2017-01-30

Prof. dr. Selman Sheme"Çamëria. Vështrim gjeopopullativ dhe etnokulturor"


Monografia 'Çamëria' e prof. dr. Selman Shemes, historianit që shkruan si çam, por jo si antigrek

Monografia 'Çamëria' e prof. dr. Selman Shemes, historianit që shkruan si çam, por jo si antigrek

Prof. dr. Selman Sheme ka publikuar së fundi, librin e tij monografi me titull "Çamëria. Vështrim gjeopopullativ dhe etnokulturor", një libër që u promovua në Akademinë e Shkencave.

Në kapituj e këtij libri jepen dëshmi nga spastrimi etnik i popullsisë shqiptare në Çamëri gjatë Luftës së Parë Botërore deri tek finalizimi i spastrimit etnik nëpërmjet genocidit në vitet 1939 – 1945. Po ashtu, jepen të dhëna demografike dhe ekonomike për krimet dhe grabitjen e pasurive të popullsisë çame.

“Ia kushtoj familjes sime, që vuajti kalvarin e shpërnguljes së dhunshme” shkruan prof.dr. Selman Sheme në hyrje të librit të tij të ri me titull “"Çameria. Vështrim gjeopopullativ dhe etnokulturor". Monografia është një himn që i kushtohet Çamërisë martire dhe çështjes së pazgjidhur çame.

Ndërsa lexon kapitullin VII “Shqiptarët e Çamërisë në rrjedhat e shpërnguljeve të dhunshme” autori nuk bën letërsi. Thjesht bën histori. Shkruan si shqiptar çam, por jo si antigrek. Shkurt, ruan ndershëm staturën e intelektualit të emancipuar shqiptar me frymë europiane.

I tërë libri, domethënë nga faqja 21 e deri në faqen 361, përshkohet nga dashuria e pakufishme për trojet e të parëve shqiptarë. Me sa nuk është vështirë të kuptohet, profesor Shemes i është dashur të zhytej thellë në histori, duke vjelë fakte interesante nga 152 burime të saj. Po kështu, është mbështetur në 26 dokumente nga Arkivi Qendror i Shtetit.

Kjo monografi na e jep Çamërinë filluar nga një periudhë prej 30 mijë vjetësh të shkuara, me vendbanimet shpellore në Shën Marinë, Konispol, me vendbanimet e Xarrës dhe deri më sot. Autori nuk i ka nxituar akrepat e orës së historisë të Çamërisë. Ka vazhduar të jetë i vëmendshëm. I ka hedhur dritë historie çështjes çame gjatë tërë periudhave: nga lëvizjet migruese të shqiptarëve të Çamërisë në shekujt XIV – XV, gjatë sundimit osman, gjatë shekullit XIX, gjatë krizës lindore dhe aneksimit të Çamërisë, si dhe gjatë rrjedhave të shpërnguljeve të dhunshme.

No comments:

Post a Comment