IRANI DHE QYTETËRIMI IRANIAN (PËRSHTYPJE UDHËTIMI)

Dr. Hajri SHEHU


Dr. Hajri Shehu
Prof.Dr. Hajri Shehu
....Ditë më parë, pata rastin e mirë të shkoja në Teheran për një veprimtari shkencore. Në këtë veprimtari merrnin pjesë studiues, gjuhëtarë, komentues, kaligrafistë, grafistë, piktorë, botues etj. të Kur’anit nga tri kontinente: iranianë, rusë, italianë, kinezë, turq, indianë, egjiptianë, tunizianë etj. Ndërtesa ku u zhvilluan veprimtaritë ishte madhështore, e denjë për një libër të madh epokëbërës, siç është Kur’ani.
Ne shqiptarët i njohim Iranin dhe iranianët, madje që nga shekulli XVI-XVII. Njohim historinë e tyre, kulturën e tyre, letërsinë e tyre. Ne njohim poetët iranianë, – Sadiun, Rumiun, Firdusiun, Hafiz Shirazin etj., matematikanin Al-Horezmi, historianin e astronomin Al-Biruni, filozofët Ibn Sinai (Avisena), Al-Farabiu, Gazaliu e të tjerë, teologët, tubuesit e teoricienët e haditheve – Imam Ebu Hanife e Muslim Al Kushehri etj. Rubairat e Omer Khajamit, të përkthyera mjeshtërisht nga Fan Noli e Hafiz Ali Korça recitohen me ëndje edhe sot e kësaj dite. Lexuesi shqiptar i ka tashmë në bibliotekën e tij “Gjylistani dhe bostani”, “Shah-Name-ja” (Tregime për mbretër), “Mbrëmë i pëshpërita një ylli” etj. Mund të lexoni për këta e edhe për të tjerë te “Panteoni iranian dhe iranologët shqiptarë” i profesor Shefik Osmanit. E pse jo, edhe te revista islame e viteve ’30, “Zani i Naltë”; në ditët tona, te revista “Perla” e gazeta “Gjylistani dhe bostani” të Fondacionit “Saadi Shirazi” dhe te gazeta “Këshilla” e Fondacionit të Kur’anit. Dua t’u shtoj këtyre pak rreshtave të parë edhe një të thënë, lexuar vite më parë diku (qortoj veten që nuk e kam mbajtur shënim burimin) se edhe Shekspiri i madh është me origjinë iraniane. Irani është një vend me kulturë të madhe e me njerëz të mëdhenj jo vetëm për vete, por edhe për botën.
Irani është vendi i një prej qytetërimeve më të lashta të botës, me një histori pesëmijëvjeçare(thonë,edhe dhjetëmijëvjeçare, edhe pesëdhjetëmijëvjeçare). Për këtë flasin qytetet historike – Teherani, Isfahani, Shirazi, Jazdi, Kermani, Mash’hadi, Kumi etj., flasim gërmimet arkeologjike në shumë qendra të vjetra banimi e edhe në vende parahistorike. Në Shpellën pesëdhjetëmijëvjeçare të Hasanabadit, arkeologët iranianë kanë zbuluar mbetje njerëzish dhe kafshësh.
Qytetërimi i parë i Iranit ishin Ilamitët, rreth 3000 vjet para erës sonë. Arianët, popull indo-evropian, erdhën në Iran në fillim të shekullit të dytë para erës sonë. Ata emigruan nga Rrafshnalta e Azisë Qendrore.   Fiset kryesore qenë madët (në perëndim), persët (në Jug) dhe partët (në juglindje). Ata e quajtën atdheun e tyre të ri Iran, që do të thotë “toka e arianëve”. Arian ka kuptimin “fisnik, i ndershëm”. Historia e Iranit është, sigurisht edhe historia e Perandorisë së dikurshme Persiane.
Irani shtrihet në Azinë e Mesme. Është vendi i maleve të mbuluara me borë, i fushave të gjelbëruara dhe i shkretëtirave shterpe.  Irani ka një sipërfaqe prej 1 648 000 km2 – sa sipërfaqja e Anglisë, Irlandës, Gjermanisë, Austrisë, Belgjikës, Holandës dhe Luksemburgut, marrë së bashku. Kufizohet me Turkmeninë, Azerbaixhanin dhe Armeninë në veri, me Afganistanin dhe Pakistanin në lindje dhe me Turqinë e Irakun në perëndim. Laget nga Deti i Omanit, Gjiri Persik dhe Deti Kaspik, me një gjatësi bregdetare prej 1952 kilometrash. Ka dy vargmale të mëdhenj – Alburzi në veri dhe Zagrosi në jug dhe në lindje. Maja më e lartë e maleve iraniane është Damavandi, 5671 m. mbi nivelin e detit. Teherani, kryeqyteti është në rrëzë të malit Alburz, ashtu si Tirana në rrëzë të Dajtit.
Persishtja është gjuha zyrtare e Iranit. Ajo është degë e familjes gjuhësore indoevropiane, çka do të thotë se është farefisnore me shqipen. Vendësit e quajnë gjuhën e tyre “farsi”. Persishtja shkruhet me alfabet arab. Kultura e të folurit të iranianëve bashkohet me muzikalitetin e   o-ve të persishtes.
Irani është republikë islamike. Irani e ka përqafuar Islamin në mes të viteve 600. 98% e popullsisë janë myslimanë; pjesa tjetër janë zjarradhurues (zoroastrianë), të krishterë dhe judaistë. Çdo grupim ka përfaqësuesin e vet në parlament. Presidenti, anëtarët e parlamentit, këshilltarët e qytetit dhe të fshatit etj. zgjidhen drejtpërdrejt me votim nga populli. Në Iran votohet që në moshën 16 vjeç. Irani ka 28 provinca dhe 257 qytete. Çdo provincë ka kryeqytetin e vet. Kryeqyteti i Republikës, Teherani, është një ndër qytetet më të populluara në vend ( me rreth 13 milionë banorë). 2 500 vjet më parë, kryeqytet ishte Shirazi. Irani ka një popullsi prej rreth 65 milionë banorësh. Dita e pushimit javor zyrtar është e premtja. Nevruzi (21 marsi) është Viti i Ri iranian e festë kombëtare.
Me një sipërfaqe prej rreth 1500 km2, me rrugë e bulevarde moderne, me ndërtesa shumëkatëshe, me parqe e lulishte, me drurë zbukurimorë e rrape, me mbi dhjetë universitete e me mbi njëqind kolegje, me aq shumë shkolla e muze, me xhami e tyrbe madhështore, me vepra arti në sheshe e në parqe, Teherani është një përmendore e gjallë dhe historike e popullit iranian. Dy vepra arti në qytet – “Një dorë me një gonxhe të sapoçelur” dhe “Një kalli gruri”, i rrethuar me vargje dritash shumëngjyrëshe sintetizojnë vetëm një pjesë të jetës dhe të punës së popullit iranian e të kryeqytetit iranian. Mauzoleu hijerëndë i Ajetullah Khomeinit në një park shumë të hapët dhe Pallati i Bardhë i Shahut etj. kanë çdo ditë vizitorë. Ekspozita e Trembëdhjetë e Kur’anit të Shenjtë, e hapur në një ndërtesë trekatëshe, të tejlirshme gëlon nga qytetarët, nxënësit, studentët, vajzat, gratë, të moshuarit. Një pelegrinazh i vërtetë. Në parkun e ish-pallatit të Shahut ka disa muze: muze të kaligrafisë (kaligrafia është art më vete në Iran) në letër e edhe në gur; muze pikturash etj. në miniaturë; muze të artit modern (me tablo, si: Sadiu; sekreti pas perdes; dyqani i poçarit; bujku; nata e mbrëmshme pranë tavernës (një njeri i tmerruar midis poçeve të rakisë mbi kokë, nën këmbë, kudo); falltari; gruaja në mëndafsh; pylli; aroma e dashurisë; meditimi; lartësimi; buzëqeshja etj). Në muze ka zbukurime në korale, rrahje në bakër, gdhendje në gur etj.
Isfahani (Irani Qendror) është njëra ndër provincat kryesore të Iranit. Isfahani ka rreth 150 vende historike – xhami, pallate, hamame, ura etj. Provinca ka shumë gjelbërim e shumë lule. Për lule mund të krahasohet me Holandën. Koha më e mirë për ta vizituar, – të thonë, – është vjeshta e hershme, kur ca nga ca fillon të freskohet moti dhe kopshtet e fushat e mbushulluara me shegë e me luledielli presin dorën e njeriut. “Nakshi Xhehan” është sheshi më i madh në botë i rrethuar. Ai rrethohet nga monumente të mëdha islamike: Xhamia Mbretërore (tani, Xhamia e Imamit), pallatet “Sheikh Lutfullah” dhe “Ali Kapu”. Çehel Sutuni (pallati prej dyzet kolonash) është një përmendore madhështore. Quhet kështu sepse njëzet kolonat e tij pasqyrohen në liqenin përballë. Pikturat murale nga brenda janë të kohës safavide.
Më se 63% të rezervave të përgjithshme botërore të naftës dhe 28.5% të gazit gjenden në zonën e Detit të Omanit dhe të Gjirit Persik. Kjo do të thotë që kjo pjesë e Iranit është me rëndësi ekonomike dhe politike botërore. Këtu janë edhe ishujt piktoreskë të Kishit, Keshmit, Kharkut dhe Hormuzit. Mauzoleu i profetit Daniel, pallatet e Dariusit dhe të Kirasit, ishulli koral i Kharkut nuk janë  vetëm për turistët.
Zagrosi dhe  Marhazi janë po aq tërheqës, me përmendore, me liqene e ujëvara, me Shtatoren e Herkulit, me mbishkrime në gurë, me mauzoleun e Avisenës, me kështjellën e Sulejmanit, me mbijetojat e qytetit antik të Persepolisit, me mauzoleun e Sadiut dhe të Hafizit.
Në Shkretëtirën Qendrore janë qytete si Kumi – qendër pelegrinazhi për tyrben e Ma’sumes dhe të Imam Rezait, kurse në Mazanderanin gjithë gjelbërim e plantacione çaji e agrumesh është një qytet i bukur, pranë Detit Kaspik. Qyteti quhet Ramsar. Ka një konventë të UNESKO-s për mbrojtjen e trashëgimisë  kulturore botërore që njihet me emrin e këtij qyteti. Butrinti ynë është edhe nën mbrojtjen ndërkombëtare të Konventës së Ramsarit.
Nëse do të flisnim edhe pak për kulturën materiale të Iranit, do të ndaleshim te lulet e te drurët zbukurimorë dhe te qilimat. Në Iran rriten të gjitha llojet e luleve. Trëndafili i Damaskut, nga i cili nxirret esenca më e mirë në botë, rritet gjithkund. Lulja kombëtare e Iranit është laleh – tulipani, lulekupa. Në Teheran, një nga hotelet e tij modernë ka emrin “Laleh”. Edhe në Tiranë ka një lule me emrin lulelale. E bukur është. Irani eksporton shelgun e kuq. Iranianët janë artistë nga natyra. Punët e tyre të dorës, – thonë vetë të huajt, – janë nga më të mirat dhe më të lirat në botë. Irani zë vendin e parë në botë për eksportin e qilimave të endur me dorë. Disa nga qilimat iranianë kanë zënë vend në muze të mëdhenj të botës.
Një ditë, përballë vargut të makinave në kryqëzim kaloi një djalosh i gjatë, i zeshkët, me një tufë tulipanësh, mbështjellë secili me celofan. Djaloshi shiste tulipanë. Kjo sigurisht nuk na habit ne evropianëve. Por mund të na habitë diçka tjetër: Mbi 130 000 parashkollorë (fëmijë të moshës 5-6 vjeç) lexojnë Kur’anin! I kam parë e dëgjuar vetë disa prej tyre. Imagjinoni për një çast një libër me qindra faqe, me një gjuhë arabe klasike të stilit të lartë, me shenja të veçanta për zanoret, me rregulla shumë të përcaktuara për fillimet, ndalimet etj. Imagjinoni pastaj moshën e tyre. Një kulturë shumë e lartë mësimi. Të habit edhe diçka tjetër. Në vitet  1500-1700 në Isfahan ka pasur mbi 300 kafaze pëllumbash. Kulturë ekologjike-mjedisore, apo jo? Por, edhe kulturë prodhimi: atëherë, kishte nevojë për pleh dhe bujqit merrnin kështu edhe plehun e pëllumbave të kafazeve. Në Iran rriten 160 lloje sisorësh, 350 lloje shpendësh e 180 lloje peshqish.
Irani ka kulturë të lartë tradicionale edhe në kuzhinë. Havjari dhe karkalecat e detit janë ndër gatesat më të mira në botë. Pijet alkoolike ndalohen sipas Sheriatit islam, por mund të pihet shampanjë, verë e birrë pa alkool. Madje, po të pish birrën iraniane pa alkool e pije të tjera freskuese iraniane, pijet alkoolike i ke përbuzur.
I tërë Irani është shkollë. Për këtë flet edhe një fakt: në Iran rreth gjysma e popullsisë është nën moshën 20 vjeç. Një popull me kulturë ka libra, librari, biblioteka, filma, televizione, radio, internete, orkestra simfonike e opera. Iranianët e kanë këtë kulturë. Irani merr pjesë në panaire ndërkombëtare libri; tani së shpejti, në panairin ndërkombëtar të librit në Frankfurt. Vetëm në gjuhën angleze, në Teheran dalin disa gazeta ditore. Çdo vit, Irani eksporton libra që kapin shumën prej 3 milionë dollarësh. Irani merr pjesë në festivalet botërore të filmit. Tituj të tillë filmash, si Nevruzi i luleve, Njeriu dhe hija,  Çasti, Kalila dhe Dimna, Vetëm engjëjt kanë krahë, Muzgu, Ndryshimi i madh etj. të joshin fort. Në parantezë, mbase është rasti të thuhet që s’mbajmë mend të jetë dhënë te ne ndonjë film iranian. As libra të sotëm s’kemi parë të përkthehen.
Ekspozitat janë veprimtari e gjithë vitit në Iran. Ato janë ekspozita arti, industrie, ndërtimi, arkitekture etj. Ekspozitat e Kur’anit zënë vend të veçantë dhe shikohen nga i madh e i vogël. Ato shoqërohen me leksione, tryeza të rrumbullakëta, recitime. Së shpejti hapet fotoekspozita e artit islam të Spanjës në shekujt VIII- XV. Në provincën e Golestanit hapet Ekspozita Ndërkombëtare për monedhat, pullat, kartolinat etj. të botës. Marrin pjesë 218 vende të botës. 300 njësi industriale marrin pjesë këto ditë në një ekspozitë në provincën e Kermanshahut e 200 pjesëmarrës, në Ekspozitën Ndërkombëtare të Makinave.
Iranianët janë sportdashës. Sportet më popullore janë futbolli, mundja, skitë, gjuetia, hipizmi etj. Në sportin e futbollit, Irani ka skuadrën më të fortë në Azi. Qendra e sportit të skive në Dizin (në Teheran) është ndër më të mirat në botë.
Irani nuk ka drogë, prostitucion e sida. Irani ka naftëtarë e inxhinierë, dijetarë e gazetarë, ndërtues e artizanë, mjekë e profesorë, kaligrafistë e arkitektë. Ka poetë të mëdhenj. Në Holandë do të botohet së shpejti përmbledhja prej 250 faqesh me poezi me vargje të bardha nga 40 poetë të sotëm iranianë. Irani ka këndues Kur’ani me emër botëror. Ka aq shumë nxënës, studentë e mësues. Ka vajza të shëndetshme e djem shtathedhur. Në Teheran gëlojnë rrugët. Gjithkush bën diçka. Të rinjtë e të rejat përpiqen të mësojnë e të punojnë të bëhen dikushi. Dhe, sigurisht u takon. Por edhe të vjetrit duan të bëhen dikushi. Të habit një skenar filmi dokumentar: Një fshatar 75-vjeçar do që të bëhet president i Iranit! Dhe, e dini pse? Sepse ai mendon se është i aftë të vijojë universitetin. E, meqë mund të hyjë në universitet, pse nuk qenka i aftë të bëhet edhe president?! Një dëshirë e çiltër popullore për të ecur përpara.
Irani prodhon. Ai prodhon grurë, oriz, misër, çaj, pambuk, duhan, agrume etj. Dhe eksporton. Irani zë vendin e dytë në botë për prodhimin e naftës. Industria e çelikut dhe e bakrit është mjaft aktive. Industria e ndërtimit, e makinave, e energjisë elektrike, e petrokimisë, e peshkimit, e turizmit etj. kanë parë vetëm rritje. Në vitin 2006 do të përurohen 6 diga të mëdha. Këtë vit mbahet Kongresi Ndërkombëtar për Energjinë Elektrike dhe Kongresi për Prodhimet Inxhinierike. Produktet e peshkut do të rriten nga 6.4 kg. në 10 kg. për frymë. Në provincën e Lorestanit, vitin e kaluar, prodhimi i mjaltit arriti 625 tonë. Irani zë vendin e parë në botë për havjar dhe hurma Arabie.  Irani eksporton fruta të tharë në 93 vende të botës. Që nga marsi i këtij viti e deri më tani janë eksportuar 270000 tonë prodhime ushqimore, ndër to, 28000 tonë rrush i tharë. Vetëm këtë vit, provinca e Khuzestanit do të eksportojë 500 tonë hurma Arabie. Irani eksporton makina për udhëtarë. Eksporton tekstile. Irani eksporton serum kundër helmimit të gjarprit e shafran. Sipas gazetës “Tehran Times”, 63% e qilimave eksportohen në Gjermani e SHBA. Irani eksporton gaz në Evropë, deri në Bosnjë.
Iranianët e njohin Shqipërinë, por pyesin për ta njohur më shumë. Kënaqeshin kur u flitej për afrinë historike të popujve tanë e të gjuhëve tona, për përkthime e botime nga persishtja në shqipe (në të vërtetë, këto janë më të shumtën, të së shkuarës), për traditën e mësimit të persishtes që në vitet ’20 në medresenë e Tiranës e tani, në kolegjin “Saadi” në Tiranë (por jo në Universitetin e Tiranës), për dijetarë, si Hafiz Ali Korça e të tjerë, të cilët jo vetëm e flisnin, por edhe e shkruanin saktë persishten, për bashkëpërkime midis shqipes e persishtes, si gjuhë të një trungu, për huazime nga persishtja në shqipe, për përmbledhjen lirike “Tehajjulat” (Endërrimet) shkruar në persishte e për “Qerbelanë” të Naim Frashërit, për aludimin në Kur’an (kreu 18, vargjet 86, 87) se “uji i errët” është Liqeni i Ohrit e “populli që jetonte aty pranë” janë ilirët, për përdorimin e arabeskave në Shqipëri (arabeskat ishin shkronja arabe) për të zbukuruar djepe, vegla pune etj. që në shekullin XV-XVI etj.
Iranianët e duan Shqipërinë. Në Ekspozitën e Kur’anit të Shenjtë, në stendën e Shqipërisë ishte edhe një Udhërrëfyes për Shqipërinë në gjuhën angleze. Ishte i bukur siç është e bukur vetë Shqipëria. Një çast rastisa të isha aty. Një nxënëse e ciklit të lartë të shkollës së mesme e mori Udhërrëfyesin, e shfletoi e u kënaq me të. Pastaj pyeti nëse mund të shitej. Iu tha se ishte kopje e vetme e kësisoj nuk mund të shitej. Të nesërmen vajza erdhi prapë e fill e te stenda shqiptare. E shfletoi përsëri Udhërrëfyesin, tashmë me një pamje përlutëse. Ia falën. Tani, vajza, e çelur në fytyrë, tha se kishte ardhur vetëm për Udhërrëfyesin. Jo një, por disa zonja më kanë thënë se donin të vinin në Shqipëri si turiste, por pyesnin: Si? Në Teheran nuk ka ambasadë të Shqipërisë, – do të shtonin. Nxënësit donin autografe në fletoret e në librat e tyre të shkollës. Një nxënëse kërkoi vargje nga një poezi në shqipe. Donte tingëllimin e shqipes e të poezisë shqipe. I shkrova vargjet e Naimit: “Ti Shqipëri më ep nder, / Më ep emrin shqipëtar”. U kënaq kur ia përktheva dhe tha: “Paska qenë atdhetar i madh. Kështu do të shprehesha edhe unë për vendin tim”.
Çdo ditë nga Teherani ka fluturime ajrore për në qytete të tjera të mëdha të vendit dhe të botës. Në Detin e Omanit, Gjirin Persik dhe Detin Kaspik janë 14 porte. Hekurudhat dhe rrugët automobilistike janë të standardeve ndërkombëtare. Televizionet, radiot, internetet bëjnë punën e tyre. Irani lidhet me botën dhe bota lidhet me Iranin.

Comments

Popular posts from this blog

Legjenda e Mujit dhe Halilit

Ese për Vitin e Ri