2017-01-27

Shija e ananasit, Orwell dhe artisti


Luan Rama

Në “Traktatin e Natyrës së Shoqërisë Njerëzore”, filozofi anglez David Hume ka shkruar një diçka simbolike dhe për ne shqiptarët, duke pohuar ndër të tjera se “Nuk mund ta kuptosh shijen e ananasit pas e provuar atë”. George Orwell para se të shkruante romanin e tij të famshëm “Viti 1984” mbi natyrën e shtetit totalitar, i frymëzuar padyshim nga Stalini në Bashkimin Sovjetik, e kishte përjetuar atë çka do të thoshte totalitarizëm, si të thuash e kishte provuar “shijen e ananasit” që në rininë e tij, kur shkoi të punonte në policinë imperiale britanike në Birmani, ku njohu mekanizmat e shtypjes koloniale dhe të despotizmit si dhe metodat e thyerrjes njerëzore. Por mësimi më i madh për të ishte në kohën kur si një komunist i ri, në rradhët e Partisë Puntore të Bashkimit Marksist (POUM), i frymëzuar nga utopia marksiste shkoi të luftonte për të mbrojtur Spanjën republikane nga falangat e errta të Frankos dhe të fashizmit që po fuqizohej në Europë. Në vitin 1936 ai shkoi në frontin e Aragonës me Brigadat Internacionale ku dhe u plagos nga një plumb frankest (aty ku luftonin Ramir Varvarica, Skënder Luarasi, Petro Marko e të tjerë shqiptarë të lavdishëm), por pikërisht atje ai zbuloi se si manipulohej e vërteta e historia, si ndëshkoheshin revolucionarët e vërtetë nga të dërguarit e Stalinit, si torturoheshin e vriteshin duke i konsideruar kundër-revolucionarë. Ky mësim i madh në Spanjë si dhe ai i proçeseve politike në Bashkimin Sovjetik lanë gjurmë në shpirtin e tij revolucionar për të dëshmuar më pas natyrën e totalitarizmit përmes romanit “Viti 1984”, ku i ngacmuar nga figura e Stalinit ai krijoi figurën e “Big-brother”, i cili survejonte gjithçka perms kamerave dhe sundonte me një dorë të hekurt mbi çdo tentative lirie e pavarësie mendimi, në një shoqëri të unifikuar që survejohej nga Policia e Mendimit dhe ku madje një dashuri e lirë e intime nuk mund të mbijetonte pa survejimin dhe aprovimin e Ministrisë së Dashurisë…

Gjithë bota demokratike ashtu si dhe shqiptarët e sotëm kanë përshëndetur gjeninë e Eric Blair (apo George Orwell, pseudonim që i vuri vetes më 1933), por askush nuk e ka akuzuar atë pse në rininë e tij ishte një antikapitalist dhe që mbronte kauzën e të mjerëve, askush nuk e ka denoncuar atë pse kishte ide komuniste dhe kishte shkruar kundër bosëve të kapitalit të madh si dhe Bertold Brecht, kapital që shfrytëzonte forcën e krahut dhe ëndrrat e miliona njerëzve të pambrojtur.

Përse disa kritizerë aktualë në Shqipëri që prej 25 vjetëve duan ta hedhin në ferr gjithçka të krijuar në pothuajse 50 vjetët e kohës totalitare, vepra të autorëve që në një mënyrë apo në një tjetër pranuan të mbijetonin në kohën e dhunës e të plumbit dhe më pas ta kritikonin atë pasi e kuptuan se çfarë ishte në fund të fundit individi para peshës së madhe të kontrollit, survejimit, spiunimit, manipulimit të aktit shoqëror por dhe të vetë historisë dhe asaj që është më e rëndësishme, të së vërtetës. Shkrimtari ynë i dashur dhe I paharruar Dhimitër Xhuvani që shkroi Përsëri në këmbë, e përjetoi fare mirë goditjen totalitare; Kujtim Spahivogli, entusiazti i madh që donte t’i përngjante Majakovskit, përfundoi në jetën e linçimit. Faktet janë aq të shumta, sa nuk është aq lehtë t’i flakësh të gjithë pse ata krijuan në kushtet e shtetit totalitar. Ata besuan në një ide por u zhgënjyen nga ideologjia dhe praktika totalitare e shtetit policor. Odhise Paskali realizoi në skulpturë si portretin e Zogut ashtu dhe të Enver Hoxhës, por a mund ta hedhësh poshtë për një vepër të tillë këtë mjeshtër të jashtëzakonshëm dhe referencë të skulpturës shqiptare të shekullit XX? A mund t’i hedhësh poshtë me një të rënë të lapsit apo perms një diskursi autoritar autorët më në zë të letërsisë shqiptare, aktorët e kinematografisë e të teatrit, piktorët e e shquar që krijuan figura me figurat e puntorëve dhe të fshatarëve, edhe pse jetuan në kohën totalitare? Sigurisht, një pjesë ishin “ortodoksët e ideologjisë staliniane”, por kjo nuk mund të errësojë krijimtarinë letrare e artistike të gati gjysmë shekulli. Nuk mund të hidhen poshtë regjisorët e talentuar që bënë art, aktorët e mrekullueshëm, siç ishin Ndrek Luca, Sulejman Pitarka, Kadri Roshi, Sandër Prosi, Robert Ndrenika e deri tek Bujar Lako, Rikard Larja, Timo Flloko, etj, që interpretuan dhe role “pozitive” siç quheshin në atë kohë. Lista është e gjatë. Të gjithë e dinë se nëse ata s’do të pranonin të krijonin, të luanin, të pikturonin, të kompozonin, ata nuk do t’i mbijetonin kohës.

Ajo që bëri Kasem Trebeshina me promemorjen e tij kundër absolutizmit dhe artit partiak është e jashtëzakonshme dhe një nder i kohës sonë. Por kjo që ka ndodhur në Shqipëri nuk është unikale. Ajo ka ndodhur dhe në vendet e tjera totalitare. A nuk kishte Rusia një Majakovski, i cili i thurrte vargje Partisë dhe Leninit dhe pastaj u zhgënjye nga ata? A nuk realizoi regjisori i shquar rus Ejzenshtain filmat “Korracata Potjomkin” dhe “Tetori” dhe pastaj u zhgënjye nga manipulimi i artit dhe i historisë? A nuk ndodhi kjo në gjithë Lindjen europiane? Kush kërkon sot që veprat e Shollohovit të mos shihen më, meqë dhe ai ishte një regjisor i kauzës proletare dhe parapëlqehej nga Stalini? Kush kërkon që tu ndalohet e drejta e ekranit dhe e sallave të kinemasë veprat e një kinematografie që padyshim mban dhe gjurmët e një censure të pashmangëshme? Deri kur do të vqazhdojmë me intolerance? Në asnjë nga këto vende të Lindjes europiane nuk kanë ngritur shpatat të godasin krijuesit pse në një moment të tyre ranë prehë e ideologjisë! Eshtë arti i tyre dhe proçesi krijues ai që na dëshmon vlerën e artistit edhe në kohrat e errta të diktaturave.

No comments:

Post a Comment