2017-02-14

BESIM ZYMBERI: KAHET E SHPËRNGULJES SË SHQIPTARËVE NDËR SHEKUJ


BESIM ZYMBERI

Pas rënies së Skënderbeut, e deri diku në shekullin 17-të, shqiptarët u shpërngulën drejt vendeve perëndimore. Sa për saktësi, bëhet fjalë për shpërngulje të dhunshme dhe deportim të elaboruar, kryesisht nga Perandoria Osmane atëbotë. Shtetet italike të kohës dhe bregdeti i sotëm kroat, ishin qendrat e aspiruara për vendosje të shqiptarëve të shpërngulur. Poenta e kahes së tillë të shpërnguljes, sinjalizon për identitetin oksidental të linjës kulturore shqiptare, deri në një status misionar të sinorit frenues ndaj depërtimit të dhunshëm të linjave orientale kulturore në Evropë. E rëndësishme është të thuhet se edhe në epokën aktive të Skënderbeut e edhe pas vdekjes së tij, shqiptarët, ndonëse misionarë të mbrojtjes së qytetarisë oksidentale, ishin plotësisht të braktisur dhe të përbuzur nga vetë Oksidenti. Në shekujt XVIII e XIX, shpërngulja e shqiptarëve detyrimisht mori kahen e Orientit, me përqendrim Turqinë dhe Egjiptin.

Pushtimi i gjatë nga Perandoria Osmane dhe vetë struktura e saj e organizimit, përfshirë masat administrative e ushtarake, kishin bërë të vetën. Në këtë periudhë, hiq një invazion austrohungarez të fundshekullit të XVII, braktisja nga Oksidenti ishte pothuaj totale, qoftë edhe në formë të mbështetjes kulturore, përveç individëve me prirje humane artistike e kulturore, siç ishin artistët, shkrimtarët, filozofët etj.

Shpërngulja e shqiptarëve drejt Lindjes, bëhej së pari nëpërmjet formave administrative procedurale, ndonëse të tmerrshme. Rekrutimet për lufta, ishin njëra prej metodave të deportimit. Të rekrutuarit, shpeshherë binin në fusha të betejës, shumë prej tyre nuk arrinin të ktheheshin më në vendin e tyre, ndërsa disa avancoheshin në pozita dhe bëheshin zyrtarë perandorakë, duke zgjedhur edhe jetën dhe trashëgiminë në vende të huaja.



Por, nga fundi i shekullit XVII dhe gjatë shekullit XVIII, kemi një shpërngulje karakteristike të shqiptarëve në drejtim verilindor. Shqiptarët e konfesionit ortodoks bënë disa shpërngulje dhe ngulitje të përhershme në Bullgari, Rumani e deri në Ukrainë.

Në shekullin XIX, ndodhi diçka interesante për kohën. Nisi krijimi i diasporës shqiptare në SHBA, kryesisht nga shqiptarë të krishterë e më vonë edhe të konfesionit islam. Shpërngulja për SHBA, duhet të lidhet më një mundësi më të madhe të shprehjes, rritjes ekonomike dhe fuqizimit politik të shqiptarëve. Platforma e Rilindjes Kombëtare, që synim themeltar kishte rizgjimin e ndjenjës nacionale, nëpërmjet vetëdijesimit intelektual, bazohej tek identiteti Evropian i shqiptarëve

Ikja për në SHBA e jo në vende të Evropës Perëndimore, mbase sinjalizon mosbesimin e shqiptarëve në këtë të fundit, për shkak të qëndrimeve mospërfillëse të tyre ndaj qytetërimit shqiptar.

Viti 1878 shënon një fazë të veçantë të shpërnguljes së shqiptarëve. Pas Kongresit të Berlinit (1878), në pjesën më të madhe të Vilajetit të Kosovës, pikërisht në Sanxhakun e Nishit, gjenocidi i shtetit serb, të sapo pranuar në kufij të zgjeruar në dëm të tokave shqiptare, solli zbrazjen e plotë nga shqiptarët të këtyre trevave. Mbi 600 fshatra shqiptare u shkretuan fare. Ata që i shpëtuan masakrave serbe, arritën në Kosovë kryesisht dhe u vendosën, derisa shumë prej tyre nuk ndaluan deri në Stamboll, për t’u vendosur në vise të ndryshme të Turqisë së sotme.

Edhe pas vitit 1912, kur Kosova u ripushtua nga Serbia, shpërngulja e shqiptarëve vazhdoi prapë drejt Lindjes. Nga viti 1912 e deri në vitin 1968, shqiptarët u shpërngulën masovikisht për Turqi. Prapë e ritheksoj se shpërngulja nuk ishte e vullnetshme, por e dhunshme. Madje, nga viti 1912 e deri në vitin 1966, Jugosllavia dhe Turqia, kishin nënshkruar 5 marrëveshje ndërshtetërore për deportim të shqiptarëve.

Nga viti 1968 e deri sot e tutje, shpërngulja e shqiptarëve i është rikthyer kahjes perëndimore. Por, kësaj radhe shpërnguljet ishin me karakter të qëndrimit të përkohshëm.

Në 5 vitet e fundit, kemi lëvizje paksa paradoksale të shqiptarëve. Shkuarja e shqiptarëve në Lindjen e Mesme si rekrutë të formacioneve ekstremiste islame, sikur dëshmon për një traumë të identitetit kulturor shqiptar, ndonëse jo ende në përmasë të një fenomeni. Në anën tjetër, kemi tendencën e vazhdimësisë të ikjes masovike drejt vendeve perëndimore. Një dualizëm i tillë kontravers, dëshmon se gjeopolitika shqiptare është labile në kuptim të ndikimeve gjeopolitike të të dy krahëve. Po shohim një invazion të Turqisë në promovim të vlerave islamike, që theksohen si promovim i vlerave “pozitive” të Perandorisë Osmane, ndërkohë që gjithçka rreth çlirimit të Kosovës dhe mbështetjes së Shqipërisë, lidhet me traditën oksidentale të identitetit të shqiptarëve.

Kahet e shpërnguljes së shqiptarëve në rreth 550 vitet e fundit, duhet parë me dioptri të thellë shkencore shumëdimensionale. Nga këto shpërngulje shekullore, është krijuar diaspora shqiptare, statistikisht shumë e madhe, në të gjitha kontinentet. Ngulitja e saj e qëndrueshme është bërë në Turqi, Itali, Kroaci, Egjipt, vende tjera të Afrikës e Azisë, Bullgari, Rumani, Ukrainë, SHBA, Kanada, Argjentinë, Australi etj.

Në 50 vitet e fundit, kemi shpërnguljet e karakterit të përkohshëm në vendet e Evropës Perëndimore. Vështirë të gjesh një popull tjetër, përveç hebrenjëve, që të ketë qenë i detyruar të lëvizë në të gjitha drejtimet, për të mbrojtur kokën. Por, nëse marrim shembull hebrenjtë, a nuk është sot bota goxha e varur nga pesha e veprimit të tyre të organizuar…? A do të ndodhë kjo në perspektivë të shpejtë edhe me shqiptarët…? Mundet, me një relativizim të ndikimeve sektare fetare dhe me një frymë platformeje si ajo e periudhës së Rilindjes Kombëtare!

Dilema më e madhe qëndron te kërcënimi i madh drejt asimilimit të shqiptarëve të ngulitur në vendet e Lindjes dhe në shtetet evropiane. Diaspora shqiptare, ndonëse me rezultate të ndjeshme në fushën e përurimit të identitetit nacional, nuk ka arritur asnjëherë të ketë një bazë unifikuese programore të veprimit të organizuar.

Trojet shqiptare, gjeografikisht evropiane, duhet parë në kontekstin kulturor të definimit të gjeopolitikëve të kohës. Në bazë të lëvizjeve të lartshënuara të shqiptarëve, konstatimi i parë të çon te pozita ndërmjet dy shuplakave e kulturës e qytetarisë shqiptare. Lëvizjet masovike të shqiptarëve në dy drejtime të kundërta, si pasojë e dhunës sistematike veçanërisht nga Lindja dhe injorimit, përbuzjes e gjymtimit nga Perëndimi, japin mesazhin e pozicionit të pafavorshëm të shqiptarëve në epokat gjeopolitike të shënuara.

Në kuptim të linjave kulturore globale, kahet e shpërnguljes së shqiptarëve në periudhën domethënëse historike të theksuar, flasin për një status kyç të qytetërimit shqiptar në vendosjen e linjave kulturore globale të kohës. Ishte qytetërimi shqiptar ajo cipëza kulturore që mbante peshën e kërcënimit ndaj kulturës perëndimore. Ndërsa, në mënyrë të veçantë, kahet e shpërnguljes së shqiptarëve drejt Lindjes, dëshmojnë se sa djallëzisht.



Oksidenti kishte shfrytëzuar qytetarinë kulturore shqiptare, si hendek lufte kundër imponimit kulturor oriental, për ta braktisur më pas atë në momentet më të rëndësishme. Në vitet e fundit të shekullit XX, qytetaria shqiptare, për herë të parë u përurua si vlerë e kulturës perëndimore, madje edhe nëpërmjet aksionit ushtarak. Por, ky vlerësim, nuk ishte i plotë, pasi që nuk ekzistoi ideja homogjene ndërmjet Evropës dhe SHBA-së, për vazhdimësinë e përurimit të kësaj vlere.

Aktualisht, një segment kulturor oriental, i përfaqësuar prej Turqisë, shfaqet me agresivitet të shtuar në synim të transformimit të qytetarisë shqiptare në një instrument spiritual të kulturës Lindore. Manipulimi në emër të shumicës islame të shqiptarëve, ka sjellë efekte serioze dhe, në të ardhmen, duhet parë me shumë kujdes shtresimin këtij ndikimi ofenziv. Shkuarja e disa shqiptarëve në viset e Lindjes së Mesme, në tre vitet e fundit, në luftëra sektare religjioze radikale, dëshmon se bota euroatlantike duhet seriozisht të tregojë muskujt e saj në promovimin e vendosur të tërësisë shqiptare, gjeopolitike dhe kulturore, si pjesë e patjetërsueshme e kulturës perëndimore. Një shkarje e tillë kulturore, doemos duhet të kundrohet edhe si reaksion ndaj braktisjes apo injorimit nga Kultura Perëndimore.

Shqiptarët asnjëherë nuk kanë pasur dilema rreth statusit të tyre kulturor dhe ambientit evropian përfaqësues së tij. Deri më sot, Evropa nuk ka qenë në gjendje të pranojë kontributin e qytetërimit shqiptar në ngritjen dhe konsolidimin e platformës për ngritjen e qytetarisë evropiane, në nivelin çfarë e njohim sot. Për shkak të egos së disa kombeve të fuqishme evropiane, Evropa nuk është në gjendje ta pranojë si vlerë të saj krye heroin, Gjergj Kastrioti dhe qytetërimin shqiptar si frymëzuesin dhe mbrojtësin esencial të saj.

Edhe një herë, kahet e lart’thëna të shpërnguljes së shqiptarëve, duhet të na mundësojnë një përgjigje shkencore të motiveve dhe efekteve të tyre, në mënyrë që qytetërimi shqiptar, të mos mbetet një hero i ruajtjes së vlerave evropiane dhe njëkohësisht, viktima më tragjike e atyre vlerave.

No comments:

Post a Comment