Lloqe Kavaje

Toni Milaqi

Guri Madhi "Moscow conference 1960" (265x210 cm, oil on canvas, 1974)

Kohët e fundit më tërhoqi vëmendjen emisioni "Zonë e ndaluar" i gazetarit Andi Bushati (1.6.2009) në TV Klan, në të cilin u shfaq dokumentari "Imazhet e Pambledhura të Moskës", dhe ku i ftuar ishte arkitekti & piktori Maks Velo. E veçanta e këtij emisioni ishte se u përpoq të hedhë dritë mbi historinë e një prej pikturave më emblematike të soc-realizmit shqiptar: "Mbledhja e 81 Partive në Moskë, 1960" (Guri Madhi), duke na bërë dëshmitarë të asaj se si funksiononte kjo doktrinë ideologjike përmes gjuhës së saj vizuale në ambientin shqiptar.

Historia

* Vepra "Mbledhja e 81 Partive në Moskë, 1960" ishte një porosi eKomitetit Qëndror të Partisë në shtatorin e vitit 1973, me rastin e tridhjetë vjetorit të çlirimit të Shqipërisë dhe njëkohësisht të përurimit të godinës së re të Galerisë Kombëtare të Arteve, në ambientet ku ndodhet aktualisht.

* Vinte menjëherë mbas Pleniumit të katërt, i cili goditi rëndë çdo tendencë/prirje/ndikim "modernist/borgjezo-revizionist" në kulturë dhe arte.

* Porosia e kësaj pikture ishte në vazhdën e një fushate të ndërmarë ngaorganet e Partisë për trajtimin/pasqyrimin e "temave të mëdha" përmes artit, ose e thënë ndryshe si shprehja më elokuente e rolit/funksionit propagandistik që duhet të luanin artet dhe artistët sipas mendësive të klasës në pushtet.

* Figura e Enver Hoxhës mund të trajtohej në pikturë vetëm nga një numër tepër i vogël piktorësh, të cilët në të shkuarën kishin dhënë prova"devotshmërie politike" dhe "aftësish artistike" (shih: skrupulozitet akademik ndaj dogmës së soc-realizmit). Ndonëse në mjaft vepra tëGuri Madhit vëmë re një formë më të çliruar materializimi teknik, përmes një penelate të gjerë dhe ekspresive, mund të thuhet se si artist i përmbushte në mënyrë rigoroze kriteret e mësipërme.

* Vepra e përfunduar prej G. Madhit u paraqit në ekspozitën e nëntorit 1974. Komisioni mbikqyrës i kësaj ekspozite i përbërë prej anëtarësh tëKomitetit Qëndror dhe "artistësh" e cilësoi si të pambaruar, me probleme të theksuara kryesisht në modulimin e figurës së E. Hoxhës, e cila ishte trajtuar përmes perceptimit disi ekspresiv/jo fotografik tëMadhit.

* I sugjerohet artistit ta rishikoj/ripikturoj veprën, gjë që nuk u pranua prej tij. Vendoset që figura e Enver Hoxhës të ripunohet prej piktorit Zef Shoshi, i cili konsiderohej si një nga përfaqësuesit më të rëndësishëm të soc-realizmit shqiptar, dhe nga të paktët artistë që mund të trajtonin figurën e udhëheqësit. Portreti i këtij të fundit disi fotografik/natyralist -që ne shohim sot- është produkt i retushimit të Zef Shoshit, duke dalluar qartë nga teknika e G. Madhit, dhe trajtimet e personazheve të tjerë të veprës.

Guri Madhi "Moscow conference 1960" -after repainted (265x210 cm, oil on canvas, 1978)

* 1978- Prishja me Kinën. I kërkohet G. Madhit të zhduket nga tablloja delegacioni kinez. Ndërhyrja kryhet. Figurat e kinezëve mbulohen me bojë.

*1981- Mehmet Shehu vret veten. Në pikturën në fjalë ai ndodhet përbri figurës së E. Hoxhës. Kërkohet sërisht prej autorit të ndërhyjë në vepër për të asgjesuar prej saj figurën e armikut M. ShehuGuri Madhishprehet se një veprim i tillë do të shkatërronte anën e saj kompozicionale, dhe se piktura s'do te vlente më. Që nga ajo kohë vepra u hoq nga qarkullimi, për t'u futur në fondin e zi të G.K.A.-së.

Piktura

"Mbledhja e 81 Partive" nuk solli asnjë surprizë në artin shqiptar. Bëhet fjalë për një vepër demagogjike (e cila himnizon stereotipin e "vitalitetit shqiptar", përkundrejt karikaturizimit të të "huajve barbarë"), pompoze në shprehje, tepër e kursyer në ngjyrë (në kundërshti me mjaft vepra të tjera të autorit), me një monotoni vrasëse në modulimin e personazheve.

Konteksti

Në fakt që të kuptojmë më mirë kushtet historike në të cilat u krijua piktura, duhet nënvizuar edhe koha e krijimit të saj. Nënkuptoj faktin se kjo vepër erdhi menjëherë pas Pleniumit të katërt, në vitin 1974, kohë në të cilën iu dha një goditje mjaft e rëndë prirjeve moderniste kryesisht në arte. Të shumta ishin gjygjet parodi, burgimet, internimet, pushkatimet, dënimet, arbitrariteti cinik i nomeklaturës komuniste ndaj intelektualëve dhe artistëve të kohës.
Në këtë aspekt nuk mund të pretendohet për cilësi dhe vlera të mirëfillta prej artit zyrtar të asaj kohe.

Bijtë e mosdijes

E solla këtu këtë histori për të bërë më të dukshme rolin unikal që mund të luajnë artet, apo veprat e artit në leximin e së shkuarës, në deshifrimin e saj. Akoma edhe në rastin e pikturave në fjalë, që nuk shquhen për pasuritë apo risitë e tyre artistike, mund të marrim një informacion bindës të mënyrës se si sendërtohej dhe se ç'rol luante arti në Shqipërinë komuniste. Duke folur mbi këtë subjek Maks Velo thotë:"Këtu kemi të materializuar, të fokusuar, të koncetruar tërë çmendurinë shqiptare." .

Rrugëtimi në jetë i kësaj pikture të G. Madhit është shprehja më e qartë mbi mënyrën se si perceptohej e shtjellohej në Shqipërinë totalitarehistoria (si shkencë), dhe evenimentet e ndryshme historike në veçanti. Eshtë treguesi më perfekt i retushimeve/fallcifikimeve të pafundme historike me të cilat u brumosën breza e breza të tëra të rinj shqiptarë. Një shembull ideal jo i çmendurisë shqiptare siç thotë M. Velo, por iobskurantizmit kriminal që mbolli dhe mbarështoi ai sistem aq i egër diktatorial në shoqërinë shqiptare për pesëdhjetë vjetë me radhë.

Forma e përqasjes/interpretimit historik (në varësi të kohës) të versionit zyrtar shqiptar mbi mbledhjen e Moskës, na bën të kuptojmë qartë vlerën dhe seriozitetin e konkluzioneve shkencore në trajtimin e etapave të ndryshme historike, duke u nisur nga Pellazgët, Ilirët, Bizanti, Lufta e dytë Botërore, apo konkludimet mbi Epirin, artin kristian/bizantin dhe pasbizantin në trojet e Shqipërisë së sotme, për të cilat kaq herë është folur edhe në këtë blog.

Duke ditur historinë e pikturës "Mbledhja e 81 Partive në Moskë, 1960"të Guri Madhit, jemi në gjendje të kuptojmë rolin prioritar dhe funksionin utilitar të artit të realizmit socialist në mbarëvajtjen e ekuilibreve sociale brenda burgut të pamëshirshëm nacional/komunist shqiptar.

Zef Shoshi "Moscow conference 1960" (oil on canvas, 1980)

p.s. Dua të shtoj se të njëjtën temë e trajtoi më vonë edhe Zef Shoshi, në një aludim tepër formalist/të vakët artistik, më të sigurtë politikisht, duke fshirë nga skena historike prezencën kineze, dhe duke lartësuar edhe më kompozicionalisht figurën pompoze të E. Hoxhës.

Comments

Popular posts from this blog

Legjenda e Mujit dhe Halilit

Ese për Vitin e Ri