Tërmetet që tronditën Rilindjen e Edi Ramës

Image result for andon dede

nga Andon Dede, Nju York

Shija e keqe e një skandali

Me afrimin e, më pas, fillimin e fushatës elektorale u duk sikur poterja mbarëkombëtare Doshi-Frroku-gejt u shua e u la në harresë, por nuk është ashtu. Pasojat e saj janë tepër të ndjeshme edhe as që kanë për t’u shuar ndonjëherë.

Me atë që bëri, Tom Doshi, as më shumë e as më pak, realizoi atë që paralajmëroi: tronditi me themel jo vetëm të ashtuquajturën “Rilindje” të Ramës por dhe gjithë koalicionin e majtë në pushtet, tronditje kjo që krijoi të çara jo vetëm përsa i përket qeverisjes aktuale por dhe propagandës marramendëse të Ramës e shpurës së tij politike e mediatike, për “fitoren plebishitare apo dërrmuese” të 23 qershorit 2013, për “një milion grushtat” që mori qeveria e mëparshme e broçkolla të tjera si këto. Duke denoncuar prapaskenat e ardhjes në pushtet të koalicionit anti-Berishë, (se ata s’kanë asgjë të përbashkët jo më me te majtën që pretendojnë, por as me PS-në e mëparshme),

Doshi hoqi kapakun e pusetës të gjirizit ku ishin mbledhur ujërat e zeza përmes zgjedhjeve të 2013-ës, duke bërë të shpërthejnë prej saj tërë erërat e qelbura që gjallonin në të, duhmat e së cilës vazhdojnë të ndotin atmosferën e rënduar të politikës shqiptare dhe as që kanë për t’u pastruar ndonjëherë. Dosh-Frrok-gejti, pra, sikur na liroi nga ato fjalime të bezdisëshme deri në dhimbje koke të Ramës e kompani, për “fitoren historike”të qershorit 2013 e për një milion shpullaxhijnjtë që e ulën në karrigen e shumë-ëndëruar.

 Mjafton të njihesh me intervistën e Doshit në Top Chanel që të informohesh për shumat marrmendëse që ka derdhur ai për atë fushatë. Jo vetëm kaq, por Dosh-Frrok-gejti pati për publikun shqiptar edhe shumë vlera të tjera: ai hapi dritare edhe për afera të tjera të pista të pushtetmbajtësve të sotëm, siç janë p.sh. mënyrat dhe mjetet që u përdorën për t’iu hapur rrugën për në Parlament njerëzve të fortë, qofshin ata gangsterë që s’përtojnë të qëllojnë me grushte edhe në korridoret e Kuvendit, ashtu dhe kontrabandistë e trafikantë të të gjithë llojeve, që turpërojnë jo vetëm karrigen e deputetit ku janë ulur por edhe të gjithë ne që i përkasim atij populli e atij vendi. Skandali tregoi se maxhoranca në pushtet jo vetëm që nuk e lufton krimin por e ka aleat atë sa herë që i intereson, siç janë fushatat zgjedhore.

Këtë e favorizon dhe sistemi aktual zgjedhor, rezultat i kompromisit të ndyrë në mes partive kryesore që e miratuan atë krejtësisht të nisura nga interesat e vogla meskine të kryetarëve të tyre, për të ushtruar pushtetin personal edhe në hartimin e miratimin e listave, gjë që lë shteg për filtrimin në Kuvend të të fortëve dhe të inkriminuarve, siç edhe ka ndodhur në dy zgjedhjet e fundit e siç po ndodh edhe aktualisht në zgjedhjet lokale. Justifikimet e Ramës se “nuk i njihnim si të tillë”, se “vërtet nuk flasin në Kuvend, por janë njerëz me influencë në bazë” e profka të tjera si këto të dala boje, nuk i ha më njeri.

Parë në këtë prizëm, Dosh-Frrok-gejti na kujtoi edhe njëherë nivelin e ulët ku është katandisur Kuvendi i sotëm e sidomos kushtet e mundësitë që iu janë krijuar kontigjenteve të pista e kriminale për të ardhur aty. Ato i duheshin kryetarit të “Rilindjes” sa për të rrëmbyer votën, në këmbim të jetës komode të deputetit, paçka se kjo i kushton aq shumë popullit e vendit.

 U bënë tashmë vite e dekada që në politikë e qeverisje tek ne mund të hysh e të dalësh sa herë të duash, të shkelësh ligjin e të mos dënohesh, të flasësh mbarë e prapë nga tribuna e Kuvendit, të përqafohesh e të bësh aleancë me po atë që ke anatemuar pak më parë, e jo vetëm të të mos hyjë asnjë gjemb në këmbë, por, në të kundërtën, të dalësh nga Kuvendi me ofiqe, favore e me pasuri që as të kishte shkuar në mendje para se të hyje atje. Ndaj dhe zhurma që u bë e po bëhet për gjoja dekriminalizmin e Kuvendit s’ka si të mos tingëllojë thjesht si demagogji, përsa kohë që do jetë në fuqi ky sistem elektoral.


Për ne që jemi spektatorë e jo aktorë të këtij skandali, nuk ka shumë rëndësi se si është e vërteta e akuzave që ngre Doshi dhe as se si do të përfundojë ky skandal. Qoftë dhe thjesht ngritja e akuzës për kryetarin e Kuvendit, përbën një njollë turpi që do ta detyronte çdo homolog të tij, edhe në shtetet më diktatoriale të Afrikës, që të jepte dorëheqjen, kurse kryetari i LSI-së, as që u tund nga istikami. Shrapneli i Doshit nuk tronditi me themel vetëm të ashtuquajturën “Rilindje”.

Saçmat e tij goditën shumë më gjerë. Ato i nxorrën bojën edhe më tej sistemit tonë të Drejtësisë, duke filluar nga organet e akuzës e duke vazhduar me tërë nivelet e gjykatave e institucioneve të tjera që lidhen me të. Dosh-Frrok-gejti detyroi të shkojë në Prokurori vetë kryemininistri e ministri i brendshëm, siç nuk kishte ndodhur kurrë më parë dhe të lëvizë nga vendi Prokurori i Përgjithshëm, për të vetmen arsye se në akuzat e Doshit u përmend edhe emri i tij.

Kjo tregoi se Prokuroria kur do, e bëka malin fushë, siç thotë populli. Parë në gjithë këto vështrime, krahas së keqes së madhe që pati Dosh-Frrok-gejti, duke i vënë një njollë turpi jo vetëm politikanëve e shtetarëve tanë, por dhe tërë popullit e vendit tonë, jo vetëm brenda vendit por dhe shumë më gjerë, në aulat e Parlamentit europian e më tej, pati edhe ky skandal vlerat e tij, se iu hapi sytë njerëzvë për të parë “mbretin lakuriq”, e jo siç përpiqej të dukej ai.

Faktet dhe informacionet e bollshme që dolën prej tij e implikojnë keqaz qeverinë e rilindasve jo vetëm në mbrojtjen dhe përkrahjen e kriminelëve por dhe në mosveprimin ndaj tyre, siç qe rasti flagrant i heshtjes për informacionin e ardhur nga Brukseli për implikimin në vrasje të deputetit Frroku.

Nga Dosh-Frrok-gejti tek Ben-Blush-gejti

Në vështrim të parë, Doshi me Ben Bliushin janë aq larg njeri tjetrit sa duket si gabim i rëndë t’i vësh së bashku qoftë edhe në një shkrim si ky. Unë nuk njoh asnjerin prej tyre drejtpërsëdrejti, por vetëm mediatikisht, njohje kjo e mjafueshme për të krijuar një ide të saktë për personalitetin e secilit. Megjithatë do të thosha se në gjithë këto që ndodhën, nuk është e vështirë të gjesh dhe shumë pika takimi. Një nga këto, të diskutuara tashmë edhe në media, si nga përkrahësit dhe kundërshatërt e tyre, është fakti se përse e bënë tani ata kundërvënien ndaj Ramës.

Me fjalë të tjera, mos vallë Doshi e shpërtheu predhën kur pa se i shkuan dëm tërë paratë dhe sakrificat e tjera që kishte bërë për fushatën e 2013-ës, pra kur pa se jo më që nuk mori ndonjë post të shpresuar por as nuk po ia varte më njeri, madje, për qeveritarët qe kthyer dhe në një njeri të bezdisëhshëm, duke mos i ngritur as telefonin e jo më të kënaqnin kërkesat e tij.

Bukur e thoshte në esenë e tij, K.Myftaraj, se Tom Doshi për Ramën e rilindasit e tij, kishte vdekur që më 23 qershor të 2013-ës. Po kështu thonë dhe për Blushin se po ta kishte ulur Rama në ndonjë post ministri, nuk do të fliste e nuk do të shkruante kundër tij. Edhe pse në këto pohime, nisur nga përvoja çerekshekullore e këtij tranzicioni, ka diçka të vërtetë, për temën që po trajtojmë nuk e vlen të merren në konsideratë.

Për ne kanë rëndësi të vërtetat e atyre që thonë, diagnozat që japin. Jo se ne, dhe kur them ne, kam parasysh gjithë publikun, nga ata lart e deri tek fshatari më i humbur, nuk i dinim ato, në mos tërësisht, shumicën e tyre, falë tërë këtij rrjeti informatik shurdhues; por ndryshe kur e lexon në gazetë apo e merr vesh nga ekrani i televizorit apo internetit dhe ndryshe kur të vërtetat i dëgjon nga vetë pjestarët e klanit të akuzuar.

Ne, fjala vjen, mund të kemi dëgjuar thashetheme sa të duash për një grua imorale, kushdo qoftë ajo, siç ndeshen në blogjet elektronike përditë; por, kur na e thotë këtë vetë punonjësi i hotelit ku ajo kënaq epshet, ndryshon puna, bëhet shumë më e besueshme.

E pra, është kjo arsyeja që dhe Doshi dhe Blushi çojnë ujë atje ku kishte aq shumë etje për tu bindur për realitetin e përjetuar, si për zgjedhjet e shumëpërfolura të qershorit 2013 ashtu dhe për qeverisjen e sotme që jo vetëm nuk po rilind gjë, por po na kujton kohën e diktaturës me frikën e panikun që ka ngjallur në popull apo dhe me tërë treguesit e mirëqënies sociale që po njohin vetëm ulje.

Treguesi më i qartë e më bindës për këtë është humbja e shpresës dhe largimi masiv i shqiptarëve, siç nuk kishte ndodhur prej kohësh.

Comments

Popular posts from this blog

Legjenda e Mujit dhe Halilit

Ese për Vitin e Ri