NË LANDIN E BANALITETIT TË SË KEQES: DASHURI,AGJENTË E FAMILJARË TË NDERUAR…

Rreth novelës “NJË MALL I PASHUAR” i shkrimtares Vilhelme Vranari Haxhiraj “Mjeshtre e Madhe e Penës”/

NGA ROBERT MARTIKO/ Korfuz/

Kur më ra në dorë dhe isha duke përparuar në leximin e novelës “NJË MALL I PASHUAR”, i shkrimtares tashmë të mirënjohur në Shqipëri e gjetkë, Vilhelme Vranari Haxhiraj, më ranë padashur ndër mend vargjet e pavdekshme të Sofokliut te “Antigona” e tij e famshme:“Dashuri, e pamposhtur në çdo betejë, ti që qëndis cilindo që merr nishan me shigjetat e tua. Dashuri ti, që zgjuar qëndron në faqet e çupave që fluturon mbi dete dhe fute në kopshtet e shtëpive, asnjë nuk shpëton nga ty, as perëndia, as robi i mjerë, sejcilin që prek e shndërron në një të marrë. Ti, njeriun me arsye e shtyn në mjerim dhe humbje, ti ndez grindjen ndërmjet birit dhe babait dhe i hedh në erë. Fiton pathosi dhe ndjenja-llahtar për nusen e bukur, për inat të gjithë ligjeve të mëdhenj, të cilët perëndesha Afërditë i përqesh pa e çarë kokën.”

Veç, duke vijuar shtjellimin e intrigës në novelën “NJË MALL I PASHUAR”,e humba plotësisht këtë ndjenjë superiore që Vilhelme Vranari di të mbjellë me talent e mençuri në fantazinë e çdo lexuesi. Mund të them me plot gojën se dashuria, ky obsesion magjik në kokainën e ëmbël njerëzore, ishte zhdukur. Kishte humbur…The spirit was gone. Qe asgjësuar pa nam e nishan. Për t’ia zënë vendin banalitetit, groteskes, impersonalitetit, konformizmit të pështirë, mediokritetit, botës së abuzimit, amoralitetit, llumit të baltovinës kënetore amorfe dhe, përse jo, instikteve dhe praktikave më të ulta njerëzore, që, për gjysëm shekulli, mbajtën në këmbë një prej totalitarizmave më të urryer e makabër në Botë: të udhëhequr prej një njeriu të verbër e mistrec, në trajtën diabolike të një diktatori të madh e po aq të urryer si Enver Hoxha në Shqipërinë staliniste.

Gjithkush mund të drejtojë pyetjen: vallë përse të ndodhë një shkatërrim i tillë i dashurisë së bukur midis dy të rinjve të dashuruar në novelën e mësipërme? Si është e mundur që, dashuria, kjo ndjenjë aq e thellë dhe intensive e prodhuar prej simpatisë, pëlqimit apo pranimit reciprok njerëzor të vërvitet pa pikë mëshire në grykën e thellë të Keadës!?…” Për të qënë realistë, përgjigjia është fare e thjeshtë. Nuk mund të ndodhë ndryshe në një Diktaturë të përbindëshme ku varfërimi, poshtërimi, turpërimi, frika dhe mortifikimi masiv qëndrojnë mbi kokën e çdo shtetasi si shpata e Damokleut duke e kërcënuar atë madje, edhe, me shpartallimin e tij fizik.

Pra, në këtë kuptim, mund të thuhet se unë më kot e citoj në hyrje Sofokliun e madh të lashtësisë greke së bashku me perëndinë e famshme Afërdita apo muzat hyjnore të Apollonit: shoqëruese në çdo shkrim me vlerë, kur bëhet fjalë për t’i thurur vargje të pavdekshme atij lloj impulsi të jashtzakonshëm ndjenjash të mirënjohur në gjithë botën me termin dashuri romantike.

Si vetë qëniet e panumërta tragjike, ky asgjësim mizor i Erosit ndodhi ngaqë Shqipëria jetoi gjatë gjysëm shekulli në një botë tjetër. Jo në atë të fluturave e luleve, purpurit e ylberit, mëndafshit e qelibarit apo ambrozit dhe nektarit, të Olimpit hyjnor të dashurisë… Apo në atë ku dielli i lirisë ndriçon me rrezet e tij të arta, midis mjaft gjërave të tjera të bukura edhe dashurinë, këtë dritë apo simbol të shkëlqyer e po aq të jashtzakonshëm që, si magnet i padukshëm, na tërheq të vijojmë një monopat të ngushtë, ku kalojnë pothuajse gjithë njerëzit e kësaj bote të çuditëshme ku jetojmë…

Dhe, që të theksoj ca më shumë faktin se tre miljonë shqiptarë, pa përjashtim, jetuan të poshtëruar mes dhëmbësh skërmitës të një bote djallëzore e tejet anormale, më lejoni të përmend një proverbë të thjeshtë me origjinë nga Kebeku kanadez, e cila thotë se Dashuria mposht Policinë… Ç’farë paradoksi i madh! Pasi, në intrigën e “MALLIT TE PASHUAR” të autores Vilhelme Vranari ndodh e kundërta. Mos vallë ka bërë gabim shkrimtarja?! Pasi, krejt ndryshe, në rreshtat e novelës paraqitet që, pikërisht, Policia arrin të mposhtë Dashuritë… ca më shumë, ato të natyrës idilike apo romantike.

Ende i gjendur nën trysninë e impresionit të librit të mësipërm, duke folur për agjentë policie që arrijnë të merren madje edhe me çensurim ndjenjash të zjarrta, të materializuara e shprehura në letra të dashuruarish, sërishmi nga fondi i pamatë i letërsisë botërore, mendja më shkon te një zyrtar i zellshëm si Zhaveri i famshëm i Viktor Hygosë. Për të realizuar intrigën e novelës Vilhelmja shtrëngohet të shkulë e nxjerrë me gjithë rrënjë nga bota e nëndheut, apo nga analet e shpirtrave të qelbëzuar të ish sigurimsave shqiptarë, pikërisht një lloj zyrtari të tillë, ekzemplar, tepër të zellshëm, njësoj si ai i mësipërmi. Nuk mund të mos përdoret në këtë rast i njëjti karakterizim që është përdorur për Zhaverin e famshëm, simbol…”Në këtë mënyrë, thuhet për fshatarët e Asturies në Francë, se ata janë të bindur se ndër kulishët e çdo ulkonje në pyll, patjetër do të gjendet një qen i cili kur të rritet do të shqyejë vëllezërit e tij. I jepni këtij qeni një fytyrë njerëzore dhe ky do të jetë Zhaveri.”

Duke kaluar, natyrisht jo me sukses të madh, prej botës së kafshëve në atë të njerëzve të kompromentuar nën diktaturë ku, për fat të keq, ende sot, preferojnë të qëndrojnë moralisht të pandryshuar plazma të tëra amorfe, vlen të vihet në dukje se, kur njerëz të pa thelluar u thirrën për të venë në praktikë parimet e famshme të Luftës së Klasave, ndodhi një nga vllavrasjet më gjigande në historinë e njerëzimit. Me fjalë të tjera, Zhaveri u imitua, u hyjnizua e u ngrit në pjedestal në Shqipëri e gjetkë… Ashtu i krekosur, u gjend dita ditës më i gjigandizuar, koracuar e moralizuar me pllaka çeliku në gjithë Botën Komuniste!

Duke e parë akoma më në thellësi novelën “NJE MALL I PASHUAR”, nuk mund të ndodhte ndryshe, autorja e librit u bë shkak gjithashtu për mua, të më sillte ndër mend të famshmen Hannah Arendt, një filozofe amerikane me origjinë hebre – gjermane e cila asistoi në gjyqin e njerit prej kriminelave më të mëdhenj të botës si Adolf Aihman në Izrael. Konkluzioni i kësaj mendimtareje moderne me famë botërore është se ky person, përveç që u tregua një vrasës i skajshëm, përbën njëkohësisht edhe njeri veçanërisht banal, në trajtën e një funksionari tepër të zellshëm, i nënështruar deri në palcë ndaj autoritetit nazist, i paaftë për të dalluar të mirën nga e keqja, duke vijuar deri në përmbysjen e regjimit hitlerian, të mos mbante kurrë një veprim kritik ndaj akteve të tij çnjerëzore e vdekjeprurëse. Sipas Hannah Arendt një qëndrim i tillë është i pafalshëm. Pa tentuar në asnjë mënyrë të shfajësojë Haimanin, filozofja në fjalë, ndonëse këtë titull për veten e saj ajo nuk e pranoi kurrë, nxorri në dritë një tezë me vlerë universale për gjithë natyrën njerëzore. Arendt prononcoi diçka me të vërtetë të tmerrshme: “Se ndjenjat çnjerëzore banojnë te sejcili prej frymorëve të këtij planeti të quajtur Tokë. Filozofja insiston… Te pothuajse çdo qënie humane! Konkretisht, Hannah thotë se, në një regjim diktatorial, ata që zgjedhin të kryejnë aktet e një terrori të dhunshëm, nuk janë të ndryshëm nga ata që nuk gjejnë në vetvete forcën morale për të reflektuar me mendje të qetë e pa terror në zemër, për të keqen që i rrethon. Sipas Arendt, e keqja vjen nga mungesa e forcës për të menduar. Me fjalë të tjera, ajo dallonte monstruozitetin e Adolf Aihman pa eklipsuar aspak atë invadimin e pamëshirshëm të burokratëve të lartë apo të thjeshtë të sistemit diktatorial në trajtimin e familjarëve të nderuar…”

Çdo njeriu të ndershëm në Botë, një zbulim i tillë, nuk mund të mos jetë në gjendje ti provokojë një rrënqethje të thellë… Këtu qëndron gjithë thelbi. This is the question!

Konkretisht, për të nxjerrë konkluzione morale nga novela e Vilhelme Haxhirajt, një ditë prej ditësh, në se të mbijetuarve të kompromentuar e poshtëruar deri në palcë nga Diktatura Gjysëmshekullore, do të tentonte t’i kapte ndonjë krizë, për t’i restauruar vetvetes një fije moraliteti, jo më shumë, në përpjekje për të hapur sado pak shpirtin ndaj gjërave të bukura që ofron jeta, mbinjerëzit e saj të rrallë, poezia apo letërsia, madje, kjo vlen ca më shumë për poetët e shkrimtarët e papenduar e pa tru e pa kokë që sot shesin dërckla në faqet elektronike të internetit shqiptar, këtë lloj kalibri burokrati të fshehtë e keqbërës, të zbërthyer nga Hanna Arendt, do ta gjejmë në faqet e librit “NJË MALL I PASHUAR” të autores vlonjate. Duhet të na verë në mendime. Eshtë pikërisht një lloj tipi i tillë, tejet i rrezikshëm, që është bërë shkak të ndajë për së gjalli dy heronjtë e dashuruar të novelës në fjalë. Sa mirë do të qe, të ekzistonte vetëm ky gjynah për gjithë Zhaverët e botës apo për tërë farën e tyre amorale!..

Parë në këtë prizëm, sa e kotë dhe pa kurrfarë vlere në praktikë shfaqen qiejt e kaltër apo poezia e Muzave që frymëzuan dikur një gjeni të jashtzakonshëm si Sofokliu te tragjedia e tij me famë botërore Antigona! Në një botë infernale, nëntokësore, diktaturash vllavrasëse, sa shumë gjendet i eklipsuar Dielli, së bashku me yjet e tij të rrallë e të pashuar të ndershmërisë njerëzore!… Bëhet fjalë në këtë rast për nocionin e mirënjohur filozofik “Banaliteti i së Keqes”. Ka të drejtë shkrimtari i dëgjuar Milan Kundera kur bën fjalë për lirizmin pa kuptim të atyre që, ndonëse dolën nga ujërat e zeza të nënështrimit shpirtëror, vijojnë të luajnë komeditë e tyre prej buratini, sikur asgjë e keqe nuk ndodhi me ta dhe personalitetin e tyre të mjeruar gjatë gjysëm shekulli varfërie dhe poshtërimi ekstrem.

Do të dëshiroja në këtë rast të ftoja gjithë lexuesit shqiptarë të lexojnë novelën e shkrimtares Vilhelme Vranari Haxhiraj. Do të gjejnë aty një love story apo dashuri romantike të pa realizuar, të dënuar nga diktatura ku inkuizitori i dikurshëm, njësoj si një mi në përgjim për të luajtur me rrezet e dritës, nxjerr kokën nga vrima e tij e kredhur në errësirë, për të thënë: “edhe unë, nuk mund të mos jem pjesë, jo vetëm e intrigës letrare por, njëkohësisht, edhe një trajtë e përulur zvaraniku të përjetshëm në një botë të çuditëshme, ku më ra pjesë për të jetuar.”

E ku, më pas, siç përmend Shekspiri i Madh te Hamleti i tij i famshëm, kurrë nuk mund të dimë se çfarë ëndërrash do të na bien sërishmi në pjesë për të përjetuar

Comments

Popular posts from this blog

Legjenda e Mujit dhe Halilit

Ese për Vitin e Ri