U promovua trilogjia për Adem Demaçin



Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, z. Arsim Bajrami, mori pjesë sot në promovimin e triologjisë për veprimtarin e çështjes kombëtare, z. Adem Demaçi, të autorit Selatin Novosella.

Me këtë rast ka vlerësuar lartë personalitetin e intelektualit dhe veprimtarit, Adem Demaçi, si figurë e qëndresës, rezistencës, shtetndërtimit, çlirimit dhe pavarësisë së Kosovës, transmeton Koha.net.

Ministri Bajrami theksoi se Kosova, Shqipëria, Maqedonia dhe vendet e tjera ku jetojnë shqiptarët, këtë vit po ia kushtojnë rezistencës së doajenit të çështjes kombëtare.

“Ministria e Arsimit ka mbështetur këtë punë të palodhshme të autorit Selatin Novosella, i cili sot po promovon triologjinë e tij, duke promovuar tri tekste, të cilat janë tri gjurmë të pashlyeshme të rezistencës kombëtare të Adem Demaçit. Këto tri libra tregojnë se si një intelektual, një veprimtar dhe një patriot duhet të sillet në cilatdo kushte, se si një personalitet poliedrik i reziston dhunës, terrorit dhe e mbron kauzën kombëtare në të gjitha kohërat”, theksoi ministri Bajrami.

Duke folur për figurën dhe guximin intelektual të z. Demaçi, ministri Bajrami ka rikujtuar sakrificën e gjeneratave të tëra për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

“Adem Demaçi ishte një politikan liberal dhe i moderuar. Sot kur po promovojmë këto libra, duhet të shprehim pietetin dhe respektin më të madh për figurën e Adem Demaçit dhe të lutemi që sa më shpejt të jetë në mesin tonë. Duke i lexuar këto libra, ne do të shohim se rruga e jonë nuk ka qenë aspak e lehtë. Falë patriotëve, falë gjeneratës së Adem Demaçit, gjithmonë është mbajtur gjallë kauza e lirisë së Kosovës”, ka thënë ministri Bajrami.

Në kuadër të shënimit të 80- vjetorit të lindjes së veprimtarit Adem Demaçi, MAShT ka financuar botimin e trilogjisë: Adem Demaçi në gjykimin e parë - 1958, Adem Demaçi në gjykimin e dytë- 1964 dhe Adem Demaçi në gjykimin e tretë - 1975.

Comments

Popular posts from this blog

Legjenda e Mujit dhe Halilit

Ese për Vitin e Ri