Nga Daniel GÀZULLI– Dom Mikel Beltoja – Martir i Atdheut dhe i Fesë (17 Prill 1935 – 10 Shkurt 1974)






Viti 1966, Kongresi V famëkeq i PPSH, do të shënonte një ndër periudhat ma të zeza të jetës politike e shoqnore të Shqipnisë, thuejse si në vitet e përgjakëshme 1944-1949. Mbas tij erdhën si fortunë shkatrrimtare lufta kundër fesë, shkatrrimi barbar i Kishave e i Xhamive dhe kthimi i tyne në depo armatimesh apo prodhimesh bujqësore; kundër kulturës e artit ma të mirë kombtar e ndërkombtar; denigrimi i çdo tradite të shëndoshë shqiptare; militarizimi politik i shkollës; kthimi i grues në një robot sfilitës nëpër aksione (punë pa pagesë), stërvitje ushtarake e shpërfytyrime të tjera në emën të të ashtuquejtunit emancipim; tjetërsimi i rinisë; kallja e frikës tek të gjithë nëpërmjet riakutizimit të luftës së klasave, e sa e sa shëmtimeve të tjera.

Nuk kanë qenë të shumtë ata që mundën t’i banin ballë një presioni të tillë politik, social, ekonomik, psikologjik, e deri thjeshtë policesk. Ata që i rrezistuen pa u lëkundë një çast në udhën e një jete kalvar, ishin thjeshtë heroj. Mjaft të kujtojmë dy prej tyne: Të madhin At Pjetër Mëshkalla dhe stoikun Dom Mikel Beltoja.

Për njenin prej tyne, për të thjeshtin, por madhështorin, të paharrueshmin Dom Mikel Beltoja do të përpiqem të them dy fjalë.



Me pushkatimin e legjendarit Dom Dedë Malajt e të Dom Ejëll Kovaçit, sidhe dënimin me 20 vjet burg të At Kondrad Gjolajt, si të thuesh, ishte mbyllë cikli edhe i eliminmit fizik të Klerit Katolik Shqiptar. Tashma kundërshtari ma i vendosun e i nivelit ma të naltë të komunizmit ishte eliminue thuejse krejtësisht. Terrori psikologjik ndërkohë kishte ba punën e vet: Ata të paktë meshtarë që kishin ngelë ende gjallë, dhe ende “të lirë”, duhej të mësoheshin të heshtnin.

Në këto rrethana, e mbas izolimit të plotë nga bota perëndimore, veçanarisht nga Vatikani, Imzot Çoba u përpoq të zëvendësonte numurin e reduktuem të meshtarëve pothuejse në zero tue hapë pranë Arqipeshkvisë në Shkodër një kurs teologjik e filozofik të drejtuem prej atij vetë, që të mund të përgatiste edhe ndonjë meshtar të ri. Në atë kurs morën pjesë kryesisht ish studentë të Seminarit Papnor të Shkodrës, mbyllë në vitin 1946. Përjashtim bante vetëm një djalë i thjeshtë nga Beltoja, Hilë Gjergji, i njohun ma vonë me emnin Dom Mikel Beltoja.

Ata që ndiqnin atë kurs ishin të vetëdijshëm çfarë mund t’i priste: si paraardhësit e tyne – burgjet, pushkatimet, persekutimi i gjithëfarëllojshëm.

Por ndërsa të tjerët, në fund të fundit, e kishin pasë me kohë vokacionin drejt meshtarisë, ishin pra të përgatitun edhe shpirtnisht e psikologjikisht me përballë çfarëdo rreziku, çfarë e kishte shty atë djaloshin fshatar nga Beltoja me marrë në sy ashtu rrezikun?

Hilë Gjergji kishte le me 17 prill 1935 në një familje të thjeshtë fshatare, por të devotëshme ndaj fesë. U rrit në një mjedis ku thjeshtësia e një jete gati biblike dhe atdhetarizmi kishin rrajë të lashta: në ato treva historia shqiptare ishte shkrue me shkronja të arta, ashtu siedhe ruente në kujtesën e vet historike tradita të shqueme të katoliçizmit.

Një ndikim të veçantë në edukimin e djaloshit të ri pat edhe ishseminaristi Pjeter Gjoka, një prej studentëve të fundit të Seminarit Papnor të Shkodrës, i cili ishte dënue me 10 vjet burg në gjyqin famëkeq kundër At Gjon Shllakut, At Giovanni Faustit, At Daniel Dajanit e themeluesit të së parës organizatë demokratike dhe antrikomuniste në Shqipni, semianristit Mark Çuni, të katërt të dënuem me vdekje.

Vitet e para të jetës së Hilës së vogël nuk kanë asgja të veçantë për t’u shënue. Ai kreu shkollen e detyrueshme, 7-vjeçaren, si i thonin atëherë, punoi në kooperativë bujqësore ndër punët ma të randa për moshën e tij të njomë, kreu shërbimin e detyrueshëm ushtarak.

Asgja për t’u shënue në jetën e tij të përvuejtë, por me një devotshmëni shembullore ndaj fesë.

Paraqitja e Hilë Gjergjit në Arqipeshkvi për t’u regjistrue në kursin e meshtarisë ishte befasuese për të gjithë: për bashkfshatarët, që pyesnin, “po ky, a e di se çfarë do ta gjejë”; për vetë Imzot Çobën, i vetëdijshëm për nivelin e ultë arsimor të djaloshit, por i befasuem për kthjelltësinë dhe vendosmëninë e tij për të marrë rrugën e meshtarisë. Sa fillonte pyetjen Imzot Çoba për ta paralajmrue se çka mund ta priste e nëse ai ishte i përgatitun me i përballue vështirësitë, Hila i ri i përgjigjej pa mbarue: “Po, e di. Edhe Jezusi e dinte se do të shkonte në Kryq. Çka jam unë para Tij?!”

Mbas tre vjetësh përgatitje intensive, ditë e natë mbi libra të shejta, Hilë Gjergji u shugurue meshtar me datë 08/12/1961. Andërra e tij me u ba shërbëtor i fesë së Krishtit e mos me lanë të krishtenët pa bari, ishte ba realitet.

Ata që e njohën nga afër do të kujtojnë se Dom Mikel Beltoja nuk dallohej për ndonjë gja të veçantë: Nuk ishte erudit si paraardhësit e tij; nuk shfaqte ndonjë mprehtësi të jashtëzakonëshme as në shtjellimin e predikimeve; nuk ishte ndonjë orator i shquem si përmendeshin At Anton Harapi, Dom Ndre Zadeja, Dom Kolec Prennushi etj.; por në vendosmëni e përkushtim ai nuk i lëshonte radhë askujt.

Po në fund të fundit edhe ato vite të pakta meshtarie, pse më 1967 u mbyllen Kishat, nuk asht që lanë ndonjë gjurmë të veçantë ndër besimtarë gjatë shërbimit të tij në Dajç të Bregut të Bunës, Shllak e Barbullush.

Kur famëkeqi revolucion kulturor çoi në mbylljen e Kishave, Dom Mikeli u tërhoq në Beltojë pranë familjes. Kishte fillue arrestimi në masë i atyne pak meshtarëve që ishin ende në shërbim (shumica e të cilëve e kishin provue burgun të paktën edhe një herë ma parë). Dom Mikeli u tërhoq në Beltojë, por nuk u tërhoq për anjë çast nga shërbimet fetare që ia kërkonin besimtarët. Ndërsa meshtarët tjerë, ende “të lirë”, ishin strukë të tmerruem në ndonjë barakë apo pranë ndonjë të afërmi, ai shkonte kudo e thërriste detyra: prej Barbullushit deri në Shllak, atje ku njerëzit kishin nevojë ma shumë të besonin se ky nuk mund të ishte fundi. Ai vinte kunora martese (tinëz, natyrisht), pagëzonte e krezmonte fëmijë, pa pyetë se cilat do të ishin rrjedhojat.

Prifti fshatar, i heshtun, por edhe i ambël, i thjeshtë deri aty, por edhe trim deri aty, nuk desht t’ia dinte si e ndiqte rrjeta e merimangës së zezë, Sigurimit të Shtetit. Kur ndokush e paralajmronte se çka po i përgatiste vetes, ai i përgjegjej buzëgaz: “Mirë, kështu thanka partia? Po ligji? A asht kund e ndalueme me ligj me pagëzue fëmijtë?”

Prangat e zeza, të trashëgueme pa numur qysh kur punët me Jugosllavinë ishin grunë, e “dhurue” me zemërgjansi për duer të shqipatrëve, ranë edhe mbi duert e ndershme të priftit fshatar. Ishte data 19 prill 1973.

Motivi? Agjitacion e propagandë kundër partisë. Ia dëshmuen dhe ai e pranoi se kishte thanë: “Dashnia e Zotit asht e përjetëshme, drejtësia (padrejtësia) e njerëzve asht e përkohëshme… Bashkë me bukën e përditëshme duhet t’u jepni fëmijëve edhe virtytin. Atdheu forcohet nga virtyti i bijëve tuej. Dëvotshmënia ndaj Zotit asht dëvotshmëni ndaj Kombit.”

Ja, pra, “agjitacioni e propaganda”, për të cilat dënohej deri në 10 vjet burg: “Atdheu forcohet nga virtyti i bijëve tuej. Dëvotshmënia ndaj Zotit asht dëvotshmëni ndaj Kombit.”

Prokurori kërkoi shtatë vjet burg e poaq i dha edhe trupi gjykues.

Por pikërisht atëherë, në fjalën e tij të fundit, aty në sallën mjerane të Kandit të Kuq (si quheshin atëherë disa godina gjoja për “edukim e argëtim”), para bashkëfshatarëve të tij, Ai, i thjeshti Dom Mikel Beltoja, u ngrit me tanë madhështinë e tij dhe tha: “Këtu, në bankën e të akuzuemëve duhej të ishte Enver Hoxha, jo unë!”

A mund të parafytyrohet sot si iu hodhën bishat sipër, si ia shpunë trupin me biza, aty në sallë, para trupit gjykues e bashkëfshatarëve, a mund të parafytyroni se si gjaku i të pafajshmit Dom Mikel Beltoja shndriti mbi rrobat e tij e deri mbi dyshemenë e pistë të sallës, ndërsa Ai, kafshonte dhimbjet dhe lutej: “Fali o Zot, vëllaznit e mi, se nuk dinë çka bajnë!”.

Kanë kalue vetëm shumë vjet nga ajo ditë. Janë ende gjallë mjaft ata që u gjenden të pranishëm para atij masakrimi.

Gjykata vetë (jo Prokuroria) iu drejtue Gjykatës së Naltë të ”lejonte” zhvillimin e një gjyqi tjetër “plotësues”. Bashkë me kërkesën e saj, Aranit Çelës i arrinte edhe një relacion i Degës së Punëve të Mbrendëshme të Shkodres nga kryetari i saj Tomas Beqari dhe një shënim nga katili Feqor Shehu, ku kerkohej ndryshimi i denimit “për ta pushkatuar”.

Aranit Çela, që kishte firmosë pushkatimin e sa e sa klerikëve, nuk kishte si të mos e pranonte këte kërkesë.

Nuk vonoi edhe gjyqi i dytë. Me datë 04 shtator 1973 Dom Mikel Beltoja dënohet me vdekje me pushkatim.

Ç’fakte të reja u sollën në gjyq, që të përligjte ndryshimin nga shtatë vjet burg në pushkatim? Asnjë. Nëse “e re” nuk do të konsiderohej fjala e tij e fundit në gjyqin e parë: “Këtu, në bankën e të akuzuemëve duhej të ishte Enver Hoxha, jo unë!”

E Ai nuk pranoi as të bante ankesë, as kerkese për falje jete dhe as të shprehte pendim. Për çfarë pendim? Po, “jam i penduem se nuk kam mundë ma ba gja nga ajo qe duhej me ba po, jo se kam krye ndonjë vepër”.

Në pritje të “miratimit” të pushkatimit, Dom Mikeli provoi një ndër kalvaret ma ngjethëse në burgun e Degës së Mbrendëshme në Shkodër.

Ato ditë ishte arrestue edhe gjashtëmbëdhjetëvjeçarja shkodrane Laura Keçi, që do të ishte fqinje qelie me Dom Mikelin e që ka shkrue në një letër të Saj këte dëshmi . Ja disa fragmente nga kujtimet e saj:



“Kur isha ende pa u arrestue, kisha ndigjue se një prift i ri predikonte pa frikë për Jezu Krishtin dhe bante shërbime fetare ……………… prandej edhe e dënuan me vdekje. Populli i Shkodrës u trondit shumë nga ky vëndim kundrejt një njeriu të pafajshëm, që me qëndrimin e tij burrnor, ringjalli në opinionin publik edhë njëherë kujtimin e Martirëve të Fesë.

Isha 16 vjeç kur u arrëstova dhe shprehja e parë që ndigjova porsa më futën në hetuesi, ishte: “Ç’ti bësh, po të ishte pak më e madhe në moshë, do ta pushkatoja pa mëshirë me priftin që sonte…” – dhe, më futën në një birucë aty afër tij.

Dua të tregoj si e torturonin njeriun e Zotit: Komandanti Basri Temja nga Lushnja i sillte gjellën Don Mikelit, që ishte i lidhun kambësh e duersh me zingjir në birucën e tij tue pritë vëndimin e Tiranës për pushkatim. Gjella si dukët ishte shumë e ngrohët, mbasi nga djegëja e saj ndigjohej britma e Priftit, që nuk mund ta kapërdinte. Kur mbyllte gojën, dëgjohej krisma e tasit të aluminit, që rrokullisej nëpër çimento, mbasi ia hidhte fëtyrës “supën” përvluese. Kjo ishte një torturë që përsëritej gati çdo ditë, ose edhe dy herë në ditë. Një polic i birucave me emnin Shefik, vinte me çizmët e tija të randa, hapte birucën e Don Mikelit, e veç kur ndigjohej krisma e kockave të kupave të gjunjëve nga shqelmat që i binte të shkretit Prift. Goditjet ishin aq të forta, sa që, betohem, se kam ndigjue me veshët e mi kockat e Don Mikelit tue u thye…

Një ditë, përsonaliteti dhe vëndosmënia e tij e friksoi antikatolikun Shyqyri Qoku, i cili shfreu dufin e tij patologjik prej sadisti tue e torturue aq shumë fizikisht Don Mikelin, sa, kur më mori mue fillë mbas tij në zyrën e hetuesisë, u tmerova dhe gati nxora zorrë e mushkni nga goja kur pashë një bluzë të bardhë me të cilën na mbështillnin gjatë torturës, të lame me gjakun e pastër të Martirit dhe me njolla ngjyrë jeshile të bame nga vjelljet, prej shqelmave të tyne… E mbajta vedin, u kapërdiva dy-tre herë për mos me kënaqë xhelatin e përbashkët tonin dhe komandantin që ishte aty me te. Kur i pashë fëtyrat e tyne të zverdhuna, si fëtyra të vdekunish, që zbulonte ndërgjegjën e tyne të randueme me krime, që shpesh edhe i kalonte në bisha të pavetëdijshme, m’u duk sikur po analizonin pafajsinë e Don Mikelit dhe peshën e randë të “fajeve” të mija, që nuk isha aspak ma shumë se 16 vjeçare… mora zemër nga qëndrimi i mpimë i këtyne dy kafshëve të tërbueme, e u thashë: Shihni vehtën në pasqyrë!… Shihni si jeni ba!… Moralisht jeni të dy të mposhtun nga Don Mikeli …… Ai ka fitue mbi ju, edhe pse fizikisht ndoshta Ai asht i shkatrruem, ju jeni të shpartalluem në ndërgjegjën tuej, mbasi nuk dini se për çka e torturoni. Kjo asht dishmia ma e kjartë e fitorës së Jezu Krishtit, përmes dyshepullit të tij Don Mikelit …………

Përgjigja e tyne kje vetëm kjo: “Prandej asht tue ju ndihmue…”

Kur pashë gjunjëzimin e tyne, mora edhe njëherë zemër dhe u thashë: “Pse, ndihmë e vogël ju dukët ju lutja e tij, ju e torturoni dhe Ai lutët për shpirtin tuej ……. Pse, a ndihmë e vogël ju duket ju, që unë një vajzë e re nuk frigohëm aspak para jush?…

Veç një virrëm qeni ndigjova: “Dil jashtë!… Jashtë!…” Aq shumë ishte torollosë, sa kishte harrue se unë nuk kisha si me lëvizë, se isha e lidhun për karrige. Kur u kujtue komandanti, më zgjidhi, urdhnoi policin që ishte mbas dere me më çue në birucë. U shtrina përtokë si zakonisht, por e kënaqun … fjeta …

Mbas pak kohe më doli gjumi nga zani i fuqishëm i predikuesit të Ungjillit. Dom Mikeli ishte zgjue para meje dhe po bante lutjen e përditëshme për shpëtimin e shpirtit të torturuesve të tij: “Mos torturoni vëllaun tuej… Jam tue u lutë për shpëtimin tuej edhe pse ju më torturoni mue, kërkoni falje Jezusit, se, Ai asht aq i mëshirëshëm, sa ka me i falë mëkatet tueja………..

Tregoni edhe Hoxhës e Shehut, se ndëshkimi i Zotit asht aq i madh për krimet që kanë ba, sa fundi i shekujve nuk ka me i shpëtue ……. Tregoni atyne që me krimet që kanë ba, kanë shkretnue familjet shqiptare dhe kanë vorfnue kombin tonë… Hiqni dorë nga vrasjet e djelmëve, vëllazënve tuej, mos vishni në zi nanat, motrat e gratë shqiptare, që tash sa vjet nuk i kanë hjekë rrobat e zisë………….

Ndigjova se u hap biruca numur 3, ku ishin dy përsona për çështje ordinere dhe u futën në birucën ku ishte tue predikue Don Mikeli. Filluan me i ra me shqelma, mbasi torturat që i banin ata Priftit, ishin mjet lehtësues për vuejtjen e tyne ………………..

………………………..

Kishin kalue disa muej që Ai vuante pandërpremje e bashkë me të edhe unë, që ndigjojsha me veshë dhe shpesh, nga një vrimë e vogël e derës e shihja tue e marrë rrëshqanë për me e çue në tortura, ose tue e këthye nga zyrat e tmerëshme të hetuesisë, ku vuejtjet ishin ma të mëdha se ata të fundit të ferrit. Asnjëherë nuk e pashë atë njeri tue u këthye me kambët e veta në birucë…por gjithmone zharg…

…………………………

Jam kenë interesue se çka u ba me Don Mikelin mbasi e morën atë natë, nga një roje që ndryshonte pak nga të tjerët me emnin Ndue. Ai më pat tregue se janë nisë për Tiranë, dhe rrugës i kanë ba një inxheksion dhe ka vdekë. E kanë çue të vdekun në Ministrinë e Mbrendshme dhe prej aty e kanë futë në një kasetë frigoriferike me nr. 7 (shtatë). Mendonte se ai asht coptue nga mjekët e besueshëm qeveritarë për studim, nga studentët e fakultetit të mjeksisë së Universitetit të Tiranës.

…………………………………..

Gjithmonë kam besue se Don Mikeli asht Shenjt i pashpallun në Mbretninë e Qiellit!

Ai asht i përjetëshëm në kujtimet dhe lutjet e mija!

Shkodër, 15 shtator 2000 Bashkëvuejtësja e Tij, Laura Keçi d.v.



Dosja e Dom Mikel Beltojës, edhe pse ishim në vitin 1974, asht ndër ma të paplotat. Duket se fashikuj të tanë janë heqë prej saj.

Asgja nuk shënohet për rrethanat e pushkatimit të tij, nuk thuhet cili ishte prokurori që mori pjesë (nëse u pushkatue, apo u shkye gjymtyrësh, apo u vra gjatë rrugës për në Tiranë, ku ua kishin kërkue trupin e tij për studentët e mjeksisë).



Mjeku S. Rr. deklaron: “Na shumicën e herës as e dinim i kujt ishte trupi … Na thonin që ishte i një të pushkatuemi …. E mbaj mend mirë atë trup të gjymtuem para se të na e sillnin ne …. Por nuk e dinim i kujt ishte”.

Ku përfundoi trupi i masakruem i Martirit Dom Mikel Beltoja? Ku?!

Pa varr, si sa e sa Martirë të tjerë. Vetëm pse kishte thanë “Këtu, në bankën e të akuzuemëve duhej të ishte Enver Hoxha, jo unë!”

Pa varr. Por në Pavdeksi.

Comments

Popular posts from this blog

Legjenda e Mujit dhe Halilit

Ese për Vitin e Ri