NDJEHEMI TË KËRCËNUAR,SEPSE PO KËRCËNOHET VALBONA

VALBONA 1


Nga Prof. Dr. Islam LAUKA – diplomat, analist/*

Ne jemi sot këtu, sepse ndjehemi të kërcënuar. Ndjehemi të kërcënuar, sepse po kërcënohet Valbona, që është pjesë e pandarë e identitetit tonë. E dimë dhe e njohim autorin e kërcënimit. Sepse ai ka dalë hapur, pa maska, ditën për diell. Është shteti ynë, ai që e ka për detyrë ta mbrojë si Park Kombëtar, që vetë e ka shpallur, para 20 vjetësh.

Me vendimet e Qeverisë për ndërtimin e disa hidrocentraleve në Luginën e Valbonës, duke shkelur rëndë të drejten mjedisore, kombëtare dhe ndërkombëtare, shteti ynë ështe futur në konflikt të dyfishtë – me natyrën dhe me njeriun.

Por ne, si qytetarë të lirë dhe të përgjegjshëm, nuk do të lejojmë që të prangoset liria e Valbonës me zinxhirin e hidrocentraleve.

Në qoftë se shteti ynë ka vendosur të bëjë shurdhin ndaj kësaj masakre mjedisore, ne refuzojmë të sillemi si ai dhe përpiqemi t’i dëgjojmë thirrjet e natyrës dhe të njerëzve për ndihmë.

Në qoftë se shteti ynë ka vendosur të bëjë qorrin, ne refuzojmë të sillemi si ai dhe përpiqermi të shohim sa më qartë krimin që po i kanoset Valbonës dhe njerëzve të saj.

Në qoftë se shteti ynë ka vendosur të bëjë memecin, ne refuzojmë të sillemi si ai dhe përpiqemi që thirrjeve për ndihmë të natyrës dhe të njerëzve t’u japim zë nga zëri ynë.

Në qoftë se shteti ynë ka vendosur të jetë i pandjeshëm dhe i pashpirtë ndaj këtyre thirrjeve, ne refuzojmë të sillemi si ai dhe përpiqemi të kuptojmë me mendje e të ndjejmë me zemër lutjet e natyrës dhe njerëzve për ndihmë.

“Ndihmë”, thërrasin bimët dhe kafshët endemike të Luginës së Valbonës. – “Ju lutemi, mos na pakësoni ujin dhe oksigjenin, sepse edhe kështu jemi në rrezik kritik për jetën.”

“Ndihmë”, thërret Gryka e Dragobisë. “Ju lutem, mos ma copëtoni shtatin e Valbonës, sepse ma hiqni freskinë e gjelbërimin dhe ma sillni shkretimin.”

“Ndihmë”, thërrasin njerëzit që e kanë lidhur jetën e dekën me Luginën e Valbonës.

“Ndihmë”, thërrasin zanat, heronjtë e Eposit të Kreshnikëve, mitet e legjendad. – “Ju lutemi, mos na e prekni vendlindjen tonë, sepse nuk kemi ku shkojmë.”

Ne jemi sot këtu, në përgjigje të këtyre thirrjeve, të gatshëm për të ndihmuar dhe për të sakrifikuar.

E dimë që e kemi shumë të vështire, sepse përballë kemi shtetin. Por frikë nuk kemi.

Nga kjo urë, ne i kërkojmë shtetit:

Së pari, transparencë të plotë për vendimet e Këshillit të Ministrave, sa hidrocentrale janë planifikuar të ndërtohen të Valbonë dhe sa leje mjedisore janë dhënë.

Së dyti, të pezullohet menjëherë realizimi i projektit për ndërtimin e hidrocentraleve.Së treti, të organizohet një referendum lokal në Tropojë, lidhur me ndërtimin e hidrocentraleve dhe, në rast se populli me vullnetin e tij të lirë shprehet kundër ndërtimit të tyre, atëherë të shfuqizohen menjëherë vendimet e qeverisë për këtë projekt.

Nga lartësitë e kësaj ure, ne u bëjmë thirrje intelektualëve të mbarë trojeve shqiptare, grupeve të interesit, shoqërisë civile dhe, sidomos, rinisë: bashkohuni me ne, në një bllok unik, në mbrojtje të margaritarit të kurorës së Bjeshkëve te Bekueme – Valbonës sonë të bukur dhe të lirë!

Valbonë, 8 maj 2016

*Fjala e mbajtur diten e dielë, më 8 maj 2016, (në “Uren e t’Shtrejtit”) në Tubimin Ndërkombëtar për Mbrojtjen e Valbonës.

Comments

Popular posts from this blog

AKADEMIK PROF. DR HAKIFBAJRAMI PH.D : GRUSHTSHTETI IDYTËNDAJKOSOVËS( PAS 23 MARSIT 1989) MË 25 MARS 2020

Legjenda e Mujit dhe Halilit