Marrëveshje e MK dhe MAS për edukimin përmes kulturës

Në Atelienë e Edukimit në ambientet e GKA, dy ministret Kumbaro dhe Nikolla nënshkruan marrëveshjen e bashkëpunimit në kuadër të edukimit përmes kulturës. Në një mjedis me fëmijë, mësues dhe prindër MK dhe MAS institucionalizuan një bashkëpunim, i cili ka nisur tashmë prej një viti.

Në fjalën e saj Ministrja e Kulturës, znj. Mirela Kumbaro u shpreh se “Kur flasim për edukim nuk mund ta lëmë këtë detyrë vetëm tek shkolla. Ka kaq shumë institucione të tjera publike, të cilat duhet dhe kanë të gjitha mundësitë të luajnë një rol edukativ dhe sidomos institucionet e kulturës të cilat nuk mund ti dedikohen vetëm publikut”.

Prej mëse një viti institucionet arsimore dhe institucionet e artit dhe trashëgimisë kanë një bashkëpunim që rezulton i suksesshëm dhe tashmë teatrot, muzetë, monumentet e kulturës kanë filluar programe të veçanta që zhvillojnë nxënësit dhe të rinjtë. Institucionet e artit tashmë janë kthyer në orë të hapura për nxënësit e ciklit parashkollor dhe kjo përmirëson cilësinë e mësimdhënies.
 
Ministrja e Arsimit dhe Sportit, znj. Lindita Nikolla falenderoi kolegen e saj për bashkëpunimin, po ashtu edhe DAR që kanë bashkëpunuar me DRKK në fushën e trashëgimisë “Forma të tilla të edukimit rrisin gjithnjë e më shumë cilësinë e shkollës shqiptare, rrisin cilësinë e fëmijëve tanë. Ajo që është e rëndësishme duke ndërhyrë edhe në programet e kurrikulës mësimore në mënyrë që programet përshtaten me këtë projekt të përbashkët që ne do të nënshkruajmë sot"- u shpreh ministrja Nikolla.

Nënshkrimi i marëveshjes dhe legjitimimi i bashkëpunimit ndërinstitucional hartohet në kuadër të programit Edukimi përmes Kulturës në rang vendi për Republikën e Shqipërisë. Programi i Edukimit përmes Kulturës synon që institucionet kultrore dhe arsimore të nxisin interesin e fëmijës për të marrë pjesë në jetën kulturore dhe artistike duke garantuar sigurimin e mundësive të përshtatshme dhe të barabarta në jetën kulturore, artistike, si dhe krijimin e hapësirave dhe aktiviteteve krijuese përgjatë kohës së lirë.
“Institucionet e artit dhe trashëgimisë si TKOB, GKA, TK, TKEKS, apo institucionet e trashëgimisë, krahas programit artistik tashmë kanë edhe programe me rol edukativ për publikun e ri, sepse dashuritë e mëdha fillojnë herët e jo pas moshës 50 vjeçare. Edukimi përmes kulturës është një detyrë parësore e shtetit që këto institucione të kulturës të mos prodhojnë vetëm produkte të mirëfillta profesionale që i destinohen publikut të rritur dhe publikut profesional, sepse përndryshe do të mbetemi në një lloj autizmi audience. Institucionet e kulturës dhe trashëgimisë në mënyrë të ndërgjegjshme dhe të programuar duhet të kenë rolin e tyre edukativ”- u shpreh ministrja Kumbaro.

Në ceremoninë e zhvilluar në këtë rast u prezantuan edhe projekte të rëndësishme të mbështetura nga MK gjatë dy viteve si “Fjongo e argjendtë” projekt i teatrit në edukim, nga Sonila Kapidani, projekt që ka prekur të gjitha shkollat 9-vjeçare të Tiranës dhe jashtë Tiranës, duke afruar teatrin në ambientet e mësimit, në orët e lira të nxënësve. 

Regjisori i filmit të animuar Artur Dauti prezantoi projektin “Festivali ndërkombëtar i filmit të animuar për fëmijë dhe adoleshentë”, i cili për herë të parë në vitin 2015 afroi fëmijët dhe adoleshentët të moshës 3-15 vjeç në ekranin e madh duke synuar edukimin e fëmijëve dhe adoleshentëve nëpërmjet kulturës që përcjell filmi. Në fushën e trashëgimisë kulturore, specialistja e edukimit, Antigoni Gjergji solli eksperiencën e DRKK Durrës, ku gjatë vitit të kaluar janë kryer aktivitete të shumta në qytetin e Durrësit, jo vetëm në mbrojtje dhe kujdesje të monumenteve, por edhe në kujtesë të historisë së monumentit.

Spektatori i vogël mund të ndjekë shfaqje dhe aktivitete gjatë gjithë vitit, pasi në institucionet e artit janë finalizuar dhe shpallur publikisht kalendarët e posaçëm të edukimit përmes kulturës. Në GKA është krijuar Atelie e Edukimit, në bashkëpunim me FAVA. Në institucionin e TKEKS dhe në MHK shfaqen për çdo fundjavë aktivitete teatrore dhe historikë për fëmijë. Nga fondi i thirrjeve për projekte 2014-2015 janë mbështetur rreth 30% e projekteve me platformë artistike dhe kulturore edukimin përmes kulturës.

“ Mik i Monumenteve” është nisma që Ministria e Kulturës shpalli në 21 prill 2014 në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit dhe dy Drejtoritë Rajonale të Kulturës dhe Arsimit në Durrës. Simbolikës tejet didaktike të aktivitetit edukativ kulturor në amfiteatrin e Durrësit iu bashkangjitën dhe një sërë Drejtori Rajonale të Kulturës dhe Arsimit në qytete të tjera të vendit. Marrëveshjet e Bashkëpunimit mes DRKK-ve dhe DAR mundësuan një bashkëpunim të ngushtë mes specialistëve të DRKK dhe mësuesve të lëndëve të ndryshme të trajnuar tashmë në ruajtjen, mbrojtjen dhe promovimin e Trashëgimisë Kulturore.

Nismat rajonale variojnë nga “birësimi “ i monumentit nga shkolla të caktuara deri tek studimi i historisë së tij, organizimi i fushatave të pastrimit nën kujdesin e punnjësve të DRKK-ve, i aktiviteteve social – kulturore. Shume orë mësimi u zhvendosën pranë institucioneve të Trashëgimisë Kulturore dhe u drejtuan herë nga vetë mësuesi e herë nga specialistët e edukimit në institucionet e trashëgimisë.
Gjatë vitit 2014, 9.677 nxënës të 107 shkollave të mesme dhe nëntëvjeçare janë përfshirë si organizatorë apo pjesëmarrës të veprimtarive përmes trashëgimisë kulturore, ndërsa në 2015, regjistrohen 12.054 nxënës në 147 shkolla.
 
Kjo marrëveshje vjen si një angazhim i përbashkët referuar dhe dokumenteve evropiane dhe ndërkombëtare.
Programi “Edukimi përmes Kulturës” është në përputhje të plotë me Konventën e UNESCO-s për mbrojtjen dhe zhvillimin e larmisë së shprehjeve kulturore, e cila përfaqëson standardet kryesore ndërkombëtare të Politikave Kulturore në Evropë si dhe vjen në hamoni të plotë me dhe Deklaratën e Këshillit të Ministrave të Kulturës të Evropës Juglindore, dokument që nxjerr në pah rolin e rëndësishëm të kulturës dhe artit në fushën e arsimit, pasi edukimi përmes kulturës "nxit vetëdijen kulturore dhe shprehjes, krijimtarinë dhe diversitetin, si edhe si kontribuon në zhvillimin njerëzor, social-kulturor në mirëqenien dhe kohezionin social. "


http://www.kultura.gov.al/al/newsroom/lajme/marreveshje-e-mk-dhe-mas-per-edukimin-permes-kultures


Comments

Popular posts from this blog

Legjenda e Mujit dhe Halilit

Ese për Vitin e Ri