ROMAN MODERN PËR TË SOTMËN E KOSOVËS



“Mali i ndaluar” – Reshat Sahitaj, Forumi i Krijuesve të Artit, Prishtinë, 2003

Reshat Sahitaj, aktor, shkrimtar dhe veprimtar i çështjes kombëtare, i lindur në Sopi të Therandës, i cili më shumë se njëzet vjet qe i detyruar të jetojë dhe veprojë në mërgim në botën perëndimore, keto ditë u paraqit para opinionit lexues të Kosovës me romanine tij më të ri me titull “Mali i ndaluar”, të cilin e botoi Forumi i Krijuesve të Artit i Prishtinës. Kjo vepër është roman modern me temë nga e sotmja jonë, që është realizuar me sukses, sepse autori ka arritur që të dhënat reale jetësore të Kosovës së të ditëve tona nga faksioni t’i shndërrojë në fiksion, pra, në realitet të veçantë letrar. Në këtë aspekt autori, duke u bazuar në disa premise tragjike dhe erotike, të gërshetuara me ngrohtësinë e rrëfimit intim, ka arritur të krijojë një vepër për gruan shqiptare, që përmban atmosferën e përafërt, të cilën e hasim edhe në romanet e autoreve të njohura botërore, siç janë Isabel Alende dhe Elvira Dones e autorë të tjerë të letërsisë latinoamerikane.
Romani i Reshat Sahitajt, megjithatë, i ka tiparet e caktuara të një vepre origjinale artistike, sepse në të veprojnë disa shtresa të veçanta të tipeve të ndryshme të romaneve, sidomos të romanit psikologjik, atij realist dhe të romanit personazhit, që madje, kah përfundimi i rrëfimit preket edhe me nënshtresën e romanit kriminalistik. Kjo vepër, mu për këtë arsye lexohet me kënaqësi, sepse pjesa kryesore e rrëfimit është shumë e drejtpërdrejtë, e sinqertë dhe e ngrohtë. Brenda poetikës së vet të veçantë, romani ka edhe simbolikën, e cila lidhet me përballimin e tragjikës, qoftë ajo individuale, intime, qoftë edhe e përgjithshme. Në qendër të rrëfimit është fati i një gruaja shqiptare, që në vorbullën e luftës së fundit e ka humbur burrin, trupin e të cilit e kërkon nëpër varrezat masive që hapen kudo nëpër Kosovë. Donika, pra, është gruaja e re intelektuale, profesoreshë e gjuhës frënge, që e ka humbur një dashuri të madhe, një ëndërr të bukur për vazhdimësinë e jetës. Ajo është një figurë e ndjeshme tragjike, që në rrethana të këtilla të përjetimeve tronditëse ka arritur deri në buzë të çmendisë. Ajo përjeton edhe situata halucinante, sepse në momente të caktuara të krizës emocionale i shfaqen vegimet, brenda të cilave e sheh dytësoren e vetvetes dhe figura të tjera që simbolizojnë ardhmërinë e imagjinuar. Por, ajo përjeton edhe të papritura të tjera, që për të janë shqetësuese si pjesë e raporteve më të gjera shoqërore, ashtu edhe brenda familjes së burrit të saj, e cila, duke qenë e mbrujtur me egoizmin primitiv lidhur me vlerësimin për gruan, nuk ka konsiderata për të. Edhe burri i Donikës, Agimi, me “mospraninë” e tij është shumë i pranishëm në strukturën e romanit, sidomos sa i përket përcaktimit të tipareve psikologjike të protagonistes.
Kështu, vepra fillon me një paraqitje të detajuar psikologjike të personazhit dhe në mënyrë të pahetueshme rrëfimi zgjerohet edhe për atmosferën e përgjithshme të pasluftës në Kosovë, me ç’rast, krahas bukurive të veçanta të qytetit historik të Prizrenit dhe rrethinave te tij, në përmasa të përcaktuara bukur paraqiten edhe ngjarjet reale të kohës, në të cilat marrin pjesë aktive edhe pjesëtarët e ushtrive të huaja, të policisë ndërkombëtare e, madje, edhe shërbimet e fshehta dhe bandat e grupeve të maskuara. Këtu brenda rrefimit intim për fatin e Donikës gërshetohen edhe pamje të shumta nga jeta e përditshme e zhvillimeve në fushën e tregtisë dhe të ekonomisë, të jetës së përditshme publike nëpër ambiente të reja hoteliere bashkë me krijimin e një shtrese të re të pasanikëve, që karakterizohet me një paraqitje gati veristike. Këto trajta të veçanta të rrëfimit për të sotmën në ambinetet e veçanta të qytetit të Prizrenit dhe të rrethinave, deri në fshatrat e Therandës, për shkak të drejtpërdrejtëshmërisë realiste të përshkrimit të mjediseve shumë të njohura, ka rrezik që ta shkapërderdhin vëmendjen e lexuesit. Mirëpo, kjo nuk ndodh në romanin e Sahitajt, falë gjeturisë së tij për ta gërshetuar bukur ndjeshmërinë më intime të shpirtit të protagonistes me paraqitjen alternative të mjediseve të Prizrenit, ku tashmë veprojnë edhe ushtritë e huaja, që në këtë rast si pjesë e realitetit të përditshëm të kohës sonë shfrytëzohen nga autori për të bërë edhe përgjithësime të veçanta. Kjo gjë mund të arrihet me anë të ndonjë shkëputjeje rrëfimore, siç është rasti që rrëfimin e shpie larg në Gjibuti me anë të të cilit paraqitet fati tragjik i një gruaje zezake, Anës, dashnore e dy ushtarakët françezë, që tani janë me shërbim në Prizren dhe kanë venë kontakte edhe me heroinën e romanit, Donikën shqiptare. Mirëpo, paraqitja e analogjive të mundshme midis figurave të dy grave me të cilat komunikojnë ushtarakët françezë, në romanin e Sahitajt është shfrytëzuar me mjeshtri të veçanta për ta portretizuar edhe figurën morale të gruas shqiptare, e cila lufton me potencën e fundit të shpirtit të shqetësuar midis dëshirës për ta gëzuar jetën dhe moralit tradicional për besnikërinë bashkëshortore, qoftë kjo edhe pas zhdukjes tragjike të burrit.
Brenda tërësisë së atmosferës së përgjithshme të pasluftës në Kosovë, autori duke i thelluar observimet e veta në botën psikike të Donikës, ka krijuar edhe një varg portretesh të reja, që e pasurojnë mjedisin me personazhe të profileve të veçanta. Midis tyre dallohet sidomos Shpresa, një figure e femrës së shkolluar kosovare, pothuajse antipode me Donikën, e cila bënë jetë të dyfishtë me burrin dhe me dashnorët e saj, që është e aftë t’i gjejë fare lehtë. Po ashtu është tipizuar bukur edhe figura e biznismenit mafioz, Mehmetit, me të cilin lidhet një pjesë e rrefimit të romanit dhe paraqiten shumë peripeti që i përjeton Donika.. Figurat e këtilla nuk i kanë munguar mjediseve kosovare, qoftë në periudhën e paraluftës, qoftë edhe pas saj. Edhe në këtë rast kemi të bëjmë me moralin e dyfishtë, sepse Mehmeti me një anë përpiqet të maskohet bukur si njeri mirëbërës, që u ndihmon nevojtarëve, si atdhetarë që e ka ndihmuar madje edhe çështjen kombëtare dhe luftën e popullit të tij, kurse në anën tjetër nuk i ka ndërprerë lidhjet e bashkëpunimit me qarqet e caktuara serbe, e ka vazhduar aktivitetin e tij mafioz bashkë me përkrahjen e kaosit të përgjithshëm ekonomik dhe ka arritur që për qëllime të veta egoiste të jetë organizator dhe sponsor i bandave të maskuara që bëjnë zullume në popull. Kështu tipat si Mehmeti mbesin sinonime të dhunës së maskuar që vepron ende brenda Kosovës, duke ia shtuar asaj tragjeditë individuale dhe duke ricikluar gjendjen kaotike, të cilën e shfrytëzojnë qarqet vendase dhe të huaja për të grabitur sa më shumë nga pasuria e saj. Nga radhët e të huajve, që kanë ardhur për ta ndihmuar Kosovën e pasluftës, sidomos nga ato të ushtarakëve françezë, veprime aktive në roman kanë Aleni dhe Zhani, dy oficerë që janë rivalë edhe në dashuri. Veprimet e tyre janë paraqitur me mjeshtri, qoftë në epizodin me Anën, zezake të Gjibutit, e cila përfundon tragjikisht, qoftë edhe në raport me Donikën, të cilën Zhani e dashuron sinqerisht.
Vepra e Reshat Sahitaj i ka edhe veçoritë e romanit të personazhit, sepse struktura e tërësishme e tij lidhet me figurën e Donikës, meqë të gjitha rrjedhat e rrëfimit nyjetohen nëpërmjet këtij personazhi dhe janë pjesë përbërëse e tërësisë së veprimeve që e determinojnë atë. Me Donikën ka të bëjë edhe simbolika e malit të ndaluar, e cila në fund të romanit ballafaqohet me antipodin e vet, Malin e shenjtë. Kuptimi simbolik i saj na jep dorë të kuptojmë se këtu ndalesa për malin, që merret si kuptim i veprimit strategjik të të huajve që kanë ardhur në Kosovë për qëllime ushtarake, ka një shtrirje shumë më të gjerë në strukturën rrëfimore të romanit dhe ka të bëjë me ndalesa në sfera të tjera, në radhë të parë në atë psikologjike dhe morale, që reflektohet në radhë të parë në shpirtin e Donikës, e cila ishte duke kërkuar trupin e burrit të saj, jo pa ndjenjen e fajit dhe përgjegjësisë personale. Mu për këtë, bashkë me kuptimin e besnikërisë tradicionale bashkëshortore, dashurinë e veçantë si përjetim intim i gruas, gërshetohet edhe fanitja si përjetim para varrit të hapur, kur ajo i parafytyron imazhet fantastike të figurave të ushtarekëve të huaj dhe unin e saj të dytë brenda figurës së vetvetes. Situatat e këtilla fantastiko-magjike, të gërshetuara me pjesë të nënvetëdijes, në të cilën nuk mbetet pa ndikim edhe ndonjë imazh i largët nga mitologjia shqiptare, për nderin, për besnikërinë, për dashurinë e amshuar, për vdekjen dhe frikën nga ajo, por edhe për dëshirat e fshehura të njeriut për ta përjetuar jetën me tërësinë e kënaqësive të saj, e bëjnë figurën e Donikës ndër personazhet e rralla në traditën e prozës shqiptare. Ajo këtu i ka tiparet e plota të një intelektualeje shqiptare, që brenda përjetimeve tragjike, lufton në disa fronte për ta realizuar vetveten deri në fund. Në kuadër të tragjikës së plotë të kësaj krijese delikate dhe të rrethanave të veçanta të mjediseve shoqërore të kohës, lidhet edhe intriga e romanit, e cila i jep veprës nuancat e një tregimi kriminalistik. Këtu zbulohet me invencion të veçantë edhe figura e dhunuesit dhe vazhdimësia e atmosferës së përgjithshme të dhunës, e cila e ka kushtëzuar tërësinë e veprës. Shpërndërrimet nga “mali i ndaluar” në “Malin e Shenjtë” kalojnë nëpër një botë të tërë të kërkimeve për njerëzit e zhdukur, të fanitjeve para varrezave të hapura, midis kufomave të vdekura dhe të gjalla, por edhe të përpjekejeve për t’i përballuar pengesat e moszhvillimit, pengesat e natyrës psikologjike të tradicionalizmit të jetës, por edhe ato të pangopësisës së individit për të siguruar mirëqenie, për të mbizotëruar mbi të tjerët, për t’i pushtuar fizikisht dhe shpirtërisht më të dobtit dhe më të pambrojturit. Kështu, në vorbullën e kësaj jete heroina e romanit në zgripcin e gjendjes depresive, duke kaluar nga dhuna psikike nëpërmjet torturave fizike gjatë kidnapimit nga njerëzit e maskuar e, madje duke përjetuar edhe dhunimin, që ja shumëfishon torturën e përgjithshme, pas përjetimit të dhimbjeve të jashtëzakonshme, lirohet nga e kaluara. Kjo kthesë është paralajmëruar edhe më parë në vetë sjelljet kontraverse të Donikës, e cila brenda dhembjes dhe dëshërimit për burrin e humbur e ruan ndjenjen e krenarisë dhe të dinjitetit personal, dëshirën për punën me nxënësit e saj shumë të dashur dhe dëshirën për të jetuar e lirë. Mirëpo, megjithatë, ajo motivohet fuqishëm, edhe në aspektin artistik, me kuptimin magjik të dashurisë së re ndaj ushtarakut francez, Zhanit. Kjo dashuri përjetësohet edhe me simbolikën e veçantë të Malit të Shenjtë, që e ka zëvendësuar “malin e ndaluar”. Me gjithë paralajmërimet për kufomat e gjalla, që mund të jenë pengesë e vazhdueshme ndaj synimeve individuale, brenda romanit sikur hapet shtegu për një vazhdimësi, në të cilën njeriu do të vazhdojë të luftojë për ta gëzuar bukurinë e jetës. Dhe siç pohon autori në një rast, të jetosh do të thotë të përjetosh bukurinë themelore të ekzistencës, më në fund, krej bukuria e artit të këtij romani është kuptimi magjik i ngadhnjimit të jetës mbi vdekjen, i të vërtetës mbi fanitjet e halucinacioneve dhe të guximit mbi frikën për të ardhmën, e cila mund të mposhtet vetëm me fuqinë e jashtëzakonshme të dashurisë. Dhe ky roman duhet të lexohet, sepse autori aftësitë e veta krijuese në fushën e prozës moderne i ka venë në shërbimt të paraqitjes së Kosovës së sotme midis tragjikës së përgjithshme dhe bukurisë mahnitëse të jetës, Kosovën me shumë plagë në shpirtërat e njerëzve të ndieshëm, me një gjendje të padefinuar midis lirisë e robërisë, midis rregullit dhe kaosit, që lufton për të ecur përpara, me gjithë pengesat e vjetra dhe të reja, me gjithë paragjykimet e ndërkombëtarëve dhe adminstratorëve të huaj dhe strukturave të caktuara mafioze që bashkëpunojnë me krimin e organizuar. Koha shumë e afërme, e cila ende nuk i ka kristalizuar konturat e veta të plota, pastaj tragjika dhe erotika si fenomente të veçanta estetike në artin e romanit dhe vetë fati i gruas intelektuale shqiptare, krijesës më delikate të realitetit të sotëm, janë komponente të romanit, që mund të jenë edhe hedikep për krijuesit, që nuk kanë përvojë të madhe në fushën e krijimtarisë. Por, këtë situatë delikate, mendoj se e ka tejkaluar me sukses autori Reshat Sahitaj, i cili ia ka ofruar lexuesit tonë një vepër tërheqëse që lexohet me kënaqësi. Në fund, uroj që puna e tij e suksesshme në fushën e prozës të vazhdojë dhe ky roman të pasohet me vepra të tjera, për të cilat shpresoj se do të realizohen në një nivel edhe më të lartë estetik.

(Prof.Dr.Sadri Fetiu)

FRAGMENTE NGA ROMANI “MALI I NDALUAR “

II

Donikës nuk i bënin aspak përshtypje ngjyrat magjike të mjegullave, të cilat zinin një pjesë të diellit, pastaj e mbështillnin të tërin dhe herë - herë e lironin që të shpërthente me flakërimin e tij të artë. Ato i dukeshin sikur mundoheshin që ta pengonin perëndimin e tij. Për disa çaste i vinte të imagjinonte se si retë e holla, të kuqrremta e të shpërndara në horizont ndesheshin me diellin në një përleshje miqësore dhe e gjithë kjo dukej si lojë e ëmbël e prindërve me fëmijët, të cilët, për t'ua plotësuar atyre dëshirën, luajnë rolin e të mundurit.
Një erë e lehtë shpërlante ajrin e nxehtë të ditës. Freskonte fytyrën e Donikës dhe zdirgjej kodrës binte në rrafsh dhe vazhdonte në drejtim të Therandës për të freskuar tërë vendin nga vapa e madhe e ditës. Gruaja interesohej të dinte ç’bëhej matanë telave të shumëfishtë me gjemba që francezët kishin futur nën rreth dhe nuk linin njeri të depërtonte e t’i afrohej murit. Ajo shikonte nga larg xhipat ushtarkë, njerëzit me uniforma që hynin e dilnin si dhe helikopterët që ngriteshin e uleshin brenda harkut të telave. Këto lëvizje ushtarake Donikës nuk i dukeshin normale. Në bazën e tyre kishte parë lëvizje, por jo sikur këtë ditë. Nga maja e malit ku qëndronte Donika kampi francez ndodhej mbi dy –tri kilometra larg. Nga lartësia dukej krejt afër, madje sikur ta kishte në pëllëmbë të dorës. Ushtarët nxirrnin nga kamionët arka të hekurta dhe sakaq zhdukeshin tok me to. Donikës i dukej se ata i përpinte zemra e bjeshkës. Pastaj ushtarët sërish shfaqeshin duarthatë.
Helikopterët vazhdonin të silleshin mbi kamp, ndërsa rojat qenë shtuar në tërë qarkun e telave.
Bëri disa hapa drejt të kroit që rridhte dimër e verë. U fut në këmbësoren e pyllit të dendur që përdridhej poshtë malit. Vuri dorën në vijën e ujit që binte nga shkëmbi. Thuhej se ky krua kish zënë të rridhte që nga koha e Mujit. Banorët e këtyre anëve kishin thurrur legjenda dhe këngë të shumta. Në fakt, kroin ia atribuonin Halilit. Luftëtari i bukur me diellin në qepalla, gjithmonë pas luftërave me krajlin, vinte këtu të kënaqej me bukurinë e natyrës. Dhe pikërisht te ky shkëmb kish takuar një bukuroshe me flokë të gjatë e fytyrë të bardhë, që i ngjante një shtojzovalleje të vërtetë. As për vajzën ende kurrkush s'e di në ishte njëmend zanë, apo çupë e njëmendtë. Vetëm shtohet se ditën e takimit të tyre bënte vapa e madhe dhe se për t'i freskuar të dashuruarit, Perëndia çau shkëmbin dhe bëri ujin të rridhte. Qyshdo që të jetë, kroi mbeti i mbështjellë në mjegullën e misterit. Del nga shkëmbi i thepisur dhe hidhet poshtë si në një lojë të magjepsur. Njeriu nuk ka nevojë të ulet për të pirë, por vetëm pak të shtrembërojë kokën dhe uji t'i bie në gojë. Pjesa tjetër rrëshqet e përplaset në gurin e poshtëm, pastaj vazhdon gjarpërimin maleve e fushave për t’u bashkuar me lumin dhe për t'u derdhur tevona së toku në Drinin e Bradhë. Ndonëse në këngë ka hyrë si Kroni i Halilit, banorët e këtushëm vazhdojnë ta quajnë si të Mujit. Ndoshta për shkak se në majën e malit (aty ku Donika kish bërë shprehi të zhytej në mendime) qëndron i futur në dhe një gur i madh në formë të rrumbullakët, me gjurmën e këmbës së kalit në mes. Dhe njerëzit, qëkur e kishin parë, kishin besuar se këtej kish barisur Muji mbi kalin e tij.
Donika, pasi lagu duart, futi kokën në vijën e ujit dhe menjëherë ndjeu një të ftohtë që ia përshkoi trupin. Ngriti kokën dhe me të dy pëllëmbët fërkoi sytë. Tevoan flokët e qullur i futi mes duarve dhe i shtrydhi. Uji i binte nga flokët e gjatë mbi supe dhe i zdirgjej kurrizit. E qullur u ngjit shtegut prej nga kishte zbritur.
-Stop! u dëgjua një zë. Gruaja mbeti e shtangur. Shikoi nga të gjitha anët, por nuk pa njeri.
-Mos lëviz! u dëgjua zëri kërcënues.
Donika filloi të dridhej. Ishte krejtësisht e pambrojtur. I shkoi ndërmend se këtu mund ta dhunonin, madje edhe ta vrisnin dhe ta zhduknin pa gjurmë.
Nga mali dolën dy ushtarë dhe sakaq vunë automatikët në gjoksin e saj.
-Ç’kërkon ti këtu?!
-Kisha dalë të shetisja! - belbëzoi Donika. Megjithatë, si pa ushtarët e huaj, i iku një çikë frika.
-Shëtitja këndej është e ndaluar. S'i keni parë shenjat?
-Unë, megjithatë, gjithnjë kam shëtitur këtejpari.
Përgjigjja e saj në gjuhën frenge bëri që ushtarët të dyshonin edhe më shumë.
-Nga e di gjuhën tonë?
-Jam profesoreshë e frengjishtes!
Ushtarët ulën zërin dhe filluan t’i tregonin se shëtitjet këtyre anëve ishin të ndaluara, ngaqë bjeshkëve ende s'u kanë hequr të gjitha minat. I thanë me një çikë keqardhe se ishin të detyruar t’ia merrnin shenimet dhe vendin ku banonte për të vërtetur nëse thoshte të vërtetën. E liruan dhe e përcollën deri te vetura e parkuar duke ia përkujtuar se s'do të dukej të vine më këndej.

III

Kishte kaluar ora nëntë e mbrëmjes, kur Mehmeti trokiti në derën e Arbenit. Parkoi “Mercedesin“ e tij në oborr dhe doli të përshëndetej me vëllanë e Donikës, që qëndronte në këmbë për t’ia treguar vendin se ku duhej të parkohej. Ishte vapë, andaj vendosën të qëndronin në oborr. Zunë vend rreth një tryeze të vjetër. në karrigat e vendosur rreth një tavoline të drunjtë e të vjetër. Arbeni largoi fëmijët, që silleshin poshtë e lart me zhurmë.
-Lëri, - tha Mehmeti, - janë fëmijë! A nuk kishim ne dëshirë kur ishim në moshë të tyre të dëgjonim ç'kuvendonin të rriturit.
-E kam më shumë hallin e veturës, - u përgjigj i zoti i shtëpisë, - janë fëmijë dhe mund të ta gërvishtin.
-Arben, - ndërroi bisedën tjetri, - e di se ti përballohesh me shtrëngesë ekonomike, ndonëse nuk ankohesh asnjëherë. Ti dhe bashkëshortja jeni pa punë dhe me tre fëmijë të vegjël. Tevona keni edhe barrën e motrës dhe të prindërve. Prandaj të solla një çikë ndihmë. Veç të lutem mos e merr këtë si ofendim! Më parë i kisha dhe vetë punët ngushtë, por tash mund t'ju ndihmoj rregullisht.
Mehmeti, duke u frikësuar se po e tradhtonte zëri, hapi kultetën dhe lëshoi në tryezën përpara Arbenit një mijë e pesëqind marka.
-Një mijë i ke për vete, ndërsa pesëqind për motrën. Ajo hëpërhë ndodhet në krizë shpirtërore, prandaj është mirë të kujdesemi që të mos bie në grackë të të pafytyrëve.
Arbeni mbeti gojëhapur. Të refuzonte këtë ndihmë në këtë kohë kaq të vështirë, ishte gati si dënim i fëmijëve me uri. Të pranonte një shumë kaq të madhe, i dukej se shitej. Për çka shitej? Ai asgjë nuk i kërkonte. Vetëm dëshironte t’i ndihmonte.
-Mehmet, unë vërtetë jam në gjendje të vështirë, por…
Arbeni deshi të shtonte se nuk e dinte kur do të mund t'ia kthente borxhin.
-I ke punët ngusht, prandaj dhe po të ndihmoj, - ngut Mehmeti. Ai, sikur të kujtohej papritur për diçka të harruar, u ngrit dhe rendi te vetura. Një çikë më vonë u kthye me shportat plot pemë e perime.
-Futi brenda, Arne!
I zoti i shtëoisë një copë herë ngriu i hutuar. Pastaj fshiu djersët dhe u ngrit.Mu atë çast u dëgjua zhurma e veturës së Donikës. Ajo sakaq u dha në oborr dhe e parkoi veturën përskaj "Mercedesit". Pastaj doli, u dha flokëve prapa dhe përqafoi me radhë fëmijët e të vëllait. Por, ata ende ishin të hutuar pas bombonave që u kidh dhënë Mehmet. Nuk shkoi drejtë në dhomë, siç bënte zakonisht, por zuri vend ne një karrige dhe ndezi një cigare.
Dy burrat e përshëndetën. Donika ngriti shikimin duke lëvizur vetëm pak buzët në shenjë të një buzëqeshjeje dhe vazhdoi të thithte tymin e duhanit. Kjo ishte një risi për Arbenin. Ishte hera e parë pas tri vjetësh që Donika të ulej bashkë me të vëllanë, madje në praninë e një të huaji, edhe pse Mehmetin nuk e mirrnin dhe aq për të huaj. Në realitet Mehmeti nuk ishte njeri i huaj, sepse me të njiheshin vite e vite. Madje ai ishte dhe shok i studimeve. Shikuar rrethanat dhe mënyrën e jetës që kishte bërë këta tre vjetët e fundit, ishte një mrekulli që ajo të ulej bashkë me ta.
Arbenit i shkoi mendja se motra tij ndoshta tinzisht konsulton ndonjë psikolog të shoqatës franceze “Medecin du Monde”. Ata vizitonin familjet dhe kujdeseshin për personat e traumatizuar. Ndoshta sjellja e Donikës ishte një rezultat i përmirsimit të gjendjes se saj. Sidoqoftë, nuk dëshironte t'i shtronte pyetje rreth shërimit të mundshëm. Mjaftonte se ajo befasisht po ndryshonte për të mirë. Ndihma e Mehmetit, mendoi, kishte ardhur në momentin më të volitshëm. Më në fund, sa të fillonte punën, do ia kthente pak nga pak. Ka ditë kur çdo gjë të shkon mbrapsht, por ndonjëherë ia behnin edhe mbarësitë, thoshte vetmevete.
Fëmijët kishin futur brenda vajin, sheqerin, bananet dhe plot ushqime të tjera. Arbeni mori një pesëqindëshe nga të hollave që rrinin mbi tavolinë dhe ia zgjati të motrës.
-Këto janë për shpenzime tua, ndërsa këto për familjen time. I solli Mehmeti!
Mehmeti kurrë më parë nuk e kishte ndier veten më krenar dhe më të gëzuar. Asnjëherë si sot s'e kish parë me sy se paraja mund t'i sillte njeriut kaq lumturi.
Donika i hodhiMehmetit një shikim miklues dhe një buzëqeshje të lehtë. Ai po dridhej dhe po skuqej i tëri. Nga shuma e caktuar mori vetëm njëqind marka duke lënë pjesën tjetër për shpenzimet e familjes së të vëllait.
Mehmeti, i turbulluar nga shikimi saj, që ia zgjoi ndjenjat rinore të dashurisë, mezi arriti të përmbante veten. Më në fund fjaftoi shikimin te vëllai i saj. Flokët e Donikës sa kishin filluar të tereshin dhe të shpupuriteshin.
Mehmetit i mjaftoi t'i hidhte vetëm një shikim dhe të kuptonte se ajo s'kish ndryshuar fare. Fytyra saj ende ruante magjinë e dikurshme të femrës, në të cilën qe i dashuruar. Buzët e saj në dritën e dobët të llambës elektrike të varur në balllin e murit të shtëpisë, Mehmetit iu dukën të freskëta dhe të etshme për dashuri. Ishte vetëm një reflektim në mendjen e tij. Megjithatë, vendosi që hëpërhë të mos e çonte mendjen te dashuria, sepse mund të tradhtohej nga emociont dhe të kuptohej sakaq qëllimi i ndihmës e tij.
Tash për tash duhej të forconte lidhjet dhe të shpeshtonte vizitat. Fjalët, që kishte dëgjuar për çmendurinë e saj, iu dukën të pavërteta. Nuk kishte asnjë shenjë se kjo grua nuk ishte normale. Përkundrazi dukej e matur dhe e ekuilibruar në shpirt.
-Në emër të familjës sime, ju falënderoj nga zemra! - tha Arbeni.
-Jam i bindur se po të ishe në vendin tim, kështu do të bëjë edhe vetë. Prandaj mos m'u falëndero!- po thoshte Mehmeti me frymëmarrje të shpeshtuar. -Por, ç'pata në mendje? Po, kam një vend të lirë pune dhe, në qoftë se do, mund të fillosh menjëherë. Do të punosh shitës në pompën e benzinës, pra s'është vend për njerëz të shkolluar, megjithatë do të të paguaj nga katërqind marka në muaj, domethënë njëqind më shumë se të tjerët.
Këtë mendim ia lindi fët e fët buzëqeshja e Donikës.
Propozimi e gëzoi Arbenin pa masë. Në këtë mënyrë do kishte mundësi t’ia kthente borxhin. Më në fund do të punonte dhe nuk do varej nga shoqatat humanitare. Vërtet puna nuk kishte të bënte aspak me profesionin e tij, por sot gati rrallë kush kryente punën për të cilën ishte shkolluar. Më në fund as të ardhurat nuk do t’i kishte edhe aq të dobëta. Nuk paguhej sa përkthyesit, por më shumë se motra që punonte profesoreshë në gjimnaz. Prej ditës së çlirimit, dita e sotme ishte më e lumtura. Ky ishte momenti i çlirimit të tij. Këtë ditë duhej ta festonte.
I hutuar, nuk vërejti se Mehmeti qe ngritur për të shkuar. U mundua ta ndalte për darkë, të rrinin e të bisedonin më gjatë, por ai ishte ngritur. Nuk kishte ndikim asnjë luetje tjetër. Mehmeti vendosi të shkonte që të mos e tepronte. Të linte përshtypjnn se çdo gjë që po bënte, e kish burimin në natyrën e tij prej mirëbërësi.
Në vete Mehmeti nuk mendonte se bënte një vepër të keqe. Të ishte i dashuruar në motrën e tij, i dukej normale dhe krejtë njerëzore. Po të mos ishte ky, do të dilte dikush tjetër me qëllime edhe më të errëta. Donika është një femër e bukur që një ditë, deshi apo nuk deshi, do binte viktimë e dikujt, madje vëllai i saj nuk do të përfitonte asnjë të mirë. Bile mund të ndodhte edhe më keq: të kalonte prej një dore në tjetrën; të bëhej objekt talljeje, siç ishin bërë shumë të tjera. Këtë Arbeni nuk do mund ta duronte. Unë, mendonte Mehmeti, kam për qëllim të martohem me Donikën. Me bashkëshorten e tij kurrë nuk arriti të ndërtonte dashuri të mirëfilltë, ngaqë fanitja e Donikë kurrë s'e la të qetë. Gruan legjitime do ta linte të lirë të kërkonte sinorin e saj. Asnjëherë nuk e kishte menduar në vërtet bashkëshortja e tij kish gjetur kund dashnorin. Ndoshta Mehmeti ende ishte dashuria e saj. Për këtë nuk dëshironte të mëndonte më gjatë.
Për Mehmetin dashuria ishte diçka e madhe dhe e pakuptimtë. Kurrë nuk kishte arritur ta zbërthente krejt misterin e saj.
Filozofia e tij personale ishte se femrat çuditërisht dashuroheshin në burrat rëndom të shëmtuar. Aq herë kish krahasuar burrin e Donikës me vetveten. Ai as që mund t'i afrohej Mehmetit me bukuri. Shkallën e inteligjencës, ndërkaq, e kishin të barabartë, edhe notat në indeks përafërsisht të njëjta. E mos të flasim për para. Misterioze është gruaja dhe dashuria e saj. Kësaj s'ke ç'i shton. Ndryshe s'do t'i ndodhte gjithë ajo dramë me Donikën. I dukej sidomos se ajo lëshonte një energji të padukshme që i depërtonte në kokë dhe ia avullonte mendimet. Nuk ishte në gjendje t’i fliste as për ligjërata, as për kohën e bukur, as për romanin e lexuar. Rrinte me shikim të ngulur si një shtatore. Mbrëmjeve në banesë gjuha dhe mendimët i zgjidheshin, fliste me zë para pasqyrës, në park e kudo. Vetëm para saj jo.
Problemin e dashurisë e kishte trajtuar nga të gjitha këndet e mundshme. Absurditet e quante rastin e burrit të Donikës. Dhe, o marrëzi, vajzat çmendeshin pas të tillëve. Rrëmonte në mendje se çfarë magjie fshihte ai burrë në vetvete. Do ta kishte kuptuar dhe do ta merrte krejt normale sikur ai të ishte aktor filmi apo teatri. Të ishte shkrimtar, o kryetar i studentëve, o sportist i dalluar, hajde de. Jo, ai asgjë nuk kishte, veç se ishte llafazanë. I paturpshëm. Krenar për pushtimet që u bënte vajzave. Asgjë më shumë.
A ishte e mundur që ai të binte në dashuri me të gjitha ato femra? A ishte apo nuk ishte dashuri ajo që bënte ai, e pyeste veten Mehmeti. Ndjente një urrejtje ndaj tij, një mllef që shpesh i zgjonte mendimin ta vriste. Sidomos pas natës kur rastësisht e pa duke e puthur Donikën. Kurrë nuk i foli. Ai ia kishte plagosur shpirtin. Donika kish qenë kuptimi i jetës së tij. Megjithatë ia doli që dashurinë ndaj Donikës dhe urrejtjën ndaj burrit të saj t'i mbante mbyllura thellë në zmrën e tij.
Këtu qëndronte filli i misteriozitetit të dashurisë, që Mehmeti nuk e kuptonte dhe nuk arrinte ta zgjidhte. Ishte misterioze kur mendonte faktin se si femra dashurohet në një mashkull, i cili nuk ndien dashuri ndaj saj dhe nuk dashurohet në djalin që e dashuron. Merrte shembuj nga eksperienca e tij duke bërë krahasime dhe analiza shpirtërore. E krahasonte jetën e Besës, dashnores së tij, e cila nuk pushonte t’i thoshte se pas tij kurrë nuk do bënte dashuri me asnjë djalë. Habitej pse ajo kishte aq shumë dashuri ndaj tij, kur ky me të thjesht argëtohej. Besa, pas mbarimit të studimeve u martua, përkundër asaj që kishte premtuar. E kuptonte se martesën e bëri kundër vullnetit të saj, por habitej, megjithatë, si arriti ta mashtron burrin se sinqerisht vetëm atë e do. I shkonte ndërmend se ndoshta pikërisht burrin e do dhe këtë e kishte mashtruar kur i thoshte se ishte dashuria e saj e jetës. Mund të ndodhte që nuk e do as burrin, por krejt dikënd tjetër. I silleshin gjithfarë mendimesh, megjithatë s'e prekte që s'e prekte misterin e dashurisë.
I dukej e pamundur që burri i Donikës të kishte pasur shumë femra dhe aq më pak që t’u ofronte dashuri më shumë se Mehmeti. Cila apo cili bënte dashuri të vërtetë në shtrat, i thoshte vetes kur i kujtonte kush me kë kishte kaluar e me kë ishte martuan. Shoku i tij, Bashkimi, e dashuronte Syzanën, por u martua me Vjollcën. Syzana e dashuronte Gencin, e përfundoi me Gjergjin. Femra që Gjergji çmendej pas saj, u martua me Fadilin, i cili të gjithë e dinin se kishte dashur të bënte vetëvrasje për Mimozën, e cila u martua me Gazmendin.
Çdonjëri ëndërronte dashurinë e vërtetë. Kishte nga një idol dashurie dhe të gjithë përfunduan në shtrat me tjetërkënd. Kjo i dukej absurde! Jetën martesore e konsideronte gënjeshtër, ku bashkëshortët mashtronin njëri-tjetrin me fjalët më sublime. Bota, thoshte vetmevete, ishte e ndërtuar mbi gënjeshtrat. Secili gënjen duke menduar se tjetri e merr seriozisht. Askush me askënd nuk është i dashuruar, por secili e shpif lumturinë. Çdonjëri vuan për dashuri të vërtetë pa guxuar t’i tregojë tjetrit me ëndrrat. Shumë rrallë ia përshonte mendjen mendimi se, megjithatë, kish çifte që duheshin. E jeta kalon. Ku është dashuria që kishte lexuar në romane? Padrejtësi e natyrës, mendonte dhe i vinte për t’u çmendur. Apo ndoshta dashuria fitohet gjatë jetës së përbashkët. Mirëpo ky ndryshim në të nuk po ngjante. Ende Donika i sillej në kokë. Vitet shkonin dhe çdo gjë i dukej si të kishte ndodhur para një dite, para pak çastesh. Në shpirtin e tij, veç ndryshimit fizik, nuk vërente asnjë ndryshim të sentimenteve. Asgjë nuk kthehej pas. Jeta i ngjante lumit të qetë që ecë e nuk duket, përsëriste mendimet e dikujt që kishte lexuar. Çdo gjë që kalonte nuk përsëritej dhe nuk rindërtohej që nga fillimi. Por edhe sikur të kthehej në fillim, nuk ishte i sigurt se do të ketë sukses. Andaj, shpesh ndalej dhe shikonte çiftet që luanin me fëmijët e tyre dhe mendonte: a thua janë të dashuruar? Edhe Mehmeti luante me fëmijët dhe qeshte me gruan e tij. Askush, madje as bashkëshortja, nuk e dinte se nuk e dashuronte. Në sy të botës dukeshin çift i dashuruar dhe i lumtur. I dukej misterioze, sepse askush askënd nuk e detyronte të martohej me dhunë. I kuptonte rastet specifike kur dikush martohej me një të vjetër për shkak të pasurisë.
Ngiste veturën e tij me ndjenjën se ishte njeriu më i lumtur. Iu soll rrethit të qytetit disa herë pa menduar se nga po shkonte dhe ku do ndalej. Këtë mbrëmje nuk dëshironte të fliste me askë. Në shtëpi e priste gruaja, prandaj nuk i shkohej.
Herave të tjera kishte filozofuar për misterin e dashurisë, për raste të huaja, por asnjëherë për vetveten. Derisa kënaqej duke shikuar bukurinë e Prizrenit në dritat e dobëta të mbrëmjës dhe ujin e lumit të kristaltë, i shkoi mendja të mendonte për veten. Pse gëzohem? Pse jam kaq i lumtur? Unë e dua atë, por … nuk kishte guxim të përfundonte fjalinë. Nuk dëshironte t’ia pranonte vetes se ajo ndoshta nuk e do. Edhe nëse arrinë ta fusë në dorë, e quante dashuri të njëanshme, të përgjysmuar. Po, ngaqë ajo ruante shpirtin e saj për tjetërkënd. Vinte në përfundim se nuk ia vlente ta dashuronte, nëse ajo nuk tregon as interesin më të vogël. Kjo do të ishte atëherë dashuri e kurdisur, artificiale dhe më në fund e shëmtuar. Duhej që të nxiste ndjenjat dhe emocionet e saj, që edhe ajo të tregonte simpati në fillim dhe pastaj, me kalimin e kohës, plagët do t’i shëroheshin dalëngadalës dhe më në fund do t'i harlisej përbrenda dashuria. Ajo s'ka përse të mendojë më për të shoqin. Ai tashmë është i vdekur. Dikur kish pasur dëshirë të mos gjendej kurrë më, por tash po i vinte keq. Ai, megjithatë, nuk ishte më dhe ky s'do të duhej t'i shqitej më Donikës. Do të vazhdonte t’i ndihmonte familjës së saj deri në fund.

Comments

Popular posts from this blog

Legjenda e Mujit dhe Halilit

Ese për Vitin e Ri