Majori i Mrikës bie “në krye të detyrës”





Një major i Forcave të Armatosura të Shqipërisë është vrarë në Spanjë, teksa pilotonte një helikopter që po transportonte rreth 1 ton drogë nga Maroku drejt Spanjës. Bëhet e ditur se, majori shqiptar që humbi jetën, është 41-vjeçari Sokol Feka nga Kuçova dhe me banim në Tiranë, i cili ishte instruktor në bazën ajrore të Farkës. Bashkë me pilotin shqiptar u gjet i vdekur edhe një person tjetër. Autoritetet spanjolle gjetën dje trupat e dy pilotëve dhe mbetjet e avionit të djegur, i cili ishte vënë në ndjekjen e policisë, pasi kishte shkelur hapësirën ajrore dhe po fluturonte në mënyrë të paautorizuar.
Sipas mediave spanjolle, dyshohet se helikopteri me drogë, i drejtuar nga majori shqiptar i Forcave të Armatosura u rrëzua natën e të hënës, në datën 26 janar në lokalitetin Cortes de la Frontera, në periferi të Malagës. Mediat spanjolle shkruajnë se helikopteri ishte i lyer me bojë të zezë, për të mos u dalluar në udhëtimin gjatë natës. Në përpjekje për të mos u dalluar nga forcat spanjolle, Sokol Feka ka fluturuar ulët, aq pranë tokës sa është përplasur me shtyllat e tensionit të lartë.
Pikërisht sepse fluturimi po kryhej në errësirë, piloti nuk ka mundur të shmangë shtyllën e tensionit të lartë me të cilën është përplasur. “Në helikopter, bashkë me ushtarakun shqiptar udhëtonte edhe një person tjetër. Edhe ai ka humbur jetën menjëherë pas përplasjes”, raportojnë mediat spanjolle. Trupat e pajetë u dërguan në morgun e spitalit të Malagës për identifikim. Të dhënat e policisë spanjolle raportuan se në helikopter gjendej rreth një ton hashash. Helikopteri i drogës u pikas nga një helikopter tjetër i rojeve civile.
Në fillim u raportua për një mjet fluturues të kamufluar që po kryente një fluturim të paautorizuar. Gjatë ndjekjes, policia humbi gjurmët e të dyshuarve për shkak se ata udhëtonin në kuotë të ulët dhe u kthyen në bazë. Por në mëngjes ata u rikthyen në zonë ku ishte parë helikopteri për herë të fundit dhe zbuluan se ai ishte rrëzuar. Helikopteri ishte ndarë në disa pjesë ndërsa më tej ishin dy trupat e pajetë të pilotëve si dhe 30 pako hashash. Edhe pse policia po heton ende për të zbuluar prejardhjen e drogës, dyshohet se ajo vjen nga Maroku.

Maroku, një nga prodhuesit më të mëdhenj të marijuanës

Maroku është një nga prodhuesit më të mëdhenj në botë të marijuanës dhe ndoshta furnitori kryesor i marijuanës në Europë. Marokenët janë të famshëm veçanërisht për prodhimin e “çokollatës”, vajit të kristalizuar të marijuanës që shërben për lehtësi në transport pasi një sasi e madhe marijuane tkurret në një paketë të vogël rezine të kristalizuar, ndërsa vlera e substancës psikoaktive qëndron e pandryshuar. Kjo është edhe forma kryesore e konsumimit të marijuanës në Itali.
Vlerësohet se mbi 80 mijë familje marokene në zonën e thellë malore Rif e nxjerrin jetesën nga kultivimi i marijuanës. Përpjekjet e tyre e kanë bërë këtë vend furnitorin kryesor të Europës me këtë produkt. Tashmë qeveria e Marokut po mendon se ndoshta do të jetë më mirë të legalizojë kultivimin e marijuanës.

Kush është Sokol Feka

41-vjeçari major Sokol Feka ka lindur në Kuçovë dhe prej vitesh është pjesë e Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë.
Mësohet se Feka ka qenë ushtar pranë Shkollës së Aviacionit dhe më pas ka filluar studimet për pilot. Ishte në mesin e pilotëve më të mirë që kishin Forcat e Armatosura, pasi ishte trajnuar disa vite në vende të ndryshme në kuadër të Ushtrisë, ku kohët e fundit kryente detyrën e instruktorit për pilotët e rinj në repartin e helikopterëve në Farkë.
CV-ja e pilotit Feka është mjaft e pasur në lidhje me trajnimet e kryera, në drejtim të të cilit rezulton se kanë investuar edhe Forcat e Armatosura. Nga të dhënat e Ministrisë së Mbrojtjes, mësohet se Feka ka kryer me sukses të lartë trajnimin disamujor në Itali për helikopterët, ku më pas bashkë me 12 pilotë të tjerë të Ushtrisë ka qenë në trajnim në Mbretërinë e Bashkuar ku janë trajnuar për të fluturuar me instrumente. Pas këtij trajnimi disamujor, Sokol Feka është në mesin e pilotëve të trajnuar në Francë për helikopterët e rinj, COUGAR ku është stërvitur për të pilotuar ato në kohë të ndryshme. Ndërsa në vitin 2009 është graduar me gradën Major dhe kryente detyrën e instruktorit.
Përveç trajnimeve brenda dhe jashtë vendit, mësohet se piloti Sokol Feka ishte i martuar dy herë, ku me bashkëshorten e parë ka dy fëmijë dhe me të dytën një. Ndërsa pas orarit zyrtar të punës pranë repartit të helikopterëve, Feka kishte një kompani private që merrej me pastrim. Sipas këtyre burimeve, kompania e pilotit Feka bënte pastrimin e disa kazinove dhe lojërave të fatit në Tiranë prej vitesh, ku siç duket gjatë këtij aktiviteti mund të jetë njohur me persona që kryejnë aktivitete të paligjshme, të cilët e kanë angazhuar në misionin e transportit të lëndës narkotike, ku edhe gjeti vdekjen.

Nga ushtri e NATO-s, në ushtri ku i shërbehet baronëve të drogës

Përfshirja e majorit shqiptar në trafikun e drogës nga Maroku në Spanjë tregon më së miri degradimin e ushtrisë shqiptare në shërbim të kartelit të drogës. Nga ushtri e NATO-s, ku majorë dhe gjeneralë luftonin në krah të SHBA në Irak dhe Afganistan jemi kthyer në ushtri mercenarësh, ku majorët dhe gjeneralët i shërbejnë baronëve të drogës. Tani çertifikohemi zyrtarisht nga ndërkombëtarët si armata Rama-Mrika e drogës për Europën dhe Amerikën Latine që eksportojmë majorë dhe gjeneralë “rilindjeje”. Misioni ka ndryshuar më 23 qershor 2013. Deri para dy vitesh majorët dhe gjeneralët tanë luftonin krahas ushtrisë amerikane në Irak dhe Afganistan, ndërsa sot janë nën urdhrat e baronëve të drogës.
Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, Jeronim Bazo pranoi dje se Komanda e Bazës Ajrore Farkë ka miratuar dhënien e një pjese të lejes së paguar vjetore për periudhën 12-31 janar 2015, por ai tha se nuk i është dhënë leje që një pjesë apo të gjithë lejen ta kryejë jashtë vendit.
Ndërkohë, ish-Kryeministri Berisha reagoi dje në Parlament për trafikun e drogës që kryhej nga një major i ushtrisë shqiptare. “Teksa flasim këtu vjen lajmi që majori me spaleta i Gjeneral trafikut që shkon dhe trafikon drogën mes Marokut dhe Spanjës. Kur ne deklaruam se aeroportet u bënë baza për drogën nuk u la fjalë pa u thënë këtu, por shpejt u detyrua Gjeneral trafiku për t’i dyllosur. Tani na del një major që i ka shpëtuar Gjeneral trafikut dhe ndrikullës së drogës, çan ferrën dhe na bën trafik ndërkombëtar për të provuar se jo vetëm që Shqipërinë e ka kthyer në Kolumbi, por do të Kolumbizojë edhe Europën”, u shpreh Berisha.
Berisha më pas iu drejtua Kodheli duke i thënë të takon t’u thoshe shqiptarëve që t’i dhe Gjeneral trafiku nuk keni lidhje me majorin që fluturonte në qiejt e Spanjës. “Kjo duhej thënë. Për kolonel Demirajn do të ketë një hetim. Ai burrë i ka bërë këtij kombi dhe këtij shteti qindra shërbime të mëdha. Kur luftonte ai me shokët e tij në shkrepat e Afganistanit ti përtypje abuzimet e tua në bashki. Ke lënduar kombin dhe mos kujto se e kalon. Para një jave janë thirrur gjithë kolonelët. Shkuan aty me mendimin se çfarë detyre do të marrin. Gjeneral trafiku dhe ndrikulla u thonë: testim menjëherë. Ju i keni bërë terror. Po pse mor me terror do të qeverisni ju?”, përfundoi Berisha.





Përfshirja e majorit të Ushtrisë, Sokol Feka, në trafikun e drogës jashtë kufijve të Shqipërisë, u ka kushtuar vendin e punës 6 oficerëve të Forcave të Armatosura. Me urdhër të Ministrisë së Mbrojtjes, prej tri ditësh, 6 oficerë të kësaj strukture janë liruar nga detyra dhe kanë dalë në dispozicion. Burime pranë FA-ve bëjnë me dije se prej tri ditësh, 2 oficerëve të Policisë Ushtarake dhe 4 të tjerëve nga Forcat Ajrore iu është komunikuar urdhri, sipas të cilit, ushtarakët janë liruar nga detyra dhe janë vënë në dispozicion të Forcave të Armatosura. Mësohet se urdhri ka ardhur pas ngjarjes së një jave më parë, teksa në Spanjë gjeti vdekjen majori shqiptar Sokol Feka, i cili pilotonte një helikopter të mbushur me drogë.
1422626848sokolfeka
Largimet
Burime të sigurta nga Forcat e Armatosura sqaro-jnë se 2 prej ushtarakëve që janë liruar nga detyra kanë pasur përgjegjësi si inspektorë krimesh për të mbuluar repartin e helikopterëve në Farkë, aty edhe ku majori Feka punonte si instruktor, ndërsa katër oficerët e tjerë të liruar nga detyra janë pjesë e Forcave Ajrore. Burimet pranë Ministrisë së Mbrojtjes shprehen se tek urdhri që iu është komunikuar 6 ushtarakëve nuk është shënuar motivacioni, por nën zë atyre iu është thënë se mbajnë përgjegjësi për përfshirjen e majorit Feka në trafikun e drogës. Kështu, 4 oficerëve të Forcave Ajrore iu është komunikuar se përgjegjësia më e madhe për ngjarjen bie mbi ta, ndërsa 2 oficerët e Policisë Ushtarake mbajnë përgjegjësi pasi, pas vizitës së fundit që Feka kishte bërë në Londër, ata të dy nuk kanë raportuar pranë autoriteteve përkatëse se Feka ishte kthyer me vonesë, ndërkohë që në punë rezultonte fiktivisht se ishte kthyer nga shërbimi. “Gazeta Shqiptare” ka kontaktuar ditën e djeshme me Ministrinë e Mbrojtjes, por nuk ka mundur që të marrë një përgjigje për këtë ngjarje. Ndërsa, në një komunikim telefonik, zëvendësministri i Mbrojtjes, Petro Koçi u shpreh se nuk kishte dijeni për këto ndryshime. “Nuk kam dijeni për këto ndryshime. Por, nëse do ishin marrë masa të tilla, ato do ishin bërë publike”, – sqaroi zëvendësministri i Mbrojtjes për “GSH”.

NGJARJA
Mediat spanjolle raportuan se rreth orës 05:00 të datës 28 janar, një helikopter BO-105, i ngarkuar me hashash është rrëzuar në provincën e Malagës, pas përplasjes me shtyllat e tensionit të lartë. Mediat spanjolle shkruan se trupat e pajetë janë dërguar në morgun e spitalit të Malagës për identifikim. “Incidenti ndodhi pasi një helikopter i rojeve civile u përpoq që të zbulonte një helikopter të maskuar që po kryente një fluturim të paautorizuar. Gjatë ndjekjes, policia humbi gjurmët e të dyshuarve dhe u kthyen në bazë. Por në mëngjes ata u rikthyen në zonë ku ishte parë helikopteri për herë të fundit dhe zbuluan se ai ishte rrëzuar. Helikopteri ishte ndarë në disa pjesë, ndërsa më tej ishin dy trupat e pajetë të pilotëve si dhe 30 pako hashah”, shkruan media spanjolle “Malagahoy.es”. Sipas portaleve të mediave spanjolle, edhe pse policia po heton ende për të zbuluar prejardhjen e drogës, dyshohet se ajo vinte nga Maroku.


Piloti i forcave të armtosura shqiptare Sokol Feka, i cili humbi jetën këtë fillim jave ndërsa pilotonte një helikopter të mbushur me drogë në Spanjë, nuk është shqiptari i vetëm i angazhuar në trafikun e drogës nga Maroku drejt brigjeve spanjolle.
harta-kanabis
Nga hetimet e kryera nga Prokuroria e Spanjës, dyshohet se është një rrjet i mirë – strukturuar nga banda të drejtuar nga shqiptarë që jetojnë legalisht apo ilegalisht në Spanjë, ata të cilët kanë marrë kontrollin e trafikut mes shtetit afrikan dhe brigjeve spanjolle, ku trafikohet kryesisht droge e llojit kanabis.

Hetuesit spanjollë dyshojnë se ky rrjet narko – trafiku i drejtuar nga bandat shqiptare ka kohë që ka bërë lidhjet e tyre edhe me kultivuesit e drogës së lehtë në Marok. Ky vend është shndërruar vitet e fundit, në hambarin e marijuanës për tregun europian.

Në një studim të para disa viteve, Maroku është klasifikuar si shteti që mban vendin e parë në botë për prodhimin e kësaj droge, me rreth 27.2 % në krahasim me vende të tjera prodhuese, ku asokohe përfshihej dhe Shqipëria me rreth 4.7 %.

Ndërsa Spanja klasifikohej si vendi i parë në botë për sasinë e kanabisit që importohej ilegalisht, me rreth 51% të gjithë sasisë që trafikohej në botë. Pikërisht kjo hapësirë është bërë prej kohësh dhe epiqendra e trafikut, por dhe e luftës anti – trafik nga autoritetet shtetërore spanjolle dhe europiane.

Bandat shqiptare dyshohet se janë super të specializuar edhe me trafikun nëpërmjet gomoneve nga brigjet marokene drejt atyre spanjolle. Nisur dhe nga eksperienca e vjetër në trafikun nga Shqipëria në Itali, mendohet se bandat shqiptare kanë marrë supremacinë në këtë trafik, duke u bërë dhe më të suksesshmet.

Piloti shqiptar, majori Sokol Feka, mendohet se është i pari që është provuar nga ky rrjet në trafikun ajror, ku përdoren helikopterët kryesisht të marrë me qera. Ajo që po hetojnë aktualisht hetuesit spanjollë është nëse rasti i kësaj jave, që përfundoi tragjikisht për pilotin shqiptar dhe për personin tjetër që ndodhej në bord, është i pari apo ka patur edhe raste të tjera.

Hetimet po drejtohen edhe tek viktima tjetër, pasi nga ai shpresohet të gjenden lidhjet me organizatorët e këtij rrjeti ne gadishullin iberik.

Comments

Popular posts from this blog

Legjenda e Mujit dhe Halilit

Ese për Vitin e Ri