2017-02-10

A ka një fund për dashurinë?

faqe 27 anton
Shënime për romanin “Hijet kanë frikë të rrinë vetëm”,
 Anita Zela Varosi, Dudaj 2016



Nga Agim Baçi

Dashuria është siç na ndodh apo ashtu siç e tregojmë ne? A ka një cak për dashurinë, apo e vëmë ne vetë një kufi? Anita (Zela) Varosi preferon të ftojë lexuesin të bëhet pjesë e një trekëndëshi emocional, ku e shkuara ka gjithnjë një dorë në rrugëtimin e asaj që kërkojmë të gjejmë. Artur Kalia, Natali Grigorovska dhe Ersnin Gumedi janë tri personazhet që na ftojnë në një udhëtim ku njeriut i duhet të kuptojë se njohja e vetvetes është një rrugë që fundin e ka me hapjen e fundit të qepallës, me shikimin e fundit të dritës. Sepse njohja e vetvetes është shtegu për dashurinë, e se pa të edhe “Hijet kanë frikë të rrinë vetëm”! Ndërkohë që personazhet i fut në përditshmëritë e tyre, autorja na fton të vendosim se si do përshkruajmë ndjesitë tona, duke na dhënë një parathënie për “dritaret e shumta” që hapim për rrëfimin e dashurisë.

“Dashuritë… janë të gjitha të mëdha. Historitë që tregojnë për to janë të veçanta. Ka dashuri që lindin shpejt e po ashtu përfundojnë, ka dashuri që krijohen ngadalë e zgjasin deri në fund pa shpërthime e drama por në mënyrë të njëtrajtshme, ka dhe dashuri… që tregohen si histori tek të tjerët…”(Anita Varosi, “Hijet kanë frikë të rrinë vetëm”, Dudaj 2016)

Romani bart ngjarjet e Arturit, një i ve, që nuk e ka hequr nga mendja Klarën, gruan e tij – të paktën deri sa shtanget nga dashuria. Gjithçka në jetën e tij rindizet nga Natalia, një e ve që ka bashkëjetuar me të shoqin shumë vite pas aksidentit që e ka lënë ulok. Ndërkohë që Esrini, një familjar që tronditet nga njohja e Natalisë përmes rrjeteve sociale, plotëson trekëndëshin e dilemave. Të tjerët janë dekori i ngjarjeve që zhvillohen mes tri personazheve që kërkojnë të gjejnë një rrugëdalje në situatën që nuk e kanë menduar.

Ndryshimet dhe emocionet e mëdha mbështeten më së shumti në dialogun mes personazheve, e sidomos në shkëmbimin e mesazheve telefonike apo në detin e madh të komunikimit virtual. Nuk mungojnë në përshkrime as marrëdhëniet me paranë, me miqtë, me të afërmit. Nuk mungojnë nostalgjitë e as magjia e librit. Por gjithçka duket e lidhur me atë që vijon të na trondisë pavarësisht moshës, përvojës, pozicionit. Edhe historitë njerëzore që ndërthuren mes tri personazheve duket se vetëm sa kërkojnë të nxjerrin në pah atë çka ndodh në atë trekëndësh marrëdhëniesh.

Rrëfimi i përafrohet këndvështrimit psikologjik, ku gjithçka duket shpesh mes rrethanave dhe nostalgjisë . Nuk është një histori dashurie. Është një himn mbi ndjesitë e pandalshme të dashurisë, duke e ftuar njeriun të shqyrtojë dhe rishqyrtojë atë çka i shfaqet. Ka aty përditshmëri sa ka edhe fantazi. Ndaj dhe lexuesi ka liri të ndërfutet e të jetë pjesë e ngjarjeve që ngërthehen natyrshëm.

“Vërtet po iki por njeriu nuk i ikën vetes, shpresoj se e vlerëson trurin tim aq sa ta kuptoje këtë! Shumë herë i kam kuptuar të gjitha mospërgjigjet e tua, sepse dhe mungesa e përgjigjeve është një përgjigje!!! Ti ke jetën tënde, dëshirat e tua, obligimet dhe dashuritë e tua. Vërtet nuk ka nevojë për drama… Mendohu mirë zemër dhe dëgjoje zemrën tënde. Nëse do ta mbyllësh as mos iu përgjigj këtij mesazhi dhe unë do ta kuptoj, nëse vërtet më do dhe ke nevojë për dashurinë time, unë do isha njeriu më i lumtur në botë t’i përgjigjesha, dhe ti e di!”. (Anita Varosi, “Hijet kanë frikë të rrinë vetëm”, Dudaj 2016)

“Hijet kanë frikë të rrinë vetëm” është një prozë që i ka të gjitha ngjyrat, por që duket se i lë shtegun e fundit lexuesit të japë ngjyrën e vet. Zhvillimi i disa ngjarjeve në rrjete sociale e bën rrëfimin të jetojë “të tashmen”, edhe pse dashuria vijon të mos e ketë as kufirin e gjuhës e as të kohës.

No comments:

Post a Comment