FANTASTIKA SI ARRATISJE NGA ANTIVLERAT TE TREBESHINA

Belfjore Qose
Periudhat e rëndësishme historike lënë gjurmët e tyre jo vetëm në historinë e një kombi apo shteti, por mbi të gjitha në prodhimin e tij shpirtëror.

Historia mund të dokumentojë, interpretojë apo analizojë ngjarjet apo periudhat historike, por asgjë nuk e zëvendëson dot rëndësinë që ka letërsia në ndërtimin e kujtesës shpirtërore, që sjell katarsimin dhe vetëdijësimin e shoqërisë së brendshmi. Asnjë mesazh nuk vjen dot tek njeriu si diçka e mësuar dhe jo e përjetuar, pasi përjetimi i thellë është i vetmi që bën te mundur shërimin e individit dhe shoqërisë. Ashtu sikurse po të shohim të shkuarën jo të largët të Evropës, shkencat e ndryshme shoqërore, nuk mund ta jepnin kurrsesi me atë forcë dhe përjetim mesazhin kundër luftës, ashtu siç e dhanë shkrimtarët e brezit të humbur, Hemniguej, Remarku dhe të tjerë. Pasojat shpirtërore dhe morale të luftës u bënë qendra e veprave të tyre, pasojat shpirtërore të luftës; nga këto njerëzimi kuptoi se e keqja më e madhe që vinte prej luftës qëndronte jo tek të vdekurit, aq sesa tek të gjallët. Vërtetësia e thellë e shprehur nëpërmjet personazheve në letërsi, ka vlerën e veçantë të përjetimit, lexuesi jeton me pesonazhet, dashurohet me to, vuan me to; dhe kësisoj ai përjeton tmerrin e luftës, si të keqen më të madhe që njeriu i bën vetes. Letërsia moderne nuk e vë fokusin te epizmi i luftës, por tek kotësia e saj, tmerri i panevojshëm i saj kthehet në absurdin e ekzistencës.
Ashtu sikurse letërsia botërore njeh dokumentuesit e saj shpirtërorë edhe letërsia shqipe ka të vetët. Vepra e Trebeshinës dëshmon së brendshmi tmerrin e luftës, prej një pjesëmarrësi dhe protagonisti të saj, siç është vetë autori. Sublimimi i këtyre përjetimeve në art, në romanet apo tregimet e Trebeshinës, e bën edhe më të fortë përjetimin mbi luftën, duke e kthyer kësisoj në diçka që na takon të gjithëve, duke tejkaluar përmasën e kujtimeve personale të autorit. Do ndalemi në estetikën me të cilën ndërtohet problematika dhe jepet mesazhi kundër luftës, duke treguar dëshirën e personazheve për t’u arratisur në botën e fantastikes, në kushtet kur realiteti (tashmë letrar-artistik) bëhet i tmerrshëm dhe i padurueshëm. Tregimet e Trebeshinës kanë zakonisht një ndërtim tipik të rrëfimit, ku personazhi apo rrëfimtari i pafuqishëm për të ndryshuar realitetin, në pikën kulmore të tregimit përfshihet në botën e fantastikes. Si bëhet ky kalim nga pikëpamja e procedimeve letrare dhe çfare mesazhi jep për lexuesin?

Kaosi i vlerave të një shoqërie që vjen nga periudha tradicionale e organizimit shtetëror dhe njëherësh shoqëror, drejt shoqërisë urbane moderne me organizimin e ri shoqëror dhe atë shtetëror (të pas sistemit otoman), në Shqipëri ndodhi në kushte krejt jo të favorshme, pikërisht gjatë luftës, shtresat filluan të lëviznin dhe njëherësh po instalohej dhe sistemi i ri komunist. Në tregimet e Trebeshinës, shohim po ashtu se ndryshimet shoqërore, nënkuptojnë dhe një sistem të ri vlerash, i cili në proceset e ndryshimit është krejt kaotik; shohim tragjizmin e një shoqërie të pavetëdijshme për ngjarjet e mëdha shpirtërore që i ndodhin etnisë, gjë që u bë shkaku kryesor i vendosjes së komunizmit si sistemi i ardhshëm politik dhe shoqëror. Njeriu i Trebeshinës është i vendosur midis këtyre dilemave, zakonisht personazhet e tij duke qenë dëshmitarë të luftës, kuptojnë dallimin mes propagandës së udhëheqësve në rritje dhe veprimeve të tyre reale; duke pëson zhgënjimin. Ky kaos i papërballueshëm i vlerave, bëhet shkak që personazhet njëherësh dhe rrëfimtarë të kalojnë në botën e imagjinatës dhe fantastikes, si mjeti i vetëm i shpëtimit. Në fantazi njeriu mund të jetë i vërtetë dhe t’i përmbahet parimeve të tij etike dhe shpirtërore.

Studiuesi Anton Berisha është një nga të parët që ka analizuar dhe kuptuar sesi vepron procesi i ndërgjegjësimit në krijimtarinë e Trebeshinës. Për novelën “Mekami”, ai pohon se “Brerja e ndërgjegjes për veprimin e bërë, për aktin barbar të rrënimit të Mekamit të Shenjtë, e trondit vepruesin në atë shkallë sa e vetëdijëson dhe e detyron t’i kthehet e të mirret më thellësisht me vetveten dhe me identifikimin e qenies së vet. Me fjalë të tjera, Mekami i Shenjtë i rrënuar, e vë atë përballë gjithë asaj që e ngërthen në shpirt ose përballë natës shqiptarë, e cila ia zgjon e ia nxit zërin e brendshëm – zërin më dramatik të ndërgjegjes së tij.”
Theksi i studiuesit nuk është ndërtimi i subjektit të veprës si aksion, por si ndërgjegjësim mbi qenien njerëzore në një periudhë të shkatërrimit te vlerave, për të krijuar një model të ri në një mënyrë krejt artificiale dhe larg etnicitetit tonë. Në rastin e novelës “Mekami” rrëfimtari në mënyrë simbolike, e trajton këtë prishjen e Mekamit si shkatërrimin e së vjetrës, trashëgimisë dhe mbi të gjitha të shpirtërores. Kriza e thellë e shoqërisë dhe e vlerave, është shqetësimi i vazhdueshëm i tërë krijimtarisë së Trebeshinës. Shkrimtari si ndërgjegje e gjallë e kombit, përputhet me konceptin romantik për shkrimtarin, që letërsia gjermane e quan dichter, shkrimtari në rolin e udhëheqësit shpirtëror të popullit të tij. Natyrisht frika që Trebeshina kishte në lidhje me të ardhmen shpirtërore dhe sistemin e vlerave në vendin tonë, dëshmoi se ishte me vend.
Fantastikja në tregimin “Kohë pa fund” bota fantastike është një mënyrë për t’i shpëtuar realitetit që e ka tronditur deri në thelb besimin te njeriu. Personazhi, njëherësh dhe rrëfimtar bëhet dëshmitar i një pushkatimi të urdhëruar nga instanca të Partisë, ku ndër të pushkatuarit, gjendet dhe një i mitur. Gjendjen mizore e rëndon shumë më tepër e ëma e fëmijës, e cila edhe pse e vetëdijshme për dënimin që e pret të birin, e nis atë me fjalët “Mos u tremb, bir, se po shkon në kuvend me burra!” Rrefimtari largohet i shqetësuar deri në trazim fizik dhe në pamundësi për t’u orientuar qartazi në hapësirë dhe kohë dhe pikërisht gjatë kësaj kohë ai futet në një pyll, ku hyn në kontakt me fantastiken. Kriza e përsonazhit është motivuar nga një ngjarje e vërtetë, pra nuk kemi të bëjmë me fantastiken e krijuar për kënaqësi leximi argëtues, siç ndodh së shumti në një sërë autorësh. Nëse rrëfimtari nuk është njëherësh edhe personazh, është pothuaj krejt e pamundur që fantastikja të mund të konceptohet dhe ndërtohet në tregim. Siç vëren Todorovi në “Fantastikja”, ky hezitim mund edhe të përjetohet prej personazhit, kështu që roli i lexuesit është që të bësojë rrëfimin e personazhit.
Pas tronditjes së thellë personazhi largohet për të gjetur qetësinë e nevojshme që i duhet për të reflektuar mbi gjithçka ndodhi dhe e cila është kaq tronditëse sa nuk i duket se mund të ketë ndodhur. Për të kaluar në botën fantastike, në të cilën personazhi rrëfimtar mendon se mund të gjejë qetësinë, kemi pasazhe tranzitore në tekst të cilat bëjnë të mundur ambiguitetin dhe hezitimin që duhet për të ndërtuar fantastiken. “Në atë kohë e flaka automatikun, duket ngaqë po më bezdiste dhe vrapova nëpër pyll sa më hanin këmbët!… Nuk e di sa kohë kishte kaluar dhe po mundohesha të kujtoja ku kisha qenë, ç’kisha bërë… Nuk mund të kujtoja gjë! Atje ishin… Po!… Krushq pa nuse dhe pastaj e gjithë bota ishte shurdhuar, kurse ata kishin ikur diku!… Aty duhej kaluar ai lumë i vogël dhe atje përtej, në errësirën e degëve të rrepeve mund të gjeja se në ç’anë do të lindte përsëri dielli!…”
Koha dhe vendi fillojnë dhe turbullohen për shkak të tronditjes së thellë të psikës së tij, fantastikja bëhet mënyrë shpëtimi, domosdoshmëri për të mbijetuar humanen brenda njeriut në një botë ku ajo vjen duke humbur fizilogjinë e saj. Tjetërsimi i koncepteve të zakonshme të realitetit tonë, si koha dhe vendi, bëjnë të mundur që të kalohet në fantastiken, si një realitet i ri, ku perceptimi ynë është krejtësisht i ndryshuar. Kërkimi i fantastikes, si domosdoshmëri për të reflektuar mbi realitetin dhe tronditjen e sistemit të vlerave që ka ndodhur në të, bëhet mënyrë katarsimi, pastrimi shpirtëror. Mund ta vemë re më së miri në metaforën “aty mund të gjeja në ç’anë do të lindte përsëri dielli”, si një mënyrë për të thënë se drita nuk do ishte më e njëjta, bota dhe natyrisht njeriu, vlerat dhe humanizmi i tij, do të ndryshonin katërcipisht. Në botën fantastike, rrëfimtari i brendshëm do të përjetojë disa takime me “pleqtë e pyllit”, të cilët tregojnë histori të largëta, të kohës së Ali Pashë Tepelenës apo të Skëndërbeut. Largësia kohore e bën botën të vështrohet në një pamje universale. Rrëfimet e futura brenda rrëfimit, të treguara në një mënyrë pothuaj magjike nga pleqtë e pyllit, dalin përkundër pritshmërive të personazhit, fillojnë e bëhen të përngjashme me ngjarjen që e ka bërë atë të kërkojë arratinë në fantastike. Rrëfimet tregojnë ngjarje të ngjashme nga e shkuara, kur këto qenie që tashmë i takojnë një bote tjetër, ishin pjesë e botës sonë. Në këto ngjarje, rrëfehet po ashtu, për një të mitur, i cili vritet prej një Silahdari të Pashait, për shkakun absurd se e pa duke u rrëzuar nga kali. Pasi kjo histori rrëfehet, gjendja psikike e personazhit përkeqësohet, por duke u shtyrë drejt katarsisit shpirtëror.

Çfarë është duke përjetuar personazhi në këtë tregim, gjatë tre situatave, njëra e jetuar dhe dy të tjerat të dëgjuara, por jo më pak të përjetuara; është një krizë etike vlerash, e cila bëhet burim tronditjeje çka nënkupton mospranim të padiskutueshëm të këtij moraliteti të ri, ku dhuna dhe kundërnjerëzorja zenë vend. Atë çka në teoritë e etikës dhe moralitetit mund ta gjejmë të shprehur nëpërmjet pohimeve abstrakte, personazhi këtu e ndjen në një mënyrë brendësore, kaq e pakonceptueshëm si i drejtë dhe human i duket ky rend i ri vlerash.
Çfarë e bën personazhin të ndjejë dhe kuptojë se ky rend i ri nuk është i duhuri dhe të mos i duket i moralshëm? Është keqardhja, mëshira për djalin e pushkatuar, një episod ky i së tashmes, përforcuar edhe nga rrëfimet që vijnë në botën fantastike, për të treguar se ai nuk ka hyrë në fantastikë, për të shpëtuar, për të krijuar një realitet të bukur, por për të reflektuar dhe kuptuar, pse jo dhe për t’u spastruar nga e keqja. Zimermani, autori i “Epistemologjisë së moralit”, shprehet se “Në veçanti, ndoshta duhet kjo keqardhje që njeriu të dijë detyrimet e tij morale dhe njëherësh që të vlerësojë përse duhet t’i zbatojë këto detyrime morale. Ose mundet që humanizmi ose ndjeshmëria për tjetrin është e nevojshme, në momentin që duam të lëvizim nga vlerësimi abstrakt i këtyre detyrimeve dhe shkaqeve, drejt një perspektive në të cilën ato mund të luajnë një rol aktiv në shqyrtimet dhe vendimet tona.”
Ndjeshmëria e lartë për tjetrin, nuk vjen si rezultat vetëm i urdhëresave të religjioneve të ndryshme, ajo është e nevojshme për ndërtimin e çdo shoqërie njerëzore. Kanti do ta mbronte me imperativin e dytë kategorik këtë qëndrim, duke pohuar se në shoqëri çdo veprim duhet parë në një plan universal, pra nëse ne nuk do bënim një veprim të caktuar, do duhet të njeherësh të përfytyrojmë një shoqëri ku të gjithë individët veprojnë si ne. Nëse një botë plot me veprime të tilla do na pëlqente, atëherë sipas këtij imperativi, do veprimi do ishte i moralshëm. Personazhi i Trebeshinës natyrisht që nuk mendon sipas ‘arsyes së kulluar’ kantiane, por ai ndjen se nuk do të jetojë, siç e thotë edhe në tekst “në një vend ku djemtë i çojnë në kuvend me burrat”, duke e bërë atë të kërkojë shpëtim në botën e fantastikës. Refuzimi i një realiteti të tillë, nënkupton se për personazhin, i cili është njëherësh dhe optikë e vetë autorit, se edhe në totalitet, pra në konceptin univeral një botë e tillë është e pamoralshme.
Duke vijuar me tregime të tjera të Trebeshinës, elementi fantastik bëhet një mundësi reflektimi për çështjet e besimit, duke u ndalur në marrëdhëniet komplekse midis të shenjtës dhe profanes, në kushtet e një shoqërie ateiste, si ajo e sistemit komunist. Nëse do ndaleshim në tregimin “Koka e Artemidës”, në të fantastikja realizohet nëpërmjet një rrëfimi që na vjen prej një qenieje fantastike të përfshirë brenda rrëfimit kryesor. Siç shohim, kemi po të njëjtin model me tregimin e parë, për sa i takon rrëfimit dhe procedimit estetik letrar, por që ndryshon nga mënyra sesi paraqitet kriza e vlerave. Personazhi, ndryshe nga modeli tjetër i tregimeve të Trebeshinës, përfaqësuar nga tregimi që shqyrtuam më sipër, nuk është i vetëdijshëm për shprishjen shpirtërore që po ndodh dhe vetëm gjatë rrëfimit të personazhit fantastik, ai kupton ferrin në të cilin po shkon shoqëria. Tregimi zhvillohet në dy linja rrëfimi, njëri është rrëfimi mbi botën e njëmendtë dhe tjetri është rrëfimi i Murgut të Zi, i cili vjen nga e kaluara. Kriza e vlerave vihet në dukje përmes prishjes simbolike të kokës së një skulpture, e cila vjen që nga periudha antike. Prishja e saj bëhet simbol i profanes që sundon mbi të shenjtën, i të shëmtuarës që del mbi të bukurën dhe i mosrespektimit të vdekjes si gjëja më e shenjtë; në momentin kur realizohet paralelizmi mes kësaj skulpture dhe një vajze, e cila është pjesë e rrëfimit në realitetin e së tashmes dhe të njëmendësisë. Në kapitullin e tretë të rrëfimit, tregohet për prishjen e varrit të një vajze, e cila për shkak të bukurisë quhej edhe ajo, si skulptura “Koka e Artemidës”. Përdhosja e varrit të saj është një akt që reflekton krizën e vlerave në një shoqëri, ku konceptet mbi të shenjtën apo qoftë edhe të bukurën, janë duke u zhdukur. “Dhe duhej patjetër që ajo njerëzi të gjendej ballë për ballë me shëmtimin më të tmerrshëm që jeta dhe vdekja na shtyjnë ta fshehim sa më mirë?!… Përse të mos e ruanin kujtimin e asaj bukurie që ishte zhdukur pa lënë asnjë shenjë?!…”, thuhet në tregim.
Ngjashmëria e kokës së skulpturës me vajzën e vdekur dhe njëherësh shprishja e varrit të së parës dhe e skulpturës të së dytës, reflektojnë mizorinë në të cilin ka përfunduar kjo shoqëri. Rimarrja e mitit të Pigmalionit nëpërmjet figurës së Murgut të Zi, i cili njëmijë e gjashtëqind vjet më parë ka bërë një skulpturë aq të bukur sa më pas ka rënë në dashuri me të, e bën edhe më të prekshme dhe konkrete figurën e femrës, duke e përshkallëzuar të keqen dhe të shëmtuarën. Zakonisht në letërsinë fantastike, bota irreale bëhet burim absurdi dhe përthyerje e koncepteve morale dhe religjioze, duke qenë se në të kemi të bëjmë me një realitet krejt të ri dhe të padëmshëm, njëherësh edhe formë sublimimi e pjesës së errët të njeriut, e cila nuk mund të vihet në jetë për shumë arsye. Fantastikja mund të mbushet me imagjinatën më devijante, dhunën që nuk e shkarkojmë dot në jetën tonë; pra konceptet etike nuk kanë kuptim brenda saj, përkundrazi prirja është për të rrëfyer krejt çfarë ndalohet.
Zhorzh Bataj shkruan, “Ata artistë që mbajnë të gjallë ankthin dhe shërimin prej tij brenda nesh, janë trashëgimtarët e religjionit., ndërsa R. Jackson ndërsa studjon funksionet e fantastikes pohon se “Fantastikja tradhëton moskënaqësinë e asaj që është, por që frustrimi prej përpjekjeve të realizimit të një ideali, e shndërron në variantin negativ të mitit fetar. Fantastikja është sovrane vetëm sa i takon dëshirës për objektin, jo për posedimin e tij. Pa një kozmologji të parajsës dhe ferrit, mendja përballet me teprinë: kozmosi bëhet një hapësirë plot kërcënime, kuptimi i së cilës rritet dhe brendësohet, si zona e mos-kuptimit.”
Ndërsa në këtë tregim të Trebeshinës, ashtu sikundërse edhe në të tjera tregime të tij, duke qenë se realiteti është krejt i përmbysur në vlerat e tij, është bota fantastike ajo që katarson personazhin, duke sjellë një rend të qëndrueshëm dhe human të vlerave dhe shpirtërores. Në rastin e Trebeshinës, kemi të bëjmë me të njëjtin absurd që e shohim aq shkoqur te “Odin Mondvalsen”, ku realiteti është i çmendur dhe vetë çmendina dhe personazhet duke qenë të lirë brenda justifikimit të marrëzisë, mund të jenë e shendetshëm mendërisht. Është historia e botës së përmbysur shqiptare, të vlerave të përmbysura dhe njeriut që e ka humbur vetëdijen për të dalluar të mirën nga e keqja. Në rastin e tregimit, duhet ndërfutja e fantastikes, për të ndërgjegjësuar personazhin dhe nëpërmjet tij lexuesin, për çfarë po ndodh. Përdhosja e heshtjes së vdekjes, shëmtimi i zbulimit të trupit gjysmë të dekompozuar, pa lënë natyrën të bëjë punën e saj; janë disa nga kulmet e veprës së Trebeshinës, si përpjekje për të pasqyruar si po transformohej në përbinshmëri bota shpirtërore shqiptare. Në tregim thuhet: “Çfarë vlere do t’i mbetej jetës, kur edhe vdekjen nuk donin ta respektonin në heshtjen e saj?”
Rrëfimi është ndërtuar nëpërmjet linjës kryesore, ku ngjarjet zhvillohen në bashkëkohësi dhe nga rrëfimi brenda rrëfimit të parë, ku ngjarjet zhvillohen në periudhën e fundit të antikitetit. Të dyja kohët i bashkon të qenit në kapërcyell të një sistemi vlerash dhe ardhja e një sistemi të ri, bazuar kryesisht në ndërrimin e religjionit. Në rrëfimin mbi antikitetin, periudha e ardhjes së krishtërimit, pas epokës pagane, shënon dhe luftën mbi besimin pararendës, që solli dhe shkatërrimin e shumë prej veprave të artit dhe të trashëgimisë që do i takonte sot tërë njerëzimit, pikërisht në këtë rrëfim të tregimit të Trebeshinës, tregohet sesi u shkatërrua shtatorja e Artemidës si simbol idhujtarie, që kërcënonte besimin e ri monoteist. Në realitetin bashkëkohës, po kështu kemi të bëjmë me një periudhë tranzicioni të vlerave drejt një sistemi të ri, është fjala për komunizmin, i cili ndërtoi ideologjinë ateiste dhe natyrisht filloi një fushatë e egër për të shkatërruar objektet e kultit dhe tërë trashëgiminë materiale të kulturës dhe besimit që ato përfaqësonin. Një fakt i tillë, pothuaj në tërë tregimet e Trebeshinës, paraqitet si apokaliptik; mjafton të kujtojmë novelën “Mekami”.
Të dy këto rrëfime, veç krizës së vlerave, bashkohen edhe nëpërmjet simbolit të kokës së Artemidës, si nëntekst i së bukurës dhe sublimes. “Isha i bindur se ai që nuk donte mermerin, nuk donte as njeriun.”, shprehet në rrëfimin e tij fantastik prej së shkuarës së largët personazhi i Murgut të Zi. I vetmi dallim është se nëse në rrëfimin e njëmendtë personazhi as nuk ka ndjeshmërinë për të vënë re krizën dhe shprishjen, në atë fantastik, por që njëherësh është shprehës i së vërtetës, thuhet: “Por mos vallë Zoti i ri u kishte kërkuar besimtarëve të rinj që të vrisnin dhe të digjnin ata që nuk besonin në atë që kishte folur ai?!… Po në ç’vend kishte folur për vrasje dhe prerje?!… Pse duhet që çdo besim i ri të mbysë në gjak çdo besim të vjetër?!…”
Shtresëzimi i pashmangshëm i besimeve dhe kulturave, ka dëshmuar se lufta ndaj së vjetrës nuk ka rezultuar kurrë e suksesshme, gjithnjë besimet kanë mbivendosur elemente pararendëse, të rifunksionalizuara në besimin e ri. Ndaj në këtë tregim mëshohet tek absurditeti i konfliktit, tek lufta e panevojshme dhe e kotë, në një botë ku kalimet mund të jenë të natyrshme. E shkuara duhej të ishte bërë mësim për të tashmen, por përkundrazi, ajo çfarë shohim në rrëfimin mbi bashkëkohësinë, është edhe më tragjike; identifikuar në mënyrë simbolike prej asaj që koka e Artemidës nuk prishet në antikitet, por në bashkëkohësi. Aq më e tmerrshme është bota shpirtërore që po përvijohet, për shkak se nuk kemi të bëjmë me një besim të vjetër, që zëvendësohet me një të ri, por me një ideologji që tenton të marrë terrenin e interpretimit të gjithçkaje, qoftë edhe të së mbinatyrshmes. Kur autorët e “Dialektikës së ndriçimit” analizojnë mendimin niçean në lidhje më moralitetin, shprehen se “Ndërsa arsyeja, për shkak të formalizmit të saj, është e paaftë për të dhënë çfarëdo modeli të nevojshëm, por ka avantazhin e të qenit aktuale, krahasimisht me ideologjinë e rreme.”.
Bota e mbështetur në një moral ideologjik dhe jo të bazuar mbi religjionet, rezultoi të ishte një manipulim i mirëfilltë i masave; për të zëvendësuar ndjenjat e njeriut për të mbinatyrshmen me figurën e një “besimi” të ri, atij për diktatorin. Tregimi në fjalë, përfundon me aludime, vetë autori nuk ka dashur ta japë të drejtpërdrejtë lidhjen mes dy kohëve, si një paralajmërim për shprishjen shpirtërore të njeriut shqiptar në të ardhmen. “E di!… Ti nuk mund ta gjesh kokën e bërë copa, por askush nuk mund të të ndalë që t’ia tregosh botës historinë e një truporeje të mermertë!… As feja e re dhe as mjeshtrat e rinj të terrorit!… Do t’i durosh mundimet dhe burgjet e tyre, gjersa të tregosh një histori të gjatë sa shekujt dhe të rëndë sa humbja në jetën e njeriut.”. Ky rrëfim e lehtëson hijen, që nuk ka gjetur prehje që prej kohërave të largëta dhe njëherësh jep një kumt për të ardhmen.
Në tregimin “Shtriganët” Zoti shfaqet vetëm atëherë kur kemi kriza shoqërore, morale, vlerash. I rrëfyer nëpërmjet një loje komplekse narracioni, në të dallojmë tri referentë kohorë në tekst: a. Rrëfimi në bashkëkohësi, ku rrëfimtarit të nivelit të parë, i duhet të merret me një gjyq të padrejtë, i përfshirë siç është në rrethet burokratike dhe sociale. b. Rrëfimi brenda të parit, që i takon referencës kohore të shek. XVI dhe konkretisht djegies së heretikëve. c. Pa u rrëfyer si ngjarje, por nëpërmjet evokimit të tërthortë shfaqet koha biblike, si një urtësi që vjen prej shekujve. Elementi fantastik krijohet përmes dyzimit të realiteteve dhe situatës së paqartë në të cilën befasisht gjendet personazhi ndërsa po përsijat mbi vendimin e padrejtë që duhet të nxjerrë gjyqi i tij. Në këtë bërthamë narrative, elementi fantastik i ndërfutur kalon në kohën e Inkuizicionit, ku njerëz të pafajshëm dënohen pikërisht për epërsinë e tyre mbi të tjerët. Natyrisht që aludimi është i qartë, pasi e njëjta gjë po ndodh në realitetin që po përjeton personazhi. Në qendër të tregimit është pushteti që gjeneron vetveten dhe fillon të bëhet i dhunshëm dhe i padrejtë. Siç thuhet në tregim “Kështu edhe populli, në dëshirën e tij për përjetësinë, e gjen pushtetin e kërkuar në shpërthimet e histerisë ciklike, çdoherë që i jepet rasti nga ata që përfitojnë prej popullit. Se histeria është në natyrën e çdo njeriu!… I fuqishmi e shfaq vazhdimisht me krime për të ruajtur pushtetin që ka mbërthyer, kurse i varfri kujtohet herë pas here për pushtet, përmes histerisë kolektive.”
Kriteret etike dhe morale në një shoqëri ku pushteti shtetëror është absolutist, nuk arsyetohen apo argumentohen; gjithçka vendos sistemi është etike në raport me një shoqëri të tillë, për vetë faktin se është sistemi ai që gjeneron moralin dhe gjithashtu ideologjinë, si vegël të tijën. Humanizmi i tjetërsuar në kushtet e një shoqërie totalitare, është frika e madhe që Trebeshina sheh për të ardhmen.



Dëshirën për pushtet Trebeshina e sheh në një plan universal, ndaj përdoret shpesh leksema e “përjetësisë” dhe njëherësh bashkekzistenca e të njëjtit problem në referenca të ndryshme kohore, e universalizon këtë prirje dhe pasojat pothuajse të njëjta në thelb. Çfarë reference moraliteti dhe etike mund të kishte një shoqëri, ku religjionet u ndaluan? Natyrisht, që kjo do të zëvendësohej me diçka tjetër dhe duket se burimi i etikës së re, ishte çfarëdo që mund të gjeneronte forca e pushtetit. Gjithçka është e lejueshme, thotë Dostojevski te “Vëllezërit Karamazov”, nëse nuk besojmë tek Zoti. Mirçja Eliade, në ”Miti i kthimit të përjetshëm” analizon sesi në shoqëri të ndryshme, në periudha krize, kur njerëzit e kanë lënë veten të zhyten në mëkate, ka gjithnjë njerëz që bëhen prirës, për të nxjerrë popullin e tyre nga kriza dhe për të riparë dritën e një shoqërie të mbështetur në arsye sërisht. Në shoqëritë primitive, këta njerëz quheshin profetë: “Kështu që ata jovetëm kërkonin një kuptim, por gjithashtu ata zbulonin koherencën e fshehtë, duke vërtetuar të ishte e njëjta shprehje e vullnetit hyjnor. Kështu, për të parën herë në histori, profetët vendosën konceptin e vlerës, duke pasur sukses në transcendencën e e vizioni tradicional të ciklikes (konceptin se çdo gjë do të përsëritet përgjithnjë), duke gjetur kështu një rrugë.”

Mbështetja e moralitetit si rrugë, në një rend të zbritur, pra nga një njohje transcedentale e të zgjedhurve, është tipike për shoqëritë primitive. Forca mistike e këtyre individëve, ishte kaq e fortë, sa krijonte një rend të caktuar. Po në kushtet e një shoqërie si ajo e Shqipërisë totalitare, ku e mbinatyrshmja mohoet në çdo përmasë të mundshme të saj, kujt i mbetet të ketë rolin e udhëheqësit shpirtëror? Këtë rol në shoqëritë moderne e luajnë shkrimtarët, ata janë udhëheqësit shpirtëror të shoqërisë, janë ndërgjegja e gjallë e saj. Robert Elsie, në artikullin “Kasëm Trebeshina, botuar në gazetën “Albania”, ia jep këtë rol shkrimtarit disident.
Përgjegjësia e lartë që ndjen Trebeshina për të ardhmen e shoqërisë dhe etnitetit tonë, ka kulminacionin e saj në “Promemorien” dërguar E. Hoxhës, më 1953. Në të, frika për trashëgiminë antimorale dhe për përmbysjen e sistemit të vlerave, është shumë më e madhe sesa shqetësimi personal apo ai për të tashmen. Pjesë nga promemorja: “Megjithatë, unë mendoj se shkatërrimi më i madh do të ndodhë në botën shpirtërore shqiptare. Njerëzit do të humbasin besimin te shteti dhe te udhëheqja, do të mbyllen në veten e tyre dhe, që të bëhet i mundshëm sundimi mbi ta, do të lindë nevoja për të krijuar një shtet të ashpër policor. […]Ftohja dhe largimi i popullit do të sjellë një lëkundje edhe brenda rradhëve të udhëheqjes, që do të transformohet dalngadalë në një kastë të mbyllur në kornizën e një monarkie pa kuptim në realitetin historik të shekullit të njëzetë. Në përfundim të këtij proçesi historik ju do të detyroheni të vrisni njëri-tjetrin dhe populli do të mbytet në gjak. Mendoj se jemi plotësisht në kohë që ta shmangim një të keqe kaq të madhe dhe kjo është arsyeja që po ua dërgoj këtë “Promemorie” të shkruar në mënyrë të ngutshme.”
Katarsisi shpirtëror i shqiptarëve ende nuk është kryer i plotë, prandaj dëshmia e një shkrimtari si Trebeshina është gjithnjë me vlerë. Shpesh në tregimet e tij, por edhe ne prozën e gjatë, autori kalon në botën e trillimit, duke u lidhur me fantastikën më shumë se me realen, në kushtet e një realiteti zhgënjyes. Absurdi i botës shqiptare, e detyron njeriun e kohës të humbasë në një realitet tjetër, por çuditërisht, ndryshe nga ç’pritet, ky realitet pushon shumë shpejt së qeni një botë prehjeje dhe bëhet burim vuajtjeje dhe reflektimi, i nevojshëm për ta rikthyer njeriun në humanitetin e tij.

Dr. Belfjore Qose

Comments

Popular posts from this blog

Legjenda e Mujit dhe Halilit

Ese për Vitin e Ri