Pse u vra Zejnepe Berisha - Bytyqi nga burri i saj?


Koci: Me vrasjen e Zejnepes, dështuam ne që punojmë në sistemin e drejtësisë
Avokati i njohur Arianit Koci ka thënë se me vrasjen e Zejnepe Bytyqi- Berishës të premten në Suharekë kanë dështuar të gjithë e më së shutmi ata që punojnë në drejtësi.
“Me vrasjen e Zejnepës, kanë dështuar të gjithë, e më së shumti ne që punojmë në sistemin e drejtësisë.
Derisa nuk e pranon secili prej nesh fajin që i takon, tragjeditë do të përsëriten”, ka shkruar Koci në Facebook.




Pse u vra Zejnepe Bytyqi nga burri i saj ? (Video)

Vuajtjet e saj morën fund.Por vetëm tani kur hyri në varr këtu në Senetisht të Suharekës.
Kështu pas shumë telasheve e rrahjeve, Zejnepe Bytyqit edhe vdekja i erdhi nga burri, Nebi Berisha.
Janë familjarët e saj, që e kanë hapur të pamën për 40 vjeçaren , ata që tregojnë për jetën e saj plotë probleme me bashkëshortin.
Ndërsa motra tjetër e së ndjerës tregon se si ka ardhur deri tek vdekja e viktimës.
4 fëmijët e familjes Berisha ishin të pranishëm në shtëpi, kur babai ua vrau nënën, të premten mbrëma.
Me të dëgjuar për rastin familjarët kishin dalë në vendin e ngjarjes.
Edhe policia konfirmon se viktima kishte dosje ankesash të mëhershme.
Sipas familjarëve, viktima e kishte liruar vetë burrin nga burgu vitin e kaluar, pas premtimeve se ai nuk do të ushtronte dhunë mbi të.



Vrasja e Zejnepe Bytyçit, rrëfimi familjarëve
Tuba Thaçi është dëshmitarja e vrasjes së 39-vjeçares Zejnepe Bytyçi, e cila u godit për 10 herë radhazi me thikë nga bashkëshorti i saj, Nebih Berisha, të premten mbrëma.
Tuba, e cila hyri në shtëpinë e çiftit vetëm disa qaste pasi ndodhi vrasja, thotë se pasi vajza e madhe tentoi t’i ndihmojë nënës së saj, tre fëmijët e tjerë arritën të fshihen nga babai i tyre, i cili u vu në ndjekje të tyre.
Motrat e viktimës e përshkruajnë si shumë të rëndë jetën e Zejnepes me bashkëshortin e saj.
Si i varur nga alkooli, dorasi kishte kërcënuar bashkëshorten edhe kur ajo tentoi të fshihej në shtëpinë e babait të saj.
Ajo përjetoi gjithë këtë dhunë të ushtruar për vite të tëra. Motrat e saj thonë se disa herë bashkëshorti i saj ishte arrestuar nga policia, për t’u liruar më pas.
Policia e Kosovës është e bindur se kreu detyrat e saj ligjore në këtë rast të dhunës në familje, që filloi qysh në vitin 2002, kur viktima e paraqiti rastin për herë të parë në polici.
Policia dërgoi dy kallëzime penale për Nebih Berishën, të dytin në vitin 2012, kur Zejnepja, pas dhunës së ushtruar dhe presioneve të mëdha, nuk kishte parë zgjidhje përveç të tentonte vetëvrasjen.
Por, për rastin e parë në vitin 2002, Nebih Berisha mori një dënim me kusht prej 6 muajsh. Ndërsa për veprën penale të shtytjes në vetëvrasje të viktimës në vitin 2012, prokuroria nuk ngriti as padi, pasi që Policia i dërgoi vetëm një raport të veçantë, pa specifikuar të dyshuarin kryesor të rastit.
Në Gjykatën e Prizrenit, përveç lëndës së vitit 2002, kur Berisha u dënua me 6 muaj me kusht dhe një dënimi me gjobë për armëmbajtje pa leje në vitin 2008, nuk u dërgua tjetër padi.
Nebih Berisha, i cili të premten u arrestua nga policia për vrasjen me thikë të gruas së tij, në momentin e arrestit ishte nën ndikimin e alkoolit, thotë prokurorja. Atij i është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh.
Lidhur me vrasjen e Zejnepe Bytyçit, ka reaguar Rrjeti i Grave Deputete, me ç’rast ka krahasuar rastin me vrasjen e Diana Kastratit. Ky grup thotë se këto gra janë viktima të dështimit të drejtësisë.

Deputetet reagojnë për vdekjen tragjike të Zejnepe Bytyqi Berisha
Grupi i Grave Deputete ka shprehur shqetësimin për përmasat që po merr dhuna gjinore, përherë në rritje dhe jo rrallë herë me humbje të jetëve të grave dhe vajzave tona.
Deputetet theksojnë se ky është edhe një tjetër krim i tmerrshëm ndodhi në një familje shqiptare në Suharekë, një ngjarje që na përkujton se sa të brishtë jemi si shoqëri dhe si femra në veçanti.
“Zejnepe Bytyqi - Berisha është viktima e radhës e cila nuk arriti t'i shpëtojë plagëve të marra me thikë, të shkaktuara nga bashkëshorti i saj. Nuk mund të mos e themi se Diana Kastrati dhe Zejnepe Bytyqi janë viktima të dështimit të drejtësisë për t'ju ofruar mbrojtje! Dhe ky rast tregon se sundimin e ligjit duhet ta shtrijmë në të gjitha nivelet, ndërkaq kujdesin me të madh duhet ta tregojmë te vetë familjet dhe rrethi ynë i ngushtë, sepse aty kanë vendin themelet e shtetit dhe shoqërisë sonë”, thuhet në reagim.
GGD ngushëllon familjen, të afërmit dhe miqtë e së ndjerës duke dëshiruar që ata të gjejnë forcë për ta përballuar humbjen e njeriut të tyre të dashur.
GGD kërkon nga organet gjegjëse të sjellin para drejtësisë autorin e krimit dhe t'i japin dënimin e merituar, ndërkaq shteti të kthejë vëmendjen tek viktimat e dhunës së krimit në familje.

Comments

Popular posts from this blog

Legjenda e Mujit dhe Halilit

Ese për Vitin e Ri