Pse "Klith me neveri", Poeti YLLI MUÇARAKU?


Image result for perparim hysi


Nga Përparim Hysi

As e njihja dhe as kisha dëgjuar për Ylli Muçarrakun. Para dhjetë ditësh isha në muzeun e Fierit dhe në zyrën e drejtorit të këtij muzeu, pashë dy libra me autorë Ylli Muçarakun. Ndjesia ime për libra është ajo e një miturakeje në një pavijon me kukulla. Edhe në mos i ble dot, do t'i zë me dorë. Kështu ndodhi dhe në zyrën e drejtorit, mikut tim, Nuri Plaku.
Nuri Plaku është poet, prozator dhe estet perfid. Kur pa që të dy librat po i mbaja në dorë, më tha:- I ka shkruar Ylli Muçaraku. E njeh?
Kur pa që ngrita supet, shtoi:- Është poet shumë i mirë. Po t'i dhuroj unë dhe, kur t'i lexosh, do bindesh dhe vet. Dhuratat ( po kush nuk i pranon, xhanëm?), i pranova me shumë kënaqësi dhe, kur do të ndaheshim, më tha:- Ka ardhur nga Amerika Shpëtim Kastrati dhe, pas pak, do shkojmë që të pimë ndonjë godë. Edhe Shpëtim Kastarati është poet dhe prozator dhe, njëkohësisht, miku im.
* * *
Pra, do ishim tre miq. Si "Tre shokët" e Remarkut. Unë e Shpëtimi u takuam dhe zumë vend tek klubi, në pritje të Nuriut.
Nuriu erdhi dhe nuk qe i vetëm. Ishte me një djalosh të panjohur. Kur hynë brenda, Nuriu na e prezantoi të pajohurin.
- Ja,- më tha mua,- ky është ai, Ylli Muçaraku.
U përshëndetëm me të dhe unë e falnderova për librat.
Ou,- bëri Ylli,- pse i paske marrë librat e mi?
Po,- i thashë,- dhe, pasi t'i lexoj, ndoshta shkruaj për to.
- E kam poezinë të "zymtë" unë,- tha si i drojtur. Dhe vazhdoi:- Më pëlqen shumë Dostojevski, por dhe Majakovski. Mandej zuri dhe mbante "lexione" për Uliam Blejk, për Sharl Bodlerin; për Alen Ginsberg sikur të ishte një"aspirant" që do mbronte një temë doktorature. Dy miqtë e tjerë të tavolinës, dëgjonin me prudencë ligjëratën e tij, po vallë a mbahem unë? Në çdo tavolinë, unë kam nevojë për fre dhe jo për shtyrje. Sapo u kisha hedhur nga një sy përciptas poezive të tij dhe ia prita:- Po ku është "zymtia" në poezitë e tua?
Nuri Plaku, si për ta mbështeturYllin, ndërhyri:
- Ka pësuar një aksident në Greqi dhe kjo e ka kufizuar, paksa, që të bëhet më shumë me njerëzit dhe tërë kohës rri mbi libra.
Natyrisht, kjo ese imja nuk ka për objekt që të merret me "aksidentin" fatal që i ka shkaktuar jo pak pasoja, por ka për qëllim që të tregojë se YLLI MUÇARAKU, jo vetëm është Poet, por me plot gojën është fat për poezinë shiptare.
* * *
Kurrë nuk shkruaj me apriori dhe kurrë me superlativa, nëse iks autor apo autore nuk i meriton ato që shkruaj. Kur marr të shkruaj për YLLI MUÇARAKUN, mendja ime zë arratiset në kohë dhe vete e qëndron mu në Bashkimin Sovjetik të kohës së sovjetëve me passtalinianë si:Hrushovi e Brezhnjevi e Co... Rronte aso kohe dhe shkruante poezi perfide, poeti i ri, Josif Brodski. Çuditërisht ky poet i bukur,ende nuk e kish bërë shkollën e lartë dhe, ndërsa e pushonin sa nga një punë në tjetrën, një ditë prej ditësh, e nxorën në gjyq.
-Ç'punë bën?- pyeti plot nerv gjykatësi.
-Jam poet!- tha plot gojën Josif Brodski.
- Poet ti? Pa shkollë...,- shpotiti gjykatësi.
- Unë e di që poezia është peshqesh nga Zoti,- tha poeti.
Dhe historia dihet si vazhdon. Brodski u arratis nga Rusia dhe sosi në Amerikë, ku për poezi mori çmimin "Nobel".
E solla të gjithë këtë pasazh nga jeta e nobelistit, për t'i mshuar asaj thënie me aq vlerë:-Poezia është peshqesh nga Zoti dhe nuk e luan topi.
* * *
Edhe Ylli Muçaraku nuk e ka shkollën e lartë, por poezinë e ka të sërës së lartë. Ylli Muçaraku banon në fshatin "GRYKË" të Fierit, mu në grykëderdhjen e Semanit në det, por me poezinë e tij vërtet që të çudit. Ai ka shkruar 4 libra me poezi: " Romanca të dashurisë e të dhimbjes","Inkuzicioni modern","Egërsia e absurdit të çmendur" dhe"Klith me neveri". Librin e parë e ka botuar në vitin 1995. Se ç'vlera letrare- artistike ka poezia e tij, e kanë treguar, veç të tjerëve, Profesor-doktor Bardhosh Gaçe, Nuri Plaku apo Alfred Ziu, që, en-bloc, secili sipas gjykimit vetjak, i bëjnë jo vetëm oponencë, por lakojnë meritat e këtij "aseti" në gjininë e poezisë, që "livadhin e muzës" e ka ngritur atje buzëdetit. Dhe më shkon mendja, tutje, larg në kohë, kur De Rada, Poeti më përfaqësues i romantizmit në letërsinë tonë, bënte letërkëmbim me Lamartinin dhe, ky, siç mbaj mend, i shkruante:- Po e kthej poezinë atje ku ka lindur.
Natyrisht, paralelizmat nuk janë kurrë të qëlluara, por, nëse do kini fat që të lexoni qoftë dhe një libër me poezi nga Ylli, kini vërtet për t'u çuditur.
Tek e mendoj Ylli Muaçarakun atje në fshatin e tij, Grykë, me 150 e ca shtëpi, dhe si njohës i vjetër atij terreni, seç më ngjallet apo vjen si një "hije", poeti itlaian i shekullit XIX, Hugo Foskolo, që po del nga pyjet e rrethinave të Parmës dhe si"hije" shkon në ato takimet mbresëlënëse me Konteshën Piatranera. Sidoqoftë, hamendësitë e mia janë pak marroke dhe, nëse e humbas fillin, kjo ndodh se poezia e Ylli Muçarkaut është elite. Kur them elite, nuk është e tretshme për çdo stomak lexuesish. Këtë gjë e ka vënë re shumë mirë dhe Nuri Plaku që, tek lakon një kritik si Filip Larkin, thotë:"... që të kuptohet poezia dhe leximi i saj, është punë e rëndë". Dhe vërtet e tillë është poezia e Ylli Muçarakut. Se, duke e ngulur ballin e bardhë mbi libra, Ylli Muçaraku, ngjet me atë Diogjenin e lashtë të mbyllur në vozën mitike.
Ylli Muçaraku shkruan poezi moderne. I takon asaj shkolle poetike që kanë për "emërues të përbashkët",sentencën: - Të vijë lexuesi tek ne dhe jo ne tek lexuesi. Një nga Kapedanët që e nget anijen e poezisë me këtë sentencë në ballë, është i madhi, MOIKOM ZEQO! Mandej,aq sa e njoh unë poezinë, domosdo, mund të rreshtoj, Petraq Riston, Arqile Gjatën, Shpëtim Kastratin... dhe lista është shumë e gjatë. Kjo poezi është si risi cilësore dhe, tek e lexon, duhet të lëshosh pak djersë të ftohta.
Pra, e tillë është dhe poezia e Ylli Muçarakut.
* * *
"Klithma..." e Ylli Muçarkaut,ngjet me atë kltihmën e makkthit të asgjësë; si diçka eterike që e kërkon, do ta sendërtosh, por nuk mundesh. Herë-herë poezia e tij, duket si një brengë-zhgjendër ( e ngjashme me Bodlerin) apo si një "muzg i brishtë" made in Paul Valery.
Misioni i poetit është që të largojë errësirën apo kaosin që amplifikohet nga shumë faktorë. E vërteta duhet thënë pa dorashka:- Ka pak "ftohtësi" në vargje dhe, po kështu, pak "zymti". Herë- herë absurdi me realitetin sikur i bëjnë karshillëk njëri- tjetrit.
Tek i lexon poezitë, duket sikur pezull mbetet poeti dhe, po kështu, pezull dhe lexuesi. Figurat letrare sikur kanë gjetur "limerin" e tyre: zor se gjen të gjashmin në densitetin e tyre, dhe, siç mendoj, ky është fryt i pasionit të Poetit për të lexuar letërsi të të gjithë zhanreve e deri tek ajo kontemporane.
Për vet kondicionin fizik (pasojë e atij aksidenti fatal), ndjesitë e bukura, pothuaj, se mungojnë. Se në shpirtin e Poetit ka dhimbje, por, në fund të fundit, ai di ta "malcojë" këtë dhimbje me vargje ku mendimi është "plaku që rri tek buxhaku", Dhe kaq nuk është pak. "Tek mendimi vërehet madhështia e njeriut",- ka thënë Blaise Paskal. Të shkruaj më tej, mendoj se vetëm "litari duhet të jetë i gjatë".
I them YLLI MUÇARAKUT:- Je Yll në poezi dhe të uroj që pena të të bëhet plug!

Tiranë, 31 tetor 2016

Comments

Popular posts from this blog

AKADEMIK PROF. DR HAKIFBAJRAMI PH.D : GRUSHTSHTETI IDYTËNDAJKOSOVËS( PAS 23 MARSIT 1989) MË 25 MARS 2020

Legjenda e Mujit dhe Halilit