Ilaqet “e rrezikshme” që japin alergji!



• Urtikarie, vështirësi në frymëmarrje, probleme me veshkat dhe mëlçinë, janë disa nga shenjat që shfaq alergjia nga ilaçet.



Në bazë të këtij çrregullimi qëndron bashkëveprimi i ilaçit me pjesë të ndryshme të sistemit imunitar, duke dhënë në fund reaksionin alergjik. Në një intervistë për “Panorama”, mjekja alergologe, Mirela Hitaj, shpjegon si mund ti njohësh dhe trajtohen alergjitë nga ilaçet:
Doktoreshë, sa të përhapura janë alergjitë nga ilaçet?
Reaksionet nga barnat janë një problem serioz dhe aktual, i cili sa vjen dhe rritet. Sëmundshmëria si pasojë e reaksioneve medikamentoze rritet paralelisht me shtimin e përdorimit të medikamenteve. Në fakt duhet bërë dallimi mes reaksioneve alergjike dhe reaksioneve të dëmshme nga medikamentet. Reaksionet alergjike nga barnat janë një ndër tipat e reaksioneve të dëmshme nga medikamentet. Këto reaksione përmbledhin të gjitha reaksionet nga barnat pavarësisht nga mekanizmat përgjegjës. Sipas OBSH-së, me termin “reaksion i dëmshëm i medikamentit” përcaktohet çdo efekt i dëmshëm i paparashikuar dhe i padëshiruar nga medikamentet, i cili ndodh në dozat që përdoren për parandalimin, diagnozë ose trajtim e patologjive të ndryshme.
Si shfaqen reaksionet nga medikamentet?
Reaksionet e dëmshme nga medikamentet ndahen në dy kategori: reaksione të tipit A që janë reaksione që mund të parashikohen, hasen më shpesh dhe lidhen me efektet farmakologjike të ilaçit.
Kategoria e dytë janë reaksionet e tipit B, që janë më të paparashikueshme, jo të zakonshme dhe nuk lidhen me efektet farmakologjike të medikamentit. Rreth 80 % e reaksioneve nga barnat bëjnë pjesë në grupin e parë A dhe ndodhin nga toksiciteti i barit (mbidozimi), efektet anësore, efektet dytësore ose indirekte, si dhe nga ndërveprimi i medikamenteve.
Reaksionet medikamentoze alergjike, që ndërmjetësohen nga mekanizma imunologjikë, hyjnë në grupin e dytë të tipit B. Ashtu si dhe reaksionet e tjera të tipit B, reaksionet alergjike nga barnat hasen më rrallë dhe përbëjnë 10-15 % të rasteve.
Ka faktorë risku që ndikojnë në shfaqjen e këtyre alergjive?
Faktorët e rrezikut janë të lidhur me: personin dhe me medikamentin e përdorur. Faktorët e rrezikut të lidhur me personin, së pari lidhen me moshën. Përgjithësisht fëmijët shfaqin më pak reaksione alergjike nga barnat, sesa i rrituri, ndryshe nga alergjitë ushqimore, që dihet që të vegjlit janë kontingjenti më i riskuar. Faktorë të tjerë janë ai gjenetikë, roli i sëmundjes bazë, metabolizmi i barnave kryesisht në bazë të një kodimi gjenetik. Po ashtu janë reaksionet e mëparshme alergjike, nga faktorët predispozues. Në këto raste prova kryesore është fakti i nxjerrë nga anamneza, se pacienti ka pësuar një aksident të tillë më parë: ose nga ai bar, ose nga një bar tjetër i ngjashëm me të parin, për nga formula kimike.
Ka faktorë predispozues në shfaqjen e këtyre problemeve?
Cilësitë kimike të medikamentit, si p.sh aftësia për t’u lidhur me një proteinë të trupit dhe për t’u bërë imunogjenikë. Po ashtu ndikon doza dhe zgjatja e terapisë, frekuenca e mjekimeve nëse është e lartë, ndikon në induktimin e një përgjigjeje imune dhe në shfaqjen e reaksionit alergjik. Një faktor tjetër predispozues është dhe përdorimi i imunosupresorëve, që shoqërohet me pakësimin e qelizave T-supresorë, të cilat rregullojnë sintezën e IgE-ve.
Çfarë duhet bërë në rastet kur shfaqet alergjia nga ilaçet?
Së pari, këshillohet ndërprerja e menjëhershme e ilaçit që dyshohet apo dihet që ka dhënë alergjinë. Gjithashtu në këto raste ndërpriten dhe ilaçet e tjera më pak të dyshuar për alergjinë, por që janë dhe më pak të rëndësishme në mjekim e të sëmurit. Mjaft e rëndësishme është të bëhet konsulta menjëherë me një mjek alergolog, sepse ndodh shpesh që pacientët të shkojnë nëpër mjekë të ndryshëm. Vetëm mjeku alergolog mund të vendosë diagnozën që duhet të dhe marrë ndjekjen e specializuara.

Ilaçet që japin më shpesh alergji

-Penicilina
-Substancat e kontrastit që përdoren në radiologji
-Sulfonamidet që hyjnë antimikrobialët, diuretikët, hipoglicemianët oralë, etj
-Anestëtikët lokalë
-Aspirina dhe aniiflamatorët josteroidë


Shenja klinike?

• Shfaqet me prekje të lëkurës: urtikarie, ekzantema të ndryshme, dermatit kontakti, etj

• Sëmundje hematologjike: anemi, etj

• Prek veshkat: nefritin intersticial akut, sindromin nefrotik, etj

• Prek heparin: pulmonitin nga hipersensibiliteti

• Shfaq sindromin sistemik, sëmundjen e serumit, temperaturë nga barnat

• Temperatura e shkaktuar nga medikamentet mund të vijë si pasojë e një procesi inflamator ose si shfaqjen e një reaksioni medikamentoz nga efekti farmakologjik i barit në sistemin nervor qendror.


Si shfaqen alergjitë nga medikamentet

-Reaksionet e menjëhershme ndodhin brenda orës së parë të marrjes së medikamentit dhe shfaqen me klinikën e anafilaksisë, të edemës së laringsit, me vështirësi në frymëmarrje, kolaps dhe urtikarie.

-Reaksionet e përshpejtuara ndodhin brenda 72 orëve pas marrjes së medikamentit dhe tregojnë se lidhen, ashtu si dhe reaksionet e menjëhershme me një sensibilizim të mëparshëm.

-Reaksionet e vonuara shfaqen disa ditë pas fillimit të mjekimit. Klinika e tyre përbëhet nga urtikaria, eritema, ekzantema, dhe sëmundja e seruimit. Kjo e fundit mund të ndodh vetëm ose mund të jetë pjesë e një reaksioni të menjëhershëm. Urtikariet përbëjnë 50 % të reaksioneve. Në urtikariet e vonuara mund të mos ketë pasur kontakt të mëparshëm me medikamentin dhe reaksioni ndodh disa ditë pas marrjes së tij(5-11 ditë).

Comments

Popular posts from this blog

Legjenda e Mujit dhe Halilit

Ese për Vitin e Ri