Me rastin e 27-vjetorit të rënies heroike të Ismet Qorrajt dhe martirëve tjerë


Prof.Qazim Berisha



Kësaj toke martire kurrë nuk i kanë munguar burrat, kurrë nuk i kanë munguar bijtë dhe bijat për t’i dalë zot atdheut, i tillë ishte studenti qe kishte bukurinë e rrezeve të diellit, 21 vjeçari Ismet Qorraj nga Carrabregu i Ulët i Deçanit.
Ismet Qorraj lindi më 21 janar 1968 ne fshatin e martirizuar Cërrabreg të Deçanit. Shkollën fillore e kreu në vendlindje atë të mesme e kreu në Deçan. Studioi në Shkollën e Lartë Pedagogjike, Dega: Gjuhë dhe Letërsi Shqipe në Gjakovë. Babë Avdiu dhe nënë Zadja kishin lindur dhe rritur dhjetë fëmijë (pesë djem dhe pesë vajza), të gatshëm kurdoherë për të sakrifikuar për lirinë e atdheut.
Ishte pranvera e marsit 1989, kur qiellin e Kosovës e kishin mbuluar re të zeza si kumt për një plojë gjaku për të hapur varre e për të lëshuar gjëmë të madhe.
Më 23 mars 1989, pas një mbledhje të gjatë në Kuvendin e Kosovës, i cili ishte vënë në rrethim të hekurt nga forca të shumta policore, delegatët e pakurriz në mesin e tyre edhe udbash, ngritën dorën dhe i thanë po suprimimit të Autonomisë së Kosovës.
Kushtetuta pesëmbëdhjetë vjeçare (1974-19890) më 23 mars 1989, ndërroi jetë, sepse ishte ngulfatur nga Sebia fashiste dhe ishte shkelur me tanke duke u varrosur para syve të botës. Kjo vdekje e dhunshme e Kushtetutës së Kosov]ës nuk kishte prekur fare ndërgjegjen e Republikave jugosllave, duke mos menduar se kryekrimineli Millosheviq po fillon me Kosovën për të vazhduar me Republikat tjera.
Populli i Kosovës nuk kishte çfarë të humbas më shumë përveç prangave të robërisë, u ngritë në këmbë i madh e i vogël, nuk heshti, por ngriti zërin dhe u hodh në demonstratat e fuqishme në tërë Kosovën. Ishte 27-28 marsi 1989, ku sheshet e Kosovës po lahen me vrushkuj gjaku të bijve dhe të bijave më të mirë të popullit. Në Prishtinë bien edhe martirët e parë dhe gjithë andej Kosovës. Në Deçan bie studenti i dalluar Ismet Qorraj, sypetriti qe nuk di çka është frika.
Babë Avdiu dhe nënë Zadja kur morën kumtin nuk derdhen lot, as motrat nuk morën kujën, as vëllezërit nuk u ligështuan. E tërë familja dhembjen e madhe e kishin shndërruar në forcë.
Ismeti nuk ishte vetëm, përkrah tij ishin edhe shokët e idealit që ranë në altarin e lirisë, Salih Hadërgjonaj, 19 vjeçar nga Vokshi i Deçanit, Agim Kukleci, 31 vjeçar nga Isniqi dhe Mujë Mehmetaj, 36 vjeçar nga Mozniku i Deçanit. Më 27-28 Mars 1989, toka e Kosovës po i shtrëngon në damarët e vet më shumë se 25 martirë që ranë për mos të vdekur kurrë. Për të mos u mbetur borxh këtyre martirëve po i radhisim ashtu siç ranë në altarin e lirisë: Prishtinë: Ismet Krasniqi nga Grashtica e Prishtinës, Sevdat Berisha (Xhafolli) nga Drenoci i Prishtinës, Shukrie Obertinca nga Lismiri i Fushë Kosovës, Vetim Shala nga Nasheci i Prizrenit dhe Mustafë Veselaj nga Reçani i Therandës; Mitrovicë: Bedri Hasani nga Mitrovica, Ramadan Zeqiri nga Kopiliqi i Epërm i Skenderajt, Hakif Bislimi nga Koshtova e Mitrovicës, Behram Sumiqi nga Reshani i Mitrovicës dhe Hilmi Kajtazi nga Vitaku i Skenderajt; Besianë: Mehmet Ejupi nga Sekiraça e Besianës dhe polici shqiptar Jetullah Kuçi nga Theranda, për të cilin Serbia u mundua t’i fajësojë demonstruesit llapjan, duke e fshehur dorën e vet vrastare; Prizren: Xhemshit Badallaj, Gjylbehar Badallaj dhe Hajrim Badallaj, i cili vetëm 11 pranvera i kishte shijuar, te gjithë nga Zhuri i Prizrenit, si dhe Muharrem Kabashi dhe Afrim Bytyqi nga Arbana e Prizrenit; Malishevë: Plumbave gjakatar nuk u shpetuan as fëmijët 11 vjeçar Din e Arsim Paçarizi nga Dragobili i Malishevës; Gjilan: Agim Rashiti nga Draganci i Gjilanit.
Atë ditë kur në Kosovë po lahej gjaku me autobote nëpër sheshe dhe rrugë të Kosovës dhe po hapën varre gjithandej Kosovës për t’i varrosur martirët e lirisë, Serbia gjakatare po feston dhe po i cakërron gotat në shenjë fitoreje që varrosi Kushtetutën e Kosovës dhe e bëri Serbinë unike, por jo edhe gjatë më shumë se dhjetë vite, sepse lufta jonë çlirimtare e UÇK-së përgjithmonë largoi shputat karpatjane nga toka jonë shqiptare.
Lavdi e përjetshme gjithë brezave ndërshekuj që gjakuan lirinë e Kosovës dhe gjithë atyre që derdhen gjakun për këtë liri që po e gëzojmë ne sot.
(Autori është poet e publicist dhe profesor i Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe)

Comments

Popular posts from this blog

Legjenda e Mujit dhe Halilit

Ese për Vitin e Ri