2017-01-25

Cikël poetik nga Mentor Thaqi




MË FAL TË LUTEM, 
I DASHUR PRESIDENT

Më fal të lutem, më fal i dashur President,
m´duhet t´flas, po n´fyt m´është zënë fjala,
sa s´po pëlcas, stërkeqja më ka pushtuar vend,
nga hardalla, shikista dhe qënie t´përdala!
Eh! Sapo ike Ti dhe shkove në Amshim,
ne mbetëm më keq t´varur se pika në lis,
vërshuan në kafshim hijenat, o Presidenti im,
secili më surratpërlyer se tjetri … zi … pis!
E, iu turrën Dardanisë me thika e sëpata,
po Ti e din … njësoj donin edhe n´kohën Tënde,
por, jo qebesa, Ti nuk lejove t´na mbulon lëngata,
e tash nuk ka kush t´na e lehtëson dhëmbjen!
A të kujtohet, Ti i mbroje t´burgosurit tonë n´Hagë,
thoshte Millosheviq çetniku, ata donin t´vrisnin Ty,
ti me krenari: Jo, s´më vrasin kurrë shqiptar´të!
Por, ai i njihte kriminelët që ishin dorë e zezë e tij!
E tash, tash po del hesapi prej tyre përledinë,
i ka rrokur keq sikleti nga Gjykataspeciale,
dhe shumë mirë se ku do të shkojnë, po e dijnë,
njëri tjetrin e akuzojnë me shantazhim fjale!
Po thuhet dhe shkruhet, i dashur President,
se disa nga ata paskan kjenë agjentë shtatë fish,
të KGB, UDB … hon e don, den baba den,
por edhe Grek, Françez, SHIK dhe dy herë SHISH!
Dhimbja na mbërtheu, na pushtuan Shpinë,
LDK-në tënde, të dashurën LDK-në tonë,
tashmë të dy “sojet” në një kallëp u shkrinë,
Filozofinë Rugoviane e bënë që të lëngon!
E di … do t´më hidhërohen pak do vëllëzër të mi,
që po e quaj PUÇ Proletar-Kominternist …
ata harruan, si e quanin më heret, unë mirë e di,
e sot s´po pranojnë se kemi Hyqymet bashk-shikist!
Pasha Epoken tënde të Nderit Rugovian,
e ka marrë thiu pushken, nuk dijm kah ia shkrepë,
pikërisht ata që ta plasen zemrën për të gjallë,
tash manipulojnë me Emrin Tënd! Medet!!!
Eh, Ty të mori Zoti, i dashur President,
ne mbetëm jetima në “përkujdesje” të dreqit,
qenka shumë vështirë, shpirti po na dhëmb,
të durojmë “mirësinë” nga soji i të keqit!!!
Më fal të lutem, më fal i dashur President,
nuk mund u qetësova pa të të shkruar k´të letër,
për një grimë identitet e dinjitet, s´na lanë vend,
askund më ta gjejmë atë krenarinë e vjetër!


MËSUESIT MESHTAR
 
(mbi t´gjitha, Shqiptar)
 
- At Shtjefën Gjeçovit -
Imzot,
Madhështinë Njerëzore,
pash, kut as hapa,
të masin nuk munden.
Bëmave, sfidat e pengesat,
pritën s´ua zënë dot,
e pusitë e pabesa
në bumerang iu kthehen.
Ka diçka njerëzore
dhe mbinjerëzore,
gjykimit, rrugë i japë!
 
Po, a ka tingëllimë më të këndshme
se cicërima shqipe?!
Shqip mes vete,
shqip, zë jete,
shqip në kishë, në shkollë,
me njeriun si me Zotin,
meshë, kuvend, rregull, rend,
gjuha jote, gjuhë e Kombit!
 
Bud, Bogdan, Tahir Bej, Tarabolluz, ...
At, një Rrugë, një Shkollë, Mësues,
o në Stubëll, o në Zym,
gjuhë për lutje, për shenjtërim,
si me shkrim e me këndim,
për pesë vaktet, gjuhë për meshë,
mbanë gjallë zemrat, Shpirtin peshë!

Po, pusia, ah, t´pa besët,
prapa shpine na qëllojnë,
as errësira, as mëngjeset,
nuk ta ndalën atë Mision!
As aty e as atje,
as këtu ashtu si dje,
Njeri i Zotit, Burrë i Kombit,
Djal i Lokes, Mësues i Popullit,
Martir Shkolle, Dëshmor Lirie,
n´sakrificë për dritë e dije,
n´Rrugë sublime, Shkolla ime,
n´Dardaninë e plagosur,
plaga ime, plaga jote,
n´teh ndërgjegjeje të k´saj Bote.
Në therror o Shenjtor,
fyt për fyt me terror,
ishim n´hall e ishim n´zor,
se erdh dreqi Revizor!
 
Rënia jote n´Fushë të Nderit,
pritave t´pista në pusi.
- Po kush vret Njeriun e Klerit?!
Ai gjak prishur e derëzi!
N´sakrificë, ashtu si Krishti,
në shërbim të Dritës s´Diellit,
pabesinë, shkjaut ia grishi,
At Gjeçov, Rrugës drejt Qiellit!!!
 
10.03.2011



N´KUVENDIM ME PRIZRENIN

(Një kuvendim poetik pak më ndryshe)

"Heu, të shtatë krajlat e rrehin telin,
...kenkan mbledhë krejt te Perzereni..."!

Oshëtimë,
nga Kalaja ke Kazaja!
Col Deli hë marakli,
telat akodrim
me krismen e kohës,
vet mbete e Pashai shkoi qebesa,
atje ku nuk lakmon kush,
emër e hise shkymur,
me turpin e pabesisë kalistrok!
Po, telin le ta rrahin
jo shtatë a shtatëdhjetë,
por, krejt sa të ketë,
se pasha tokë e qiellë,
ne tonën,
e tham vetë,
e do mbes përjetë,
se sot vramë robërinë,
frikën dhe osmanllinë!

Eh, Kalaja po thot,
e tha dje si sot:
- O Përzereni jem,
ma ruaj Ison e Giuhës së Bogdanit,
qysh fliste Agroni e Batoni,
e jo të Sulltanit as të Ballabanit,
pa murtat e pa hudut të huaj,
se fjalen e dhënë,
ska më kush ta luaj!

Ev ev,
kënga e një Malsoreje,
e asaj Hasjanes sime,
që të merr gjak mbi vetull
e nuk rrin, jo, palë si petull,
nuk mbathë kurr
kundra-nallane,
veç den baba den, gogishte hasjane,
po m´ja thot si Kanarinë,
ah, t´lumtë goja ori Rinë:
"Në Prizren o në t´bukurin vend,
mblidhen burrat o në Kuvend, ..."!
As Tusun as Tullusum,
jo, me turq o shkja s´ke punë,
as Magjar e as Mehmet,
as tradhëtar e as ibret,
se tash puntë tona i kçyrim vet!

Eh, pashë n´jat gjak që dha Toplica,
e pashë n´jat plagë që ka Konica,
mos të lëmë hudut n´mes veti,
se mallkim na japë Mileti!
Ah, o i urti Ymer Prizren,
o lum burri, fjala t´zën vend,
se sot ke Parinë n´Konak,
e t´ka ardh dhe lufta n´prag,
o t´jetojm t´lirë n´dinjitet,
o t´na humbë emri përjetë?!!!

10.06.2011

 
Kush s´don plis, le t´vëj kapicën!

Në Prizrenin mbi Lumbardh,
Historia, shumë flet,
është e Lidhjes, Shtëpia e Bardhë,
Legjendë e gjallë, përjetë!

Kem një Pllakë me pak fjalë,
një Histori e jonë,
një lajm tërmeti, sot ka dalë,
se dikënd po e pengon!

Kush guxon Pllakën ta prekë,
ka luajtur me zjarrë,
mos ti shkon mendja ta hekë,
se do bëhet varr!

Për ne është Nderi Kombëtar,
dikush luan me të,
nuk besoj që ka Shqiptarë,
që do duroj më!

Nuk ka lojë me sakrificën,
e popullit tonë,
kush s´don plis, le t´vëj kapicën,
kështu do t´jetë gjithmonë!

Jo, për hatër të dikuj,
nuk nd´rrojmë Identitet,
jo për ca vite a pak muaj,
ne kemi bërë Shtet!

Jem një Komb, kem një çëndrim!
Dhe, një Histori!
Ska lëshime n´këtë drejtim,
secili le ta dijë!

Ka këtu gjëra të Shenjëta:
Liria, Gjuha, Kombi!
T´kenë kujdes, janë tepër t´shtrenjëta,
ky farë model Zombi!!!

Ajo Pllakë, është e shenjtë,
me bekim të Zotit!
Aty e ka vendin e vetë,
Shekujve mot pas moti!

 28.04.2010 
 
AI VET!
 
(Dëshmorit të Kombit - Tahir Sinani)
 
Përtej Çafë Prushit,
tej-përtej Korabit,
në Konçull
a në Kallavaja t´Junikut,
i Madh në Hapa,
fjala zjarr,
shkreptëtimë plumbi,
AI vet, i Madhi
e hija pas tij
Tahir Sinan Shqipnia!
 
Po cili s´ía dëgjoi fjalën
e kush s´i dha brkimin,
Malsorit Kreshnik?!
 
Ah, Shqipnia ime
në ballë prej veri,
si flakë vetëtime,
nxjerrë dy fjalë nderi:
- E rrita për Tokën,
për Tokën e të parëve,
po, ai më nderoi Votrën,
Ai vet, Legjenda Shqiptare!
 
03.05.2011 

 
 
 VËLLAUT TIM LUFTËTAR
 
Rrugët, itinerar përditshmërie,
ti Ushtar i Lirisë
dhe helm ushqim-shpirti,
në emër të sedrës krenare!
Në fjalëkryqin tënd,
e panjohura enigmë:
Çështë Liria?!
Përgjegja e shkurtër të del,
zhgënjimi yt sot,
shpresojmë, jo dhe nesër!
Të dashurit të ranë,
cytësit dhe nxitësit
i sheh vetëm në TV
e strofullat-pallatet, çdo ditë,
me mure e kangjela
për qetësinë e tyre në relaks,
larg teje e lypsave!
E ti, cili je?!
Ai që zjarrin nga goja nxirrte,
para se ti villte pushka,
e që për emrin e Lirisë,
as dy fjalë s´i bëje
e drejt në gjoks shkelësit!
Sot, kokëulur, i zhgënjyer,
me shpirtë të gërryer, jo i thyer,
pëllëmbët, akoma të forta
qoftë edhe për një fytrrokje,
se Liria në zhgënjim
(s)guxon të kthehet!
Po, mate mirë veten,
për edhe një hap,
në shpëtim sedre,
kthim Identiteti!

25.03.2011

 LABES SIME!
 
Këmbëzbathur, bregut t´detit,
Shtatëhedhura lozonjare,
dridhet Joni prej sikletit,
don t´përgëdhelë me valë tinzare!
 
Jo, nuk ka faj Joni shkretë,
vapë e verës, përcëllon,
kur t´sheh gjoksin, ah medet,
nga meraku, ujin e vlon!
 
Këmbëgjatë moj, si sorkadhe,
lëkurëhollë si mazë e qepës,
ah medet, bela e madhe,
si ti gjejë unë derman vetes?!

Buza jote si qershitë,
kur më piqen në Gjirokastër,
dhëmbtë e bardhë, natën bëjnë dritë,
si ingji, bilur të pastër!
 
Në Sarandë, në Orikum,
t´kam zënë pritë, vendit nuk luaj,
si Hyjneshë moj në Butrothum,
qesh një herë, sa t´duash t´paguaj!
 
N´Kala t´Borshit o në Fterrë,
t´lë takim, aty më ke,
o më vrit moj, o më merr,
n´gjirin tënd një natë të fle!
 
Shkrumb u dogja prej sevdasë,
Labja ime, shpirtë o xhan,
jo as Flladi i Llogarasë,
s´më flladitë, ti m´bën derman!
 
Jo qebesa, as Syri i Kaltër,
Syrit tënd s´i del përballë,
t´puthë një herë moj, marrsha malet,
seç më shkoi koka vërdallë!!!
 
15.04.2011
 
 MOLLAT E RAMËSEFËVE
 
Në fund të bahçes sonë,
bahçja e Ramësefëve,
Nune, vet mezhda në mes,
hije më hije
ndejat bekoi!
 
Molla Gjyle nga Nëna Gjylë,
pshtjellakun plot
nga dorëlirësia,
se "gjymerte e madhe është",
thoshte Nëna ime.
 
Eh, syri i uritur
në shpoti përtej tarabave shelgjeje,
Kopshti i Kaçorrëve
pikësynim i fshehtë,
për një trangull
të "hajnisë" fëmijërore,
e që pas shamate
rrypi nga dorë e nënës,
vija-rrugë të skuqura
n´prapanicë na linte, qebesa!
 
Ev, Dynja e rrejshme!
Plakat në mes bahçeve,
me nga tri orë bisedash
pas përshëndetjeve në largim
për tematikat Shkup e Shkodër,
pa qenë kurr në to,
se p´veç Lamës së Grave në Pejë,
sheher tjetër rrallë panë!
 
Ah, i Madhi Zot,
të falem për mallin e pashuar,
dy pika loti, shpirtit shpëtim!
Po po, malli në ëndërr,
e ëndërra në mallëngjim,
një rrotacion dhëmbshurie
për kohën që në teh pret
e nuk na pret
në ikje pa ne!

Eh, Lluka ime
me atë fëmijëri të humbur,
diku pas 7 Palë skamjesh,
që me mallë dynjaje
shpirti s´e ndrron,
se skamja p´veç trishtimit
ka dhe bukurinë e vobeksisë
që vulë jetës i japë!
Fundja, "shyhreti i Jabllanit", thoshte Jevgu.
"Koliba jeme, por... jeme, shlirë!".

25.04.2011

 
 VOJSA E POETIT
 
(përgjigje poetike poetit - s. rr.)
 
Poet,
mos dil në atë koder,
të lutem,
po nuk ia more njëherë
majekrahçe,
po nuk i kërkove
falje e ndjesë
Plepit të tharë
nga malli për njerëzit,
e ai me shushurimë heshtjeje
ndoshta, do na falë mëkatet,
se qebesa
as Dora e as Ora
nuk i dhanë kujdesin!
Eh,
njeriu i penës,
sa ke Vojsa e sa ke Çepuri,
Unit e Muzës
respekt borxhi
nga ai që din e mundet
se tevona
Jeta grumbullon
Koren e vet të Bereqetit
e Tymirëmbetç
veç Përjetësisë i thuhet!
Gjallë sa të jemi,
gjallëri, vetes i falim
me dorën dhe mendjen tonë!
Nderim vetes që të ta mbajnë ison
brezat
shpatieve mbi lugina!
 
23.04.2011
 
 
FATI
 
Nuk i dihet fatit,
ësht një fjalë e vjeter,
e kem nisur mirë
dhe mbaron shumë keq,
dhe mua të ngratit
më doli diq tjetër,
jeta pa dëshirë
na ndau veç e veç.

Tash, jemi të vuajtur,
jemi të përhitur,
ishim kapriqioz,
plot inatë ndaj vetes,
me ndjenja kem luajtur,
ah, se paskem ditur,
si lojë në bixhoz
ësht dhe fati i jetës.
 
S´pari duhet pri,
ai pastaj të ndjekë,
të jesh stoik
ndaj tallaseve t´kohës,
ngritesh përsëri,
barren e tepërt hjekë,
shpesh tragjikomik
në vallen e botës.
 
01.06.2006


URIMLUTJE E DREJTË
 
Na udhëzo o Zot,
n´Rrugën tënde t´drejtë,
siç na ke udhëzuar,
shekujve me radhë,
kemi Pashkët sot,
k´të Ringjallje t´shenjtë,
Kombi im, Gëzuar,
në Paqë k´të Ditë t´bardhë!
 
Kemi Festë YnëZot,
jemi të gëzuar,
kemi hapur zemrat,
kemi shtruar sofrat,
t´lutem, na e falë sot,
Buken e Bekuar,
ti fisnikërojmë ndjenjat,
ti rigjallërojmë Votrat!
 
Na beko o Zot,
jemi t´gjithë bijtë tu,
t´krishterë, muslimanë,
budistë e hindu,
dhe të lutem sot,
n´çdo vend e çdo ku,
Ty që Boten mbanë,
t´përulem nga këtu!
 
Jo, me vëllaun tim,
s´kam fare dallim,
ai të beson Ty
njësoj sikur unë,
mund të kem ndryshim,
veç n´interpretim,
t´bëj be n´kta dy sy,
është gjë e bukur shumë!
 
Me Bekimin tënd o Zot,
unë do bëj Urimin,
për motra e vëllëzër,
të mi të Krishterë,
jam si ata unë sot,
njësoj ndjej gëzimin,
i dua me zemër
dhe sot si gjithëherë!
 
Dhe, më ndje o Zot,
po ta thëm me shpirtë,
pasha Nënën Terezë
dhe katër Librat e Shenjtë,
sa jam i Krishterë sot,
aq dhe musliman i mirë,
se zemrën, mbanë ndezë,
Rruga Jote e Drejtë!
 
Ju uroj nga zemra,
ju uroj nga shpirti:
Urime dhe Gëzuar,
për gjithëjetë e mot,
mos iu ndaltë kurr kënga,
mirëqënia e gëzimi,
qofshi të Bekuar,
nga i Madhi Zot!!!
 
19.04.2011
  
 
ULQINI
 
Në një mbrëmje të ngrohtë Gushti,
rreth e rreth Kalasë i rashë,
nuk ka n´Botë si (Ulqini) Dulcinumi,
vetmevete t´madhe thashë.

Kulla e Balshajve mbi atë koder,
qindra vjet rrin karshi,
i bën hije Plazhit t´vogël,
ballë-përballë me qesëndi.

Valdanozi si n´përrallë
me nëmijë trupa ulliri,
në breg t´Detit zbret shkallë-shkallë,
zalli tijë në botë më i miri.

Prej Gryk´s t´Bunës, në Tivar,
Anamal, Shas e Shestan,
vend më t´bukur për beqarë,
në tërë botën gjetur s´kam.
 
29.11.2005



No comments:

Post a Comment