FISHTE, LARGOME ZOT PREJ TEJET

Lisandri Kola

Asht viti 2011. Në këtë kohë nisi me dhanë mësim në nji gjimnaz privat në Shkodër. Mbasi më caktojnë ngarkesën konkrete të detyrës dhe të landës së Gjuhës shqipe dhe të Letërsisë, aty mësoj se me nji klasë kisha me zhvillue ‘Lahutën e Malcís’. Nji ngarkesë prej 72 orësh. Gëzimi për mue ishte shumë i madh, për shkak se mikrotezën e Masterit shkencor e kisha pasë mbi Fishtën dhe doktoraturën po e vijoja po mbi këtë autor – në nji kandveshtrim tjetër tashma.

Nisë ora e parë. Përreth ka sy të vemendshëm, dhe njiherësh kureshtarë. Sigurisht ka dhe kontraktim nga ana e mësimdhanësit të ri. Mbaron ora e parë me nji prezantim të përgjithshëm, me objektivat konkrete të landës e kështu me radhë. Mbaj mend se qysh në orë të parë, u pata thanë nxanësve që me pasë si tekst pune variantet anastatike të Botimeve françeskane, – meqenëse janë riprodhime të botimit të parë integral (1937), – e jo me u drejtue në disa botime të tjera, të cilat janë falsifikime. Mbi këtë çështje asht nji histori e gjatë gjyqesh, e pasuksesshme duhet me thanë, sepse të njejtin (a të njejtët!) botim e shohim në shitore librash apo panairë të përvitshëm qoftesh e librash. Madje botuesi për ma tepër, tash, i ka ba librat e Fishtës me mbulesë të fortë. Si përfundim, askush nuk u fut në burg. Po, në burg për falsifikim. Mbase etnit françeskanë juridikisht nuk ditën ta mbronin si duhet kauzën. Gjithsesi ky turp kombtar raftë mbi të gjithë ne!

Për m’e vazhdue aty ku e lashë… ora e dytë: tashma nuk ka sy të vemendshëm e as kureshtarë, por zhurma e pëshpëritje të shkallëve të ndryshme. Interesi sigurisht i pakët. Ky interes i pakët vjen gjithnji tue u shpeshtue deri në orët e fundit, derisa sa bahet nji uuuf e gjatë sa më shihnin në derë të klasës. Mbi këtë situatë mund të ngrihen disa pikëpyetje. Çështja asht tek brezi? – Brez që e ka mendjen në konfliktet lokaliste të reperave, në selfie, dhe në probleme të tjera të moshës. Hipoteza që nuk mund ta lexojnë në gegënisht, kur lexojnë e shkruejnë në disa gjuhë të hueja, bjen. Tek mësimdhanësi? – Mësimdhanës partiak ose jo, me shkollë me kohë të plotë apo të pjesshme, mësues kimie që jep letërsi apo…? Apo pedagog (i cili për faqe ma të zezë jep Fishtologji në ciklin e dytë të studimeve universitare, USH) që e zhvillon vetëm nji orë ‘Lahutën’ në Bachelor. Tek fiktiviteti me detyrim i veprës, miratue prej Ministrisë, dhe tek politikat e zbatimit të vendimit shetnor nëpër shkolla? – Fiktivitet që asht edhe në vitin e parë të Gjimnazit, me veprën ‘Skënderbeu’ të S. Godos. Volumi i veprës si edhe poetika e saj, e tejkalon interesin dhe përkapjen e nji 15-vjeçari. E njejta me brezin nji vit ma të madh. Megjithëse pjekunia mendore-fiziologjike ndryshon, qoftë edhe për nji vit. Në rastin tim, ushqye me ‘Lahutën’ për vite me radhë, vështirë se kisha me pasë probleme të sojme: nisë prej te leximi korrekt (mos u habitni; ka mësues që nuk dinë m’e lexue veprën, dhe m’e shkrue as titullin e saj madje, dhe kjo jo për fajin e Fishtës); te deklamacioni fanatik i vargjeve; te profesionalizmi; përmbushja e objektivave; tek injektimi i dashnisë për veprën etc. Rezultati ishte se dominonte çinteresimi në pjesën dërrmuese të nxanësve. Kjo njifarësoj edhe e pranueshme. Fundja çka kishte me iu dashtë Fishta, kur në celular rrinë tue luejtë gishta?

Në biseda me (ish) kolegë, kjo e mesme përshkohet në krejt Gjimnazet e Shqipnisë. Kur në Shkodër ka probleme receptimi dhe mosdëshirë këndimi, si mund të jetë gjendja në Sarandë apo qytete të tjera të jugut? Sigurisht jo e kandshme. Paramendohet se të njejten munden me thanë nxanësit italianë për Danten, apo ata grekë për Homerin. Po, por historia na ka tregue se pikërisht ata gjimnazistë ma vonë janë ba dantologë e homerologë në za.

Këtë idhnim e ndeshi vite ma vonë, tash si mësimdhanës në Fakultet, me shembuj të marrë nga vargjet e ‘Lahutës’: nji digresion i vogël, i cili tërthorazi ishte në funksion të argumentit. Problemi tash nuk asht tek vepra, por tek këndimi metrik. Dhe faji domosdo nuk asht i njianshëm. Prapë nuk asht çudi që këta studentë, mësues ma vonë, nuk dinë me njehë rrokjet, e as s’i njohin kanunet e metrikës shqipe. Ma së mbrami gjithçka e ka nji shpjegim në këtë tollovi shqiptare: sa ma pak me ditë, aq ma shumë në detyrë m’u rritë…
Autori është poet, përkthyes, studiues dhe mësimdhënës në Shkodër.Është fitues i çmimit të madh “Atë Zef Pllumi” në fushën e poezisë, për librin “Fluturat vdesin në maj”, që u botua në Prishtinë nga Dit’ e Nat’ në vitin 2014.

Lisandri Kola

Comments

Popular posts from this blog

Legjenda e Mujit dhe Halilit

Ese për Vitin e Ri