2017-01-26

Dashuri platonike në rrjet

Over The Hills And Far Away By Eviolinist

Dashuria! Një fjalë e vetme, por me një fuqi të madhe e të pashpjegueshme. Ka mbledhur shkrimtarë nga e gjithë bota për të shkruar diçka për të,libra që janë botuar e ende vazhdojnë të botohen, plot ndjenjë dhe emocion, që na bëjnë të futemi në brendësi të tyre e mos të duam të dalim kurrë. Por vallë ç’është dashuria? A ka ajo një përkufizim? A mund të gjenden fjalët e duhura për ta shprehur; për ta bërë abstrakten konkrete, të përgjithshmen të përveçme? Sepse nuk po flasim për dashurinë e zakonshme duke dashur të afërmit, miqtë apo vetë jetën me surprizat e saj. Po flasim për dashuri shpirtrash, për dashuri që ndodh vetëm njëherë në jetë! A mund të jetë e tillë një dashuri platonike? Një dashuri që nuk ka filluar nga shikimet, por nga fjalët dhe në rrjetet sociale? Një dashuri që fillimet i ka në një mesazh, të dërguar mbase vetëm për të kaluar një mbrëmje në praninë e dikujt, ndonëse virtualisht, ku personi me të cilin po shkëmben mendimet mund të ndodhet dy blloqe më tutje ose në kontinentin tjetër. Dalëngadalë ai shndërrohet në mendimin tënd të parë në mëngjes dhe të fundit në mbrëmje. Duket se ekziston një alkimi e veçantë mes të dyve, se shpesh dukeni si një shpirt i vetëm. Në ditët tuaja mungon kontakti fizik, mungojnë shikimet për disa minuta pa ndalim, puthjet, përqafimet apo diçka më tepër. Por duket se për ju nuk përbën aspak problem. Duket se dita-ditës nga i panjohur, ai person po mbush ditët e tua dhe po lë gjurme në mendjen dhe në zemrën tënde. Mjafton një dridhje telefoni për të bërë zemrën të rrahë fort apo për të sjellë me vete grimca emocioni. Dalëngadalë duket se ke filluar edhe të jesh xheloze, të bësh kontrolle të herepashershme te profili i tij nëpër rrjetet sociale, për “miqtë” e tij të vjetër apo të shtuar kohët e fundit. Mërzitesh për një “pëlqim” ” apo një koment; për një vonesë të mesazhit, duke sjellë ndërmend kështu dhjetëra hipoteza për arsyen e vërtetë. Nuk di në duhet t’i besosh, nëse ai vërtet ushqen ndjenja kundrejt teje apo të njëjtën gjë bën edhe me të tjerët. Tani nuk je më ajo vajza që kthente përgjigje të ftohta, as ajo që thjesht kishte krijuar disa konfidenca më shumë. Tani ti ndjen diçka për të e herë-herë mendon se ke rënë në dashuri. Mbase edhe po… Tashmë, edhe pse ka kaluar goxha kohë nga ai mesazh i parë, ende nuk keni arritur tek ai “takimi i shumëpritur”. Ai që e keni ëndërruar të dy aq shumë dhe keni dhënë idetë tuaja se si do jetë, se çfarë reagimi do të keni e si do rrjedhin gjërat. Në mendjen tuaj çdo gjë shkon më së miri,jeni të duhurit për njëri-tjetrin dhe ditët më pas do të jenë të paharrueshme. Do jenë të mbushura me fjalët e pathëna, me puthjet e përqafimet e padhëna. Por deri atëherë ju duhet të prisni. Ditët ju duken shekuj, ama është ajo ndjenjë që mbush shpirtin për të dhënë forcën e duhur për t’ia dalë. Për të treguar se dashuria platonike ekziston, ndonëse të tjerët e shohin si diçka të pamundur.

Nga Bianka

No comments:

Post a Comment