2017-02-15

Dritëro Agolli dhe palaçot mediatikë



Viktor Malaj




Ligësia është e pashërueshme. Atë nuk mund ta shërojë as mosha dhe asgjë tjetër – Aristoteli

Vdekja e Dritëro Agollit shënon, përveç largimit nga kjo jetë të një bashkëkombasi të shquar, edhe pakësimin e pranisë fizike të një numri edhe ashtu të vogël të plejadës së shkrimtarëve, artistëve dhe shkencëtarëve që populli shqiptar, me shumë vështirësi, ka mundur të krijojë gjatë shekullit të njëzetë. Për të gjithë ata që e kuptojnë, por edhe e ndiejnë shpirtërisht rëndësinë që ka kultura për çdo popull, humbja e figurave të tilla duhet të sjellë lëndim, nëse jo lëndim të ndërgjegjes vetjake duhet të shkaktojë lëndim të ndjenjës së përgjegjësisë shoqërore dhe kombëtare. Sigurisht që këtu bëhet fjalë për ata individë që kanë konstitucion shpirtëror të tillë që iu dhimbset vendi dhe populli dhe jo për ata që besojnë se e mira e përbashkët matet vetëm me statusin e tyre material, social dhe politik.

Historia e njerëzimit nuk njeh asnjë rast që shkrimtarë, artistë apo dijetarë të mëdhenj të jenë pëlqyer dhe pranuar nga njëqind për qind e popullit dhe nga tërë brezat. Të mos e pëlqesh veprën letrare apo artistike të dikujt është e pranueshme dhe e arsyeshme, por të mallkosh (anatemosh) dikë në ditën e vdekjes dhe t’i shkruash “akt-akuza” publicistike dhe me natyrë juridike pak minuta pasi i është mbuluar arkivoli në tokë, kjo është burracakëri intelektuale, antihumanizëm qytetar, vetëdiskreditim publik, shprehje e ligësisë së skajshme dhe provë e degradimit moral. Dritëroi ishte vëzhgues i hollë i njerëzve dhe për ta ka thënë shumë, por sot po kujtoj qesëndinë e 25 viteve më parë “Ku jeni trima që dolët nga vrima!”.

Ashtu si çdo njeri tjetër edhe Dritëro Agolli nuk ka qenë shenjt dhe as e ka pretenduar ndonjëherë këtë status. Por, ndryshe nga gjithë të tjerët, Agolli ka qenë dhe mbetet jo vetëm njëri prej shkrimtarëve dhe intelektualëve më të mëdhenj të kombit, por ndoshta i vetmi që meriton të quhet “shkrimtari i popullit”. Në veprën e tij letrare, përveç gjenisë krijuese, është e mundur që çdo shqiptar, punëtor, fshatar, intelektual, i ditur apo jo të gjejë veten e tij, mendimet, pasionet, shijet dhe aspiratat e veta. Korpusi letrar i Agollit të krijon përshtypjen e popullit shkrimtar ku gjithanshmëria e temave dhe thjeshtësia e shprehjes, thellësia dhe vlera e mendimeve, si dhe pafundësia e shqetësimeve njerëzore nuk përjashtojnë askënd. Është gati e pamundur të gjesh një tjetër shkrimtar zemra e të cilit të rrahë kaq dendur dhe kaq në sinkron me zemrën e popullit të cilit i përket.

Përveç se shkrimtar i madh, Agolli pati edhe “fatin e keq” të ishte Kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë si dhe deputet në të dy sistemet politike. Qenia e tij në këto funksione iu ka dhënë pretekst disa dështakëve të pakarakter që t’i vërsulen me lehje fajësuese për ato që kanë pësuar me pa të drejtë apo me të drejtë disa intelektualë gjatë regjimit të para 1990, duke i veshur atij atributet e kryepolitikanit, kryeprokurorit dhe kryegjykatësit të kohës. Artisti i talentuar i fjalës skenike dhe intelektuali i nderuar Pëllumb Kulla ka shkruar rreth këtij fakti më mirë se askush tjetër, por dëshiroj edhe unë të them pak fjalë rreth kategorisë së arkivolnëmësve dhe akuzave të gënjeshtërta që bënë.

Në një shkrim të ngutshëm që dukej se shprehte padurimin e autorit për të qenë varrmihësi i parë moral i Agollit, një publicist që rend në shpinën e Kalit të Interesave duke mbajtur në dorë Flamurin e Parimeve morale dhe politike, iu vërsul të pakallurit ende në tokë duke e bërë përgjegjës si “kryecensor i regjimit stalinist shqiptar”, “kryeroje e linjës politike në letërsi dhe arte”, “dorë e fortë e spastrimeve apo burgosjeve” dhe, çfarë është edhe më e çuditshme dhe qesharake, e bënte përgjegjës edhe për “intelektualët që u përzunë si zgjebe nga Shqipëria pas 1990”, domethënë kur Agolli s’kishte asnjë funksion që t’ia mundësonte një gjë të tillë.

Autori i shkrimit nuk është i vetëm në histerinë e marrëzisë dhe të pavërtetësive që vazhdojnë të shpërfaqen prej 27 vitesh në trajtimin e çështjeve të së kaluarës tonë. Një tufë individësh, shumicën e të cilëve e përbëjnë pinjollë të elitës politike dhe kulturore të para 1990, të cilët, të pakënaqur dhe inatosur me regjimin e ashtuquajtur komunist, jo për shkak të idealeve të tyre, por të shtyrë nga pamundësia për të plotësuar të gjitha kërkesat materiale dhe etjen për luks e qejfe në vendin më të varfër të Evropës, po bëjnë çmos që moralin e tyre të mashtrimit, vetëpërndjekjes dhe shthurjes t’ia imponojnë gjithë shoqërisë shqiptare.

Si mjet kryesor kanë gjetur mohimin ekstrem të çdo arritjeje, sidomos kulturore, akuzimin pa droje dhe pa fakte të kujtdo që ka qëndruar në atë kohë në krye të elitës intelektuale dhe artistike për çfarëdo pasojash që kanë pësuar individët për shkak të regjimit dhe, nga ana tjetër, përpjekjen për t’ia shitur popullit shqiptar si modernizëm dhe progres kulturor manifestimet banale dhe, jo rrallë, amorale në art, letërsi, film e teatër pas ndryshimeve politike të vitit 1990.

Propaganda e kësaj skote të kotësive intelektuale bën çmos të krijojnë idenë se kriter bazë dhe, ndoshta, i vetëm për të vlerësuar shkrimtarët, artistët, piktorët, skulptorët, historianët apo gjuhëtarët e të kaluarës duhet të jenë raportet e tyre me regjimin. Nëse dikush nuk ka qenë burgosur apo ka pasur ndonjë post administrativ, sipas kësaj “jurie” të falsitetit shoqëror, atëherë ai dikushi është pashmangshëm mediokër, shërbëtor dhe bashkëfajtor i regjimit. Nga ana tjetër, kushdo që ka shkruar disa vjersha modeste duhet shpallur “poet kombëtar”; cilido që ka bërë piktura apo skulptura nudo (nudizmi është i vetmi frymëzim i imagjinatës së tyre) meriton t’i ekspozohen në Luvër; ata që kanë kompozuar apo kënduar ndonjë këngë duke imituar ato perëndimore duhen shpallur automatikisht gjeni në atë gjini të artit; ai ose ajo që, në studimet historike apo gjuhësore, ka mundur të shprehë ndonjë mendim sado të parëndësishëm por që ndeshej me mendimin zyrtar etj., mjafton të jenë mënjanuar apo edhe burgosur për çfarëdo vepre penale që mund të mos kishte lidhje me profesionin, të gjithë këta, pra, duhen ngritur në piedestalin e lavdisë kombëtare. Në këtë fushatë të zhvleftësimit të së vërtetës janë ngarkuar me faje të paqena edhe shkrimtarët tanë më të shquar Ismail Kadare dhe Dritëro Agolli, si bashkëfajtorë me regjimin për pasojat që kanë pasur disa njerëz të artit dhe kulturës.

Askund në veprimtaritë letrare dhe joletrare të këtyre dy kolosëve të letërsisë shqipe nuk gjenden nënkuptime prej të cilave të merrej shkak për të inkriminuar dhe burgosur ata njerëz që e pësuan politikisht. Kritikat letrare, artistike, metodike, shkencore apo qoftë dhe për “liberalizëm” apo “konservatorizëm” nuk kanë qenë as shkaku dhe as prova për dhënien e dënimeve të sipërthëna. Agolli dhe Kadare mund të kenë mëkatet e tyre për gjëra të tjera. Për dënimet ka qenë përgjegjëse politika e gabuar e regjimit dhe shtrembërimet e organeve të drejtësisë të ndikuara prej saj. E kundërta është e provuar. Janë me dhjetëra dëshmitarë të gjallë që kanë provuar vullnetin dhe përpjekjet, shpesh të suksesshme, të Dritëro Agollit për të afirmuar vlerat intelektuale dhe letrare të individëve që burokracia e kohës i pengonte për motive politike.

Fakti që publicisti i lartpërmendur nuk ka mundur as në të kaluarën dhe as në “sistemin e tij” të sotëm të mbërrijë majat, duket se e ka bërë të vuajë pareshtur dhe t’i vërsulet dendur kujtdo që shkëlqeu atëherë apo tani. Prandaj, me sa duket, beson se e “fundos” Agollin fizikisht të vdekur kur pohon se “….rrinte kurdoherë në bashin e vendit dhe të tribunave…”. Agolli nuk ka ndenjur në bashin e vendit për shkak të shërbimeve politike dhe as pse ishte gjuetar postesh fitimprurës siç na janë shfaqur këto vite shumë mjeshtër fatkeq të bixhozit, specialistë të mjerë të alkoolit dhe qejflinj semaforësh. Është vështirë të gjesh një intelektual të këtyre përmasave që të demonstrojë kaq thjeshtësi prej shërbëtori, dashuri të pafundme për vendin dhe popullin e tij, si dhe vetëpërmbajtje ndaj joshjeve për pasuri dhe privilegje.

Autori i luftës me të vdekurit përpiqet ta fajësojë Agollin për disa individë të burgosur si dhe për disa poetë të pushkatuar të cilët, për hir të së vërtetës, duhet thënë se qenë dënuar për krime që s’kishin kurrfarë lidhjeje me vjershat apo shkrimet e tyre por për disa vepra penale që dënohen edhe sot me masa të rënda në Shqipëri dhe në botën perëndimore.

Kur dëgjon apo lexon shkrime si ky, njeriut naiv i krijohet përshtypja e rreme se autorët janë njerëz parimorë, idealistë dhe humanë të pashoq. Edhe në shkrimin në fjalë, autori përpiqet që, në mënyrë qesharake të shfaqet si një “hero” i fundviteve ’80 kur, kinse, si rezultat i ndihmës dhe intelektit të tij paska shpëtuar paq Edi Rama duke ia hedhur komisionit të vlerësimit të pikturës së diplomimit “me një hile artistësh” apo kur përsëri e paska thirrur Rama të ndihmonin Mevlan Shanaj në një film të tij.

Mirëpo, ndërsa mallkon dhe akuzon Dritëro Agollin pa asnjë fakt konkret për padrejtësi apo krime të kryera nga strukturat shtetërore në të cilat Agolli s’bënte pjesë, është po ky person që përpara pak javësh pohonte se ishte mëkat dhe padrejtësi të gjykohej e dënohej Sali Berisha për krime të kryera apo të dyshuar si të kryer prej tij. Ky individ, i cili ka qenë mbështetës moral për vrasësit e katër qytetarëve paqësor të 21 janarit 2011 dhe amnistues moral i të gjitha krimeve të regjimit banditesk të Sali Berishës, ka guximin të akuzojë një të vdekur për faje reale apo të sajuara të kryer nga të tjerët, pa dëshirën dhe pa pjesëmarrjen e “të akuzuarit”.

Kategoria e individëve të mësipërm nuk kanë kurrfarë lidhjesh me idealet apo parimet e moralit dhe të së drejtës. Reagimet dhe qëndrimet e tyre përcaktohen nga interesat e ngushta vetjake dhe nxiten nga qejfmbetjet, inatet dhe dështimet në realizimet personale dhe, pastaj, kërkojnë ta gjejnë fajin tek të tjerët dhe t’i shfryjnë mllefet kryesisht mbi njerëz të pafajshëm. Ata janë të gatshëm të bëhen miq, shërbëtorë dhe ushtarë të kujtdo që iu jep mundësinë të arrijnë realizimin e qëllimeve dhe, sidomos, të veseve të tyre pafundësisht të paplotësuara, edhe nëse ky dikushi është një bandit, mashtrues apo kriminel i dorës së parë.

Kur emrat e këtyre arrivistëve dhe gërr-mërret e tyre, ashtu si dhe emrat e ne të tjerëve, nuk do t’i kujtojnë as banorët e lagjes, emrin dhe veprat letrare të Dritëro Agollit do t’i sjellin ndërmend me respekt dhe kënaqësi estetike dhe etike të gjithë shqiptarët kulturëdashës dhe atdhedashës.

No comments:

Post a Comment