Nuridin AHMETI - NGA “NAÇERTANIA” DERI TE PAVARËSIA E KOSOVËS


Që nga ajo kohë e deri sot, Serbia asnjëherë nuk u ndal së vepruari në dëm të shqiptarëve.
“Rruga jonë është e shtruar me gjemba, por qëllimi ynë është aq i lartë sa ia vlen të ecësh nëpër gjemba. Të ecim së bashku!
(Naim Frashëri)
Nuridin Ahmeti
E kaluara e popullit të Kosovës, krahasuar me atë të vendeve të rajonit, por edhe me gjerë, ka qenë ndër më të rëndat; të këtillë e kanë bërë luftërat e vazhdueshme të pabarabarta, shfarosëse, ndër më të egrat që i njeh historia e njerëzimit. Shqiptarët duke e mbrojtur tokën e nderin e tyre dhe asnjëherë duke mos pasur qëllime ekspansioniste, u copëtuan në territore, u dogjën, u masakruan nga gllabëruesit e Ballkanit – serbo-sllavët.
Me dobësimin e Perandorisë Osmane dhe me ndihmën e fuqive të mëdha të asaj kohe, në Ballkan u formuan disa shtete të reja, si: Serbia, Mali i Zi, Bullgaria etj.
Që nga ajo kohë e deri sot, Serbia asnjëherë nuk u ndal së vepruari në dëm të shqiptarëve.
Mirëpo, gjenocidi serb ndaj shqiptarëve i mori konturat e një programi zyrtar me “Naçertanien” e Ilija Garashaninit më 1844. Nga ajo kohë Serbia, në vijimësi, i hartoi mbi 20 programe antishqiptare.
Me krijimin e shtetit serb, Serbia e shfrytëzoi këtë qëndrim jokorrekt të fuqive të mëdha të kohës ndaj popullit shqiptar, me ç’rast okupoi, dogji dhe shkatërroi mbi 700 fshatra të Sanxhakut të Nishit.
Nga themelimi i shtetit serb politikën e tij zyrtare e përshkoi ideja e “Serbisë së Madhe”, e cila mbështetej nga themeluesi i gjuhës letrare serbe, Vuk Karaxhiq, përkatësisht te thënia e tij: “Vendi ku jeton qoftë edhe një serb është tokë serbe”!
Programet e njohura serbe për shfarosjen e shqiptarëve të periudhës 1844-1995:
“Nacertania”, 1844,
“Programi i depërtimit në det”, 1881,
“Programi i likuidimit të shqiptarëve”, 1920,
“Elaborati i Çubriloviqit”, 1937,
“Programi i Ivo Andriqit”, 1939,
“Programi i Moleviqit”, 1941,
“Programi i Drazha Mihajloviqit”, 1942,
“Elaborati i Çubriloviqit”, 1944 dhe 1945,
“Programi i likuidimit të shqiptarëve”, 1950,
“Memorandumi i Akademisë Serbe”, 1986.
Këto plane, por edhe të tjera të më vonshme, gjithnjë patën mbështetjen e elitës intelektuale serbe dhe të klerofashizmit ortodoks serb. Me një fjalë, planet dhe idetë i hidhnin në letër intelektualët serbë, konkretisht institucionet e tyre shkencore, i bekonin kleri dhe kisha ortodokse serbe, pastaj e merrnin aprovimin e politikës zyrtare, kurse përfundimisht i zbatonin ushtria dhe policia serbe.
Institucionet e lartpërmendura, ndonëse mund të kenë pasur kundërthënie për çështje të tjera, kur është fjala për planet antishqiptare, prore ishin unike në qëllimet e tyre djallëzore.
Kosova dhe lufta e vitit 1999
Gjenocidi është krimi i organizuar, me qëllim të zhdukjes së gjurmëve të identitetit, të zhdukjes së shenjave të kulturës shpirtërore dhe materiale, në mënyrë që të ndërpritet zhvillimi normal i procesit historik në jetën e një populli.
Lufta e fundit në Kosovë, e vitit1998-1999, ngjarjet që ndodhen brenda kësaj kohe, si: dalja publike e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës më 28 nëntor 1997, masakrat e forcave serbe mbi familjen Jashari më 5-7 mars 1998, por edhe mbi shumë familje të tjera në Kosovë, masakra e Reçakut, bombardimet 77-ditëshe të NATO-s e deri te fitorja e koordinuar e UÇK-së dhe NATO-s, kundër caqeve të forcave paramilitare dhe çetnike serbe, në qershor të vitit 1999, po shënonin një etapë të re për popullin e Kosovës.
U vranë e u masakruan me qindra gra, pleq e fëmijë, u dhunuan me dhjetëra femra, u shkatërruan më se 240 xhami e objekte të tjera të kultit. Çmenduria serbe shkoi deri në atë masë sa edhe foshnja u nxor nga barku i nënës. Megjithatë, populli i Kosovës mbijetoi përsëri.
Me gjithë këtë zullum, Serbia prapë nuk u ndal së vepruari kundër popullit shqiptar të Kosovës. Më 2003 Sinodi i Shenjtë i Kryepeshkopatës së Kishës Ortodokse Serbe nxori memorandumin me titull: “Memorandumi për Kosovën dhe Metohinë”, Beograd, 2003, fq. 215, redaktuar nga peshkopi Anastasije Jevtiq. Ndërkaq, më 2004 Dobrica Qosiqi ua propozoi politikanëve serbë ndarjen e Kosovës. Edhe pas të gjitha këtyre vështirësive të mëdha, populli i Kosovës, nëpërmjet institucioneve të veta dhe me ndihmën e vendeve të liridashëse të botës, e shpalli Pavarësinë e Kosovës më 17 shkurt 2008.
Për fund mund të themi se, edhe pas shpalljes së Kosovës shtet i pavarur, populli i saj vazhdon të përballet me vështirësi të natyrës politike, ekonomike, sociale etj. Nga ana tjetër, Serbia vazhdon me të vjetrën, duke u bërë pengesë e realizimit të aspiratave të popujve të shtypur të Ballkanit. Sidoqoftë, edhe pse populli i Kosovës e ka hequr nga qafa lakun e robërisë, lufta e madhe diplomatike për njohjen ndërkombëtare është në vlugun e saj.
“Armikun fale, por emrin mos ia harro kurrë”.
(Jon Kenedy – president i SHBA-ve).
________________________________________________________________________
[1] Prof. dr. Hakif Bajrami, “Gjenocidi serb në Kosovë 1878-1912, (Terrori i Serbisë pushuese mbi shqiptarët 1844-1999), Arkivi Shtetëror i Kosovës, Prishtinë, 2001, f. 11. (Përgatiti Nusret Pllana).
[2] Shih dr. Sabit Uka,”Dëbimi i shqiptarëve nga Sanxhaku i Nishit dhe vendosja e tyre në Kosovë (1878-1912), 6 (vëllime), Prishtinë, 2004.
[3] Rexhep Qosja, Shpërngulja e shqiptarëve sipas programeve kombëtare serbe”, Toena, Tiranë 2005, f. 3.
[4] Shih Hivzi Islami, “Spastrimet etnike – politika gjenocidiale serbe ndaj shqiptarëve”, Dukagjini, Pejë, 2003; Prof. dr. Hakif Bajrami, “Gjenocidi serb në Kosovë 1878-1912, pun. i cit. f, 11; “E vërteta mbi Kosovën dhe shqiptarët në Jugosllavi”. ASHSH, Titanë, 1990, f. 318-331.
[5] Prof. dr. Hakif Bajrami, “Gjenocidi Serb në Kosovë 1878-1912, (Terrori i Serbisë pushuese mbi shqiptarët 1844-1999), Arkivi Shtetëror i Kosovës, Prishtinë, 2001, f. 11. (Përgatiti Nusret Pllana).
[6] Shih Terrori i Serbisë pushuese mbi shqiptarët 1844-1999, Arkivi Shtetëror i Kosovës, Prishtinë, 2001. (Përgatiti Nusret Pllana); Bashkësia Islame e Kosovës, “Barbaria serbe ndaj monumenteve Islame në Kosovë (Shkurt 98 – Qershor 99), Prishtinë, 2000.
[7] Shih. prof. dr. Hakif Bajrami, “Antimemorandum”, Prishtinë, 2004.
[8] Rexhep Qosja, “Shpërngulja e shqiptarëve sipas programeve kombëtare serbe”, vep. e cit, f. 279.

Comments

Popular posts from this blog

Legjenda e Mujit dhe Halilit

Ese për Vitin e Ri