SADIK PЁRVETICA - POZITA E SHKRIMTARIT NË RAPORT ME VLERAT E TËRËSISHME NË SHOQËRI

Sadik_Pervetica

SADIK PЁRVETICA

Përjashto rastet e gjenive, pozita e shkrimtarëve të një mjedisi shoqëror duhet vlerësuar në kontekstin e vlerave të përgjithshme të asaj shoqërie.

Lufta e fundshekullit të kaluar në Kosovë, mori shumë jetë njerëzish; shkatërroi shumë shtëpi, pasuri e vendbanime shqiptare, dëmtoi ekonominë e vendit, por, mbi të gjitha, shkatërroi sistemin e vlerave, e në veçanti: të vlerave të trashëgimisë kulturore.

Në këtë kontekst mund të shikohet edhe dëmtimi i institucioneve e objekteve kosovare, ku janë zhvilluar aktivitete letrare: janë botuar libra e revista letrare, si dhe janë mbajtur edhe aktivitete të tjera.

Në fillimshekullin 21, Kosova filloi jetën si protektorat ndërkombëtar, ku vlerat e mëparshme,të krijuara me shumë mundime, u përmbysën tërësisht. Një pjesë e madhe e popullatës shqiptare mbeti e shpërndarë dhe e shkapërderdhur në të katër anët e botës.

Kjo ndodhi edhe me shkrimtarët. Ardhja e ndërkombëtarëve diktoi sjellje e ligje të reja kundrejt arsimit dhe kulturës sonë kombëtare në përgjithësi. Në Kosovë filluan të zbatohen ligje të reja, për të cilat njerëzit tanë të kulturës nuk e kishin lehtë të përshtateshin.

Në Kosovë lufta shkatërroi shumë biblioteka dhe objekte të kultures me krejt dokumentacionin e punës paraprake. Tani mungonin njerëzit që kishin mbajtur redaksitë e botimeve letrare për shumë vite. Mungonte përvoja e tyre.

Mungonin mjetet materiale, kështu që shumë punë në të gjitha veprimtaritë duhej filluar prej zeros. Thënë shkurt: në Kosovë u shkatërrua sistemi i vlerave. U shkatërruan themelet e një kulture dhe të një tradite të punës, çfarë e kishim pasur deri më 1999.

Krahas kërkesave të ndërkombëtarëve, këtu duhet shtuar edhe neglizhencën dhe injorancën e vendorëve, për punët që na pritnin, e kjo ndodhte edhe në veprimtaritë kulturore dhe letrare. Që në ditët e para të pasluftës, në Kosovë filloi një luftë e tmerrshme për pushtet në të gjitha veprimtaritë njerëzore.

 Kjo ndodhi edhe në organizimet letrare. Lufta se kush do të udhëheqte veprimtaritë në kulturë, në letërsi e veçanërisht, kush do ta udhëhiqte Lidhjen e Shkrimtarëve të Kosovës, nxori në sipërfaqe shumë dobësi tonat, ndaj filloi edhe të harrohet, apo të vihej në plan të dytë e të dhjetë krijimtaria letrare, misioni i shkrimtarit dhe letërsia e mirëfilltë.

Shkrimtarët tanë u bënë pikë e pesë, u ndanë dhe u përçanë: nëpër parti politike dhe nëpër klube letrare. Në këtë mënyrë, edhe në letërsi u rrënua sistemi i vlerave artistike, humbi motivi primar për një krijimtari të mirëfilltë letrare dhe, në vend të këtyre vlerave, në letërsinë tonë filluan të nxjerrin krye gjëra të tjera kinse mbi baza atdhetare.

Arti letrar kaloi në plan të dytë e të tretë. Të përkujtojmë organizimet madhështore të paraluftës, siç ishte: Mitingu i Poezisë në Gjakovë, i cili, pas luftës u politizua aq shumë, sikurse edhe vetë çështja se kush kishte udhëhequr luftën në Kosovë dhe të kujt ishin meritat e çlirimit dhe të fitores së lirisë së shumëpritur!

Që nga fillimi i shekullit 21, në Kosovë si dhe në të gjitha trojet shqiptare, u organizuan dhe u mbajtën shumë manifestime e fesitvale letrare, ku u dhanë çmime letrare për krijime në poezi, në prozë, në fushën e ramaneve e të dramaturgjisë.

Shikuar në rrafshin letrar, shumë nga ato krijime nuk i kanё plotësuar kriteret dhe standardet elementare për të fituar ndonjë çmim letrar, ngase çmimet janё dhёnё mbi motive e kritere të tjera: krejtësisht jashtëletrare, ku mё shumё ёshtё marrё parasysh autori sesa krijimi a vepra e tij, më shumë tema dhe motivet e një punimi, sesa vlerat letrare dhe artistike të tij, ku mё shumё ёshtё marrё parasysh: kush ishte dhe nga vinte autori, sesa çfarë vlerash letrare i sillte letërsisë sonë punimi i tij.

Gjithashtu nëpër qytete të ndryshme të Kosovës dhe të Shqipërisë, gjatë viteve të fundit, u mbajtën takime të përbashkëta letrare, në të cilat organizatorët, në disa raste, kompromituan qëllimin e takimeve duke dhënë çmime letrare me marrëveshje.

Kështu, bie fjala, kryetari i një klubi letrar të një qyteti, paradreke, ia jepte një çmim letrar kryetarit të klubit letrar mysafir nga qyteti tjetër, ndërsa pasdreke, edhe mysafiri, tani në rolin e nikoqirit, poashtu ia jepte një çmim letrar kryetarit të klubit letrar tjetër, gjatë kthyerjes së vizitës letrare!

 E tё gjitha kёto keqpёrdorime, kuptohet, kanё shkuar nё dёm tё artit dhe tё letёrsisё sonё nё pёrgjithёsi. (Një ditë, kur do bëhen analiza më të hollësishme dhe më të gjithanshme, mund të nxirren në sipërfaqe të gjitha këto keqpërdorime se në cilin takim letrar kush ka marrë çmime letrare: të merituara apo të pamerituara.

Në këtë mënyrë do dalin në sipërfaqe shumë keqpёrdorime të këtyre natyrave, të cilat kanë dëmtuar rëndë zhvillimet pozitive dhe prurjet e reja letrare nё letёrsinё tonё).

Tani shtrohet pyetja: ku janë dhe si gjenden shkrimtarët tanë sot në zhvillimet e reja shoqërore? Është e ditur se dikur, jo fort larg në kohë, krahas Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, edhe Lidhja e Shkrimtarëve e Kosovës, gjegjësisht shkrimtarët e Kosovës, ishin zëri i ndërgjegjes sonë kombëtare.

Shkrimtarët tanë, si elitё intelektuale e shoqërisë sonë, me paraqitjet e veta publike, kanë qenë zëri i arsyes sonë qytetare dhe kombëtare. Zëri i shkrimtarëve tanë dikur është dëgjuar përsa u përket problemeve të tërësishme shoqërore, por edhe të zhvillimeve kulturore dhe letrare në vendin tonë. Ky zë tani është topitur dhe është shuar fare.

Konkurset letrare anonime që dikur sillnin vlera dhe prurje të reja në letërsi, tani janë çoroditur në masën më të madhe, ngase edhe aty kanë hyrë marrëveshjet e fshehta korruptive.

Duke u ndarë e përçarë nëpër klane, klube e grupe shkrimtarësh të qyteteve, shkrimtarët tanë sot janë krejtësisht të pafuqishëm dhe të paorganizuar. Si të tillë, ata nuk e kanë më fuqinë e veprimit kolektiv, ndaj as nuk mund t’i kontribuojnë zhvillimit të një letërsie me vlera më të mëdha artistike.

Kështu, edhe po të nisemi nga maja e institucioneve tona kulturore: nga Ministria e Kulturës, bie fjala, sivjet, përkundër viteve të tjera, u shpall një konkurs për financimin e veprave letrare të pabotuara, e nuk u publikua në të njëjtën kohë, si viteve të tjera, edhe konkursi për blerjen e veprave letrare të dy viteve të fundit.

 Dhe në kohën kur autorët pritnin shpalljen e rezultateve, Ministria e përgjumur, ndërron të gjithë anëtarët e jurisë së vlerësimeve të veprave letrare dhe, kështu, shtyhet edhe për një kohë të pacaktuar( !!!) shpallja e rezultateve të atij konkursi.

 Këso parregullsish e përcjellin edhe konkursin tjetër për blerjen e veprave letrare të botuara gjatë dy viteve të fundit. Edhe ndaj këtyre parregullsive, shkrimtarët tanë heshtin! E heshtja e këtillë, siç duket, është bërë sinonim i pranimit të situatës së padinjitetshme dhe i gjendjes në të cilën ne po punojmë dhe po veprojmë.

Gjithashtu edhe ndarja e mjeteve buxhetore për zhvillimet e aktiviteteve letrare nuk përcillet me transparencë të duhur.

Një tis mjegulle e këtillë, pastaj, përcjell edhe shfrytëzimin e mjeteve të destinuara për aktivitetet dhe zhvillimet letrare vjetore. (Kështu në një takim të hapur në LSHK, një shkrimtar thoshte se ka marrë honorare për shkrimet e botuara në revistën e LSHK-së, kurse të tjerët nuk kishin marrë honorarin, e, bile, as nuk kishin pasur informata se dikush ka marrë honorare të këtilla! Shembuj të këtillë keqpërdorimesh të natyrave të ndryshme kemi plot, ndaj kjo tregon qartas se për rënien e moralit dhe sistemit të vlerave, janë fajtorë jo vetëm keqpërdoruesit, por edhe vetë shkrimtarët heshtakë, pasivë dhe injorues të gjendjes në të cilën janë edhe vetë!

Me fjalë të tjera, shkrimtari ynë sot, me pasivitetin dhe me mosinteresimin e duhur për gjërat që e rrethojnë, si dhe për ngjarjet kulturore (e jokulturore) që përcjellin jetën e tij, ka dalë tërësisht nga rrjedhat normale të punës dhe të aktiviteteve të veprimtarisë së tij.

 Siç është thënë edhe më lart, e gjithë kjo gjendje ka ardhur si pasojë e shkatërrimit të sistemit të vlerave të tërësishme në Kosovën e pasluftës.

 Në këto kushte dhe rrethana, në njëfarë mënyre, vetë shkrimtarët, me mosangazhimin e duhur të tyre, kanë bërë që të jenë të papërfillshëm nga institucionet tona dhe nga shoqëria jonë; gjegjësisht të mos jenë faktorë aktivë në vendimmarrje rreth punës dhe veprimtarisë së vet, si dhe rreth zhvillimit të ngjarjeve të rëndësishme për zhvillimin e një letërsie të shëndoshë dhe me prurje të reja artistike te ne.

Mendojmë se është koha e fundit që LSHK-ja si strumbullari kryesor i aktiviteteve letrare te ne, të organizohet ndryshe, të lirohet nga personat politikë që mbajnë poste për qëllime politike e jo letrare artistike, t’ua lirojnë vendet shkrimtarëve veprues, për t’u marrë shumë më seriozisht me ngjarjet dhe me udhëheqjen e aktiviteteve letrare: në mënyrë profesionale dhe të ndershme.

Vetëm në këtë mënyrë letërsia jonë, por edhe shoqëria jonë në përgjithësi, do të mund të liroheshin nga pasiviteti politik që ka uzurpuar të gjitha poret e jetës nëpër institucionet tona shtetërore, do të mund dilnin dhe të liroheshin nga amullia dhe nga mjegullat që kanë kapluar institucionet tona kulturore dhe letrare, në mesin e të cilave vend qendror dhe rol dominant ka dhe duhet të ketë pikërisht Lidhja e Shkrimtarëve e Kosovës, e cila, siç dihet, për shkak të ngërçit politik, vetëm vitin e kaluar, për rreth gjashtë muaj, pezulloi: jo vetëm aktivitetet letrare, por, për mbi një gjysmë viti, mbajti peng edhe mbarë shoqërinë tonë....

(Sadik Përvetica u lind më 1949 në fshatin Breznicë, rrethi i Prishtinës. Disa vjet punoi si mësues në vendlindje, kurse pas kryerjes së studimeve në Universitetin e Prishtinës, punoi si profesor i Gjuhës dhe i Letërsisë Shqipe në një shkollë të mesme, për të vazhduar punën, më vonë, edhe si gazetar, lektor e redaktor në Radio-Prishtinë si dhe në disa gazeta e revista të kohës. Është fitues i disa çmimeve letrare për tregime e pjesë teatrale nëpër konkurset letrare në Kosovë dhe në Maqedoni. 


Shkruan prozë, poezi, drama, vështrime letrare dhe ese. Jeton dhe krijon në Prishtinë. Bibliografi letrare: Kah e shkel këmba e pulës (Tregime humoristike për fëmijë), 1995, 2012, 


Njohje (Tregime për të rritur), 1996, Gëzim dhe lumturi (Pjesë teatrale për fëmijë), 2000, 2012, Shikimi në kornizë (Roman për fëmijë) 2002, 2009, Diell dhe ylber në zemra (Tregime të zgjedhura për fëmijë), 2002, 2004, E kujt është dhia (Humor satira e kozeri për të rritur), 2004, Piramidale (Poezi për të rritur), 2009, Troja (Tregime për të rritur), 2010, Fjalshkurta të moshës (të sitës e të shoshës), 2010, Kur Kashta e ha Vaktin (Poezi satirike haiku), 2010, Nëpër furtunë (Dramë), 2012, Gjethet e kujtimeve (poezi për të rritur, shqip-rumanisht, Prishtinë-Bukuresht, 2012). Vepra të tjera në dorëshkrim:  Tregime për fëmijë, Tregime për të rritur, ese, vështrime, kritika letrare, dromca humoristike shkruar pas luftës për emisionet e Radio Kosovës. )

Etj.

Comments

Popular posts from this blog

Legjenda e Mujit dhe Halilit

Ese për Vitin e Ri