2017-01-26

Letër për mamin

images
E dashur mami,
Ti më kishe thënë se kur unë të rritesha do të kuptoja se sa gjëra të bukura kishte në botë.
Më kishe thënë të mos nxitoja të mësoja gjithçka sepse do kisha mjaftueshëm kohë të mësoja çdo gjë që më ngacmonte kureshtjen kur ende quhesha e vogël…
Ti më kishe thënë të duroja e të shijoja çdo çast të fëmijërisë, sepse kur të rritesha asgjë nuk do të më dukej aq e bukur sa e shihja unë atëherë …
Ti më mësove se të isha e rritur nuk ishte gjithmonë keq, nuk ishte gjithmonë e vështirë.
Shpesh të ishe e rritur do të thoshte të ishe edhe e lumtur …
Ti më kishe thënë se kur të bëhesha e madhe do më merrte malli të luaja me kukulla dhe nuk do mundja dot të luaja më.
Më kishe thënë se kur te rritesha do kisha mall të luaja me peta e me litar me fëmijët e lagjes, por nuk do të mundesha dot.
Ti më kishe thënë se kur të rritesha do të dëshiroja me gjithë qenien time të vonohesha për t’u kthyer në shtëpi vetëm se loja nuk do kishte mbaruar ende e unë do të doja patjetër ta çoja deri në fund.
Ti më kishe thënë se kur të rritesha do më merrte malli për t’u bërë me baltë ndërsa luaja në ditët me shi.
Më kishe thënë se do të kisha mall të qaja nga të rrëzuarit e gjunjët e duart e gërvishtura, jo nga lotët që të jep të jesh e rritur.
Ti më kishe thënë se do të kisha mall të qaja nga inati sepse miqtë e mi po i kërkonin të linin lojën përgjysmë e jo nga inati që të dashurit njerëz të tutë u tretën me kohën si kripa ne ujë.
Ti më kishe thënë se kur të bëhesha e madhe do derdhja lot se do të më thyhej zemra e do kisha mall të qaja se dikush më kishte thyer sobën e kukullës ose dylbitë që shihja foto të filmave të mi më të dashur. Më kishe thënë se kur të bëhesha e madhe do lotoja si dreqi se do humbisja veten e do ndjeja mall për kohën kur qaja se kisha humbur një takë të kukullës apo se dikush më kishte humbur pistoletën me ujë.
Ti më kishe thënë se kur të bëhesha e madhe nuk do të mundja më kurrë të ecja këmbëzbathur nëpër rrugë sepse do të më tallnin njerëzit e do të më merrte malli për kohën kur përshkoja çdo rrugë të qytetit tim me këmbë zbathur e me tuta e bluzë me barkë jashtë se ishte shumë vapë.
Ti më kishe thënë se kur të rritesha do më tallnin nëse nuk lyhesha siç lyhen ato e mua do më merrte malli të kisha në qafë varësen me më shumë gështenja se të gjithë fëmijët e tjerë.
Ti më kishe thënë se kur të rritesha do lodhesha duke mbledhur copëzat e zemrës së bërë copë, e do ndieja mall për lodhjen që më jepte koha kur bashkë me të tjerët bridhnim nëpër lagje me vrap e hipnim nëpër pemë për të marrë portokaj e nespulla të sapobëra; se do kisha mall për të ndjerë të nxehtin e drekës kur bridhja nga fusha në fushë për të mbledhur lule, që bëheshin kurora për miss-et e lagjes …
Ti më kishe thënë se kur te bëhesha e madhe do zihesha me njerëzit se më kishin gënjyer e zhgënjyer e do kisha mall për kohën kur zihesha me shoqen e fëmijërisë se më kishte lëpirë gjalpin nga buka ose se më kishte bërë pis fustanin që i kisha dhënë për festën në shkollë.
Ti më kishe mësuar se kur të bëhesha e madhe, nëse dikush do më shihte me një djalë, do të më quante me atë fjalën e unë do kisha mall për kohën kur të gjithë shokë e shoqe përqafoheshim, hanim e flinim së bashku, dhe prindërit tanë gëzoheshin kur na shihnin të lumtur.
Ti më kishe thënë se kur të bëhesha e madhe nuk do ishte e pëlqyeshme të më shihnin duke luajtur më top e atë çast, nëse do mundja ta ktheja kohën pas…
Ti më kishe mësuar se kur të bëhesha e madhe do të kuptoja se përse një djalë dhe një vajzë putheshin në buzë e flinin ne të njëjtën shtëpi, në të njëjtën dhomë…
Më kishe mësuar se kur të rritesha do kisha mall të çmendur për t’u kthyer edhe një herë pas …
Dhe unë u rrita.
E madhe u bëra.
Dhe i kalova të gjitha ato që më pate mësuar.
Por besomë, nuk më pëlqen të jem e madhe.
Dua të ketë një mundësi që të më bëjë përsëri të vogël.
Të ketë një magji që do të më bëjë përsëri fëmijë e të mund të luaj me Sonjën, Orjanën, Klaudion, Gabrielin, Livian, Irën etj. e të qëndroj jashtë deri natën vonë duke luajtur hapa dollapa, me top etj… Të ha gështenja sa të mos kem uri për një javë.
Unë nuk dua më të jem e madhe.
Se të jem e madhe vetëm më ka mërzitur. Vetëm më ka bërë të qaj. Dhe unë nuk i dua të tillë lot.
Dua ata të tjerët. Ata të kohës kur isha e vogël. Ata të kohës kur nuk kuptoja e dija asgjë nga ato që mundoheshe të më mësoje.
Dhe sot të kërkoj falje që ngulja këmbë aq shumë të dija gjithçka.

Por dua të jem përsëri e vogël. Të paktën edhe një herë…

Nga Sara.

No comments:

Post a Comment