2017-01-26

Në botë, më shumë muslimanë se katolikë

Vatikani e ka pranuar zyrtarisht për të parën herë: katolikët i kanë lënë vendin e parë myslimanëve. Një nga motivet është se këta të fundit bëjnë më shumë fëmijë. Edhe një vit më parë, Baza e të Dhënave e Botës Kristiane, një institut amerikan i specializuar në studimin e tendencave fetare, e kishte paralajmëruar një gjë të tillë. Selia e Shenjtë nuk e ka besuar atë paralajmërim dhe ka bërë verifikimet e saj. Tani, është detyruar ta pranojë: 1 miliardë e 322 milionë myslimanë përfaqësojnë 19.2 për qind të popullatës së botës, 1 miliardë e 130 milionë katolikë, përbëjnë 17.4 për qind. Konfirmimi vjen nga libri zyrtar i Kishës, "Libri i kuq" i Selisë së Shenjtë, siç e ka quajtur "L'Osservatore Romano", raportin e përvitshëm të Papatit në një intervistë me përgjegjësin e tij, Vitori Formenti. Raporti, i përbërë nga 2511 faqe plot me të dhëna, i shpërndarë në 10 mijë kopje, mbi të gjitha mes hierarkive ushtarake, përveç atyre kishtare, është libri më përfaqësues i Kishës. Nga viti i ardhshëm ai do të mund të gjendet edhe në internet. Për shumëkënd, ai është libri i ëndrrave, sepse siç theksohet në preambulë, jo pak ëndërrojnë që emri i tyre të shfaqet diku mes faqeve të tij. Kështu, monsinjor Formenti shpjegon fenomenin: "Katolikët në botë rriten sepse rritet popullata e botës. Le të themi se në raportin mes rritjes së popullatës dhe rritjes së katolikëve, jemi stabël. Por, për herë të parë në histori, nuk jemi më të parët: myslimanët, na kanë kaluar". Bëhet fjalë qartësisht për rezultatin e verifikimeve të kryera në vendet e interesuara, për të cilat është raportuar më pas në Kombet e Bashkuara. "Ne mund të garantojmë vetëm për hetimet tona statistikore, të bazuara mbi të dhënat e kishës. Këto të dhëna vijnë nga Azia, Filipinet, India, Koreja, Vietnami, Japonia, Afrika dhe nga një pjesë e Amerikës Latine. Ndërsa të dhënat që vijnë nga bota islamike, bazohen mbi përllogaritje që mbajnë parasysh mbi të gjitha rritjen e popullatës myslimane. Është e vërtetë edhe që ndërsa familjet islamike, siç dihet, vazhdojnë të lindin shumë fëmijë, ato kristiane në anën tjetër, synojnë të kenë gjithnjë e më pak. Aktualisht, ndërsa katolikët kanë mbetur në vend numëro, me 17.4 për qind të popullatës, myslimanët janë në kuotën 19.2 për qind. Statistikat i referohen vitit 2006. Por, nëse vihen përballë të dhënat, duke përmbledhur në njërën anë të gjithë të krishterët; katolikët, ortodoksët, anglikanët e protestantët, dhe në anën tjetër myslimanët, raportet ndryshojnë. Të parët përbëjnë 33 për qind të popullatës botërore. Ajo që kompenson pjesërisht rritjen e numrit të myslimanëve, kundrejt katolikëve, në raportin e përvitshëm, është një risi që ka kënaqur veçanërisht Papën: numri i priftërinjve është rritur shumë. Priftërinjtë e rinj nuk vijnë as nga Evropa dhe as nga Amerika e Veriut, por mbi të gjitha nga Azia, Afrika dhe Amerika Latine. Ndërkohë, njollën e zezë në Evropë e mbajnë Franca, Holanda dhe Belgjika. Në Itali, regjistrohet një ringritje fare e vogël.

No comments:

Post a Comment