2017-01-30

Rasti Astrit Avni Dehari: Prokuroria e merr në pyetje Avokatin Tomë Gashi

Tomë Gashi, avokati i angazhuar nga familja e Astrit Dehari, është marrë në pyetje nga Prokuroria Themelore e Prizrenit para më shumë se një jave

Lajmin e ka konfirmuar prokurori i rastit, Metush Biraj. Ai ka thënë se Gashi ka kohë që është marrë në pyetje nga prokuroria lidhur me deklaratat e tij për rastin “Dehari” në cilësinë e dëshmitarit.

“Avokatin e kemi dëgjuar. Avokati Tomë Gashi ka më shumë se një javë që është intervistuar në cilësinë e dëshmitarit. Nga ajo që ne e kemi dëgjuar nuk kemi diçka që vlen të cekët”, ka thënë Biraj për medie  duke shtuar se rasti është duke u hetuar.
Image result for metush biraj

Metush Biraj


Ndërkohë që zyrtarë të prokurorisë së shtetit javë më parë patën deklaruar se në pyetje lidhur me rastin ‘Dehari’ do të merren edhe dy mjekët ligjor të angazhuar nga familja “Dehari”, për ekspertizën e Astrit Deharit.

Por të njëjtit ende nuk kanë arritur që të intervistohen nga prokurorët vendorë. Kjo me arsyen se ata nuk janë shtetas të Republikës së Kosovës, andaj për intervistimin e tyre kërkohet procedurë.

Prokurori Metush Biraj thotë se nuk e di datën se kur do të mund të merren në pyetje në cilësinë e dëshmitarëve dy mjekët e pavarur ligjor të angazhuar nga familja Dehari.

“...Mjekët akoma nuk kemi arritur që t’i dëgjojmë. Për marrjen në pyetje të dy mjekëve të pavarur duhet kohë, sepse është një procedurë më e zgjatur pasi që njëri gjendet në Angli e tjetri në Shqipëri, ende nuk e dim se kur do të intervistohen”, ka bërë të ditur Biraj.
Ai shtoi se për intervistimin e këtyre dy dëshmitarëve do të përdoren edhe kanalet diplomatike.

Tomë Gashi

“Jemi duke e pritur njëfarë modusi se si ata t’i dëgjojmë përmes kanaleve diplomatike të Kosovës. Kjo çështje do të zgjasë bukur shumë. Ata do të dëgjohen si dëshmitarë”, ka thënë tutje Biraj.

Astrit Dehari, aktivist i Lëvizjes Vetëvendosje, vdiq në dhomën e tij në qendrën e paraburgimit në Prizren, më 5 nëntor të këtij viti.

Ai ishte njëri nga të dyshuarit për sulm me granatë dore ndaj ndërtesës së Kuvendit të Kosovës, në fillim të gushtit të këtij viti.


Rasti  i të ndjerit Astrit Dehari dhe mediat

Mediat ishin në anën e duhur në rastin e publikimit të xhirimeve nga qendra e paraburgimit e Prizrenit: nuk ka shkelje privatësie. Vetëvendosja ishte në anën e gabuar: të censurës dhe madje, kërcënimit. Dështimi më i madh është i organeve shtetërore: jo vetëm që të dhënat hetimore dolën jashtë, por se njeriu vdiq aty ku siguria garantohet.
Mbulimi i rastit Astrit Dehari, përtej shpërfaqjes së mosbesimit në sistemin gjyqësor, ka nxitur debat rreth besueshmërisë së mediave.
Xhirimi ku shihet Dehari ende i gjallë duke u bartur prej qelisë nga të paraburgosurit tjerë u publikua të enjten nga Klan Kosova dhe Gazeta Express. Një letër që pretendohet se është marrë nga ditari i tij në qendrën e paraburgimit u publikua të premten nga Indeksonline. Pas këtyre publikimeve, mediat sociale u vërshuan me komente kundër gazetarëve dhe etikës së tyre të raportimit saqë Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës u detyrua t’u dalë gazetarëve në mbrojtje.
Dehari, i cili ishte anëtar i Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje!, vdiq të shtunën më 5 nëntor në rrethana ende të pasqaruara. Prej dy muajsh po mbahej në paraburgim nën dyshimin se kishte sulmuar me armë ndërtesën e Kuvendit të Kosovës më 4 gusht. Deklaratat kundërthenëse të prokurorisë dhe policisë rreth lokacionit ku ndërroi jetë i ndjeri dhe konkludimet e hershme të autoriteteve se bëhej fjalë për vetëvrasje, nxitën dyshime ndaj këtij versioni. Rasti vë në pah mungesën e besimit në institucione publike deri në atë masë sa mjekë të pavarur janë përfshirë gjatë obduksionit dhe është kërkuar hetim i pavarur. Ai dëshmon, përtej perceptimeve, që zinxhiri i përgjegjësisë në drejtësinë penale ka mangësi.
Por mbulimi medial i këtij rasti duhet të shikohet si tërësi dhe jo të kufizohet vetëm në raportimet e orëve të fundit.
Për gjashtë ditë rresht lajmi për vdekjen e Deharit kryesoi ballinat e edicionet e shumicës së mediave kryesisht të ushqyera me informata nga Lëvizja Vetëvendosje!, dhe përfaqësuesi i saj ligjor. VV-ja dhe përfaqësuesi gëzuan hapësirë të konsiderueshme mediale përmes së cilës shprehën dyshimet e tyre dhe akuzat ndaj pushtetit, kërkuan drejtësi, interpretuan në detaje rezultatet preliminare të obduksionit dhe zbuluan prova të hetimeve. Bazuar në hashtagun #DrejtesiPerAstritDeharin, kjo temë ka mbizotëruar në mediat sociale këtyre ditëve. As lajmet për publikimin e Raportit të Progresit të Komisionit Europian, vizita e komisarit europian Johannes Hahn dhe suspendimi i anëtarësimit të Kosovës në Interpol, përkundër interesit të madh publik, nuk ia dolën t’i afrohen vëmendjes që iu kushtua rastit Dehari.
Një pjesë e madhe e gazetarëve janë treguar të kujdesshëm në raportim dhe kanë bashkëndjerë me dhimbjen e familjes. Këtë e shprehnin edhe përmes statuseve në Facebook, ndonëse janë të thirrur të mos marrin anë. Ky ‘kujdes’ u reflektua edhe në faktin se deklaratat në konferencat e shumta të Lëvizjes Vetëvendosje! dhe qëndrimi i saj se Dehari nuk është vetëvrarë, nuk janë sfiduar sa duhet. Në anën tjetër dhe me të drejtë, privatësia e prindërve dhe gruas së Deharit është respektuar. Detaje private nga jeta e tij bashkëshortore, shoqërore dhe studentore nuk janë zbuluar siç ndodh rëndom në raste të tilla.
Kështu, nga e shtuna (dita kritike) e deri të enjten nuk u shpreh pakënaqësi apo mosbesim ndaj mbulimit medial. Ankesat më shumë shkonin në drejtim të Lëvizjes Vetëvendosje! se po përfitonte politikisht duke e shfrytëzuar rastin Dehari, pohime që janë hedhur poshtë prej saj.
Me publikimin e xhirimit dhe letrës që pretendohet të jetë marrë nga ditari, të cilat nuk kontribuan në narrativën e krijuar deri më tash për këtë rast, shpërthyen akuzat ndaj kredibilitetit të mediave.
Lëvizja Vetëvendosje! filloi të kërkojë ruajtje të privatësisë, edhe pse të hënën vetë deputeti Albin Kurti në Emisionin Interaktiv kishte kërkuar publikimin e videove nga qendra e paraburgimit. Anëtari i kësaj lëvizjeje Hysen Durmishi, përmes Facebook-ut, kërcënoi “mediat e Klanit Pronto” se “zvarrë do të nxjerrim e do të ju dërgojmë në burg….” nëse e marrin pushtetin. Ai me shpejtësi e tërhoqi këtë deklaratë kur drejtuesi i lëvizjes Visar Ymeri haptazi nuk e mbështeti. Vetë gazetarët u ndanë në dy tabore nëse publikimet ishin etike ose jo. Njëjtë vepruan edhe disa anëtarë të shoqërisë civile.
Debati në Kosovë rreth besueshmërisë së mediave po zhvillohet paralelisht me një tendencë globale për të fajësuar mediat sa herë që ndodhin ngjarje të papritura politike. Për shembull, mediat janë duke u fajësuar se kontribuuan në zgjedhjen e Donald Trump president të SHBA-së, për rezultatet e Brexit-it ose edhe për numrin e madh të refugjatëve në Gjermani, ku partitë opozitare kanë filluar kampanjë kundër mediave nën Moton “Shtypi që gënjen” (Lying press).
Në rastin Dehari, kredibiliteti i mediave u sulmua, ndër të tjera, nën arsyetimin se publikimi i xhirimit përbën shkelje të privatësisë, pa u theksuar se për privatësi të kujt bëhet fjalë - obligimit për mbrojtjen e dinjitetit të të vdekurit gjatë raportimit dhe ndikimit të mundshëm në hetime.
Në mungesë të ligjit të veçantë për mbrojtjen e privatësisë në Kosovë, në rastin më të mirë duhet të zbatohen standardet e Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut e cila në rastin Axel Springer vs Gjermanisë (2012) ka zhvilluar testin e privatësisë që mund të lexohet këtu.
Dhe a pati shkelje të privatësisë?
Rasti Dehari është me interes për publikun. Ai ka qenë i njohur si pjesëtar i partisë së tretë në vend për nga votat dhe i dyshuar për vepër penale, pra nuk ka qenë një qytetar i rëndomtë, i panjohur. Për më tepër, Lëvizja Vetëvendosje! e ka ekspozuar qëllimisht dhe në detaje rastin në media duke lënë pak hapësirë për ruajtje të privatësisë.
Xhirimi zbulon rrethanat e vdekjes në një qendër paraburgimi ku pritet siguri. Aty shihet Dehari ende gjallë si dhe ofrohen detaje rreth reagimit të të burgosurve, gardianëve dhe stafit mjekësor. Për këto janë paraqitur disa versione të ndryshme si nga institucionet, ashtu edhe nga Lëvizja Vetëvendosje!, andaj xhirimi ka kontribuuar që publiku të informohet dhe të shohë reagimet e përgjegjësve në ato momente. Mediat, sidoqoftë, kanë mundur të tregojnë më shumë kujdes duke kufizuar pamjet gjatë bartjes së Deharit, duke mbuluar fytyrat e të gjithë të burgosurve që shihen në xhirim dhe duke paralajmëruar publikun që xhirimi mund t’i shqetësojë.
Në xhirim Deharit nuk i shihet fytyra nga afër, nuk shihen plagë apo gjak, nuk shihet duke u nxjerrë për shembull zvarrë, por bartet me kujdes. Ky aspekt është me rëndësi edhe nga ana etike dhe e obligimit për të trajtuar me dinjitet vdekjet.
Përderisa nuk vërtetohet e kundërta dhe meqë asnjë ekspert i pavarur nuk e ka kontestuar deri më tani xhirimin, ai duhet të merret si i vërtetë. Ndërsa, sa i përket ndikimit që publikimi mund të ketë në hetime, duke marrë parasysh që janë dhënë disa versione rreth asaj që shihet në xhirime dhe janë bërë publike shumica e detajeve, publikimi i xhirimit ka pak mundësi që të dëmtojë ato. Për më tepër, nëse hetimi rezulton në një rast gjyqësor, materiale si kjo me siguri që do të bëheshin publike gjatë seancave gjyqësore.
Kjo që u tha më lart vlen vetëm kur e drejta e privatësisë shqyrtohet në raport me media. Por e njëjta nuk mund të pretendohet kur në pyetje janë institucionet publike, sepse ato janë të obliguara të ruajnë privatësinë e qytetarëve.
Rrjedhja e këtij xhirimi është vazhdimësi e rrjedhjeve që janë bërë më herët, duke përfshirë ato në rastin e ish-kryetarit të Gjykatës së Apelit Salih Mekaj dhe në rastin e përgjimeve ku përfshihet deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës Adem Grabovci. Në këto raste ku publikohen të dhëna nga dosjet penale në faza të hershme edhe mund të ketë shkelje të privatësisë, por përgjegjëse janë institucionet dhe jo gazetarët.
Prandaj, Avokati i Popullit me të drejtë ka kërkuar nga institucionet që të mos zbulohen detaje të tilla. Njëjtë ka vepruar edhe familja Dehari të premten kur ngriti kallëzim penal kundër institucioneve relevante për zbulim të xhirimit, e jo kundër mediave.
Raportimi i rasteve kaq të ndjeshme kërkon objektivitet, rigorizitet në verifikimin e informatave dhe respektim të standardeve etike në mënyrë që të mos i kontribuohet uljes së besimit në media. Njëkohësisht, politikanët dhe qytetarët duhet të marrin parasysh që gazetarët kanë obligim të informojnë publikun dhe të mbajnë përgjegjëse institucionet, edhe kur ato lajme mund të shkaktojnë fyerje e shqetësime në publik, sepse e kundërta do të ishte vetëcensurë.
Pra duhet thënë qartë se mediat ishin në anën e duhur në rastin e publikimit të xhirimeve nga qendra e paraburgimit e Prizrenit. Vetëvendosja ishte ditët e fundit në anën e gabuar: të censurës dhe madje, kërcënimit. Dështimi më i madh është i organeve shtetërore: jo vetëm që të dhënat hetimore dolën jashtë, por se njeriu vdiq aty ku siguria garantohet.
Në interes pakrahasimisht më të madh për publikun është që rasti Dehari të ndriçohet. Në rrugë e sipër, ai ka për të treguar shumë më tepër për shtetin e Kosovës, VV-në dhe mediat.


Misteri i vdekjes së aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje!, Astrit Dehari, vazhdon të jetë objekt i spekulimeve të ndryshme. Familja e Astritit, Lëvizja Vetëvendosje!, shoqëria e Kosovës, kërkojnë një hetim të pavarur në këtë rast. Organet shtetërore u zotuan se do të inicojnë hetime të pavarura dhe transparente për rastin në fjalë. Fjalët drejtësi, hetim të pavarur dhe transparencë i kanë vërshuar portalet dhe rrjetet sociale. Mirëpo, çka nënkuptojmë me hetime të pavarura dhe transparente? Kush duhet t’i inicojë këto hetime? Si duhet të zhvillohen këto hetime?(
Flutura Kusari)


Obligimi pozitiv i shtetit dhe hetimet e vdekjes së Astrit Deharit

Qëllimi i këtij shkrimi është të shpjegojë në pika të shkurta obligimin pozitiv të shtetit për të mbrojtur të drejtën për te jetuar, obligim ky që rrjedh nga Nenin 2 i Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut .
Neni 2 ( paragrafi 1) i Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut thotë:
” E drejta e çdo njeriu për jetën mbrohet me ligj. Askujt nuk mund t’i privohet qëllimisht jeta, me përjashtim të rastit, kur zbatohet një vendim me vdekje i dhënë nga një gjykatë, kur krimi ndëshkohet me këtë dënim nga ligji”.
E drejta për jetën karakterizohet si një e drejtë absolute e cila nuk lë hapësirë për kufizime. Ajo është një e drejtë e themelore që i paraprin të drejtave tjera që na i garantojnë instrumentet ndërkombëtare. Kjo e drejtë e ngarkon shtetin me dy obligime, obligimin negativ dhe pozitiv. Një obligim negativ nënkupton të mos privohet askush nga jeta në mënyrë arbitrare, ndërsa ai pozitiv e obligon shtetin tua mbrojë jetën qytetarëve të tij në çdo aspekt.

Pra shteti jo vetëm që duhet të përmbahet nga privimi i qëllimshëm dhe i paligjshëm i jetës, por duhet gjithashtu të marrë hapa të duhura për të mbrojtur jetën e të gjithëve brenda juridiksionit të vet.
Kur një i arrestuar/burgosur vdes në ambientet e burgut (stacion policor) i gjithë dyshimi bie tek autoritetet e burgut ngase konsiderohet se i burgosuri ishte nën kujdesin e shtetit dhe në këtë rast është detyrë e shtetit të inicojë një hetim të pavarur dhe efektiv për të ndriçuar rastin. Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut (GJEDNJ) është shprehur së Neni 2 kërkon nga organet përkatëse shtetërore një hetim të drejtë dhe adekuat për rastet që rezultojnë nga veprimet e zyrtarëve të shtetit, si nga përdorimi i forcës vdekjeprurëse, vdekjet misterioze, por edhe në situata që dalin nga neglizhenca e zyrtarëve që çon për në vdekje.

Pra, barra e provës bie mbi organet shtetërore për të inicuar një hetim efektiv dhe të pavarur për ndriçimin e rastit dhe të dalë me një shpjegim të kënaqshëm dhe bindës.
Në ketë rast, GJEDNJ-ja ka caktuar pesë standarde kryesore të cilat e bëjnë një hetim efektiv, dhe ato janë:
1. Pavarësia - nuk duhet të ketë lidhje institucionale ose hierarkike mes hetuesve dhe palës kundër së cilës është parashtruar aneksa (zhvillohen hetimet). Pra duhet të ekzistojë një pavarësi praktike;

2. Mënyra adekuate - hetimi duhet të jetë adekuat, organet që kryejnë hetimin duhet përmes provave të mbledhura të përcaktojnë veprimet e paligjshme dhe për të identifikuar dhe ndëshkuar ata që janë përgjegjës;

3. Shpejtësia - hetimi duhet të kryhet menjëherë, shpejtë, në mënyrë që të ruajmë besimin në sundimin e ligjit;

4. Shqyrtimi publik – procedurat dhe vendimet duhet të janë të hapura dhe transparente për të siguruar llogaridhënien;

5. Përfshirja e familjes së viktimës – ankuesi (anëtari i familjes) duhet të përfshihet në procesin e hetimit. Këtë mund ta bëjë edhe përmes avokatit.
Aktualisht rasti i hetimit të vdekjes së Astrit Deharit është në duart e organeve shtetërore, përkatësisht, ekipit hetues të policisë dhe prokurorit. Sipas informacioneve, dy ekspertë të pavarur (të jashtëm) mjekoligjorë kanë marrë pjesë në autopsi. Po ashtu ishte prezent edhe një avokat, në cilësi të përfaqësuesit të familjes.
A mund të konsiderohen veprimet e deritanishme hetimore si garancë që do çojnë tek një hetim i pavarur dhe efektiv? Ja po i analizojmë.
Së pari themelimi i ekipit hetues nga ana e policisë nuk ofron garanci të mjaftueshme të paanshmërisë dhe pavarësisë. Standardi i pavarësisë kërkon të mos ketë lidhje institucionale ose hierarkike mes hetuesve dhe palës kundër së cilës zhvillohen hetimet. Edhe pse ekipi hetues mund ta kryejë këtë punë në mënyrë të paanshme dhe të pavarur, natyra e rastit e kërkon që të garantohet dhe sigurohet një pavarësi dhe paanshmëri më e madhe, vetëm e vetëm për të krijuar një imazh të besueshmërisë i cili do të jetë garancë e sigurisë për një hetim efektiv dhe të pavarur.
Sa i përket mënyrës adekuate dhe të shpejtë të kryerjes së hetimeve, tani për tani veprimet e ndërmarra nuk e pasqyrojnë një gjë të tillë. Informatat që na i ofrojnë mediumet lënë përshtypje se nuk ekziston një unitet brenda ekipit hetues. P.sh., nuk përputhen deklaratat e Drejtorit të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Prizrenit më atë të kryeprokurorit i cili është edhe udhëheqës i hetimeve. Për më keq, askush nga autoritetet përgjegjëse nuk doli me ndonjë sqarim për këto deklarata kontradiktore. Kështu që e gjithë kjo lë hapësirë për mosbesim dhe shton edhe një dozë më të madhe të dyshimit mbi rastin, gjë që e vë në pyetje transparencën e hetimeve, standard ky i rëndësishëm për një hetim të pavarur dhe efektiv. Pra, informimi nuk duhet të jetë parcial, sepse është detyrë e udhëheqësit të hetimeve të koordinojë veprimet dhe të mbajë opinionin të informuar për ecurinë e hetimeve. Një gjë e tillë është më se e nevojshme sepse tregon së rasti është duke u trajtuar me seriozitet.

Ndërsa kur është fjala për standardin e përfshirjes së familjes në procesin e hetimeve vërehet së përfshirja e familjes Dehari në hetime është rezultat i vetëinsistimit nga ana e familjes, e jo si një veprim i drejtpërdrejtë nga ana e autoriteteve. Janë organet shtetërore ato që duhet të ofrojnë dhe sigurojnë prezencën e familjes së viktimës në procesin e hetimeve.
Nga veprimet e deritanishme hetimore rezulton se autoritet përkatëse nuk janë duke e trajtuar rastin me kujdes dhe seriozitet të duhur. Siç u tha më lart, në rastet siç është ky i Astrit Deharit, i gjithë dyshimi është tek autoritetet e burgut, prandaj shteti duhet ta bëjë të pamundurën që të sigurojë një procedurë efektive, të pavarur dhe transparente që përcakton faktet që rrethojnë vdekjen e të ndjerit. Sepse këtë e kërkon e drejta për të jetuar e Astrit Deharit!(Gjylbehare Murati)




Rasti Astrit Dehari, test i besueshmërisë ndaj institucioneve

I ndjeri Astrit Dehari, aktivist i VV-së, vdiq të shtunën në burgun e Prizrenit. Shërbimi Korrektues i Kosovës kishte për detyrë që të kujdesej për mirëqenien dhe sigurinë e tij, përfshi këtu edhe parandalimin e vetëvrasjes përmes masave të sigurisë (nëse ky del të jetë shkaku i vdekjes nga autopsia).
Në periudhën e gazit lotsjellës, një deputeteje të Kuvendit të Kosovës nga rradhët e VV-së iu publikuan në media skanime të organeve gjenitale (ku thuhej se fshihej gazi). Ato u nxorën në publik nga spitalet publike, të cilat e kanë për detyrë që të ruajnë privatësinë e pacientëve për të cilët kujdesen.
Në të dyja rastet, kemi të bëjmë me institucione të shtetit që nuk përmbushën detyrat e tyrë ligjore, dhe kështu i shkelën të drejtat civile të qytetarëve të këtij vendi.
Mund të pajtohemi ose jo me pozicionet politike të Vetëvendosjes sa të duam.
Unë për vete si qytetar i këtij vendi nuk pajtohem as me gazin lotsjellës në Kuvend si mjet kundërshtimi, as me kauzat e paqena si decentralizimi e asociacioni, as me ideologjinë e sektit dhe përpjekjen për të ardhur në pushtet me mjete të dhunshme. Dhe as nuk dua që t’i paragjykoj organet e rendit në rastin që e kanë ngritur ndaj aktivistëve për sulmet ndaj Kuvendit (përkundër dyshimeve serioze në pavarësinë e policisë dhe gjyqësorit).
Por këto mospajtime politike nuk duhet të na verbojnë para faktit se në thelb të funksionimit tonë si shoqëri qëndrojnë disa të drejta civile, përtej atyre politike, për të cilat duhet të bëhemi bashkë sa herë që ato shkelen, pa marrë parasysh se nga kush dhe ndaj kujt.
Sepse ligjet dhe institucionet janë aty për të na mbrojtur të gjithëve nga arbitrariteti. Sepse nesër mund të jetë në pushtet pala tjetër e cila sot është viktimë e padrejtësisë, dhe do të detyrohet që ta respektojë standardin të cilin ne si shoqëri e ndërtojmë sot.
Sepse duke i mbrojtur këto të drejta civile ne vendosim se a dëshirojmë të ndërtojmë në një demokraci të vërtetë, nga ato drejt të cilave po vërsulen refugjatët prej gjithë botës (përfshi edhe bashkeqytetarët tanë), apo dëshirojmë të krijojmë autokraci sundimtarësh, ku institucionet janë në shërbim të pashallarëvet të çastit, prej atyre të nivelit kombëtar e deri te cubat e lagjeve, dhe ku të drejtat civile janë vetëm gërma në letër?
Në shkenca politike këto dy lloje demokracish ndahen në “demokraci elektorale” dhe “demokraci liberale”.
Në kategorinë e parë arrihet vetëm minimumi i demokracisë, ai i zgjedhjes së pushtetit përmes votës. Por demokracia përfundon aty, sepse pushteti i zgjedhur i përdorë të gjitha mekanizmat e shtetit për interesa të vëta dhe për ta bërë garën për vota të pabarabartë. Në këtë kategori bëjnë pjesë regjimet si ai i Putinit dhe i Erdoganit.
Në kategorinë e dytë pushteti fitohet me votë, por edhe frenohet prej institucioneve të pavarura dhe prej shoqërisë civile, ndërkohë që të drejtat dhe liritë e qytetarëve janë të pacenueshme. Në këtë kategori hyjnë demokracitë e konsoliduara perëndimore.
Ne si Kosovë jemi diku në mes të këtyre modeleve dhe të paktën në retorikë po e synojmë modelin e dytë. Prandaj edhe duhet të shqetësohemi kur shteti i keqtrajton apo nuk kujdeset për ata me të cilët nuk pajtohemi.
Sepse edhe nëse jeni cinik dhe nuk jeni i bindur me faktin se padrejtësia është moralisht e dënueshme, të paktën mund të bindeni nga interesi vetjak, dhe nga fakti se nesër vetë ju mund të jeni viktima të diskriminimit prej institucioneve arbitrare.
Nëse mendoni se mund të bëhemi pragmatik dhe moralisht relativizues me shkeljen e të drejtave civile kur ato i konvenojnë anës suaj politike, shikoni për shembull se çfarë po ndodh sot në Turqi, dhe merreni parasysh fatin ironik të Fetullah Gylenit.
Ishte pikërisht rrjeti i Fetullah Gylenit ai që përmes njerëzve të tij në sistemin e drejtësisë kishte bërë persekutime politike për hesap të Erdoganit (kur këta të dy ishin akoma aleatë politik dhe Gyleni përfitonte prej sistemit). Për shembull, në vitin 2008, rrjeti i Gylenit i kishte ndërtuar aktakuzat (kryesisht të sajuara) kundër rreth 200 ushtarakëve që akuzoheshin për përgatitje të grushtetit (rasti Ergenekon).
Tani pas prishjes me Erdoganin, vetë rrjeti i Gylenit është viktimë e persekutimit arbitrar prej sistemit të cilin ndihmuan për ta ndërtuar, bashkë me mijëra qytëtarë të tjerë që kanë mospajtime me regjimin autokratik.
Është detyrë e gjithë shoqërisë, përfshi e partive në pushtet, që sot të kërkojë përgjegjësi institcionale për vdekjen e opozitarëve në burgje dhe t’i hetojnë dyshimet serioze për diskriminim apo keqtrajtim të kundërshtarëve.
Sepse cikli i drejtësisë politike duhet thyer dhe besimi në institucione duhet rikthyer nëse dëshirojmë të ndërtojmë shtet të jetueshëm.
Në rastin Dehari, institucionet reaguan me shpejtësi për t’i krijuar kushtet për transparencë dhe për t’i sqaruar rrethanat e vdekjes së aktivistit.
Por, qoftë nga injoranca apo keqdashja, akoma nuk kanë krijuar besueshmëri.
Në rastin më të mirë këtë mosbesim e shkaktuan për shkak të menaxhimit publik të situatës, kur një drejtor i papërgjegjshëm policie e paragjykoi rastin si “vetëvrasje nga medikamentet” (që tani del që nuk është, e që krijon hapësirë për konspiracione).
Ndërsa në rastin më të keq mosbesimin do ta thellojë autopsia, nëse del se vdekja është shkaktuar nga faktori njeri.
Në çfarëdo rasti, duhet pritur me durim rezultatet e procesit institucional dhe të mjekësisë ligjore. Por nuk duhet pritur për asnjë moment me thirrjet për drejtësi.(Agon Maliqi)




Astrit Deharit

Te filmi i famshëm antifashist “Z” (1969), regjisori Costa Gavras rrëfen historinë e një aktivisti të majtë — njëherazi deputet i një subjekti opozitar, i cili, në një tubim paqësor kundër armatimit ushtarak dhe nuklear të vendit, qëllohet për vdekje nga “një shofer i dehur kamionete.”
Me fjalë të tjera, nga “një pijanec.”
Kështu, së paku, thuhej në raportin zyrtar të policisë.
Megjithatë, për të hetuar më në hollësi atë çfarë kishte ngjarë me aktivistin në fjalë; ose, thënë më mirë, për ta bërë versionin zyrtar të vdekjes së tij më të besueshme për qytetarët e vendit, qeveria vendos të emërojë formalisht edhe një gjyqtar hetues, me shpresën se ai do të vërtetojë saktësisht atë që thuhej në raportin zyrtar të policisë — që vdekja e aktivistit të majtë, njëherit deputet i një subjekti opozitar — kishte qenë thjesht një “vdekje aksidentale.”
Sidoqoftë, gjërat nuk shkojnë sipas planit të qeverisë, policisë dhe ushtrisë; meqë falë pavarësisë solide të gjyqtarit hetues, autopsisë së mjekëve ligjorë, dëshmive të guximshme të dëshmitarëve dhe provave të mbledhura nga një gazetar i zhdërvjelltë, zbulohet se deputeti opozitar nuk ishte vrarë aksidentalisht nga një drejtues kamionete, por, përkundrazi, ishte qëlluar politikisht nga militantë fashistë dhe zyrtarë të lartë policorë e ushtarakë të vendit.
Në ndërkohë, sidoqoftë — dhe këtu, besoj, është kthesa më e madhe që ndodh në film – ushtria arrin të marrë pushtetin nëpërmjet një puçi i ushtarak. Dhe, rrjedhimisht, zyrtarët e lartë policorë dhe ushtarakë lirohen nga akuzat. Kurse ata të cilët kanë ndihmuar zbardhjen e vrasjes politike të deputetit opozitar, si gjyqtari hetues, gazetari, dëshmitarët, bashkëpunëtorët e deputetit opozitar, përfundojnë si mos më keq: të burgosur, të deportuar, si dhe, disa prej tyre, të vdekur në rrethana krejtësisht “misterioze.”
Dashur pa dashur, ky film m’u kujtua teksa po lexoja deklaratat kontradiktore të Policisë dhe Shërbimit Korrektues të Kosovës rreth vdekjes së aktivistit politik të Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Deharit. Sipas Policisë, ta zëmë, thuhej se Astrit Dehari ka vdekur rrugës për në Spitalin e Prizrenit për shkak të konsumimit të barnave. Ndërkaq, sipas Shërbimit Korrektues të Kosovës, deklarohej se Astrit Dehari ka vdekur pasi ka mbërritur në Spitalin e Prizrenit.
Çuditërisht, në vend që këto deklarata të interpretohen si përpjekje e institucioneve të sistemit për të fashitur vdekjen politike të aktivistit Dehari, analistët dhe gazetarët i interpretuan ato vetëm si “mungesë profesionalizmi” nga ana e këtyre dy institucioneve, thua se bëhej fjalë për ndonjë kafshë, hajdut apo kriminel ordiner, e jo për një aktivist politik, zyrtar publik dhe anëtar i një subjekti opozitar në Kosovë—Lëvizjes Vetëvendosje.
Sigurisht, disa do të thonë:
- Vdekja e Astritit nuk ishte vrasje politike; madje nuk ishte as vrasje, por vetëvrasje.
Ndonëse për shumëkënd, po besoj, ky dallim është i rëndësishëm për t’u pasur parasysh, për mua, personalisht, ka fare pak rëndësi. Sepse, me ose pa rezultatet e autopsisë; me ose pa inçizimet e burgut; i vrarë apo i vetëvrarë, një fakt është i pandryshueshëm: po qe se nuk do mbahej në burg, Astriti nuk do shuhej në burg. Andaj, pavarësisht nëse u vra apo u vetëvra, xhelatët e Astritit janë në Qeveri, Kuvend, Polici, Shërbim Korrektues, Prokurori, Gjyqësi, e kështu me radhë.
Ndonjë halabak, sigurisht, do të më pyes se si i ditkam unë vendndodhjen e xhelatëve të Astritit.
I di, do t’i përgjigjesha halabakut, sepse kishte kohë që Astriti përndiqej politikisht.
Arrestohej politikisht.
Burgosej politikisht.
Akuzohej politikisht.
Mbahej në burg politikisht.
Dhe, në analizë të fundit, i di, sepse ata e qëlluan politikisht.
Madje po të parafrazoja një shkrim të Pasolinit, do të mund të thoja se i di edhe të gjitha emrat. Ja, ua them, po deshët: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Isa Mustafa, Skender Hyseni, Shpend Maxhuni, Sokol Zogaj, Nexhmi Krasnqi, Vehbi Kashtanjeva, Metush Biraj, e plot emra të tjerë që, për shkak të hapësirës të këtij shkrimi, e kam thjesht të pamundur t’i përmend.
Këta janë pra xhelatët e Astritit.
Xhelatët e studentit shembullor të Mjekësisë.
Xhelatët e doktorit të ardhshëm.
Xhelatët e vëllaut të Arbnorit dhe Albanës.
Xhelatët e të birit të Xhemile dhe Avni Deharit.
Xhelatët e bashkëshortit të Artës.
Xhelatët e babasë së ardhshëm Astritit.
Xhelatët e shokut aktivist të Vetëvendosjes.
Xhelatët e bashkëqytetarit tonë.
Anipse, siç do të thoshte Pasolini, unë nuk i kam provat, dhe as shenjat. Por, i di, “sepse jam intelektual dhe shkrimtar.”
Disa, megjithatë, do të më thonë prapë se unë paskëm një talent të pazakontë për t’i ngatërruar gjërat; sepse Astriti nuk mbahej në burg për arsye politike, por si i dyshuar për sulm terrorist ndaj Kuvendit të Kosovës.
Vërtet ka njeri të shëndoshë mendërisht që e beson një insinuatë të tillë?
Vërtet?
Po të thuhej për ndonjë anëtar të ndonjë partie tjetër, po—mbase edhe do ta besoja këtë gjë; meqë, siç e dimë të gjithë, shumë prej tyre e kanë kaluar një jetë të tërë në ilegalitet, ose, më keq akoma, duke u marrë me aktivitete kriminale të nëntokës. Por ta thuash këtë gjë për Lëvizjen Vetëvendosje, kur të gjitha aksionet e saj, radikale dhe jo radikale, kanë qenë publike, është thjesht një akuzë që s’e besojnë as ata vetë që e kanë konstruktuar atë. Për t’u bindur në këtë që po them, mjafton t’i kujtoni aksionet radikale kundër administratës ndërkombëtare të Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK-ut).
Rrëzimin e makinave të EULEX-it.
Bllokimin e pikave kufitare me Serbinë.
Rrëzimin e kamionëve me mallra dhe produkte serbe.
Hedhjen e domateve dhe vezëve ndaj përfaqësuesve të institucioneve.
Hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës.
E sa e sa aksione të tjera radikale politike—të cilat do të duhej shkrime të tëra për t’i përthekuar.
Mirëpo, në një mënyrë, mund të thuhet se Astriti edhe ishte fajtor politik. Sepse të mos qenit fajtor politik në një regjim autoritar si ky i ynë, do të thotë, në mes të tjerash, që nuk ekziston politikisht.
Astriti nuk ishte i tillë—ishte njeri politik.
Ngaqë të thuash që nuk ishte fajtor, i bie që, përveç tjerash, ta reduktosh aktivitetin e Astritit në hiqgjë.
Aktiviteti i Astritit nuk ishte i tillë—ishte kuptimplot.
Ngaqë të thuash që nuk ishte fajtor Astriti, domethënë që aktiviteti i tij politik nuk përbënte rrezik për regjimin autoritarist.
Aktiviteti i Astritit nuk ishte i tillë—ishte kërcënim për stabilitetin e këtij regjimi.
Ngaqë të thuash që nuk ishte fajtor Astriti, nënkupton që atij i interesonte vetëm interesi individual.
Astriti nuk ishte i tillë—atij i interesonte interesi publik.
Ngaqë të thuash që nuk ishte fajtor Astriti, do të thotë që ai kishte bërë paqe me regjimin.
Astriti nuk ishte i tillë—ai i kishte shpallë luftë atij.
Ngaqë të thuash që nuk ishte fajtor Astriti, do të thotë që ai ishte i gatshëm të sakrifikojë të tjerët për të mbijetuar vetë.
Astriti nuk ishte i tillë—ai e flijoi veten e tij, për popullin, për shoqërinë, për shtetin, për kombin, për republikën.
Pra, po. Astriti ishte fajtor politik. Dhe kjo gjë duhet admiruar nga të gjithë ne, pa përjashtim.
Prandaj vdekja e Astritit është e padepolitizueshme. Prandaj vdekja e Astritit është e paharrueshme.
Të përpiqesh ta bësh të kundërtën—depolitizimin e saj—do të thotë ta vrasësh Astritin politikisht. Do të thotë t’ia vrasësh idetë dhe idealet për të cilat ka luftuar ai. E kjo vdekje, në besoni apo jo, është më rëndë se ajo e burgut. Ajo e burgut ishte fizike. Kjo e depolitizimit është politike.
Së këndejmi, në vend të depolitizimit të vdekjes së Astritit do të ishte e udhës të bënim (ri)politizimin e vetes tonë. Vetëm kësisoji, besoj, do të bëhemi të aftë për ta bërë shtetin tonë një vend të jetueshëm për të gjithë. Një vend ku bashkëqytetarët tanë—jo vetëm që nuk do të vdesën nëpër burgje më —por ku nuk do të ketë fare nevojë për to.(Armend Mazreku)

No comments:

Post a Comment