REXHEP SHAHU KUSH UA NGJITI BISHTIN SHQIPTARËVE

Rexhep Shahu

(U botua libri “Shqiptarët e Fuqitë e Mëdha” i ish kryeministrit serb Vladan Gjorgjeviq, nga Shtëpia Botuese, Klubi i Poezisë, Tiranë)





Libri i zi, libri më i zi kundër shqiptarëve, ose libri i ankthit serb, siç shkruan Izet Duraku, ankth i shkaktuar nga ngritja, ngjizja, apo krijimi i shtetit shqiptar, me titull, “Shqiptarët e Fuqitë e Mëdha”, i shkruar nga ish kryeministri serb Vladan Gjorgjeviq në janar 1913, i botuar atëhere në gjermanisht dhe frëngjisht për të bindë europianët se shqiptarët janë me bisht, janë të pagdhendur, të trashë, primitivë, të pazhvilluar, s’mund të bëjnë shtet, s’duhen pranuar në Lidhjen e Kombeve, s’mund të jetojnë shtet më vete por i duhën lënë për 100 vjet Serbisë që t’i kulturojë e njerëzojë e pas 100 vjetëve Serbia t’u japë autonomi kulturore, i përkthyer nga gjermanishtja e botuar në serbisht nga i biri i mbretit të Serbisë për ta mbjellë e rritë urrejtjen serbe kundër shqiptarëve deri në zhbërjën e tyre; libër bazë, rrënjë mitër apo nënë e gjithë elaborative apo platformave shkencore, akademike e politike serbe antishqiptare; libër gurrë e të kqiave kundër shqiptarëve, gurrë në të cilën kanë pi urrejtje kundër shqiptarëve gjithë antishqiptarët, gjithë urryesit e shqiptarëve, gjithë oratorët, kritikuesit, qortuesit e shqiptarëve e kombit shqiptar, por pa e ditë shqiptarët se cila është ajo gurrë të cilën për një mijë rrethana e arsye urryesit e qortuesit e shqiptarëve që llomotisin televizioneve e gazetave e kanë mbajtë edhe të fshehtë; libër i përkthyer prej serbishtes në shqip nga ish kryeministri dijetar e atdhetar shqiptar Mustafa Kruja dhe i botuar, me parathënie e pasthënie prej tij, në vitin 1928; libër i mbajtur po thuaj i fshehtë ndaj lexuesit masiv shqiptar dhe i përdorur nga staticienët ballkanas e shqiptarë të veseve njerzore të shpallura nga qortuesit e shqiptarëve si vese vetëm shqiptare, u ribotua këto ditë vere në Tiranë, pas 87 viteve prej botimit të parë, nga shtëpia botuese Klubi i Poezisë në Tiranë, që ka ndërmarrë nismën, të njohim fqinjët, dhe në këtë kuadër po boton libra të fqinjëve serbë, armiq e miq, falë mirëkuptimit, përkrahjes e mbështetjes financiare të biznesmenit intelektual e humanist Flamur Lutfi Hoxha, i cili thotë se asgjë më shumë se libri nuk është gur themeli në kujtesën kombëtare dhe po e mështetë këtë nismë, falë nxitjes, redaktimit dhe parathënies për këtë botimi të Izet Durakut, me recencë të Skënder Zogajt, falë lejes për botim të Eugjen Merlikës, nipit të Mustafa Krujës, falë ndërhyrjeve gjuhësore të tij dhe të Neritan Kolgjinit, i cili është edhe recenzent edhe e ka radhitë librin.



Image result for rexhep shahu

Shkrimtarët nga Tirana: Izet  Duraku dhe Rexhep Shahu


Libri i Vladan Gjorgjeviqit, Shqiptarët e Fuqitë e Mëdha, nuk është libër vere, limonadë, telenovelë bastarde që ngop me kotësi lexuesit e mjerë që shullëhen e rreziten në diell kotësie të pashpresë se s’dinë çfarë duan në jetë, është libër i frikshëm, i rëndë, tronditës që të ngjeth mishin e të ngre përpjetë flokët e kresë kur gjendesh para furisë e shtjellave të egra të furtunës së shpifjeve të pa dëgjuara, të pa imagjinuara edhe prej mendjes më të lajthitur e të sëmurë, shpifje të pështira që i ndjen se të ngulen si thika të helmëta në trup dhe don të thërrasësh se nuk janë të vërteta, por nuk ke fuqi të nxjerrësh as frymë as zë, dhe dyshon se nuk të beson as zoti, që mbahet si krijues i njeriut.
Mustafa Kruja në parathënie pyet, a ka shqiptarë më bisht?

Image result for Skender zogaj
Skënder Zogaj,shkrimtar nga Prishtina

Lexuesi shqiptar pak i ditur e i lexuar duhet të ketë dëgjuar se diku, dikur në një konferencë në Romë, Gjergj Fishta nuk po ulej në karrige në sallë ku ishte i ftuar dhe po qëndronte në këmbë. Kur drejtuesit e mbledhjes i thanë Fishtes se pse nuk uleni imzot, ai u përgjigj se nuk më le bishti të ulem. Bishti që Vlladani ua kishte ngjitë shqiptarëve u bë problem në atë sallë elitare dhe përfaqësuesi serb në atë mbledhje thonë se doli jashtë.
VladanDjordjevic.jpg

Vladan Đorđević



Po thuaj se një gjest të tillë ka bërë edhe imzot Noli i madh diku në një takim nivelesh europiane kur ka thënë se nuk po di ku ta vari bishtin që ua kishte ngjitë Vlladani shqiptarëve.


U botua libri i Vaso Çubrilloviqit “Shpërngulja e shqiptarëve”


Si botues, si gazetar, poet, që me mbështetjen financiare të Flamur Lutfi Hoxhës kam botuar “Shpërngulja e Shqiptarëve” Vaso Çubrilloviqit, “Unë i kam shumë borxh Shqipërisë” D’Estournellës De Constant, humanist i madh francez, nobelist i paqes, ish sekretar i komisionit të caktimit të kufijve në veri të Shqipërisë, “Shqipëria në 1921” të humanistit Justin Godart, përkthyer nga Mirdash M. Shehu – libër i madh i dashurisë për shqiptarët ose libri që i vihet përballë si asnjë tjetër deri sot librit të Vladanit dhe që u këndon hymn e u del zot shqiptarëve si pothuaj asnjë libër tjetër, që kam në shtyp Kosta Novakoviqin e Ballugxhiqin, do të doja që këtë libër të Vladanit ta lexonte çdo shqiptar që din shkrim e këndim. Për me njoftë fqinjët tanë serbë, me njoftë laboratorin e të keqes serbe. Mos me u gjendë si gomari që po e hante ujku e ai kujtonte se ishte në ëndërr.

Image result for Justin Godart

Justin Godart


Mos me mbetë në tela çiftelie e sharkie dija jonë për fqinjët tanë serbë me të cilët do të jemi fqinjë sa ta nxehë dielli tokën.


Jo për mua, jo se unë fitoj lekë nga shitja e këtij libri (edhe nëse fitoj nuk është keq pasi dua ta botoj Dimitrie Tuceviqin dhe ndonjë humanist tjetër serb), por për formimin e vetëdijes kombëtare të sejcilit shqiptar, vetëdije që nuk formohet por shëmtohet nga librat e dashurisë së shtirur e sterile të atyre që bëjnë dashuri në letra e jo në jetë.


Image result for Dimitrie Tucovic

Dimitrije Tucović



Në fund fare, i dashur lexues, pasi ta lexosh këtë libër, si të kalojë një farë kohe, ka me t’u ngjallë një ndjenjë mëshire për serbët, për liderët serbë, për akademikët serbë, sepse do të kuptosh se sa shumë energji, mund, djersë, para, ëndrra në diell kanë çue dëm serbët duke urrye, vrarë, masakrue e përdhunue shqiptarët, këtë farë e rracë të pazhdukshme, që zoti i ka falë të paaftë me urrye por edhe fatkeqë se harrojnë shpejt, për të zezën e vet.


U botua libri i Vaso Çubrilloviqit “Shpërngulja e shqiptarëve”

(Botohet për herë të parë si libër me vete,në shqip, nga Klubi i Poezisë, Tiranë, mars, 2015).

Emrin e akademikut serb Vaso Çubrilloviq shumëkush mund ta ketë dëgjuar ndonjëherë në jetë. Shummëkush e ka lakuar këtë emër herë për t’u shfaqë i dijshëm, patriot, trim me fletë a nacionalist. Shumëkush ka gënjyer e mashtruar se e din çfarë ka shkruar ky akademik serb, i çmuar si kryearkitekt i shfarosjes së shqiptarëve.

Por në masën më të madhe të gjithë janë gënjyer e kanë gënjyer veten e të tjerët. Vaso apo Vasa Çubrilloviqin nuk e kanë njohur shqiptarët, nuk e kanë ditë se çfarë ka shkruar ai kundër shqiptarëve, nuk e dinë se ai ka hartuar dy traktate sekrete, platforma apo referate, quaji si të duash, kundër shqiptarëve, për shpërnguljen, shfarosjen e zhbërjen e shqiptarëve. Sa herë ikin, dëbohën, shpërngulen apo përzihen shqiptarë prej atdheut të tyre, të duket se si për inerci zbatohen në një mënyrë apo tjetër platformat e Vaso Çubrilloviqit.

Në mars 2015, Klubi i Poezisë, Tiranë që i ka kapërcyer me kohë dilemat, duhet apo s’duhet, bën apo s’bën, i botoi si libër më vete për herë të parë të dy platformat sekrete të Vaso Çubrilloviqit, në libër me 120 faqe, me autor Vaso Çubrilloviq, të pa fshehura, të pa strukura apo maskuara nën kopertina e ballina mashtruese, siç edhe ka ndodhë, të përcjella me një parathënie serioze prej poetit e shkrimtarit Izet Duraku.

Teksa lexon dy platformat shkencore të akademikut, politikanit e shtetarit të lartë serb, Vaso Çubrilloviq, i cili ka qenë anëtar i Akademisë serbe të shkencave dhe anëtar i Akademisë ruse të shkencave, i cili ka qenë dy herë ministër në Jugosllavi, (njërën platformë ia drejtoi mbretit serb me 7 mars 1937 dhe tjetrën mareshallit Tito me 3 nëntor 1944), ndjen se të drithëron e rrënqeth gjakftohtësia, akullsia, saktësia, qartësia e pëfeksioni në hartimin e porositjen e krimit akademik shtetëror serb kundër shqiptarëve, kundër racës shqiptare.

Shqiptarët, nga i vogli te i madhi, për gjatë pothuaj një shekulli, i kanë ra më së shumti çiftelisë dhe nuk kanë ditë çfarë është shkruar e thënë për ta nga fqinjët tanë, nga akademikët e shtetarët fqinj, që kanë menduar dhe vepruar sa kanë mundë të shfarosin e zhbëjnë shqiptarët. Shqiptarët vetëm janë mahnitë sa të saktë dhe ngulmues kanë qenë serbët në shpënguljen, shfarosjen e zhbërjën e tyre dhe e kanë zmadhuar e përcjellë ndër breza frikën prej serbëve dhe urrejtjen ndaj tyre.

Mbi 90 përqind e zyrtarëve shqiptarë në hapsirën e tyre jetike, për gjatë gati një shekulli, zyrtarë të ultë, të mesëm, të lartë e shumë të lartë, ku janë e ku s’janë, nuk kanë ditë pothuaj asgjë për platformat shfarosëse të Vaso Çubrilloviqit, jo më t’i kenë lexuar, studiuar, apo reaguar, përjashto ndonjë thashethem të dëgjuar si fall maxhypesh.

Mbi 90 përqind e studentëve shqiptarë, as ata të historisë e shkencave shoqërore, të pothuaj një shekulli, ku janë e ku s’janë, nuk dinë pothuaj asgjë për platformat shkencore akademike të Vaso Çubrilloviqit për shpërnguljen e shfarosjen e shqiptarëve. Nuk dinë studentët se nuk kanë ditë e nuk dinë pedagogët e profesorët e tyre.

Ndërsa për nxënësit a gjimnazistët shqiptarë nuk bëhet fjalë të dinë ndonjë gjë për këtë akademik serb, nuk mund t’ia dinë as emrin, ose më e shumta, mund ta marrin për sportit, futbollist, trajner apo këngëtar serb.

Mosnjohja në Shqipëri e Vaso Çubrilloviqit dhe platformave të tij antishqiptare mbase shpjegohet me mendimin, “ç’na duhet ne Çubrilloviqi, ç’na ka bërë ne…”. Sepse, jo nga populli, por nga kuzhinierët e çorbës tonë të ftohtë e të prishur ka ekzistuar e dominuar mendimi dhe veprimi se në NE nuk hyn Kosova. Thuhej ligësisht se Kosova e problemet e saj përjetohen në Veri, sikur çeshtja e Çamërisë u përjetoka vetëm në Jug. Thuhej pa zë se Kosova është diçka jashtë nesh, përtej nesh, Kosova është Jugosllavi, është Serbi dhe pse duhet të hyjmë në konflikte me Jugosllavinë, e cila pati sjellë ustallarët e saj si MiladinPopoviqin, Dushan Mugoshën, etj, për hedhjen e themeleve dhe ngritjen e Partisë Komuniste Shqiptare, si bijë besnike e Partisë Komuniste Jugosllave.

Ndërsa pse nuk njihet e nuk studiohet Çubrilloviqi në Kosovë e në trojet e tjera shqiptare, këtë nuk e di, nuk gjej ndonjë arsye tjetër veç frikës se po cënojmë e po prishim bashkim-vëllazërimin dhe frikës prej pushtetit të injorancës me të cilin janë të dënuar kudo shqiptarët nga vetja e tyre.

Një gazetë ditore në Kosovë, pas luftës për Kosovën, e ka botuar në faqet e saj “Shpërngulja e shqiptarëve” ndërsa platformën e dytë të Çubrilloviqit e ka botuar në një libër të tij me titull Shpërngulja e shqiptarëve, autor R. Qosja, por dy platformat e akademikut serb botohen për herë të parë si libër më vete në gjuhën shqipe nga Klubi i Poezisë, Tiranë.

Po nuk njohëm fqinjët, ne nuk njohim vetën. Nuk kemi ku e shohim pasqyrimin e vetes tonë më shumë e më qartë se sa te fqinjët. Nëse do të njihemi, do të duhemi se në fund të fundit, jemi të dënuar të duhemi, të bashkëjetojmë e bashkëpunojmë ose të vritemi e shuhemi.
Të mos lajthisim më tej duke u bërë popull e komb i mashtruar i mediave internacionaliste, por sa të mundim të bëhemi popull e komb i librit.
Duke lexuar Çubrilloviqin çdo shqiptar ka me fillue me e dashtë më shumë veten e tij, atdheun e tij, ka me fillue me u ndje më shumë shqiptar dhe më krenar që është shqiptar.(REXHEP SHAHU)

Comments

Popular posts from this blog

AKADEMIK PROF. DR HAKIFBAJRAMI PH.D : GRUSHTSHTETI IDYTËNDAJKOSOVËS( PAS 23 MARSIT 1989) MË 25 MARS 2020

Legjenda e Mujit dhe Halilit