HESHTJA E KRITIKES LETRARE


Ka vite që në hapësirat shqiptare, në kritikat për kritikën letrare e artistike jepen konsiderata, shprehen opinione nga më të skajshmet, analizohen probleme reale ose ireale, po vetë këta specialistët nuk angazhohen, nuk ulen të japin ndihmesën e tyre konkrete për veprat letrare ose artistike me bukë, pra me vlera të mirëfillta ose për “sëmundje” të ndryshme të mjeshtërisë. Të flasësh e të shkruash “ex catedra” është pozicioni më komod për një të shkolluar ose të titulluar, ose të graduar, edhe pse ky lloji angazhim mund të quhet ndihmesë.

Pse një pjesë e konsiderueshme e këtyre të diturve nuk japin ndihmesën e tyre konkrete në gjallërimin, pasurimin e institucionalizimin e kritikës si e tillë, por fshihen pas diplomave, monografive të sirtarëve me objekt vetëm historinë e letërsisë e të arteve, kur dihet që letërsia e artet janë procese të gjalla dinamike, me vijueshmëri, me rënie e ngritje të kushtëzuara e të pakushtëzuara nga zhvillimet shoqërore, politike dhe ekonomike, aq më tepër pas përmbysjeve të shekullit të kaluar te ne.

Është e shpjegueshme heshtja e kritikës dhe përligjet për mosmarrjen në konsideratë të krijimeve mediokre, komerciale e banale. Por të heshtet për vepra të reja, për autorë me emër dhe të rinj të talentuar, që duhen zbuluar e nxitur, do të thotë të mbashë qëndrim injorues e nihilist.

Janë botuar libra me vlera nga Mehmet Kraja, Agim Gjakova, Koço Kosta, Zejnulla Rrahmani, Zija Çela, Kim Mehmeti, Nasi Lera, Ibrahim Kadriu, Anton Papleka, Skënder Buçpapaj, Abdulla Tafa, Agim Mato, Viron Graçe, Moikom Zeqo, Vasil Premçi, Petraq Risto, Kolec Traboini, Faruk Myrtaj, Zimo Krutaj, Krenar Zejno, Musa Ramadani, Riza Braholli, Faslli Haliti, Sadik Bejko, Luljeta Lleshanaku, Arif Demolli, Piro Loli, Azem Qazimi etj. etj., po pak ose aspak është shkruar për ta, për ecurinë e krijimtarisë së tyre, për veçoritë e tyre stilistike, për profilet e individualitetet e tyre artistike.

Janë botuar libra me përmbledhje artikujsh kritikë dhe monografi për autorë të veçantë që kanë spikatur nga kritikë të mirënjohur si Ramadan Musliu, Mexhit Prençi, Nehas Sopaj, Luan Topçiu, Behar Gjoka, Anton Berisha, Agim Vinca, Astrit Bishqemi, Preng Buzhala, Faik Shkodra, Anton Gojçaj, Ahmet Selmani, Zejnepe Alili Rexhepi, Remzi Salihu etj., por heshtja ndaj librave të tyre ka qenë e dukshme edhe pse kemi kaq pak libra me kritika.

Pse ndodh kjo dukuri negative që mund ta quajmë kritika e heshtjes?

Duke përjashtuar subjektivizmin e natyrshëm e të pashmangshëm që buron nga shijet vetjake estetike dhe shkallae njohjes teorike dhe e aftësive profesionale, mund të flasim hapur për egocentrizëm, prirje zilare, interesa të ngushtë profesionalë e materialë. Është e kuptueshme që një kritik letrar ose studiues nuk mund të lexojë gjithçka që botohet, por mund të informohet dhe të reagojë ndaj veprave me nivele të konsiderueshme e novatore, si dhe ndaj atyre që ngrihen lart nga recensionet e shtëpive botuese, ose nga artikuj me superlativa të miqve e klaneve të organizuara e të saturuara paq.

Kritika e heshtjes është e qëllimtë, me pikësynime të caktuara dhe nuk ka të bëjë me heshtjen e kritikës që, në shumicën e rasteve, kushtëzohet nga disa faktorë pengues subjektivë e objektivë.

Nga ky rreth vicioz mund të dalim vetëm duke freskuar e sensibilizuar institucionet e fushave përkatëse, duke thyer klanizmin, duke përgatitur brenda dhe jashtë vendit breza të rinj kritikësh e studiuesish me koncepte, teori e mendësi perëndimore e bashkëkohore.

Sazan Goliku

Comments

Popular posts from this blog

Legjenda e Mujit dhe Halilit

Ese për Vitin e Ri