Zhuliana Jorganxhi, “mbretëresha” e teksteve të këngës shqiptare

Nga Hyqmet Hasko
Zhuliana Jorganxhi është një nga emrat më përfaqësues të muzikës shqiptare, qoftë popullore, të përpunuar apo asaj të lehtë, ku me anë të teksteve të shumta, të shtrira në kohë prej dyzet e ca vitesh në të gjitha Festivalet e RTSH dhe në audicionet e tjera muzikore për të rritur e fëmijë, ka krijuar një profil krejt të veçantë poetik e artistik.
zhuliana-jorganxhiFjalët e teksteve të saj kanë një komunikim të gjerë me shikuesit e shumtë, në të katër anët e Shqipërisë dhe të botës shqiptare, kudo ku flitet shqip, ku emri i saj është një emër i mirënjohur e i nderuar, që iu thotë aq shumë adhuruesve të këngës, në të gjitha moshat dhe nivelet e shoqërisë shqiptare.
Tekstet e saj të kompozuara nga kompozitorë të shquar dhe të kënduara nga këngëtarë e këngëtare sharmante janë bërë hite, sidomos disa këngë të mirënjohura festivalesh dhe ciklet e këngëve për fëmijë.
Zhuliana Jorganxhi është një ikonë e poezisë shqipe për të rritur e fëmijë, autore e shquar tekstesh që kanë konkurruar denjësisht në festivalet kombëtare e ndërkombëtare duke fituar çmime dhe duke u bërë hite të muzikës sonë kombëtare.
***
Aktivitetin e saj letrar e ka filluar në moshë të njomë dhe që prej moshës 17-vjeçare, poezitë e saj shohin dritën e botimit në gazeta dhe revista si “Drita”, “Zëri i Rinise”, “Nëntori” dhe “Les lettres albanaise” etj. Ka botuar libra me poezi si “Net provimesh”(1969), “Rritje”(1971), “Lule në pemën e lirisë” (1982) dhe vëllimin me tregime për fëmijë “Fëmijët e teto Nastes”(1975). Ka marrë pjesë në konkurse letrare kombëtare dhe ka fituar dy herë çmimin e dytë dhe të trete për poemat e saj.
GiuliPortret2
Por, aktivitetin e saj më të madh, krahas poezisë dhe tregimit, e ka zhvilluar pas vitit 1974 në gjininë e tekstit poetik të këngës.
Është autore e qindra teksteve poetike nëpër festivalet e këngës në RTSH dhe rrethet e Shqipërisë, në anketat dhe koncertet e RTSH si ai “Kur vjen pranvera”, “Këngët e stinës”, dekadat e Majit dhe në festivalet e fëmijëve në Tiranë dhe rrethe të ndryshme të Shqiperise. Është fituese e gjashtë çmimeve të para dhe shumë të tjera. Poezitë e saj janë botuar në Greqi, Rumani, Hollandë, Kosovë, Slloveni dhe Japoni.
Ne vitin 1996 iu dha Disku i Artë i Festivalit, kurse për 40 vjetorin e Festivalit të këngës në RTVSH me 2001, ju dha çmimi i Karrierës. Ndër tekstet poetike të këngës mund të përmendim: “Jon”, “Se kënduam Let it be”, “Jeto dhe jetën time”,”Bashkëmoshatarët”, “Në duart e nënës”, “Jemi emri i vetë jetës”, “Kthehu për vete, për mua!” , “Ne, bijtë e lirisë” (me këtë të fundit, në dhjetor të ‘90-ës, hapeshin dhe mbylleshin manifestimet e studentëve në sheshin, sot të quajtur “Demokracia”).
Sot Zhuliana Jorganxhi jeton jashtë atdheut, por asnjë çast nuk ka ndërprerë lidhjet artistike me vendin e saj. Ajo ka marrë pjesë me tekstet e saj poetike ne Festivalin e këngës triestine, si dhe bashkëpunon me kompozitorët dhe këngëtarët e vendit të saj nëpër festivale dhe për albumet e tyre muzikore.
“Në duart e nënës”, kënduar nga Bashkim Alibali, fituese e Koncertit të Pranverës 1985, u bë një hit i kohës, një këngë që aso kohe këndohej në ara, auditore, reparte ushtarake, e në sofrën shqiptare, në dasma e gëzime. Ende kumbojnë të dashura e të freskëta, një himn për krijesën më të dashur në botë nënë këto vargje lapidare:
Në duart e tua u rrita o nënë,
Në netët pagjumë pikoi drit’ e hënës.
Dhe veten qortova të zënë në gabime
Zemrën kur t’a theva, o e shtrenjta ime.
Vij nga rrugë e gjatë
Ti më pret e para,
T’i puth ato duar
Mbushur plot me mall.
Në çdo rrudhën tënde, në çdo flok’ të bardh’
Unë shoh fëmijërin’, hapin tim të par’.
Dhe nga unë fëmija kërkove në jetë
Të rritem i mbarë për k’të tokë të shtrenjtë.

Gjithashtu mund të përmendim këngët me tekstet e saj brilante “Djalli i bardhë”, kënduar nga Alida Hisku dhe djali i saj Albini etj.
Brezi i rinisë i viteve ‘70-80-të i kujton edhe sot emrin e poetes Zhuliana Jorganxhi, këngët e bukura që ajo na dhuroi për vite e vite me radhë; edhe pse kanë kaluar shumë vite, përsëri ato këngë e ruajnë thjeshtësinë, madhështinë, bukurinë, freskinë, ashtu siç është edhe vetë shpirti i poetes sonë të madhe.
Me një karrierë të pasur krijuese mbi dyzetë vjeçare poetja Jorganxhi e suksesshme, e vlerësuar, e nderuar me çmime të ndryshme, ku numri i teksteve të këngëve është afërsisht 2000 (dymijë) e meriton të quhet “Mbretëresha e Teksteve të Muzikës Shqiptare”.
***
Zhuliana Jorganxhi lindi në qytetin e Korçës më 1946, në një familje me tradita muzikore. Është një nga katër fëmijët e këngëtarit veteran, “Artistit të Merituar” Gaqo Jorganxhi, që për 65 vjet këndoi pa rreshtur si solist dhe ne grupin e mirënjohur të këngëve karakteristike korçare “LIRA”.
Mësimet e para dhe ato të mesme i mbaroi në qytetin e lindjes më 1964. Më vonë ndoqi studimet e larta në Universitetin e Tiranës, në fakultetin Histori-Filologji dhe krahas tij ndoqi pranë Fakultetit të Shkencave Juridike, kursin dyvjeçar të gazetarisë, duke u diplomuar njëkohësisht si mësuese e gjuhës dhe letërsisë shqipe për shkollën e mesme dhe si gazetare.
Menjëherë mbas mbarimit të studimeve ka punuar për gjashtë vjet si gazetare në revistën “Shqiptarja e Re” dhe nga viti 1975 si redaktore letrare dhe poete e këngës ne redaksinë e krijimtarisë dhe incizimeve muzikore pranë Radiotelevizionit shqiptar.
Aktivitetin e saj letrar e ka filluar në moshë të re dhe që prej moshës 17-vjeçare, poezitë e saj shohin dritën e botimit në gazeta dhe revista si “Drita”, “Zëri i Rinise”, “Nëntori” dhe “Les lettres albanaise” etj.
Pas viteve ’90 ajo ka botuar dhe katër libra të tjerë: “Dhimbje e ndaluar” (poezi), “Dhimbje e bukur” (lirika dashurie), një monografi letrare “GAQO JORGANXHI DHE GRUPI LIRA”, një vëllim me tregime “…EDHE ATA PININ ÇAJ”. Ndërkohë ka bashkëpunuar për festivalet e funddhjetorit me Shpëtim Saraçin, Luan Zhegun, Gjergj Lekën, Lambert Jorganxhi, Voltan Prodanin etj. Së fundi me Gjergj Leken mori pjesë në një festival ndërballkanik në Itali, ku këndoi vajza e tij pjesën “Rrjedhin lumenjtë në Balllan”.
Tekstet e këngës janë maja e talentit poetik të Jorgaqit, fushë ku ka një bashkëpunim të gjerë e të thellë, përgjatë një karriere të suksesshme për më shumë se pesëdhjetëvjeçare. Tekstet e shkruara mjeshtërisht prej saj komunikojnë ndjeshmëri të thellë, një botë të trazuar lirike e dramatike, kumte që vijnë si filozofi e dashurisë për jetën, për të bukurën, për vlerat morale e humane të shoqërisë shqiptare, të cilës ajo i ka përkushtuar talentin e saj të pazakontë.
Ajo përcjell rininë e iluzionit dhe ëndrrave të brezave shqiptare, mjaft prej të cilëve të sakrifikuar në epokën e absurdit, por që ia dolën të mbijetojnë edhe falë fuqisë së imazhit dhe kreativitetit të idealit të autorëve si Zhuliana e të tjerë, që ia arritën të ndezin një llampë të vogël në errësirën e dendur të një kohe të pa kohë!.
Zhuliana Jorganxhi është një zë kumbues që vazhdon të jehojë në qiellin e trazuar të poezisë shqipe, një zë ëndërrues dhe antikonformist, që me imazhet, emocionet, ndjesitë, fjalët dhe kumtet e saj poetike na solli e vazhdon të na sjellë një vektor të bukur të ëndrrës sonë mbarëkombëtare, të brezave të saj që synojnë një epokë të re, atë të rritjes dhe integrimit global, për të cilën ka ndihmuar dhe pena e fuqishme dhe e vërtetë e poetes Zhuljana Jorganxhi.

Comments

Popular posts from this blog

AKADEMIK PROF. DR HAKIFBAJRAMI PH.D : GRUSHTSHTETI IDYTËNDAJKOSOVËS( PAS 23 MARSIT 1989) MË 25 MARS 2020

Legjenda e Mujit dhe Halilit