2017-01-22

Tregim nga Perparim Hysi

Mallkimi i pensionistit

             Tregim

Nga  Përparim   Hysi

Me Bardhyl Grëmallarin jemi shokë të vjetër. Kemi qenë kolegë (që të dy punnonim në arsim) dhe, pasi ai iku në Tiranë, këtu e tridhjetë vjet më parë, shiheshim rrallë. Kur, para 5-vjetësh, dhe unë erdha në Tiranë, i vendosëm prapë lidhjet dhe, të paktën, dy herë në javë pimë kafe me  të. Kur them pimë kafe me të, kjo nuk është si puna e asaj shprehjes shkodrane " më ka çue nana, me la gojën", por një e vërtetë e pakontestueshme. Se, si pensionistë që jemi, kaq  e kemi atë "vrapin e harxheve". Dhe jo vetëm kaq, por tek klubi që kafen e ka ose 50 lekë apo e shumta 60-lekë, se ndryshe nuk na del hesapi. E kemi gjetur këtë klub dhe nuk e ndërrojmë. Tek gjerbim kafetë si me nge (sikur të gjitha punët i kemi në terezi), zëmë e bluajmë në  mokrat e kujtesës, kujtimet e qëmotshme. Se, me të vërtetë, në moshën e tretë, përveç kujtimeve, çfarë do të molloisësh tjetër.
                                                          *   *   *
Sot atë e gjeta hundë e buzë dhe sikur i kish ngrënë gomari bukën. Tek e pashë ashtu, e zgjata bodecin dhe sulmova:
-Ore,- i thashë,- a i ke mirë nga shtëpia se, siç e shoh, sikur nuk qenke ai i pardjeshmi?
-Nga shtëpia,- më tha,- i kam mirë, por në më sheh në këtë derexhe, e kam nga mendja. Mendja më ka lënë dhe dua që kokën  ta përplas pas murit,që ta thyej e ta bëj copa!
- E ke dëgjuar atë shprehjen: bjeri drejt se ke lehtësira,- ndërhyra unë. Mos m'u merr me rrotulla fjalësh, si punë e atij që  tha:- Mirë, o mirë, mulliri me  erë, po ujtë nga i futet ?
Tek jepnim  e merrnim, me hidh e prit, ai filloi të shpjegohej.
Dëgjo,- më tha,- ti më duket e ke treguar atë historinë e  asaj gjellës së nxehtë.
Unë bëra të paditurin dhe ai tregoi:
Punonte babai me dy djemtë aty rrotull shtëpisë dhe, kur erdhi dreka, të uritur u ulën të hanin. Tasi i gjellës lëshonte avull, po djali futi lugën se nuk i durohej dhe tak: jo vetëm mbeti me gojëhaptë, por lotët filluan të vareshin nga sytë.
Babai, i shqetësuar nga ç'pa tek i biri, pyeti:
- Por çfarë të gjeti që po qan?
I biri qe tip i djallëzuar dhe në vend t'i tregonte se gjella qe shumë e nxehtë, i tha:
- Por, ja, o baba, m'u kujtua ai vëllai që vdiq vjet dhe nuk durova dot!
Babai, për ta qetësuar të birin, i tha:- Po i vdekuri me të vdekurit, o bir dhe mos qaj më. Ndërkaq, futi lugën në gjellë dhe, nga e keqja, goja i shkoi vesh më vesh. Mbasi e kuptoi rrengun e të birit, mallkoi:
-Ytvëlla, vjet! Kurse ti, sivjet!!!
Sado që këtë rrëfenjë e njihja, nuk e mbajta të qeshurit.
-Po pse mos qeshësh ti?- ndërhyri ai, por  me gojën vesh më vesh kam mbetur unë dhe tani ma dëgjo të plotë, atë punën e gjellës së nxehtë.

                                                *     *   *
Unë kam vjete që pi kafe tek ky klub. Vetëm sivjet janë ndërruar  gati 5 banakiere, se  sa për kamerierët, as që i mbaj mend se sa janë. Unë vij shpejt dhe, shpesh, duket sikur unë e hap klubin. Pra, shpesh,edhe shkëmbej edhe ndonjë muhabet me banakieret. Ore,- më tha,-  sa mirë e kanë patur ata  që shkruanin tek autobuzi:- Mos i fol shoferit! Ja, kështu, të ish shkruar dhe në klub:- Mos i fol banakieres dhe aq!
Më duket, -ndërhyra unë,- e paske blerë belanë me para!
Jo e bleva, por e pagova sa frëngu pulën.
E, që thuaj ti, para dy muajësh erdhi një banakiere e re. Çupë aty nga njëzet e pesë a kusur dhe veshur  me të zeza. Kamerieri nuk kish ardhur, një ditë, dhe kafen ma shërbeu ajo.
E pyeta:- Përse je  veshur me të zeza?
Ah, mor gjyshi,- foli ajo e pikëlluar,- më vrau motrën e martuar makina. E ngushëllova dhe u ndjeva keq. Aksidentet me makina më brengosin. Kur, pas nja tri javësh, nuk erdhi ajo në punë. Pronari më shpjegoi:- E more vesh? Denisës i vrau makina nënën!!!
Bobo,- bëra! Se ç'është ky mallkim kaq banal: motrën të re dhe nënën , pas dy javësh, e vret makina. Natyrisht, kur erdhi  e ngushëllova banakieren, se m' u dhimbs sikur një nga mbesat e mia. Sa kaluan ato ditët që bëhen për të vdekurit dhe babai i Denisës, iku  në Greqi. Se atje dhe punonte.
Denisa, pra: kjo e banakut, mbeti vetëm.
-Si ia bën?- pyeta unë.
Kam marrë shtëpi me  qera, andej nga Lapraka,- më tha. Po jam në pallat dhe mes njerëzve. Sado që m'u dhimbs, nuk e shtyva muhabetin më tutje. Por, në fund të fundit, ç'më duhej mua në ishte a në nuk  ishte mes njerëzve. Por kot nuk thonë që breshka shkoi tek nallbani dhe kërkoi t'i ngulnin gozhdë.
-Më duket,- shpejtova unë,- se ma paske ngrënë "djathin e hoxhës?!!".
Jo, të ngrënë, por kaq sa krahu,- foli tërë mllef ai.
                                          *     *    *
- Po si ndodhi?- nuk po më durohej mua.
Lëre- lëre, se aty do dalë, se kot nuk thonë: mendja bën kala; mendja bën hata!
                                                  *     *   *
Qe ditë e dielë, si kjo e sotmja. Hyj,si zakoisht, dhe në klub asksush veç meje dhe  asaj. E gjeta të përlotur dhe, tek u bëra gati t'i shprehja ndonjë fjalë ngushëllimi, (ajo, natyrshëm, e priste një gjë të tillë), më tha:-Ah, mor gjyshi, çfarë më ka gjetur!!! Vetëm nga makina, mos qoftë, lëshova pandehmën time.
-Por përsëri?- ndërhyra me pyetje unë.
-Jo.Jo. Po pronari më kërkon lekët e qerasë sot dhe, ky, pronari i klubit ka ikur dhe pas dy ditësh vjen. Çfarë do bëj, unë, korba?!!!
-Lekët t'i jap unë dhe, kur pronari i klubit të vij dhe do të të japë rrogën, m'i kthe.
-Të faleminderit, gjyshi!- tha ajo.
E ndihmova dhe e ndjeja veten qeshqek: e shpëtova nga një siklet. Thosha: kurrë mos i ndodhtë kështu çupës sime.
Pas dy ditësh, qenka  kthyer pronari dhe, të nesërmen e "xhymertllëkut tim" ( më mirë: gomarllëkut tim),"çupa e gjyshit" kish ikur në "drejtim të paditur!!!".
E qava  këtë "hajvanllëk" timin, por mbaja veten me gajret:- Nuk është e mundur që të bëjë një mashtrim të tillë.
Doja mos ia hiqja petët lakrorit (të mos i dlinin lakrat), po, kur e pashë që nuk mbante më ujë pilafi, i thashë:
- Ore, se mos ke ndonjë numër të asaj, Denisës?!
Ou,- bëri ai. Do të ketë marrë para? Mos të mori shumë?
Unë, por si ai GOBSEKU  i Balzakut që i ra floriri nga xhepi dhe, kur dikush i tha:- Zotëri, ju ra ky floriri nga xhepi.
Gati me lot në sy, i tha:- Ku mund të kem flori unë!!!
Edhe unë:- Po ç'para, more vëlla? Ku i gjeti paratë një pensionist si unë? Ama gati të kruaja kokën sikur më kish zënë qerja. E mora në telefon dhe ajo, ngaqë nuk e dinte numrin tim, u përgjigj:- Nesër më prit se do t'i sjell. Prita nesër dhe psasnesër: allafrënga dhe allaturka, po shkoi  e vate!  Hajde kap lepurin që t'i veshësh opingat. Shkoi e vate pensioni për "mbesën e gjyshit".
Pas një jave, telefonova, por tani "mbeska" kish nxënë dhe tak e mbyllte. Epo ku  qëllon plaku, del dhe gjaku. E marr me një numër tjetër dhe tani nuk prita as për neser dhe as për pasnesër, por lëshova mallkimin:
-Të vraftë makina! ty!- bërtita...

                                                Tiranë, 22 janar 2017

No comments:

Post a Comment