MAFIA E KULTURES DHE LETERSISE

Çfarë po ndodh me letërsinë shqipe? Cila është gjendja e poezisë, çfarë shkruhet dhe çfarë botohet? Si po funksionojnë klanet dhe ndikimi i tyre në vlerat e letërsisë, çmimet e kontestuara dhe gjendja e kritikës… Ky rrëfim i studiuesit të letërsisë, dr. Gazmend Krasniqi, i paraprin një vepre të re studimore që zbërthen pak a shumë origjinën e përgjigjeve për të gjithë pyetjet e mësipërme. Shkëputur prej kësaj vepre, ende në proces, dr.Krasniqi ka përgatitur një seri shkrimesh studimore për poezinë shqipe, të cilat do ti botojmë në suplementin tonë javë pas jave, dhe do ti prijmë sot, jo pa qëllim me këtë intervistë grishëse.

Dr.Krasniqi, dy-tri vitet e fundit ju keni botuar romanet “Shitësit e Apokalipsit” (Saras), “Fytyra e Simurgut” (Saras), librin me proza të shkurtra “Nëse një ditë një prelud” (Onufri), si dhe vëlimin poetik “Fletorja e poemave” (Saras), por këtë herë duam të flasim me ju si studiues dhe, konkretisht, për një studim të gjatë për poezinë shqipe. A mund të na thoni diçka për të?
Gjithmonë jam ndier i mahnitur nga ajo çfarë ka ndodhur me poezinë në Shqipëri gjatë dekadave të fundit. Kam përfytyruar dhe vazhdoj të përfytyroj një vorbull që merr me vete gjithçka që quhet poezi, ku zvogëlohet gjithnjë mundësia për të shpëtuar atë që duhet shpëtuar, sepse larg mendsh që ta besojmë se nuk ekzistuaka më ndër shqiptarë një gjë me këtë emër, ose çdo gjë që shkruhet meriton të quhet ashtu.

Meqë fenomeni lidhet me një epokë të caktuar, me shndërrime të mëdha, shumëkush do të përpiqet të gjejë përgjigje ndër to, por padyshim para se të jetë politik, ideologjik a social, problemi është letrar, sepse bën pjesë në një sistem me këtë emër. Biem dakord menjëherë se ardhjet e reja nuk janë studiuar dhe sistemuar – po në raport me çfarë?

Çmimet letrare apo mekanizma të tjerë të këtij lloji, që mund të na bënin ndonjë shërbim, janë zhvlerësuar të gjitha. Mbetet t’i drejtohemi traditës në përgjithësi dhe konceptit për poezinë në veçanti. Pas disa përpjekjeve praktike për të shpëtuar diçka prej poezisë, jam përndjekur prej idesë së përpjekjeve teorike, të cilat kanë njohur fillesa të ndryshme por edhe progresionin në këtë punim më të gjatë. Para çdo shkrimi për letërsinë, shtrohet çështja: “Çfarë është letërsia?”; ndërsa para shkrimit letrar historik shtrohet çështja: “Cila është vlera e kësaj letërsie”? Mbeten pyetjet çelës.

Çfarë po ndodh realisht me letërsinë shqipe?
Pyetja se çfarë ndodh me letërsinë shqipe, meriton të bëhet në çdo kohë, por sot që janë tronditur thellësisht sistemet tradicionale të vlerësimit, kur mendimi i pa specializuar i bën jehonë një prodhimi mesatar dhe nënmesatar, diçkaje që është artikuluar për arsye të ndryshme dhe diçkaje të pranuar përgjithësisht në mënyrë konvencionale, ajo meriton të theksohet në mënyrë të veçantë.

Që është gjykimi thembra e Akilit, na e kujton edhe rasti i socrealizmit: manipulimet me emra të traditës ofrohen si shembujt më të kapshëm, pasi sot, me mjetet që ofrojnë interpretimet e reja letrare, i shohim ndryshe nga ç’janë fabrikuar për disa dekada. Interpretimi i njohur tradicional i letërsisë na çon te pyetja tjetër: nëse paaftësia për të folur për letërsinë si letërsi, paaftësia për të zotëruar kodet elementare, ka pjellë lista emrash, shpesh pa vepra, cilët janë shkrimtarët shqiptarë? Me hyrjen e veprave të reja në sistemin dinamik të traditës dhe me vlerën e (ri)leximeve nga brezat e fundit historia e letërsisë dhe letërsia vetë nuk janë një e dhënë e pandryshueshme.

Sot nuk mund të jetë më një sistem referimi botimi i fundit i historisë së letërsisë, që konkretisht është Historia e letërsisë shqiptare, botim i Akademisë së Shkencave e RPSH, Instituti Gjuhësisë dhe i Letërsisë, Tiranë 1983. Natyrisht, as tekste të tjera para tij.

Përvoja e studimeve letrare në botë dhe në vend përbëjnë një pikënisje të re, pasi të kemi rënë dakord për këto çështje: është krijuar një traditë tjetër, në liri të plotë dhe bashkëkohore, e studimit teorik; është arritur një rezultat tjetër për vepra të veçanta që, për arsye jashtëletrare, mund të ishin përjashtuar si pika referuese, megjithëse mund të tërheqin pas gjithë mendimin për letërsinë dhe poetikën e saj; nuk funksionon më kriteri përjashtues ideologjik; nuk funksionon më përpjekja për të kërkuar shpjegimin e historisë së letërsisë me historinë sociale, e anasjelltas.

Sipas jush, nga duhet nisur?
Më duket pak e vështirë që edhe këtë punë të bëjnë analistët e politikës, siç edhe po përpiqen ta bëjnë. Fillimisht, duhet të ndodhë dallimi mes kritikës së ditës dhe studimeve akademike. Ja si e shpjegon Umberto Eco: “Ka vepra të Pavezes dhe të Kalvinos që të kanë ngazëllyer një herë e një kohë, por kur i lexon dhjetë vjet më vonë, mendon: eh, kaq qenka e gjitha… Pastaj kalojnë dhjetë vjet të tjera, i shfleton përsëri dhe thua: jo, jo, vërtet ia vlejnë.

Varet nga humori, nga moti, ka apo jo lagështi në ajër, të dhemb apo jo kurrizi. Pra, lexon një faqe dhe mërmërit, pah, çfarë dreq gjëje paskam sajuar, pastaj e lexon sërish pas një viti dhe rreh barkun: jo keq, thua. Rilexova pak muaj më parë “Na ishte njëherë Mattia Pascal” dhe mendova: epo, jo kushedi çfarë. Prandaj duhet ndaluar kritika militante… Sepse është shumë koniunkturale. Kritika akademike del mbi komentet e rastit: një libër e lexon edhe pas shumë vitesh, punon mbi të, i kthehesh prapë, e shqyrton…

Kurse kritika militante varet nga moti dhe nga lagështia në ajër… Dikur, kur dilte një libër i Moravias, drejtori i Corriere-s ia jepte Emilio Çekit për ta recensionuar, por jo që ta bënte menjëherë: kështu Çeki mund të shkonte edhe dy ose tre muaj me një libër, kishte kohë ta “përtypte”. Kurse sot, recensionin e duan për nesër, madje për dje, mundësisht.” Edhe kur kemi gabuar, duke e quajtur letërsinë me plot emra pa lidhje me të, në Perëndim e kemi marrë modelin. Mirëpo, tashti që na vihen edhe një herë në provë intelekti dhe energjia, e kemi marrë me hezitim.

Çfarë shihni më thelbësore?
Ne që kemi dalë nga periudha totalitare, e kemi të vështirë ta përtypim këtë realitet të ri e të pakthyeshëm, derisa ta marrim vesh se cilën prej mendësive të së shkuarës nuk duhet ta marrim zvarrë pa nevojë pas vetes. Letërsia është një sistem që funksionon vetvetiu. Nëse nuk do të rregullojmë “zemberekun” e këtij sistemi në përgjithësi, asnjëherë nuk do ta marrim vesh si duhet se çfarë ndodh në veçanti. Për letërsinë, ligjësitë janë vetëm letrare. Kjo formë e pastër e shikimit të letërsisë nuk është e lehtë të realizohet, sepse do kohën e vet.

Të ngushëllon fakti se gjithmonë ka një kohë që kërkon vlerat. Ata shkrimtarë e poetë që zgjidhin problemet e ekzistencës, të rrinë e të presin. Ata që mendojnë se nuk i zgjidhin, le të ikin të qetë nga kjo botë. Kohët e fundit po lexoja një intervistë të sekretarit të akademisë suedeze, i cili kur pyetet nëse ka pasur kontestime për çmimin, përmend rastin e Sollzhenicinit. Pra, çmimi i Sollzhenicinit qe pjellë e një aksioni politik si Lufta e Ftohtë.

Dua të them se aksionet politike bien dhe e lënë letërsinë të zbuluar. Mbetet letërsia që shpëton nga këto gracka. E çuditshme është se në Shqipëri edhe sot ka letërsi të aksionit politik, e cila zë shumë vend në ballkonin mediatik, por pa dyshim që nuk e ka jetën e gjatë. Mendësia dhe mekanizmat e socrealizmit vazhdojnë të mbeten të forta dhe aktive, por gjithsesi ato nuk do të jenë të imunizuara nga dinamika e brendshme e letërsisë së vërtetë. Pra, vlera duhet kërkuar te ajo që është letërsi dhe jo te efektet e jashtme e kalimtare. Për mua, qasje të tilla nuk i mungojnë letërsisë së këtyre viteve. Është e vërtetë që jemi dëshmitarë se çmimet në Shqipëri nuk kanë arritur të bëhen të rëndësishme.

Mbase ka ardhur kohë që t’u ndërrohet natyra: të mos shoqërohen me vlerë monetare, por me aftësi ndikuese. Ka modele, por kërkohen vizione dhe vullnete të mira. Kërkohen krahasime me kultura të mëdha. Nëse shikoni listën e poetëve që kanë fituar çmimet kombëtare në Itali, do të shikoni se aty nuk ka firo: aty gjenden ata që i kanë qëndruar kohës. Bëjeni provë të shikoni listën e poetëve që kanë fituar çmimet kombëtare të Shqipërisë dhe ejani të flasim për masën e firos. Mendoj se ka ardhur koha për të folur për mafien e kulturës dhe të letërsisë, sepse ka efekte financiare që nuk bien në sy të publikut të gjerë. Në këtë kaos, disa prej veprave arrijnë të hyjnë në sistemin shkollor, ku dëmi bëhet e pa korrigjueshëm për disa dhjetëvjeçarë.

Është edhe ekonomia e tregut: ajo vendos për shumë gjëra.
Lënia e letërsisë në dorë të tregut, ka si përfundim konsumizmin, atë vendas dhe atë që na shkarkohet nga bota, por e dimë se sa zgjat një realitet si ky. Kemi një panair kombëtar të librit, iniciativë e botuesve shqiptarë, ku gabimisht ka përpjekje të njësohet libri me letërsinë si e tillë.

Grandomania e tij para letërsisë si e tillë kthehet në një tollumbace, prandaj gjejnë terren ngjarje pak e aspak kulturore, të cilat shfrytëzojnë hapësirat mediatike, të prira nga thjeshtimi i gjërave, për t’u imponuar. Sidoqoftë, letërsisë nuk ia kanë fajin botuesit, të cilët, në një ekonomi tregu, kanë arsye të tërheqin nga vetja, por politikat kulturore. Këtij panairi i duhet bërë “emri”. Edhe çmimi britanik Booker Prize, u përket botuesve, të cilët kërkojnë mënyra se si ta promovojnë “mallin” e tyre, gjë që është e ditur, por ai është shembulli se si një politikë botuese mund të bëhet efikase për letërsinë.

Çfarë i mbetet të bëjë letërsisë vetë?
Për sa kohë do të drejtohet nga vetvetja, letërsia shqipe do ta ketë punën në rregull. Nuk jemi pa traditë, por duhet të mësojmë ta lexojmë atë. Fakti që ka hapësira të mëdha për vepra të përkthyera nga letërsia universale, tregon se sistemi ynë letrar vazhdon procesin e formësimit, duke u bërë mbështetje sa më dinjitoze për atë që do të jetë e ardhmja e afërt e letërsisë shqipe. Orientimi i drejtë bëhet garanci për vlerën. Madhështia e artit nuk qëndron te gjinitë e mëdha të makrotregut, por edhe te diçka e nënvlerësuar te ne, si tregimi a poezia.

Doktoraturat “për romanin kushtuar Luftës Antifashiste”, “për temën e fshatit socialist” apo “për veprat e pesëvjeçarit”, si dhe për poemat kushtuar këtyre epokave, “të brohoritura” në kohën e tyre, në thelb, vështirë se mund të paraqesin ndonjë vlerë për sot. Kodet e përdorura atëherë (politike apo ideologjike), nuk bëjnë për sot. Por duhet një punë e madhe për ta çrrënjosur gjithë këtë.

Metoda të gabuara pjellin vetëm metoda të gabuara dhe kjo shpjegon dështimin e vazhdueshëm të kritikës dhe studimeve tona. Në një intervistë, pyetjes naive se pse nuk ka sot poetë të mëdhenj në botë (si dikur), Kadareja i përgjigjet shumë qartë: “Ka poetë të mëdhenj. Por sot shkruhet ndryshe”. Do të duhet ca kohë për të marrë vesh se edhe në Shqipëri shkruhet ndryshe. S’është aspak e lehtë, sepse veprojnë shumë arsye që duan mund dhe mendje të hapur: së pari, për t’u evidentuar dhe, së dyti, për ta bërë kauzë e për të luftuar për të. Vazhdojmë të mos e kemi këtë privilegj.

Çfarë mendoni për antologjitë?
Përgatitja e antologjive cilësore, mbi platforma të qarta estetike dhe nga pikëpamja e poetikës, do të ishte një rrugë e drejtë komunikimi. Del problemi se si mund të hartohen antologji për kohë të ndryshme letrare, kur nuk kemi antologji integrale të poezisë shqipe. Kam pasur rastin të shikoj se edhe një vend si Armenia, me shumë probleme si tonat, kishte në qarkullim në anglisht edhe antologjinë e poezisë bashkëkohore, edhe antologjinë e prozës bashkëkohore.

Ne s’i bëjmë dot. Një nga arsyet është ajo që përmenda: mungesa e pikave referenciale, të cilat do të maksimizonin apo minimizonin abuzimin e hartuesve. Me sa duket, s’e bëjmë dot, sepse nuk e kemi arritur vetëdijen se ajo duhet bërë.

Që të kesh tekste shkollore të besueshme, duhet të kesh së pari një antologji që mëton se vendos rregull në hierarkinë e fjalës artistike shqipe, për shembull. Padyshim. Poezia shqipe meriton disa antologji: e kam fjalën për disa versione, për disa pikëshikime. Sidomos kur bie fjala për edukimin shkollor, unë jam për një antologji që e shpëton poezinë shqipe nga spekulimet e mbrapshta të sociologjisë, sepse, përndryshe, kurrë nuk do të merret vesh kush është poet, e kush… nuk e di se çfarë. Ndjenjat e fuqishme dhe dokumentet shpirtërore (gjithkush ka nga ato) nuk janë medoemos poezi.

Intervistoi: Admirina Peçi

Comments

Popular posts from this blog

Legjenda e Mujit dhe Halilit

Ese për Vitin e Ri