2017-01-26

Ermira Ymeraj : E dashur frymë…

Ermira Ymeraj

Andej nga thellësia ti troket. Një ngërç të ka blloku gojën e shkarravitur nga babëzia e uria për tjetërsim. Kalvar të rëndë mban mbi shpinë.
E sheh veten ndopak? Ç’po ndodh me ty, pse ndo vargonj hipokrizie je strukë? E mban mend sa e shtrenjtë ishe? Më ke përbi nga mungesa. Ti ishe e para, me ty mësova ajrit t’ia thith butësinë, diellit t’i marr ngrohtësinë, ndë dej qarkulloj bindshëm e jo rrejshëm; më flladite butësisht në djep, më këndoje çdo ditë arsyet e jetimit, pse duhej të të thithja, pse duhej të të besoja, e trupin tim ta lija të lirë në duart e tua. Të besova e andje kisha n’pastërtinë e frymës, të thithja pa pra, e pangopur prej pafajësisë; udhëtoja me ty, frymë e kandshme, inspiruese, gjumëndjellëse… Më rrite në prag të mbarsun me dashni, përkujdesje e çiltërsi. Të dashurova çdo ditënatë timen, ishte motiv i jetës të t’kisha, të të gëzoja, të kuvendoja me ty e të të falënderoja. Mund të mos ishe dhuratë e çmuar për mu, mund të ishe e shkurtër, e përkohshme.
A jam penduar që të kisha ekzistencë?
Ti je në kolaps të çudisë, e di si të shoh tani?
E di ndopak ç’ka ndodhur në mua që mundimshëm frymoj në ty, po jo më veç për vete.
Sot si të shoh?
Nuk është vegim, ma beso! I ke parë hienat hileqare që tinëzisht të kafshojnë? Të dhemb, të shoh si je kërrusur nga ligësia e dhelprave që s’ prajnë duke të të ndotur e kurthe duke të ngritur!
Po gjuha e cinikut e ke parë sa e besueshme është bërë? E ke parë se humanizmi nuk është më pushtet i mirësisë? E ke parë se thikat mbas shpine janë arti i të jetuarit? E ke parë se tradhtia është tharm i ngjitjes? E ke parë se zhvatja është jetike?
Po pabesinë e ke parë që është kriteri bazë i edukatës? E pa harru kllounizmin e maskat që janë bërë identitete.
A, mos më pyet për sahanlëpirësit, frikacakët, tinëzarët, amoralët, minjtë e kanaleve, ujqërit, dehumanët, kasnecët e së keqes, jo se klithi prej dhimbjes, më pickon frymën gjer në tharm, se je lidh prej zinxhirëve të pseudovlerës; je e pabesueshme, je më mëkatare se vetë poseduesit e ligësisë, sepse je e huaj për ta; je frymë që nuk ke kohë në këtë kohësi; je një grumbull indesh e sasi qelizash që biologjia e njeriut të sotëm nuk të pranon; je bira e zezë e ozonit; je gjethe vjeshte që tokës i je bashkangjit me u shkel prej mizorisë që fryma e tjetërsueme sod e ka në rend. Eh, medet moj frymë! Të vajtoj jo ty, po ashtin e bijve të mi që po rriten nën këtë frymë.


No comments:

Post a Comment