Shqiptarët nëpër dekada: Çfarë kaluan ata në vitet 1915, 1925, 1935… 2015!

Në çdo festë të Vitit të Ri, është si traditë të bëhet një përmbledhje e ngjarjeve që kanë shënuar vitin që po lëmë pas. Derisa në përmbledhjen e vitit të kaluar – për shqiptarët nëpër dekada – u tha se çdo vit që përfundon me numrin katër ishte i keq po jo sikur ai që vjen me numrin pesë, atëherë viti 2016 mbase do të jetë shpresëdhënës. Sepse, më keq s’bëhet, apo jo?! Mbase, ka shpresa të bëhet edhe më mirë, sepse jemi popull i lashtë e me gajret! Por, se në çfarë kanë kaluar shqiptarët në vitet që kanë mbaruar me pesë, në 100 vitet e fundit, lexoni më poshtë.



AGRON SHALA

1915: SHQIPTARËT – TË PUSHTUAR E PIKË E PESË ME NJËRI-TJETRIN, ME BOTËKUPTIME EKSTREMISTE ISLAMIKE SHQIPONJËN E QUAJNË SORRË, E MADJE SYNOJNË TA ZHBËJNË EDHE SHQIPËRINË E CUNGUAR…
Bota është në flakë, në një luftë masive që kurrë njerëzimi më parë nuk e kishte përjetuar. Pasi serbi Gavrilo Princip më 28 qershor 1914 vrau në Sarajevë trashëgimtarin e fronit perandorak austro-hungarez, Franz Ferdinand, nisi ajo që njihet Lufta e Parë Botërore.
Princip ishte pjesëtar i grupit terrorist serb “Dora e Zezë”, që udhëhiqej nga koloneli serb Dragutin Dimitrijeviq, i njohur me nofkën Apis. Ky i fundit ishte ai që në qershor të vitit 1903, në mënyrë mizore vret mbretin serb, gruan e tij, kryeministrin dhe ministrin e Mbrojtjes të Serbisë.
Arçiduka Franz Ferdinand dhe gruaja e tij Sophia, në Sarajevë, ditën që do të vriten nga serbi Gavrilo Princip
Mbreti i deriatëhershëm serb, Aleksandër Obrenoviq, njihej më shumë për politikat e tij pro Austro-Hungarisë dhe pro Gjermanisë që po etablohej si fuqia më e madhe në Evropë. Ndërsa, Apisi donte që politika serbe të jetë e anuar si gjithmonë kah “nëna Rusi”. Kështu, me këtë atentat, më 1903 merr fund dinastia e Shtëpisë së Obrenoviqëve, ndërsa në pushtet – nga ekzili – vjen Shtëpia e Karagjorgjëve, në krye me Petrin e I-rë Karagjorgjeviq.
Karagjorgjët, sipas vet historianëve serbë, ishin me origjinë shqiptare. Këtë nuk e kishte mohuar as ky Petri. Por, në Betejën e Kumanovës (23-24 tetor 1912), gjatë Luftës së Parë Ballkanike, u thotë ushtarëve të tij: “Mos shpenzoni plumba për shqiptarët – vritini me stupc”!
Lufta e Parë Botërore zbërthen më së miri politikën serbe, që nuk ka ndryshuar deri në ditët e sotme: herë me Lindjen e herë me Perëndimin. Si sot, 100 vite më vonë: mes BE-së dhe Rusisë Ndërsa, qëllimi i tyre, që shprehet më së miri tek Atentati i Sarajevës, ishte krijimi i Serbisë së Madhe.
Serbia nga Lufta e Parë Botërore – që mori jetët e mbi 17 milionë njerëzve dhe 20 milionë të tjerë ishin të lënduar – doli fitimtarja më e madhe: pos që kishte pushtuar më parë Kosovën me Sanxhakun e Maqedoninë, ajo ia shtoi vetes Bosnjën dhe Hercegovinën, Vojvodinën, e madje shtetin e Malit të Zi (pasi e detyron të abdikojë mbretin Nikolla i I-rë Mirkov Petroviq Njegosh). Po ashtu, e futi nën kontroll Slloveninë dhe Kroacinë. Ndërsa, pas çdo lufte, ndonëse kanë bërë krime, Serbia gjithmonë e ka luajtur rolin e viktimës dhe del fitimtare.
Tërheqja e Ushtrisë serbe nëpër Dukagjin
Dëshmi për këtë është edhe një ngjarje që ndodhi 100 vite më vonë. Në Galerinë Kombëtare të Arteve, nën organizimin e Agjencisë Kombëtare të Bregdetit dhe Ambasadës serbe në Tiranë, më 2015 hapet ekspozita për “humbjet e Ushtrisë serbe në tokat shqiptare më 1915”. Fjala është për atë që serbët e quajnë “Golgota shqiptare”, ku Ushtria serbe pëson humbje nga gjermanët, nga austriakët e nga bullgarët dhe kalon në Selanik përmes tokave shqiptare. Më 25 nëntor 1915, Ushtria serbe tërhiqet përmes Pejës, Gjakovës e Prizrenit për në Shkodër, e pjesa tjetër përmes Dibrës e Strugës për në Elbasan! Kudo që shkelën ata – në Kosovë, në Mal të Zi, në Maqedoni e në Shqipëri – bënë masakra ndaj shqiptarëve. Por, fatkeqësisht, Auron Tare, drejtor i Agjencisë së sipërpërmendur, me këtë rast tha: “Historiografia serbe flet për rreth 200 mijë serbë të zhdukur në malet dhe moçalet shqiptare. Për shkak të humbjes masive të jetës, kjo tërheqje e Ushtrisë serbe nëpër Shqipëri konsiderohet si tragjedia më e madhe në historinë e kombit të tyre”. Për më keq, Tare e tha edhe këtë fjali: “Ekspozita organizohet në kuadër të 100-vjetorit të Luftës së Parë Botërore dhe ka të bëjë me një ngjarje historike shumë interesante dhe aspak e njohur nga publiku shqiptar”!
Tmerrin që kanë bërë serbët më 1915, e njohin shqiptarët – për dallim nga Tare. Madje, e njohin edhe këtë propagandë serbe që ai e quan “ngjarje historike shumë interesante”. P.sh. në Wikipedia serbët shkruajnë se në këtë tërheqje, “nga uria, të ftohtit, sëmundjet dhe luftimet me shqiptarët ranë mbi 240 mijë njerëz”! Tokat shqiptare kështu projektohen si varr masiv serb, e sipas mitit të Serbisë së Madhe – “ku ka varre serbe, ato janë toka serbe”! Nga kjo kohë lind edhe thënia e tyre e “famshme”: “Askush s’e di çka janë mundimet e mëdha, nëse nuk e ka kaluar Shqipërinë në këmbë”!
Ushtarët serbë duke luftuar me malësorët shqiptarë
Viti 1915 ka mundur të ngjallë pak shpresë tek shqiptarët, kur më 15 tetor Austro-Hungaria – perandoria që mbante anën e shqiptarëve – nisi të invadojë Serbinë. Mu për këtë, ky vit ka qenë më i rëndi për Serbinë. Por, diplomacia dinake serbe tash luan prapë rolin e ndërmjetëm: mes Boshtit Qendror (Gjermanisë dhe Austro-Hungarisë) dhe Antantës. Kështu, më 1917, Apisi, si personi më i fuqishëm në Serbi, akuzohet për gjoja komplot kundër regjentit Aleksandri i I-rë Karagjorgjeviq (babanë e të cilit mu ai e solli në pushtet). Ai gjykohet dhe ekzekutohet, për t’u shfajësuar kështu Serbia para austro-hungarezëve se gjoja ky shtet nuk ishte i përzier në Atentatin e Sarajevës dhe se, për rrjedhojë, nuk ishte fajtore për fillimin e Luftës së Parë Botërore. Serbia madje ia dërgon Shtatmadhorisë austro-hungareze tërë procesverbalet e gjykimit dhe të pushkatimit të Apisit – të vulosura dhe me dërgesë speciale. Këtë e bënin në kohën kur bota besonte se Boshti Qendror ishte i pamposhtur dhe fitues i Luftës. Pra, Serbia donte të ishte në anën e fituesit! Diplomaci se jo mahi, diçka që u mungon edhe sot shqiptarëve!
Në vitin 1915, tokat shqiptare ishin të copëtuara. E, ky vit identifikohet edhe me atë që njihet si Traktati i Fshehtë i Londrës, apo plani për të zhdukur edhe atë copë të Shqipërisë së cunguar nga harta e Evropës. Sipas këtij plani kriminal, që do të zhdukte qenësinë shqiptare, parashihej që edhe pjesa veriore e Shqipërisë së cunguar – që përfshin Malësinë në veri, Dibrën në Lindje, pjesën deri në qytetin e Lezhës në perëndim dhe deri te qyteti i Krujës – t’i jepet Serbisë dhe Malit të Zi. Po ashtu, parashihej që Serbisë t’i jepej e drejta të projektojë dhe ndërtojë linjën hekurudhore Danub-Adriatik. Traktati parashihte formimin e një Shteti Islamik Shqiptar, me një territor shumë të vogël të mbikëqyrur nga Italia. Italia po ashtu do të merrte territorin jugperëndimor që përfshin Vlorën dhe ishullin e Sazanit. Ndërsa, Greqia do të merrte pjesën jugore të Shqipërisë.
Ushtarët serbë nëpër Shqipëri
100 vite më vonë, Serbia po e realizon disi planin që përmes autostradës Nish-Merdare-Durrës të dalë në bregdetin shqiptar.
Në vitin 1915 shqiptarët janë si gjithmonë të përçarë. Vendi ishte në kaos total. Gjithçka lidhej me atë që nisi më 1914 si një kryengritje shqiptare kundër Princit gjerman Wilhem Wied, e që u shndërrua në tmerr, sepse shqiptarët si gjithnjë janë pikë e pesë e pa vizion. Në këtë kohë, shqiptarët – edhe pa ndihmën e atij Traktati të Londrës – për pak sa nuk e shkatërruan tërësisht veten.
Haxhi Qamili
Kryengritja kundër Wiedit – ndonëse tri të katërtat e popullatës të të gjitha besimeve e donte më 1914 një princ të krishterë – nis nga famëkeqi Esat Pashë Toptani, i cili më 1913 ia kishte dorëzuar Shkodrën Malit të Zi. Toptani argat e kishte Haxhi Qamilin, i cili me termet e sotme mund të cilësohet si një ekstremist e terrorist islamik. Qamili e urrente edhe flamurin kombëtar shqiptar, e madje shqiponjën dykrenëshe e quante sorrë.
Probleme të tilla me flamurin kombëtar kishte edhe në kohën e shpalljes së pavarësisë, në nëntor 1912. Ishte Isa Boletini ai që me ushtarët e tij nga Kosova i vetëdijesoi me dajak të gjithë ata që në Vlorë e kundërshtonin shqiponjën dykrenëshe dhe ngjyrat kuqezi, e që i sillnin kështu probleme edhe Ismail Qemalit.
Kosova sot, si shtet e si epiqendra e dikurshme e rezistencës dhe lëvizjes për pavarësi të Shqipërisë, ka simbole tjera dhe po ashtu ka kundërshtarë të flamurit të saj me hartën me gjashtë yje. Fatkeqësisht, kudo ku jetojnë shqiptarët në Ballkan, ka edhe individë që më shumë preferojnë gjysmëhënën se flamurin kombëtar, me arsyetimin se me të “Skënderbeu i krishterë ka vrarë myslimanët”!
Por, të kthehemi tek kryengritja që filloi më 1914 e që vazhdoi edhe më 1915. Atëherë shqiptarët e Shqipërisë, të bërë pikë e pesë për pushtet, luftojnë kundër atyre të Kosovës. Pse? Sepse ata nga Kosova, të udhëhequr nga Hasan Prishtina, Isa Boletini e Bajram Curri, ishin mbështetës të Wiedit, pra ishin vizionarë properëndimorë. Ndërsa, Esat Pasha e Haxhi Qamili ishin për kthimin e otomanëve, që ajo Shqipëri e cunguar të jetë pashallëk nën sundimin e tyre. Kështu, këta të fundit, më 3 qershor 1914, simbolet kombëtare shqiptare i zëvendësojnë me simbolet otomane, e më 1 shtator 1914 ky flamur i huaj ngrihet në Vlorë. Vendi ishte në kaos: vriten, burgosen dhe torturohen çdo ditë intelektualët, shqiptarët katolikë, tregtarët, civilët e pafajshëm, shkatërrohen shumë objekte kulti… Pra, historia shqiptare ka dëshmi të errëta të mungesës së tolerancës fetare, që përmendet shpesh si element pozitiv kombëtar. 100 vite më vonë, shkuarja e shqiptarëve për të luftuar krah ushtrive terroriste të Shtetit Islamik, fatkeqësisht vazhdon ta dëshmojë këtë.
Esat Pasha me ushtarakë të lartë serbë
Në Luftën e Parë Botërore, Turqia ishte pjesë e Boshtit Qendror. Por, kur Serbia futet në Shqipëri, Esat Pasha pozicionohet gjoja kah Antanta. Kështu, me serbët si pushtues, kryengritja merr fund. Më 8 qershor 1915, Haxhi Qamili arrestohet në Shijak nga forcat serbe dhe me 16 gusht 1915 varet bashkë me 40 fshatarë të tjerë.
Gjatë gjithë kohës së kryengritjes, Esat Pasha si kryeministër i vendit, mbante lidhje me Serbinë nga e cila merrte ndihma në para dhe armatime. Në këto kontakte Serbia ishte e interesuar më së shumti për shkatërrimin e veprimtarisë së shqiptarëve të Kosovës, në krye me Hasan Prishtinën. Faqezinjtë e tillë si Toptani, shqiptarët do të kenë gjithmonë në histori.
Shqiptarët i kishin llug punët kudo më 1915, por kjo nuk i ndaloi të merrnin pjesë në Luftën e Çanakkalasë, më 1915, kundër ushtrive angleze. Ndonëse me Çanakkalajën është fillimi i fundit të Perandorisë Osmane, që do të hapte rrugën për Luftën Çlirimtare dhe Republikën e Turqisë në krye me Kemal Ataturku, 100 vite më vonë shqiptarët e duan Turqinë e nuk e dinë pse! Njëjtë si në vitin 1915. Ataturku në Çanakkala vinte themelet e një shteti laik që do të zhbënte edhe Kalifatin, e në Shqipëri Haxhi Qamili synonte Sheriatin!
Shqiptarët në Çanakkala
“Fatmirësisht”, dilemat u “zgjodhën” 100 vite më vonë, kur kryemami i Pejës, Enes Goga, i cili më 2014 ka qenë i arrestuar nga Policia i Kosovës si i dyshuar për propagandë të islamit radikal dhe terrorizëm, u deklarua properëndimor e tha se “ai që mendon se Kosovën duhet me bë Sheriat, ai nuk jeton në përputhje me realitetin”! Kjo është edhe një dëshmi se si shqiptarët lehtë ndërrojnë bindjet, nga një ekstrem tek tjetri!
Ngjarjet që shënuan botën më 1915 ndërlidhen edhe me të sotmen. Kështu, më 12 janar në SHBA realizohet telefonata e parë në distancë. Kontrolli i mjeteve të komunikimit sot është fuqi. Po në këtë vit lindi regjisori i madh Orson Welles, i cili me filmin e tij, më të madhin në historinë e kinematografisë, “Citizen Kane”, ilustroi po ashtu fuqinë e mediave.
Më 8 shkurt po në SHBA jepet premiera e filmit kontrovers “The BIrth of a Nation”, e regjisorit me nam D.W.Griffith. Ky film i paraqet pozitivisht ekstremistët e Ku Klux Klan-it tek mbrojnë të bardhët (pas Luftës Civile Amerikane) nga elementet e “errëta” të zezakëve – term ky sot përçmues e që zëvendësohet me njerëz me ngjyrë. 100 vite më vonë SHBA-të do të tronditen me lajmet e vrasjes së njerëzve me ngjyrë, pa pikë faji, nga forcat policore.
Më 11 prill jepet premiera e filmit “The Tramp”, e gjeniut Charlie Chaplin. Ndërsa, më 18 nëntor jepet premiera e filmit “Inspiration”, ku paraqitet tërësisht nudo Audrey Munson. Jeta e Munsonit është ndër më tragjiket. Ajo ishte muza që pozoi për skulptorët e njohur për realizimin e 50 statujave më të famshme edhe sot në New York. Por, një gënjeshtër e një paranojaku që vrau gruan e tij gjoja se ishte në lidhje me Munsonin, e bëri muzën më të madhe të artistëve të anatemohet e që 65 vite të jetës t’i kalojë në çmendi. Filmi i saj ishte kontrovers më 1915, por sot bota ka ndryshuar dhe nudo në filmat perceptohet ndryshe.
Më 24 prill Perandoria Otomane nisi gjenocidin kundër popullatës armene, një problem dhe njollë që Turqia sot nuk mund ta pastrojë. Por, ky shtet vazhdon që 100 vite ta mohojë. Po këtë vit, kjo perandori e humbi edhe Gadishullin Arabik, sepse për luftën kundër turqve, Perandoria Britanike e njohu pavarësinë e Mbretërisë Arabe.
Enver Hoxha shtrin duart e tij te Hysni Kapo (majtas) Mehmet Shehu. Në foton e bërë më 1979 shihet edhe Ramiz Alia, pak më larg tyre
Enver Hoxha with arms around Central Committee Secretary Hysni Kapo (L) and Prime Minister Mehmet Shehu (R), with Central Committee Secretary Ramiz Alia at …
Në vitin 1915 lindën dy komunistë shqiptarë: Hysni Kapo në Shqipëri dhe Hazir Haziri (Koka) në Kosovë që pakkush e hiq e njeh. Lindi po ashtu intelektuali Yzeir Ismaili, i cili ka kryer Fakultetin e Arkeologjisë në Grac të Austrisë e që u vra pikërisht nga kjo ideologji e keqe. Më 1915 lindi edhe Géraldine Margit Virginia Olga Mária Apponyi de Nagy-Appony, gruaja e Ahmet Zogut që më vonë e shpall veten Mbret të Shqiptarëve, si dhe Mahir Domi – gjuhëtar, profesor, akademik, Mësues i Popullit.
Po këtë vit, në Gjirokastër vritet atdhetari e veprimtari i shquar i Rilindjes, udhëheqës i luftës së armatosur të çetave kundër sunduesve osmanë për çlirimin kombëtar të vendit, Çerçiz Topulli, si dhe Anton Xanoni i cili tok me Ndre Mjedën ishte anëtar aktiv i shoqërisë letrare “Agimi”, që punonte për nxitjen e përdorimit të gjuhës shqipe në letërsi, sidomos me një alfabetin e ri me shkronja latine.
Çerçiz Topulli
Më 1915 lindi edhe ylli i muzikës botërore, Edith Piaf. 100 vite më vonë shqiptarët e kanë një yll me përmasa globale – Rita Orën.
Më 1915 përkohësisht pezullohet plani serb për shpërnguljen e tërësishme të shqiptarëve nga Kosova dhe zëvendësimin e tyre me kolonë serbë. Një vit më vonë formohet Republika (franceze) e Korçës, si krijesë për të ndaluar pushtimin grek. Por, ajo shuhet me tradhti dhe luftë të ultë për pushtet të shqiptarëve, që çojnë në vrasjen e patriotit Themistokli Gërmenji.
Themistokli Gërmenji
Po këtë vit ndodh e ashtuquajtura Ofensiva e Kosovës, që nis me 10 nëntor e mbaron më 4 dhjetor. Bullgarët mundin serbët, po për shqiptarët asgjë e mirë këtu, sepse një pushtues i keq zëvendësohet po ashtu me një pushtues tjetër të keq. Bullgarët pushtojnë shqiptarët edhe në Maqedoni e deri në Pogradec. Tash fillon “koha e bugarit”, e koha e shqiptarit është larg, shumë larg. Ndërsa, lakminë, tradhtinë e budallallëkun, do ta kenë përherë pranë edhe në 100 vitet e ardhshme.
Shqiptarët mbi urën e Ibrit (1915)
Kaçaniku (1915)
Prishtina (1915)
1925: ZOGU KTHEHET NGA JUGOSLLAVIA, NIS PËRNDJEKJA E KUNDËRSHTARËVE…
Në Shqipëri më nuk ka konflikte me baza fetare, sepse shqiptarët e besimit islam sunit, më 1923 ndërpresin lidhjet e fundit për bindje ndaj Perandorisë Osmane, duke u zotuar për besnikëri ndaj mëmëdheut. Një vit më vonë, më 24 dhjetor 1924, forcat e Ahmet Zogut futen në Tiranë, me ndihmën e Mbretërisë së Jugosllavisë ku Zogu kishte gjetur strehë.
Kabineti qeveritar i Xhaferr Ypit (1922): Spiro Koleka, Fan Noli, Haki Tatzati, Mehmet Konica (nuk ishte ministër), Xhaferr Ypi, Ahmet Zogu, Hysen Vrioni dhe Kolë Thaçi. Më vonë këta do të bëhen copa e grimë!
Në pushtet erdhi kabineti qeveritar i Iljaz Vrionit. Vrioni ishte kryeministri i 13-të (nga 27 maji deri më 10 qershor 1924) dhe i 15-i (nga 24 dhjetori 1924 e deri më 5 janar 1925). Më 6 janar të vitit 1925, Ahmet Zogu formoi Qeverinë e re të kryesuar prej tij. Nga ky moment, Zogu do të jetë sundimtar absolut i Shqipërisë – deri me pushtimin italian më 1939.
Asambleja Kushtetuese, e zgjedhur në dhjetor të vitit 1923, i rifilloi punimet më 21 janar 1925. Ajo shpalli Shqipërinë për Republikë dhe më 31 janar e zgjodhi Zogun president, por që ushtronte edhe postin e kryeministrit.
Bajram Curri i vrarë
Me këtë rast, shumë kundërshtarë të Zogut migrojnë. Disa edhe vriten, si më 1925 Luigj Gurakuqi e Bajram Curri (dhe i nipi Hysni Curri nga Komiteti “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës”), që njiheshin si mbështetës të Fan Nolit. Ndërsa, Hasan Prishtina vritet më 1933. Për këto vrasje, ndonëse ka versione të ndryshme, thuhet se prapa qëndronte Ahmet Zogu.
E braktisur dhe e nëpërkëmbur nga Qeveria Zogu, vdiq në Fushë Krujë më 3 korrik 1927 edhe Shote Galica, gruaja e patriotit dhe luftëtarit të madh nga Kosova, Azem Galica.
Pra, shqiptarët e Kosovës në periudha të caktuara persekutohen nga Ahmet Zogu e më vonë edhe nga Enver Hoxha. 90 vjet më vonë, Albin Kurti i Lëvizjes Vetëvendosje, më 28 nëntor 2015 thotë se “Bashkimi kombëtar nuk ka alternativë”. Por, është diskutabile nëse shqiptarët andej e këndej kufirit janë të interesuar për bashkim, përderisa interesat personale gjithmonë kanë mbizotëruar tek ato kolektive. Bile, Shqipëria me vite e anatemoi figurën e Hasan Prishtinës, duke mos ia dhënë vendin e merituar këtij patrioti, intelektuali e luftëtari të kauzës për pavarësinë dhe bashkimin kombëtar. Tek në vitin 2014, presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani, e nderoi atë me “Dekoratën e Flamurit Kombëtar”.
Më 18 tetor 1925 lindi në Shkodër komunisti Ramiz Alia, që sundoi Shqipërinë pas vdekjes së Enver Hoxhës, deri në rënien e diktaturës më 1991. Më 21 korrik 1925 në Temal të Shllakut lindi edhe shkrimtari e albanologu Martin Camaj, që u detyrua të ikte nga ky regjim në fillimisht në Pejë, pastaj në Beograd e Sarajevë ku jeton një kohë, e në fund në Romë.
Ramiz Alia
Më 1925 Benito Mussolini forcon pushtetin si diktator i Italisë, i cili do të punojë në drejtim të nënshtrimit ekonomik dhe pushtimit të Shqipërisë.
İsmet İnonu më 4 mars bëhet kryeministër i Turqisë, ndërsa inaugurimi i presidentit amerikan, Calvin Coolidge, transmetohet për herë të parë në radio.
Më 1 maj 1925 shkatërrohen mauzoletë në al-Baqi nga mbreti Ibn Saud (Lanati). Po këtë vit shkatërrohen edhe varret e personave të shenjtë në varrezën Mualla në Mekë, ku ishte varrosur gruaja e parë e profetit Muhamed, Hatixheja, gjyshi i tij dhe paraardhësit tjerë. Për këtë ka reaguar Komuniteti Ndërkombëtar Islamik, njëjtë siç reagohet sot, 90 vite më vonë, për krimet që po kryen Shteti Islamik jo vetëm ndaj njerëzve po edhe ndaj monumenteve historike me vlerë botërore.
Më 18 korrik Adolf Hitler publikon vëllimin e parë të manifestit të tij, “Mein Kampf” (Lufta ime). Mussolini dhe Hitler më vonë do të jenë shkaktarë të Luftës së Dytë Botërore.
Salih Gjuka
Më 28 tetor 1925, në Berat vdes pejani Salih Gjuka – jurist, mësues dhe nënshkrues i Deklaratës së Pavarësisë së Shqipërisë. Ndonëse ishte mbështetës i Fan Nolit, ai vdiq nga tuberkulozi.
Më 1925, shqiptari Osman Zymi hap një ndër studiot e para të fotografisë në Kosovë. Zymi sot nuk kujtohet vetëm për fotografi të qytetarëve të rëndomtë, por për fotografitë e shumë emrave të njohur në atë kohë, sidomos të patriotëve të para dhe gjatë Luftës së Dytë Botërore, si: Xhafer Deva, Rexhep Mitrovica, anëtarët e Ballit Kombëtar etj.
Më 31 dhjetor 1925 Tirana bëhet kryeqyteti i Shqipërisë. Kosova e shumë troje tjera janë të pushtuara në ish-Jugosllavi. Madje, më 1929 Mbretëria e Jugosllavisë e copëton Kosovën në tri njësi administrative: Banovina e Zetës, Banovina e Moravës dhe Banovina e Vardarit.
Edhe më 1925 vazhdon kolonizimi i Kosovës vazhdon, e po ashtu shpërnguljet për Turqi si dhe torturimi i shqiptarëve. Kështu, gazeta beogradase “Rad”, më 5 gusht 1925, shkruan: “Qe disa ditë shtëpitë shqiptare digjen në flakë. Është vështirë të dëgjosh britmën e fëmijëve dhe pleqve që keqtrajtohen dhe merren nëpërkëmbë me qëllim që të plaçkiten… Serbia ka formuar… një provincë me qytetarë të rendit të dytë. Atje kallen fshatra të tëra, vriten shumë njerëz, mizoritë janë të pakufishme. Askush më në këtë vend nuk ka turp. Si kanibal i fundit, pushteti predikon shfarosjen e një popullsie për shkak të urrejtjes fetare dhe nacionale. Askush nuk pyet se kush i shtyri ata njerëz të arratisen. Askush nuk do të shohë se duhet ndaluar policët dhe nëpunësit tanë, që janë fajtorë për gjakun që atje po derdhet që nga ‘çlirimi’. Mirëpo, po predikohen therje e gjakderdhje të reja. Fshatrat shqiptare ngjajnë në kasaphane të vërteta”!
Peja (1925)
1935: PSE?
Në Kosovë vazhdon kolonizimi me serbë e malazezë dhe shpërngulja e shqiptarëve për në Turqi. Kështu, në këtë vit nënshkruhet një marrëveshje për dërgimin e 200 shqiptarëve në Turqi. Ndërsa, në Shqipëri, saktësisht në Laprakë, përfundon ndërtimi i një aeroporti modern që më vonë do të quhet Aeroporti i Tiranës.
Në Shqipëri kryeministër ishte Pandeli Evangjeli. Po këtë vit në këtë post emërohet Mehdi Frashëri.
Xhafer Ypi, Iljaz Vrioni, Mehdi Frashëri dhe Ali Riza Kolonja
Diktatori italian Benito Mussolini veç fillon të shfaq projektet e tij ekspansioniste. Italia pushton Abisininë (Etiopinë), ndërsa Shqipëria do të lihet për vitin 1939. Në fakt, Shqipëria veç ishte futur nën kontrollin italian. Kjo dëshmohet edhe nga Konsulli britanik, Sir Andrew Rayan, i cili ka shkruar se lidhjet britanike po zëvendësohen me ato italiane.
Në vitet ’30 të shekullit bëhen shumë udhëpërshkrime për Shqipërinë dhe shqiptarët, që ende ishin jashtë rrjedhave moderne të kohës, duke jetuar sipas traditave të vjetra të imponuara sidomos nga varfëria. Shqiptarët e prapambetur kështu ishin atraksion për të huajt.
Në këtë vit botohet edhe një libër historik i Pashko Vasës, “E vërteta mbi Shqipërinë dhe shqiptarët”, që vë në dukje se shqiptarët betoheshin për Diell, për Hënë, për Qiell, për dhe, në gur e për elementë të tjerë të natyrës, e jo për perëndi e shenjtorë të krishterimit e të islamizmit. Këtë e kishte vërejtur edhe baroni Franz Baron Nopcsa von Felsöszilvás, i cili thotë se shqiptarët i faleshin Diellit sipas besimit pagan dhe se nderimi i majave të maleve, i disa vendeve të larta në Shqipëri, ka të bëjë me kultin e Diellit. Bile, në zbukurimet e xhubletës së Malësisë së Madhe, në shtroje e gjëra të tjera të qëndisura në Malësi të Gjakovës, është i pranishëm motivi i Diellit në formë kryqi grepç (svastika), që konsiderohet si trashëgimi e shqiptarëve. Sot, sipas botëkuptimeve radikale të krishtera e islame kjo konsiderohet si herezi.

Comments

Popular posts from this blog

Legjenda e Mujit dhe Halilit

Ese për Vitin e Ri