Miklós Radnóti* (1909-1944) : Dhe ende s’kam arritur të të përshkruaj...

Image result


Gjatë, shumë gjatë, o dashuri, jam përgatitur
të të shpall yjësinë e fshehtë të dashurisë sime
padyshim thjesht një imazh të vetëm, madje thelb.
Si vetë jeta ti më mbush me ndjenjat e tua përmbytëse
dhe nganjëherë kjo është jashtë kohës, e sigurtë :
e përjetshme si guacka e fosilizuar në gur.

E mëndafshtë, si mace, nata hënëplotë mbi kokën time
fillon gjuetinë e vet pas ëndrrash të vogla zë mbytura që fluturojnë.
Dhe ende s’kam arritur të të përshkruaj
sa e rëndësishme është për mua ta ndjej vështrimin tënd mbrojtës,
që nguron mbi dorën time kur punoj.
Krahasimet s’vlejnë gjë. I flak kur mbërrijnë.
Nesër do t’ia filloj nga e para
sepse s’jam e s’vlej veçse nga fjalët e kësaj poeme
dhe orvatjet e mia më mbajnë në këmbë derisa të kthehem në një grumbull kockash dhe tufë qimesh.

Ti je e lodhur. Edhe për mua qe një ditë e gjatë.
E ç’mund të them më tepër ?
Shiko, këto sende shkëmbejnë vështrime për të të thurur lavde ty,
një copë sheqeri këndon mbi tavolinë,
një pikë mjalti bie, dhe si një topth ari i fortë shkëlqen mbi mushama ;
dhe tani befas, një gotë bosh jehon :
është e lumtur që jeton me ty. Mbase do të kem kohë
të të them se ç’do të thotë ta presësh ardhjen tënde.
Të errëta zbresin ca tufa ëndrrash që të afrohen lehtësisht,
e që fluturojnë ende larg dhe të rikthehen mbi ballë.

sytë e tu ende të përgjumur më dërgojnë një lamtumirë të fundit
Ujëvara e flokëve të tu të zgjidhur lëshohet teposhtë. Ti fle.
Hija e qepallave tua të gjata drithërohet butësisht.
Dora jote, si rremb mështekne që prehet, bie mbi jastëkun tim.
Unë mund të fle në gjumin tënd : ti nuk je një botë ndryshe ;
e megjithatë i dëgjoj të gjitha ndryshimet e vizave
të mistershme, të holla dhe të urta
të pëllëmbës tënde të freskët.

26 maj 1943


Comments

Popular posts from this blog

Legjenda e Mujit dhe Halilit

Ese për Vitin e Ri