2017-01-27

Nga Hazir Mehmeti : ''Në hirin e dashurisë“



...”është një traktat letrar që shkund ndërgjegjen shqiptare kundër harresës dhe të huajësimit nga lufta dhe pasojat e mynxyrshme të saj.”


Kohë më parë në   Ambasadën e Republikës së Kosovës në shërbim të kulturës në promovimin e veprave të autorëve nga të gjitha trevat etnike shqiptare u shpreh edhe ndaj veprës së znj. Naile Muqa-Ahmeti. Në promovimin e veprës “Në hirin e dashurisë” morën pjesë nga Ambasada e Shqipërisë zv. Ambasadori Adhurim Resuli dhe Dede Penga. Adnan Draga, këshilltar në Ministri të Kosovës, kurse nga Ambasada e Kosovës z. Imer Lladrovci, Yllka Geci, Faruk Ajeti dhe Z.Fitim Nuhiu nga Ambasada e Maqedonisë. Ishin prezent studentë, veprimtarë e intelektual përfaqësues shoqatash kulturo- sportive në Vjenë.


 Promovimi u udhëhoq nga z.Imer Lladrovci, konsull. Nga fjala e recensuesit të veprës lexoi Abdullah Abdullahi, veprimtar. Mes tjerash rreth romanit veçojmë: “Romani “Në hirin e dashurisë” i Naile Muqa-Ahmetit, është një nga të rrallët e letërsisë moderne shqipe që flet për pasojat e luftës së gjatë të shqiptarëve për t’u mbijetuar kohëve të këqija; dramat e njerëzve të rëndomtë që mund të jenë edhe tragjedi njerëzore, që autorja me sukses i ka ngritur në një prosede të standardit letrar. Autorja është rrekur ta shkruaj një roman psikologjik, edhe pse modelin e tij në letërsinë shqipe nuk e ka pasur të lehtë ta gjej: temën psikologjike – temën e jetës shqiptare, temë të cilën mund ta hasim shumë rrallë tek ndonjë autor shqiptar”....


” Në 18 kapitujt e romanit, që mund të lexohen edhe si tregime të veçanta, autorja me sukses ia ka dalë të ndërtojë shtyllën e idesë kryesore: se edhe nga hiri i zjarrit të luftës mund të mbruhet shpresa e dashuria. Ky roman është ndër të rrallët e prozës sonë të re që merret me një psikanalizë kaq të thellë të protagonistëve, ndërsa lexuesve mund t’u shërbejë edhe si psikoterapi e vërtetë për shërimin e gulmeve të shpirtit.... Në fund të thosha se, mbi të gjitha, romani “Në hirin e dashurisë” është një traktat letrar që shkund ndërgjegjen shqiptare kundër harresës dhe të huajësimit nga lufta dhe pasojat e mynxyrshme të saj.” Fjalë rasti u mbajt edhe nga znj.Halime Jakupaj me temën “ Rilindja e personazheve, për të përjetuar ëndrrën e madhe në botën e vogël”

Kush është Naile Muqa Ahmeti?

U lind në vitin 1967 në katundin Vraniq rrethina e Suharekës. Në Bukosh kreu shkollën fillore, kurse Gjimnazin në Suharekë. Studimet i kreu në Universitetin e Prishtinës dhe Tetovës në Degën Letërsi shqiptare. Për disa kohë jetoj në Perëndim, por atdheun e kishte gjithmonë në zemër dhe mbajti lidhje të fuqishme me te. Ajo shkruan poezi dhe tregime, tani kjo është vepra e saj e re.

No comments:

Post a Comment