Fahredin Shehu: Synojmë të arrijmë festivalet prestigjioze botërore të poezisë


Fahredin Shehu dhe William Spencer Peters
Fahredin Shehu dhe William Spencer 


Zoti Shehu, para pak ditësh ju organizuat në Rahovec Festivalin Ndërkombëtar të Poezisë, e para ngjarje e këtyre përmasave në hapësirën shqiptare. Si lindi kjo ide dhe a mendoni se e arritët qëllimin tuaj?
Ideja ishte e para dy viteve, mirëpo është dashur kohë që kjo te realizohet. Vërtet është ngjarje që i tejkalon të gjitha festivalet në hapësirën shqiptare duke pas parasysh se është bërë nga një grup tejet i vogël njerëzish dhe pa përkrahje të mirëfilltë institucionale, kurse numri i pjesëmarrësve ka qenë jashtëzakonisht i madh.
Ne si ekip e kemi arritur qëllimin sepse kemi bërë që vendet të cilat nuk e kanë njohur Kosovën, kanë deleguar poetët më të njohur të tyre që të marrin pjesë në këtë eveniment. Dhe kjo mbase ishte edhe ideja që më për së afërmi të njihemi ne me ata dhe ata me kulturën, traditën, artin dhe në veçanti artin e të shkruarit bukur.
Cila ishte hapësira gjeografike dhe niveli i pjesëmarrësve në këtë festival?
Patëm poetë nga, pothuaj, të gjitha kontinentet, rreth 40 poetë të shquar botëror. Nga SHBA, deri në Mongoli. Nga Belgjika deri në Qipro. Pastaj nga Izraeli, Sllovakia, Turqia, Malta, Rumania, dhe vendet e ish-Jugosllavisë, Sllovenia, Kroacia, Serbia, Mali i Zi, Maqedonia, dhe gjithsesi nga trojet shqiptare.
Për kureshtjen e lexuesve dhe të publikut, kush është fituesi i festivali tuaj?
Fituesi ishte poeti amerikan William Spencer Peters, i cili për befasinë tonë është hera e parë sado në moshën 64-vjeçare, të vijë në Europë, dhe përvoja e parë e tij në Evropë është Rahoveci, ku ai solli librin “The Vinekeeper” ose “Vreshtari”, pa e ditur fare se në Rahovec kultivohet rrushi dhe prodhohet vera tejet cilësore me traditën rreth dymijë vjeçare. Kjo ishte edhe një shtysë më tej që ai të jetë fitues, pavarësisht se kishim poezi, poetë dhe emra të shquar të letërsisë bashkëkohore botërore.
A do të njihet publiku i gjerë me krijimet dhe pjesëmarrësit e këtij festivali?
E mira e këtij festivali është se nuk përfundon në Rahovec, por ka jetë dhe vazhdimësi në SHBA. Poezitë të cilat janë prezantuar në festival do të botohen simultanisht në Kosovë në versionin shqip dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës nga “Inner Child Press”, në gjuhën angleze. Ndërsa botuesi ka dhënë betimin se të gjitha të ardhurat e shitjes së antologjisë në versionin anglisht, do të derdhen për mbarëvajtjen e edicionit të dytë të Festivalit në vitin 2016.
Qëllimi i komunikimit letrar është njëra anë e festivaleve. Me se i gostitët tjetër festivalistët?
Krahas komunikimit letrar, mysafirët i kemi gostitur me mikpritjen tradicionale, natyrisht me bukë e kripë, verë dhe ushqime tradicionale, pastaj edhe me vizitë në një trevë të Kosovës e cila shquhet për mikpritje, pastaj me bukuritë natyrore të Rahovecit, Pejës dhe Prizrenit, varësisht kush sa gjatë ka qëndruar.
Kemi bërë një lexim në Bodrumin e verës të StonCastle, pastaj vizitë në burimin e Drinit në Radavc të Pejës dhe në Kullën e Gecajve në Deçan e cila është një mrekulli e traditës dhe mjeshtërisë së ruajtjes së saj.
Mos të flas për vizitën e Teqesë së Madhe  në Rahovec e cila ka traditë 400-vjeçare, artefakte arkeologjike dhe dorëshkrime të cilat janë nën mbrojtjen e shtetit dhe në hapësirat tjera të cilat janë lënë në trashëgiminë tonë.
Flitet shumë për politika kulturore dhe mbështetjen e tyre. Sa e ndjetë mbështetjen e duhur të institucioneve përgjegjëse dhe donatorëve për këtë aktivitet me peshë të madhe?
Eventi është mundësuar falë Ministrisë së Kulturës dhe donatorëve lokal si Devolli Corporation, StoneCastle, Xërxa Company, Esra Palace, Park Plaza dhe Rama Print, por jo edhe nga Kuvendi komunal i Rahovecit, respektivisht drejtoratit për kulturë, i cili ka qenë dashur ta mbaj barrën kryesore të fondit të festivalit. Kjo fatkeqësisht nuk ka ndodhur, pavarësisht se kemi bërë në sërë kërkesash drejtuar Drejtoratit për kulturë dhe Kryetarit të komunës (bashkisë), të cilit i kemi rezervuar edhe ta bëj hapjen edhe si nikoqir, pavarësisht se nuk ka përkrahur asnjë eurocent. Madje asnjë përfaqësues i pushtetit lokal nuk i është përgjigjur ftesës, që së paku një ditë të festivalit të jetë mes mysafirëve të nderuar.
Po xhelozi a ndjetë përreth?
Shumë…dhe kjo u reflektua në bojkot të hapur, me mosprezencë dhe me pengesa nga më të ndryshmet, por ne ishim dhe mbesim të përkushtuar që ky festival të jetë tradicional dhe do të ketë jetë dhe cilësi edhe më të madhe, sepse kemi mësuar nga gabimet.
Ky festival shënoi edicionin e parë të tij. Çfarë do të bëni më mirë në edicionin e ardhshëm dhe ku synon të shkojë Festivali që ju drejtoni?
Në edicioni e ardhshëm domosdo duhet të përmirësohet regjia e festivalit, logjistika dhe angazhimi i një grupi pakëz më të madh njerëzish sepse ishim të rraskapitur të gjithë për shkak të stresit dhe tensioneve të shumta. Presioni ishte i hatashëm. Ky festival synon të arrijë festivalet prestigjioze botërore të poezisë siç janë, Struga, Madelin, Sette, Nisan, San Francisco, Emirates Airline Festival etj.

Comments

Popular posts from this blog

Legjenda e Mujit dhe Halilit

Ese për Vitin e Ri