon së ekzistuari dhe fisi Maqedon gradualisht “humbet” në pluhurin e historisë. Vjen era e pushtimeve Romake, pastaj ajo Bizantine dhe në fund pushtimi Otoman. Këto pushtime zgjatën afërsisht 2000 vjet, por toponimi gjeografik Maqedoni i mbijetoi kohës. Historia e Aleksandrit të Madh u përçua brez pas brezi përmes këngëve dhe përallave. Sot e kësaj dite në malësinë tonë dëgjohen këngë (ninulla fëmijësh) e përralla me motive të tilla.

Shekulli XX e gjeti Gadishullin Ilirik të pushtuar nga Perandoria Otomane e cila kishte gati 5 shekuj që mbante nën kthetra këtë province Evropiane. Në fillim të Shekullit 20 Perandoria Otomane kapituloi dhe u detyrua të tërhiqet nga Evropa. Pas plotë 5 shekujsh robëri, Gadishulli Ilirik (tash më me një laramani të theksuar etnike) fillon të krijojë mbretëritë dhe shtetet e pavarura. Luftërat Ballkanike që kishin pretekst përzënien e Perandorisë Otomane prej Gadishullit Ilirik në fakt u shfrytëzuan nga mbretëritë e atëhershme Greke, Sërbe dhe Bullgare, për ti coptuar tokat shqiptare. Humbësit e vetëm të këtyre luftërave të përgjakshme ishin shqiptarët. Shqipëria tkurret nga 98.000 km2 (katër Vilajetet e saj) ne 28.748 km2. Tokat e saj të humbura i bashkangjiten Mbretërisë së Greqisë dhe Mbretërisë Sërbo-Kroato-Sllovene. Mbaron Lufta e Parë Ballkanike, fillon e dyta.

Lufta e Dytë Ballkanike qe lufta vendimtare për krijimin e Shtetit të sotëm modern që quhet Maqedoni. Kjo luftë nisi si rezultat i kacafytjes mes tre mbretërive (Bullgare kundër Sërbëve dhe Grekëve) për ta zotëruar pjesën jugore të Viljatit të atëhershëm të Kosovës. Maqedonia ende ekzistonte si toponim, por popullata që jetonte në këto troje nuk e quante veten Maqedone sepse ajo ishte e përzier nga të gjithë popujt Ballkanik të cilët deri në atë kohë jetonin nën Perandorinë Otomane. Sërbët dhe grekët duke qenë se ishin në aleancë mes veti, aneksuan një pjesë të madhe të teritorit të Maqedonisë. Bullgarët morrën vetëm një pjesë të vogel të saj. Pjesa e aneksuar nga serbët në fakt është ajo pjesë e cila më vonë u shpall Republika e Maqedonisë, për shkaqe politike dhe menaxhim më të mirë politiko-ekonomik.

Fillon Lufta e Dyte Botërore dhe Gadishulli Ilirik ka pamje tjetër. Një copë Shqipëri e rrethuar me shumë Republika Sllave e Greke. Lufta e Dytë Botërore mbaron dhe formohet Republika Socialiste Federale e Jugosllavisë (si pasardhëse e Mbretërisë Sërbo-Kroato-Sllovene). Ne këtë Federatë bëjnë pjesë Sllovenia, Kroacia, Bosnja dhe Hercegovina, Sërbia, Mali i Zi dhe Maqedonia. Vojvodina dhe Kosova mbajnë statusin e Krahinave. Maqedonia merr trajtën e Republikës me themelimin e Shtetit (Federatës) Jugosllave. Plote pas 2000 viteve histori, Maqedonia përsëri ripërtrihet në formë Republike. Gjatë gjithë kësaj kohe të kaluar popullsia që banonte këtë teritor më nuk ishte e njejtë me atë të para 2000 viteve. Në të kishte sllavë, por edhe nje numër të konsiderueshëm të shqiptarëve (të cilët realisht mbanin ende zakonet e traditat e lashta, që sipas autorëve të ndryshëm përshkruhen si pasardhës të Aleksandrit të Madh dhe Maqedonisë Antike). Në kushte të këtilla Republika e Maqedonisë e cila ishte pjesë e Federatës Jugosllave u formua dhe u udhëhoq për gati 50 vjet nga sllavet. Filloi krijimi i identitetit kombëtar të shtetasve Jugosllavë që në atë kohë njihej si Republika Socialiste e Maqedonisë. Sllavët filluan të quhen Maqedonë dhe me këtë automatikisht merrnin të drejtën në udhëheqjen e institucioneve të kësaj Republike. Gjatë gjithë kësaj periudhe kohore, shqiptarët jetuan në një sistem APARTEIDI. U dëbuan, burgosën, pushkatuan dhe u mohua e drejta e pronës, shkollimit, pjesëmarrjes në institucione, bartjes së pozitave kyçe dhe lirisë së shprehjes. Në vitin 1952 fillon Egzodi shqiptar i dëbimit për Turqi, ku afër 500.000 shqiptarë nga Kosova e Maqedonia u drejtuan drejt Shkupit (stacionit hekurudhor), për tu dëbuar pastaj në Turqi. Në shtabin Jugosllav për deportimin e shqiptarëve në Turqi në vitet ’50 qëndronte edhe Kërste Cërvenkovski, personalitet i njohur në skenën politike Maqedone. Shqiptarët u detyruan ti braktisin shtëpitë e tyre. Pronat e tyre u konfiskuan nga shteti i atëhershëm Jugosllav. Shqiptarët e Rekës së Epërme (shqiptarët e krishterë orthodoksë) e përjetojnë fazën e fundit të asimilimit të tyre. Tërmeti i Shkupit dhe ai i Dibrës (në vitet 60) i dha edhe një shtytje tjetër dëbimit dhe shpronësimit të shqiptareve ne Republiken e Maqedonisë. Moshatarët e prindërve tanë e mbajnë mend shumë mirë qendrën e Shkupit te banuar me shumicë shqiptare. Besoj se këtë fakt e mbajnë mend mirë edhe prindërit tuaj.

Epoka e Federatës Jugosllave kaloi shumë shpejt dhe ajo shkoi drejt copëtimit. Në këtë periudhë erdha në jetë unë në Dibër (1983). Ishte kohë e vështirë për shqiptarët. Ekonomikisht të gjithë qytetarët e Ish-Jugosllavisë jetonin mirë, por ishte vërtetë e rëndë të ishe shqiptar në atë kohë. Përdorimi i simboleve kombëtare, shkollimi në gjuhën amëtare (universitar), festimi i festave kombëtare, etj. ishin të ndaluara. Prindëit e mi u detyruan të studjonin në Kosovë (Prishtinë), sepse në Shkup nuk studjonin dot në gjuhën e tyre amëtare.

Jugosllavia filloi të quhet Ish-Jugosllavi. Filluan luftërat për Ndarje të Republikave, por për fat të mirë Republika jonë u nda pa luftë dhe pa dhunë. Megjithë se pati një iniciativë për vetëmbrojtje gjithëpopullore në rast se Sërbia do ti vërsuleshte Maqedonisë me të njejtin agresivitet siç bëri ndaj Kroacisë dhe Bosnjës. Iniciativa e tillë (duke u mbështetur në gjendjen reale të asaj kohe) u ndërmor nga kreret e institucioneve me në krye Kiro Gligorov. Në Maqedoni u sollën armë dhe ato u distribuuan në menyrë të barabartë si tek popullata Maqedone edhe te ajo Shqiptare. E gjithë kjo, për mbrojtje të përbashkët popullore në rast të një sulmi ushtarak nga ana e Sërbisë. Erdhen trupat e UNPROFORIT dhe kufijtë administrativ të Maqedonisë u garantuan. Me sigurimin e kufijve administrativ të Republikës së Maqedonisë, krerët e atëhershëm shtetëror japin urdhër të burgosen shqiptarët të cilët posedonin armë (armë këto të cilat u shpërndanë nga vetë shteti për mbrojtjen e tij). U ndërmorrën aksione represive policore ndaj qytetarëve shqiptarë nëpër fshatra e qytete. Si pasojë, shumë shqiptarë të burgosur, të plagosur e të vrarë nga dhuna policore. U ngjall kërkesa e shqiptarëve për përdorimin e simboleve kombëtare dhe hapjen e Universitetit të parë në gjuhën shqipe. Shqiptarë u burgosën, shqiptarë u vranë. E imagjinoni dot? Këto ngjarje kanë ndodhë në vitet ’90! Është absurde apo jo? Të vritet e të burgoset njeriu që kërkon të shkollohet në gjuhën e tij amëtare. (E tejkalojmë luftën e Kosovës sepse ajo ka pak të bëjë me shqiptarët e Maqedonisë edhe pse dhanë një kontribut shumë të madh duke i strehuar refugjatët shqiptarë nga Kosova). Republika e Maqedonisë edhe atëherë (viti 1999) kishte një plan të fshehtë për tu krijuar koridori Shkup-Stamboll. Me urdhërat e Millosheviqit shqiptarët duhej depërtuar në Turqi.

Erdhëm në vitin 2001. Unë isha vetëm 18 vjeç. U rrita në një klimë jo të favorshme ndaj meje dhe familjes sime. Befas rastisa ne udhëkryq. Ishte dilema më e rëndë e jetës sime. Përderi sa bashkëqytetarët e mi maqedonas mendonin ti fillojnë studimet në gjuhën e tyre amëtare në kryeqytet, unë duhej bërë përpjekje dyfish më të mëdha edhe intelektuale, por edhe financiare që ta arrija të njejtin nivel me ta. Vendosa ta kaloj kufirin e ti filloj studimet në Prishtinë. E kuptoni sa i rëndë qe për mua ky vendim? Në kohë trazirash, nën krismat e automatikëve unë kaloja kufirin për të marrë pjesë në provim pranues në një shtet tjetër, që kishte planprogram tjetër mësimor, sepse këtë të drejtë nuk ma garantonte shteti të cilit familja ime ja paguante taksat rregullisht. Pasi u ktheva nga provimi pranues policia që “garantonte” sigurinë e qytetarëve të Republikës së Maqedonisë na maltretoi rreth dy orë në kufi. Na nxorri jashtë dhe na ofendoi rëndë në baza etnike. Në këto kushte çfarë do të mendonte një i ri 18 vjeçar që u rrit si qytetar i rendit të dytë? Do kapja armën dhe do luftoja! Do u bashkangjitesha bashkëkombasve të mi që çdo ditë bënin thirrje për sulm të armatosur ndaj institucioneve raciste që po na e nxinin jetën. Ishte kjo shumë larg dëshirës së prindërve të mi, por unë nuk pyesja më askënd! Ishte përvoja ime jetësore që më detyroi ta kapja armën e ta luftoja sistemin! Më dukej vetja si i huaj në tokën e të parëve të mi. Ishte nënçmim për mua dhe paraardhësit e mi. Është kjo ndjenja më e keqe që shteti mund tua servojë qytetarëve të tij. Është pika ku njeriut i plas perdja para syve dhe është në gjendje ta jap jetën e tij sepse nuk ka më asgjë për të humbur. Aktivizohet ndjenja e lirisë. E kush ka dëshirë të ndjehet i robëruar?

Lufta e 2001 mbaroi dhe për fat të mirë unë e mbijetova. U ktheva nga malet dhe u nisa përsëri për Kosovë sepse atje do i vazhdoja studimet e mjekësisë. Mbarimin e luftes e garantonte marrëveshja e Ohrit, ku shqiptarët de fakto bëheshin popull i barabartë me Maqedonët. Ndjeja një krenari në vete sepse atë që se arritën dot paraardhësit e mi, e arrita unë! Isha krenar me veten dhe bashkëkombasit e mi. E ndjeja aromën e lirisë së institucioneve shtetërore nga ideologjia primitive që kishte për bazë ideologjike filozofinë e Ivo Andriqit e Vasa Çubriloviqit. Shihja shqiptarë të bëheshin policë dhe emrin e qytetit tim (për herë të parë gjatë gjithë historisë 2000 vjeçare) të shkruhet në gjuhën shqipe. Kaluan disa vjet, por implementimi i kesaj marveshjeje nuk pati sukses. Gjithmonë krijoheshin ligje, nene dhe nën-nene të cilat në një formë apo në një tjetër i cënonin të drejtat e shqiptarëve. Atë që unë besoja se e fitova duke e lënë jetën time peng, dikush e tradhëtoi duke e mbushur xhepin e tij! Universiteti së fundi u legalizua (pas shumë peripecishë e sakrificash) dhe në të u instalua aparati shtetëror i denigrimit dhe nënçmimit. Maqedonia për hir të së vërtetës u çlirua nga zinxhirët e shovinizmit, por në jetën tonë të përditshme ende ndjehej kufiri i ndarjes. Kudo qe kishte maqedon kishte punësime dhe investime shtetërore, ndërsa pjesa shqiptare mbeti në mëshirën e emigrantëve dhe afaristëve shqiptarë. Qeveritë ndronin, ndërsa shqiptarët perfitonin shumë pak ose asgjë. Botohet Enciklopedia fyese për shqiptarët dhe asnjë institucion shtetëror nuk doli kundër saj. Asnjë institucion shtetëror nuk kërkoi falje për gënjeshtrat historike të cilat në mënyrë shumë perfide i paraqitën akademikët tanë në këtë “enciklopedi” famëkeqe. Një shtet që nxit urrejtje ndaj qytetarëve të tij përmes një produkti që e prodhon vetë është i destinuar ose shpërbëhet, ose të ndryshojë dhe të kerkojë falje. Është e papranueshme ideja se në një shtet Evropian mund të jetojnë popuj të privilegjuar dhe popuj të diskriminuar. Të gjithë politikanët me ide të tilla nuk kanë vend në Bashkimin Evropian sepse nuk përkojnë me realitetin e këtij unioni të kombeve.

U montuan raste me qëllim të paraqitjes së shqiptarëve si popull separatist e ekstremist. U montua Sopoti, Brodeci, Smilkovci. Shqiptarë u torturuan dhe padrejtësisht u burgosën. Shteti mbyllte sytë kur nëpër fshatrat shqiptare instalohej në mënyrë të koordinuar fundamentalizmi islamik si pasojë e përkeqësimit të gjendjes ekonomike. Hoxhallarët e dyshimtë vazhdonin indoktrinimin e shqiptarëve dhe shtytjen e tyre drejt radikalizmit e shkombëtarizimit. Shteti reagonte vetëm kur ishte nevoja ta bindë faktorin ndërkombëtar se Maqedonia kërcënohet nga këto ryma fetare. Torturoheshin familje të pafajshme dhe burgoseshin të rinj të cilët u zhyten në këto filozofi ekstremiste si pasojë e mungesës së shtetit. Si pasojë e mungesës së një plani real për ngritjen tonë ekonomike. Kur njeriu humb betejën me vetëveten dhe të tjeret i vetmi opsion i tij është Religjioni. Në rastin tonë ai u keqpërdor për realizimin e planeve shoviniste për shkatërrim permanent të çdogjëje që është shqiptare.

Do te isha mirënjohës të kuptoj personalisht prej jush, çfarë zgjidhjesh dhe hapash do të merrnit ju për zgjidhjen e këtyre çështjeve? Po të jeni ju kryeministri i ardhshëm i këtij shteti, do të kërkonit falje për të gjitha këto krime në emër të paraardhësve tuaj politikë? Do ta pranoni se shqiptarët ishin dhe ende janë të diskriminuar, apo do vazhdoni me avazin e paraardhësve tuaj politik? Nëse ju mendoni se shqiptarët duhet të jenë pjesë e protestave gjithëpopullore ëe Shkup, besoni në një BARAZI TË PLOTË shqiptaro-maqedone pas këtyre protestave? Do jeni ju ai kryeministër i cili do shkruajë një faqe tjetër në historinë e këtij shteti? Do e pranoni publikisht se shqiptarët janë po aq të rëndësishëm në këtë shtet sa edhe maqedonasit? Do e pranoni gjuhën shqipe si të barabartë me atë maqedone në tërë teritorin e Republikës së Maqedonisë? Do u jepni fund njëherë e përgjithmonë politikave denigruese e nënçmuese ndaj shqiptarëve? Do e vendosni në praktike ndalimin dhe dënimin e çdo lloj represioni dhe forme të diskriminimit institucional të shqiptarëve? Do perkujdeseni për jetën e çdo qytetari të Republikës së Maqedonisë si për jetën tuaj? Do perkujdeseni që çdo shqiptar ta ndjejë Republikën e Maqedonisë si shtet të vetin duke e gjetë vetëveten në flamur, himn, gardë nacionale dhe në çdo institucion shtetëror? Sa garancë jepni ju si personalitet politik dhe si subjekt politik për zgjidhjen e përhershme të çeshtjes shqiptare në Republikën e Maqedonisë?

Zotëri i nderuar, këto pyetje burojnë nga shpirti i gjymtuar i një të riu shqiptar, por në vete përfaqësojnë pyetjet e heshtura të të gjithë shqiptarëve të Maqedonisë. Në to përfshihet periudha 2000 vjeçare e robërisë. E kush dëshiron të jetë i robëruar Zotëri Zaev?

Comments

Popular posts from this blog

Legjenda e Mujit dhe Halilit

Ese për Vitin e Ri