Ermal BEGA* SHQIPTARËT NË BOTËN ARABE


Ermal Bega
Dr. Muhamed Mufaku, një shqiptar me origjinë nga qyteti i Pejës, është një nga shkrimtarët më të njohur në botën shqiptare dhe arabe.
Ai ka lindur në Damask në vitin 1952; babai i tij ishte nga qyteti i Pejës, ndërsa nëna ishte nga fshati Vrellë, po nga Peja. Gjithashtu ai është edhe nipi i dijetarit të njohur musliman shqiptar nga Vrella e Pejës, Shejh Abdulkadër al-Arnaut.
Dr. Muhamed Mufaku shkollën 8-vjeçare dhe të mesme e kreu në Damask. Pastaj, studimet e larta i vazhdoi në Universitetin e Prishtinës, duke u kthyer në këtë mënyrë përsëri në vendin e prindërve të tij. Studimet i ka mbaruar me rezultate shumë të larta dhe ka mbrojtur dy tema doktorature, njërën në Fakultetin e Filologjisë për Gjuhë-Letërsi shqipe në vitin 1981, ndërsa të dytën në Fakultetin e Filozofisë – dega Histori në vitin 1986. Gjatë periudhës së studimeve në Prishtinë është marrë me shkrime dhe me studime në gjuhën shqipe dhe arabe, si dhe me shkrime të botuara në gazetat dhe revistat e kohës. Artikujt e tij kanë pasur të bëjnë më shumë me lidhjet e shqiptarëve me botën orientale në përgjithësi dhe me atë arabe në veçanti. Gjithashtu ai është autor dhe bashkautor i më shumë se 40 librave dhe enciklopedive, në gjuhën shqipe dhe arabe. Ai ka qenë edhe profesor i gjuhës arabe në degën e Orientalistikës në Fakultetin e Filologjisë në Prishtinë. Momentalisht ai është profesor i lëndës së historisë dhe Drejtor i Institutit të Studimeve Politike në Aman-Jordani.
Një ndër librat më të rëndësishëm të tij, që ka të bëjë me lidhjet e shqiptarëve me botën arabe, dhe të cilin po e marrim në shqyrtim në këtë artikull është libri me titull: “Shqiptarët në botën arabe”, i cili është botuar në vitin 1990 në Prishtinë nga shtëpia botuese “Rilindja”.
Autori në këtë libër bën fjalë, siç e ka përmendur edhe vetë në parathënien e librit, për praninë e shqiptarëve në botën arabe gjatë shekujve XVIII-XIX, dhe në fillim të shekullit XX. Por autori nuk është ndalur vetëm në këto periudha, ai ka prekur kalimthi edhe praninë e shqiptarëve gjatë shekujve XVI-XVII, sepse kjo periudhë lidhet me praninë e shqiptarëve në vendet arabe gjatë shekujve XVIII-XIX dhe fillimit të shekullit XX.
Të dhënat për përgatitjen e këtij libri janë shfrytëzuar nga burime të ndryshme, shumica e të cilave prezantohen për të parën herë në gjuhën shqipe. Autori përveç burimeve të dorës së parë ka shfrytëzuar edhe literaturën e pasur në gjuhë të ndryshme. Gjithashtu autorit i është dashur, dhe kjo është gjëja kryesore për përfundimin e kësaj vepre, që të bëjë hulumtime në shumë vende arabe gjatë një dekade (1974-1984). Për mbledhjen dhe përpunimin e burimeve ai ka qëndruar në disa vende, si në Siri (1974-1975), në Algjeri (1976), në Liban (1976), në Egjipt (1978), në Kuvajt (1981), në Tunizi (1983) etj.
Në kaptinën e parë të librit, me titull “Lidhjet shqiptare-arabe nëpër histori”, autori na jep një pasqyrë të përgjithshme se si kanë nisur marrëdhëniet ndërmjet shqiptarëve dhe arabëve. Ai na tregon qysh në fillim se në mesin e arabëve dhe të shqiptarëve ekziston një traditë e pasur për prejardhjen e shqiptarëve nga vendet arabe, përkatësisht nga Siria. Në bazë të kësaj tradite, që u zhvillua me kohë, gjejmë të dhëna të ndryshme edhe në burimet e shkruara të kohës. Kështu, të dhëna të tilla paraqiten së pari në një histori arabe me titull “Tuarih Tuhaf”, në të cilën shpjegohet gjerë e gjatë se shqiptarët kanë origjinë arabe.[1] Më vonë këto elemente kalojnë në burimet osmane. Kështu, në kronikat e vjetra osmane që i ka botuar turkologu i famshëm Franz Babinger për shqiptarët, thuhet se “disa kanë qenë nga Jemeni, të tjerët nga Sa’id”, në Egjipt.[2]
Këto të dhëna paraqiten gjatë shek. XVII, në version më të gjerë, në veprën e udhëpërshkruesit të njohur osman Evlija Çelebi. Në pjesën e kësaj vepre të E. Çelebiut që ka të bëjë me viset shqiptare, gjejmë një kaptinë të posaçme me titull “Mbi krijimin dhe prejardhjen e popullit shqiptar.” Sipas këtij versioni shqiptarët rrjedhin nga fisi arab Kurejsh, që banonte në Mekë, përkatësisht fisi i profetit Muhamed a.s. Në atë kohë ata kishin një prijës, Xhebel ul-Hama. Ky prijës, pa qëllim, ia nxori njërin sy një bujari arab. Bujari iu ankua Hazreti Umerit, përkatësisht halifit Umer Ibn al-Hattab (634-644). Halifi, në bazë të ligjit islam “sy për sy”, vendosi që prijësit Xhebel t’i nxirret syri. Mirëpo, nga frika, prijësi Xhebel mori atë natë tre mijë veta nga fisi i tij dhe shkoi deri në Antiohi te mbreti Harkil (Herakliu).
Çështë e vërteta, ky version i Evlija Çelebiut është ndërtuar mbi baza të ngjarjeve historike, por ka disa lëshime. Kështu, në histori fjala është për prijësin e fisit Gassan e jo Kurejsh, Xhabla Ibn al-Ajham, e jo Xhebel ul-Hama. Fisi Gassan, me prejardhje nga Jemeni, u vendos në veri të Arabisë, përkatësisht në jug të Sirisë, në fillim të erës së re kurse në shek. IV pranoi krishterimin. Nga prijësit ose mbretërit e këtij fisi që shquhen në burimet arabe njihen vetëm pesë të fundit, ndër të cilët është edhe Harith Ibn Xhablan (rreth vitit 529-569), të cilin perandori i Bizantit, Justiniani, e emëroi prijës të të gjitha fiseve arabe me titullin patrik. Prijësi ose mbreti i fundit i këtij fisi ishte Xhabla Ibn al-Ajham, i cili u bë musliman. Gjatë qëndrimit të tij në Mekë për haxhillëk në kohën e halifit Umer Ibn al-Hattab (634-644) një beduin i thjeshtë ia shkeli xhyben, për ç’arsye prijësi Xhabla i dha një shuplakë. Beduini iu ankua halifit Umer, i cili vendosi, në bazë të ligjit islam, që beduini t’ia kthente prijësit Xhabla atë shuplakë. Mirëpo për shkak të autoritetit, prijësi Xhabla iku gjatë natës me disa njerëz të vet nga Meka dhe shkoi në Bizant, prej nga nuk u kthye më.[3]
Prej gjysmës së dytë të kreut të parë e deri në fund të tij autori na tregon për lidhjet e përgjithshme dhe të veçanta mes shqiptarëve dhe arabëve gjatë sundimit të perandorisë osmane në vendet arabe.
Autori më vonë (duke filluar prej kaptinës së dytë) na jep argumente dhe të dhëna të rëndësishme, të arritura nëpërmjet studimeve të tij, rreth ardhjes së shqiptarëve në vendet arabe, jetën e tyre, përfshirjen e tyre në jetën politike, kulturore, fetare dhe sociale të kësaj shoqërie. Ai fillon me Sirinë, e cila është edhe vendlindja e tij, duke vazhduar më tej me Libanin, Palestinën, Irakun, Arabinë Saudite, Jemenin, Egjiptin, Sudanin, Libinë dhe në fund me Algjerinë. Ai flet për personalitetet e ndryshme shqiptare të cilët lanë gjurmë të thella në këto vende, gjurmë të cilat kanë mbetur edhe sot e kësaj dite në ato vende. Bëhet fjalë për personalitetet shqiptare në fushën e politikës, atë ushtarake, të diturive fetare islame, të letërsisë, të çështjes kombëtare etj. Një kre të veçantë ai ia ka kushtuar dinastisë shqiptare të Egjiptit e cila nisi me Mehmet Aliun, që njihet edhe si themeluesi i Egjiptit të ri dhe vazhdoi me nipat e tij, dinasti e cila sundoi për më shumë se një shekull.
Kjo vepër e rëndësishme e këtij autori shqiptar i cili jeton dhe vepron në Siri dhe Jordani është vetëm një fillim i “shkurtër” për jetën, veprat dhe lidhjet e shqiptarëve me botën arabe. Shpresojmë se kjo vepër do të jetë një “start” për studime të mëtejshme të studiuesve tanë të kësaj fushe e cila është shumë e rëndësishme për çështjen tonë kombëtare dhe atë kulturore-fetare.
Marrë nga revista “PERLA”, Viti IX,  2004, Nr. 4 (35), f. 147-150.

* Ermal Bega është Drejtori Ekzekutiv i “Qendra Shqiptare për Studime Orientale” në Tiranë.
[1] Hasan Kaleshi, Një legjendë orientale mbi prejardhjen e shqiptarëve, “Flaka e Vllaznimit”, Shkup, 2.IV.1956, f. 11.
[2] Po aty.
[3] Po aty.

Comments

Popular posts from this blog

Legjenda e Mujit dhe Halilit

Ese për Vitin e Ri