2017-01-24

CIA ka publikuar dokumente të përmbledhura në rreth 13 milionë faqe, të cilat më parë kishin qenë të klasifikuara si “Top Sekrete”.

Central Intelligence Agency
Në këto dokumente bëhet fjalë edhe për shqiptarët në Ballkan, por edhe për luftën paqësore e më pas edhe të armatosur të shqiptarëve të Kosovës.

Në një dokument të titulluar “Përhapja e një Konflikti Ballkanik vështirë se do të ndodhë në një të ardhme të afërt”, i përpiluar pak kohë pas nënshkrimit të marrëveshjes së Dejtonit në Bosnje e Hercegovinë, flitet për aspiratat e Kosovës për shkëputje nga regjimi i liderit të atëhershëm të ish-Jugosllavisë, Sllobodan Millosheviq.


Në dokumentin 5 faqësh të datës 21 dhjetor të vitit 1995,  thuhet se marrëveshja e Dejtonit i ka nxitur shqiptarët e Kosovës që të depërtojnë në vëmendjen ndërkombëtare, por theksohet se përpjekjet e tyre vështirë se do të ndryshojnë “status-quon” në Kosovë brenda një periudhe afatshkurtër.

Dokumenti, i përpiluar nga DCI Task-Forca Ballkanike e Inteligjencës, shqiptarët e Kosovës “kanë marrë zemër nga marrëveshja e Dejtonit” pasi të njëjtën e shohin si model për zgjidhjen e konfliktit në vend. Dokumenti më tej thekson se bashkë me presidentin e Shqipërisë, Sali Berisha, i cili gjithashtu e ka shfrytëzuar marrëveshjen e Dejtonit si pretekst për ta sjellë fatin e Kosovës para vëmendjes ndërkombëtare, ata i kanë shpeshtuar kërkesat e tyre publike për të arritur përfundimisht pavarësinë për provincën përmes dialogut.

“Nëse Beogradit i lejohet riintegrimi në komunitetin ndërkombëtar pa kushte për të përmirësuar gjendjen në Kosovë, shqiptarët aktivistë të Kosovës mund të bëhen vazhdimisht e më ndikues dhe mund të përdorin masa drastike për të fituar vëmendjen ndërkombëtare, sipas të gjitha gjasave duke përshpejtuar dhunën në provincë”, thuhet ndër të tjera në këtë dokument që deri pak ditë më parë konsiderohej si “Top Sekret” nga CIA.

Në pjesën tjetër të raportit përmenden edhe raportimet e diplomatëve të cilët kanë thënë se “shqiptarët e Kosovës – nëntëdhjetë për qind të popullatës së Kosovës dhe të shtypur nga ushtria dhe policia serbe – e shohin marrëveshjen e Dejtonit si model për zgjidhje politike e cila do t’ia rikthente provincës autonominë dhe do të shtronte rrugën për pavarësi eventuale”.

Shqiptarët e Kosovës thuhet të kenë qenë të zhgënjyer me përjashtimin e tyre nga bisedimet e Dejtonit edhe përkundër garancive të SHBA-ve se Kosova do të adresohet në një zgjidhje gjenerale të paqes.

“Si rrjedhojë, ata i kanë shtuar përpjekjet e tyre në takimet e tyre të fundit me zyrtarë amerikanë për të nxitur ndërmjetësimin amerikan në Kosovë”,.

Një pjesë interesante në këtë raport është edhe ajo kur flet për Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe veprimet e saj në kuadër të pavarësimit eventual të Kosovës.

“Pas Dejtonit, presidenca e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) vendosi të ndërronte politikën e saj kundër mbajtjes së demonstratave publike brenda Kosovës dhe aprovoi një tubim për në muajin dhjetor për shkak se rezistenca pasive ndaj shtypjes serbe nuk kishte arritur rezultate”, thotë dokumenti i Inteligjencës amerikane.

“Këshilltarja për Punë të Jashtme e LDK-së, [Edita] Tahiri, në fund të muajit nëntor u kishte thënë diplomatëve amerikanë se bisedimet për Dejtonin kanë qenë një periudhë e tensioneve të mëdha psikologjike për lidershipin teksa prisnin rezultatin e marrëveshjes. Për më tepër, “Kryeministri” shqiptar i Kosovës, [Bujar] Bukoshi u ka thënë zyrtarëve amerikanë se Dejtoni ka qenë një çast vendimtar dhe se “para Dejtonit është sikur para Krishtit”. Tani, pengesa kryesore është si të fillohet dialogu i ndërmjetësuar ndërkombëtarisht me Beogradin. Ndonëse lideri i shqiptarëve të Kosovës, [Ibrahim] Rugova ishte i kënaqur për mos-heqjen e të gjitha sanksioneve ndaj Beogradit në marrëveshje, Tahiri ka kërkuar me ngulm që Rugova të përfshihet në bisedimet pasuese”, potencohet në raportin 5 faqësh të CIA-s.

Në raport bëhet e qartë se SHBA-të kanë qenë të vetëdijshme për politikën shtypëse e agresore të Sllobodan Millosheviqit në Kosovë dhe për pozitën e dobët të shqiptarëve të Kosovës kundrejt forcave policore e ushtarake serbe.

“Liderët aktivistë shqiptarë të Kosovës në nëntor kanë vlerësuar se edhe përkundër frustrimit në rritje në raport me mungesën e progresit në arritjen e koncesioneve nga Beogradi, ikja e rinisë shqiptare të Kosovës si rezultat i politikave represive të Millosheviqit e ka bërë të pamundur ngritjen e shqiptarëve të Kosovës kundër serbëve....”, thuhet ndër të tjera në raport.

Agjencia Amerikane e Inteligjencës ka pranuar disa raportime të pakonfirmuara që thonë se “Rugova ka lejuar kontakte të nivelit të ulët me Beogradin”.

“Raportohet se Rugova beson se një qasje hap-pas-hapi – duke filluar me bisedime joformale – do ta përgatis më së miri publikun shqiptar të Kosovës që së paku përkohësisht të pranojnë një formë të një autonomie të limituar... Bukoshi u ka thënë zyrtarëve amerikanë në dhjetor se Rugova mund të pranojë nisjen e dialogut për normalizim të jetës në provincë dhe më pas, mundësisht, të nis bisedime të ndara për statusin e ardhshëm të provincës”, potencon raporti i CIA-s.

Në këtë raport, që mban datën 21 dhjetor, 1995, përmendet edhe ndikimi i Tiranës zyrtare në rajon.

“Presidenti shqiptar, Berisha, do të luajë rol kyç duke provuar të balancojë përpjekjet për të përmirësuar gjendjen e vështirë të pakicave të mëdha të shqiptarëve etnik në Serbi dhe Maqedoni me përpjekje për të arritur stabilitet rajonal. Megjithatë, Tirana ka ngritur zërin për kërkesat e shqiptarëve të Kosovës për një përqendrim ndërkombëtar në Kosovë, duke u thënë diplomatëve amerikanë në fillim të dhjetorit se dështimi për të adresuar problemin e Kosovës do të çojë në një të ardhme të pasigurt në Ballkan”, thekson raporti në fjalë.

Berisha raportohet t’u ketë thënë diplomatëve amerikanë se marrëveshja e Dejtonit dhe një zbutje e dukur në politikat e Beogradit kanë përmirësuar shanset e gjetjes së një zgjidhjeje për Kosovën. Ai, sipas raportit, u ka thënë diplomatëve se SHBA-të duhet të marrin rolin udhëheqës drejt zgjidhjes së problemit të Kosovës pas vendosjes së trupave të NATO-s në Bosnje.

“Berisha – që sipas të gjasave e ka vënë re pozitën e dobët negociuese të shqiptarëve etnikë – vazhdon të insistojë që Rugova të heq dorë nga kërkesa për pavarësi dhe u ka thënë diplomatëve amerikanë se ai beson që nisja e negociatave do t’i ndihmojë Rugovës që të heq presionin nga liderë tjerë aktivistë të shqiptarëve të Kosovës”, vlerëson raporti i CIA-s.

Pesë vjet pas humbjes së autonomisë dhe me asnjë rezultat të prekshëm nga politikat modeluese të Rugovës, raporti thotë se elemente të lidershipit shqiptar të Kosovës që thërrasin për një qasje më aktive ndaj Beogradit po fitojnë ndikim, sipas disa raportimeve.

Ambasada Amerikane në Beograd raporton se kontaktet e tyre të rralla përbrenda lidershipit shqiptar të Kosovës beson se aktivistët, të udhëhequr nga Bukoshi, “janë kërcënim për paqen në Kosovë” dhe janë të acaruar “që Bukoshi nuk është mënjanuar”.

“... polemikat përbrenda LDK-së rreth mënyrës së ngritjes së profilit ndërkombëtar të Kosovës kanë ndarë lidershipin e partisë në ata që përkrahin politikat e Rugovës dhe ata që përkrahin liderë më aktivistë”.

“... presioni nga aktivistët ka detyruar Rugovën të bëjë një kompromis dhe të lejojë mbajtjen e një tubimi në Kosovë këtë muaj, i cili, nëse mbahet, është e sigurt se do të ngrit tensione me autoritetet serbe e madje mund të çojë edhe në konfrontime të vogla”.

“Përdorimi i taktikave të ndryshme agresive nga Beogradi për të zgjidhur problemin e Kosovës – përfshi edhe dhënien e autonomisë së kufizuar, rindarjen dhe risistemimin e refugjatëve serbë për të “dobësuar” përqendrimin e shqiptarëve etnikë, dhe duke tentuar të minojë unitetin shqiptar të Kosovës – me gjasë do t’i vë benzinë aktivizmit shqiptar etnik”, thotë më tej ky raport i publikuar së fundmi nga CIA.

Tutje, raporti flet për tentimet e Serbisë për sistemimin e refugjatëve në territorin e Kosovës, ndonëse thotë se kampanjat e mëhershme kanë qenë të pasuksesshme, pasi, gjithnjë sipas raportit, serbët nuk janë të gatshëm të vendosen në provincën me 90 për qind shqiptare dhe “janë hedhur nga trenat, të fshehur nga autoritetet, dhe kanë ikur nga provinca për t’iu shmangur vendosjes së përhershme”.

“Mediat në Kosovë raportojnë se Millosheviqi është pajtuar që të nis dialogun me ish-komunistët shqiptarë të Kosovës, hap ky që është kritikuar nga partitë kryesore shqiptare, dhe i ka nxitur ata që të kërkojnë ndihmën e SHBA-ve në ndërmjetësimin e dialogut, sipas raportimit të Ambasadës”, shkruan në raport.

Raporti më tej thotë se nacionalistët serbë do të vazhdojnë të përbëjnë kërcënim ndaj stabilitetit në Kosovë.

“Nacionalizmi serb dhe ndjenja anti-Millosheviq është e fortë në mesin e popullatës pakicë serbe në Kosovë, sipas Ambasadës Amerikane në Beograd. Një prezencë e shtuar nacionaliste në provincë -... lideri ultra-nacionalist Arkan mund të tentojë të zhvendos bazën e tij trajnuese nga Sllavonia Lindore në Kosovë – do të shtonte tensionet”, potencon raporti i DCI Task-Forca Ballkanike e Inteligjencës për CIA-n.

Raporti flet më tej edhe për shkeljen e të drejtave të njeriut në masë të madhe në Kosovë, duke u thirrur në raportimet e OSBE-së, para se kjo e fundit të dëbohej nga Kosova më 1993.

“Millosheviqi u ka thënë diplomatëve amerikanë se do të lejojë hapjen e një qendre USIS (Shërbimi Informativ i SHBA-së) në Kosovë. Hapja e një zyre të këtillë do të shërbejë për të riafirmuar përkushtimin amerikan në Kosovë dhe do të ofrojë një mjet mbrojtjeje për shqiptarët e moderuar të Kosovës për të përdorur kundër kritikëve që thonë se nuk ka rezultate të prekshme nga politikat e tyre të moderuara. Vet hapja e saj, megjithatë, me gjasë nuk do të ndryshojë statusin e represionit serb apo t’i kënaqë kërkesat e kosovarëve për njohje të pavarur ndërkombëtare”, shkruan në fund të këtij raporti të publikuar rishtazi nga CIA.

No comments:

Post a Comment