2017-02-11

Rrënjët e tij shtrihen deri në një të shkuar narcizizmi, grandomanie e papajtueshmërie.


Kush është Donald Trump?

Për shumë kohë përpara se të kthehej në kandidatin aq të pagjasë presidencial të Partisë Republikane, Donald Trump ishte miliarderi më i famshëm e piktoresk i Amerikës.

Pakkush do ta mendonte atëherë se njeriun me gojën pa fre një ditë, shumë pak do ta ndante nga Shtëpia e Bardhë. Skepticizmi i madh që ka rrethuar kandidaturën e Trump si nga kundërshtarët, ashtu dhe nga vetë pjesëtarë të partisë së tij, nuk buron vetëm nga platforma e shumë diskutuar e emigracionit, apo stili kaotik i fushatës.

Rrënjët e tij shtrihen deri në një të shkuar narcizizmi, grandomanie e papajtueshmërie. Më shumë edhe se vetë Ronald Reagan, Trump duket sikur është përgjatë gjithë kohës në aktrim: ai lëviz në rrjedhën e jetës me instinktet e dikujt që e di se vëzhgohet në çdo hap.

Nëse të gjitha qeniet njerëzore mund të quhen për nga vetë natyra e tyre aktorë socialë, Donald Trump në këtë drejtim i kapërcen të gjithë. Shumë pyetje janë ngritur mbi figurën e tij gjatë kësaj fushate. Mbi platformën që ka, mbi diturinë që duket se çalon, mbi gjuhën e përdorur që kthehet rëndom në temë diskutimesh të përflakura, apo edhe nivelin e rehatisë me dhunën politike. Po kush është në të vërtetë ky njeri? Si punon mendja e tij?

“Amerika është kthyer në vendgrumbullimi plehrash për problemet e të gjithëve. Është e vërtetë, kur Meksika sjell njerëz këtej nuk dërgon më të mirët, nuk sjell njerëz si ju”, tha Trump në një prej tubimeve të tij elektorale. Personaliteti i Trump është sa ekstrem, aq edhe i rrallë për një kandidat presidencial. Shumë njerëzve që e kanë takuar nga afër, qoftë për intervista, në ndonjë sallë debati, apo atyre që e kanë ndjekur në përballjet televizive, u është dukur i shushatur disi.

Profili i jetës së tij nuk është ai që pritet nga një president i Shteteve të Bashkuara: kontroversialiteti është në maje, dakordësia në nivelin më të ulët. Ashtu si George W. Bush, Bill Clinton apo Teddy Roosevelt, Trump e interpreton rolin e tij jetësor në një mënyrë shpërthyese dhe në aspektin social, dominuese. Është i palodhur, gjithë kohën në lëvizje, i paaftë të qëndrojë në një vend dhe fle shumë pak. Në kohë fushate, kandidatët janë shumë më aktivë se në normalitetin e tyre, por rrallëkush e shijon fushatën aq shumë sa miliarderi me flokë të çuditshme. Entuziazmin e 70-vjeçarit e dëshmojnë qartë disa prej mesazheve të tij në Twitter.

3:13 a.m., prill 12: “Uau, fantastik sondazhi i ri! New York, faleminderit shumë për mbështetjen tënde!”.

4.22 a.m., 9 prill: “Bernie Sanders thotë se Hillary Clinton nuk ka kualifikimin e duhur për të qenë presidente. Nisur nga aftësia e saj për të marrë vendime, pajtohem plotësisht!!”

“Jam shumë i lumtur që Hillary fjalimin e vet e mbajti pikërisht poshtë Kullës Trump!!!”, ishte një mesazh tjetër.

Trump po përjeton çdo moment të garës, me gjithë kthesat e vështira të saj. Kur Barbara Walters e pat pyetur në 1987-n nëse do t’i pëlqente që ta caktonin president të Shteteve të Bashkuara dhe jo të luftonte për atë post, Donald u përgjigj: Është gjuetia ajo që më pëlqen. Pëlqyeshmëria, tipar i domosdoshëm për një president amerikan, tek Trump prek pikën më të ulët.

Prillin e këtij viti, gjashtë ish-konkurrentë të reality show-t të tij “The Apprentice” dolën hapur kundër kandidaturës së Trump e mbajtën një konferencë shtypi në Nju Jork për të denoncuar atë që e quajtën një “fushatë seksizmi, ksenofobie, dhune e racizmi”. Por qarkullon dhe një histori mbi manjatin kaq antipatik e takimin e tij me një djalë të ri të sëmurë me kancer, adhurues i flaktë i “The Apprentice”.

Ai priste shprehjen e famshme të show-t, “je i pushuar”, por në këmbim mori një çek mijëra dollarësh dhe shënimin: “Shko kënaqu siç nuk ke bërë kurrë më parë!!”. I suksesshëm si biznesmen, jo dhe aq si politikan, Donald ishte fëmija i katërt i manjatit të pasurive të patundshme Fred Trump.

Pavarësisht kamjes së madhe të familjes së tij, fillimisht i ishin rezervuar punët e nivelit më të ulët në kompaninë e të atit. Në moshën 13-vjeçare u dërgua në një akademi ushtarake ku filloi të sillej keq. Studimet i kreu në Universitetin e Pensilvanisë e u kthye në njeriun që dukej i destinuar të vazhdonte biznesin e të atit.

Vëllai i tij më i madh vdiq në moshën 43-vjeçare nga varësia prej alkoolit, çka e shtyu Donladin të shmangte pijet alkoolike dhe cigaret përgjatë gjithë jetës së vetë. Interesin për presidencën e shprehu që në 1987-n dhe në vitin 2.000 i hyri garës si kandidat i partisë reformatore. Pas 2008-s u kthye në anëtarin më të zëshëm të lëvizjes “Birther”, e cila vinte në pikëpyetje lindjen e Barack Obamës në Shtetet e Bashkuara. Zyrtarisht, vendimin për të garuar për Shtëpinë e Bardhë në këto presidenciale e shpalli qershorin e vitit 2015.



Dy mënyrat për largimin e presidentit  amerikan Donald Trump nga posti i tij!




Presidenti amerikan ka në duar një fuqi të jashtëzakonshme politike. Por Gjykata Kushtetuese parashikon edhe parimin “Checks and Balances” nga Kongresi dhe Gjykata më e lartë në vend, e cila mund t’i pezullojë vendimet e tij. Qëllimi është që të ruhet balanca e veprimit të organeve më të larta të shtetit. Po çfarë do të thotë kjo?

Postet drejtuese



Presidenti mund të emërojë anëtarët e kabinetit të tij. Por postet e ministrave duhet të miratohen nga Senati me shumicën e thjeshtë. Ndërsa presidenti ka të drejtë edhe t’i largojë ministrat. Për këshilltarët dhe bashkëpunëtorët nuk i duhet miratimi i Senatit.

Presidenti i SHBA-së ka të drejtë të propozojë gjykatësit e Gjykatës Supreme (Supreme Court). Por për emërimin duhet shumica prej 3/5 e votave në Senat, pra 60 nga 100 senatorë.

Gjykatësit e Supreme Court, i cili në rastet kontestuese ka fjalën e fundit, emërohen për tërë jetën. Kjo do të thotë që një president mund të influencojë punën e Gjykatës për një kohë shumë më të gjatë se sa mandati i tij.

Presidenti emëron edhe gjykatësit në mbi 100 gjykata federale, në rastet kur ndonjë gjykatës vdes apo largohet, sepse edhe ata emërohen për tërë jetën. Për emërimin e tyre i duhet shumica e thjeshtë në Senat.

Presidenti vendos edhe për mijëra vendet e punës në autoritetet e ndryshme, si për shembull Banka Amerikane (US Federal Reserve). Kjo është një pjesë e vogël e gati tre milionë nëpunësve, por presidenti vendos për postet drejtuese.

Ligjet

Presidenti i SHBA-së nuk mund të nxjerrë ligje. Kongresi e ka këtë të drejtë. Por Trumpi mund të kërkojë nga deputetët që të shqyrtohen projektligjet e tij. Ndërsa përmes prezencës së tij në media dhe opinion, presidenti ka një influencë të jashtëzakonshme në përcaktimin e agjendave në SHBA.

Presidenti ka të drejtën e vetos dhe mund të kthejë mbrapsht çdo ligj të miratuar në Kongres. Në rastin e një vetoje normale, presidenti e kthen ligjin në Kongres për rishqyrtim. Por në rast se ligji sërish miratohet nga të dy dhomat me shumicën prej 2/3, atëherë ligji hyn në fuqi. Vetot janë shumë të rralla, sepse parimisht presidenti dhe shumica në Kongres merren vesh për normat kontestuese.

Dekretet

Presidenti mund të qeverisë përmes dekreteve, të cilat shpesh kanë karakterin e ligjeve. Përmes dekreteve Donald Trump ka filluar menjëherë ndryshime të mëdha që kanë të bëjnë ndër tjera edhe me ndalimin e futjes së myslimanëve nga shtatë vende në SHBA. Presidenti mund të fusë në fuqi përmes dekretit edhe marrëveshjet ndërkombëtare të miratuara nga qeveria, por të cilat Senati refuzon t’i miratojë, përmes të ashtuquajturve – “Executive Agreements”. Presidenti Obama e ka miratuar në këtë mënyrë Marrëveshjen e Parisit për Klimën.

Por Kongresi ka të drejtë të miratojë një ligj, me të cilin mund të nxirret nga fuqia një dekret – një “Executive Agreement”. Ndërsa qytetarët, politikanët apo grupet e interesave mund ta dërgojnë ndonjë çështje në gjykata nëse mendojnë se dekretet janë kundër Kushtetutës. Presidenti mund të shfuqizojë me një nënshkrim dekretet e lëshuara nga presidenti i mëparshëm.

Fuqia në politikën e jashtme

Ndryshe nga politika e brendshme, ku Kongresi mund ta frenojë, presidenti amerikan ka shumë më tepër hapësirë manovrimi në politikën e jashtme. Ai vendos vet se me cilët politikanë mban kontakte më të ngushta dhe kështu i jep kahjen politikës amerikane. Presidenti vendos, se cilat shtete janë partnere të SHBA-së e cilat jo. Ai mund të legjitimojë vendet e tjera me hapjen p.sh. të ambasadave në ato vende, apo dhe të degradojë diplomacinë në një nivel më të ulët.

Kontrolli i ushtrisë dhe i shërbimeve sekrete

Presidenti është komandanti suprem i forcave të SHBA-së. Sipas Kushtetutës, të drejtën për t’i shpallur luftë ndonjë vendi tjetër e ka Kongresi. Në realitet megjithatë është presidenti dhe kabineti i tij ai që vendos për misionet ushtarake jashtë vendit. Nëse vendi rrezikohet, presidenti ka të drejtën e fillimit të një lufte pa miratimin më parë të vendimit nga Parlamenti. E ashtuquajtura “War Powers Resolution” parashikon që presidenti brenda 48 orësh duhet të informojë Kongresin ndërsa brenda 60 ditësh duhet të marrë pëlqimin e tij për ndonjë luftë. Kongresi gjithmonë deri më sot i ka miratuar misionet ushtarake të presidentit – si për shembull luftërat e Irakut apo Afganistanit.

Të gjitha 16 shërbimet e mëdha sekrete të SHBA-së i nënshtrohen presidentit, ndër to edhe FBI, NSA dhe CIA. Ato raportojnë çdo ditë për gjendjen.

Përdorimi i armëve bërthamore

Presidenti është i vetmi, i cili mund të urdhërojë përdorimin e armëve bërthamore. Por nëse jep urdhrin për ndonjë sulm, ai duhet të kalojë nëpër disa instanca: Ministri i Mbrojtjes kontakton ushtrinë, gjeneralët duhet të kalojnë urdhrin tek ushtarakët më të ulët dhe ata japin komandën për goditje.

Që ministri mund të ndalojë ushtrinë nga përdorimi i armëve bërthamore, e dëshmon edhe rasti i Richard Nixonit.

Në ditët e fundit të mandatit të tij, presidenti Nixon pinte shumë dhe është vërejtur sjellja e tij i pazakonshme. Ministri i Mbrojtjes ka kërkuar nga ushtarakët, që të gjitha urdhrat që kanë të bëjnë me armët bërthamore, duhet të kalohen tek ai dhe Ministria e Jashtme. Juridikisht ishte ky një vendim i kontestueshëm por praktikisht askush nuk e vuri në pikëpyetje.

Amnestia

Presidenti ka të drejtë të amnestojë të dënuarit nga Gjykata Federale. Presidenti Obama ka amnestuar për shembull Chelsea Manning, të dënuar për tradhti. Të përjashtuar nga amnistia janë politikanët dhe autoritetet federale, të cilët largohen nga puna.

Nuk ka të drejtë buxheti

Presidenti ka të drejtën e kontrollit ndaj autoritetit ekzekutiv, por Kongresi e ka të drejtën e kontrollit të financave. Në këtë mënyrë, të dy dhomat e Parlamentit mund të bllokojnë vendimet e presidentit, përmes bllokimit të buxhetit. Në rastet ekstreme, autoritetet thjesht mbeten pa para dhe nuk kanë mundësi të zbatojnë urdhrat e presidentit. Një “Government Shutdown” kërcënonte së fundi edhe në tetor të vitit 2013.

Largimi nga posti

Nëse sipas mendimit të Kongresit apo kabinetit qeveritar sjellja e presidentit bëhet e padurueshme, ekzistojnë dy mënyra për largimin e presidentit nga posti i tij.

Së pari: mund të niset procedura e largimit nga posti për shkak të sjelljes së gabuar. Sipas Kushtetutës, presidenti mund të largohet nga posti nëse bën ndonjë tradhti, korruptohet, apo bën ndonjë krim të rëndë. Procedurën e nis Dhoma e deputetëve me shumicën e thjeshtë. Më pas presidenti merret në pyetje në Senat, i cili mund ta largojë nga posti vetëm nëse sigurohen 2/3 e votave.

Në këtë mënyrë nuk është shkarkuar kurrë ndonjë president. Vetëm tri herë është nisur një procedurë e tillë.

Në rastet e Andrew Johnson (1868) dhe Bill Clinton (1999), Senati ka votuar kundër shkarkimit të presidentit. Ndërsa Richard Nixon në vitin 1974 dha dorëheqjen vullnetarisht pas skandalit “Watergate”, para se të fillonte procedura e largimit.

Dhe mundësia e dytë për nxjerrjen e një presidenti amerikan nga Shtëpia e Bardhë: Presidenti mund të largohet nga posti nëse kabineti qeveritar apo Kongresi me mbështetjen e zëvendëspresidentit konstatojnë, se presidenti nuk është në gjendje që t’i përmbushë detyrimet dhe të drejtat e tij. Kjo parashikohet në nenin 25 të Kushtetutës. Presidenti mund ta kontestojë një vendim të tillë, por në fund Kongresi është ai që vendos. Në një rast të tillë, e domosdoshme është shumica prej 2/3 e votave në Kongres dhe në Senat.

Perandoria e Donald Trumpit



Refuzimi i tij i përsëritur për të nxjerrë pagimin e taksave ka nxitur spekulimet se vlen shumë më pak nga sa pretendon, dhe se ai përfiton prej ligjit të taksës mbi pronën, për të raportuar një të ardhur prej zero dollarë – një marifet që dikur e përdorte për të mos paguar taksë mbi të ardhurat për disa vite, në 1970 dhe 1980.

Kompanitë e tij gjithashtu kanë rreth 650 milionë dollarë borxhe – disa prej tyre të marrë në Bankën e Kinës. Por Trumpi këmbëngul se vlera e tij neto nuk mund të shkëputet nga vlera unike e markës së tij personale. “Duhen tru për të nxjerrë miliona dollarë”, thotë Trumpi. “Duhet Trumpi për të bërë miliarda”

Si e nisi biznesin Donald Trumpi ?

Me një shtytje të fortë nga babai i tij. Fred Trump fitoi rreth 300 milionë dollarë duke ndërtuar “fshatra” me apartamente që i jepte me qera, në lagjet jashtë Nju Jorkut. Donald u bashkua me biznesin e familjes pas diplomimit në shkolla e biznesit, në vitin 1968, por pothuajse menjëherë i hodhi sytë nga pasuritë e paluajtshme, më joshëse e fitimprurëse, në Manhattan. Në vitin 1971, në moshën 25 vjeç, ai nisi një projekt ambicioz për të zëvendësuar një hotel të rrënuar pranë Grand Central Terminal, me një Grand Hyatt. Babai i tij ishte shumë i rëndësishëm në arritjen e marrëveshjes: Ai i dha Trumpit 1 milion dollarë, i garantoi 70 milionë në kredi bankare, dhe përdori kontaktet e tij politike, për të ndihmuar të birin që ta realizonte projektin. Kur përfundoiuar në vitin 1980, ndërtimi i solli Trumpit miliona dollarë, duke e vendosur atë si një lojtar të rëndësishëm në biznesin e pasurive të patundshme Manhattan. “Mua më duhej t’i provoja – komunitetit të pasurive të paluajtshme, shtypit, babait – se unë mund të kryeja projekte”, ka shkruar ai në librin bestseller, “Arti i Ujdisë”.

Cili ishte projekti i radhës i Donald Trumpit ?

Trumpi përdori fitimet nga marrëveshja e Grand Hyatt, për financimin e Kullës Trump në Fifth Avenue, një rrokaqiell 58-katësh, ku ai ende jeton dhe ku e ka qendrën sot organizata e tij. Por sipërmarrja e ardhshme pothuajse i shkaktoi falimentin. I etur për të lëvizur në botën fitimprurëse të bixhozit, ai hapi dy kazino në Atlantic City, që po konkurronte për t’u bërë Las Vegasi i bregdetit lindor. Nisur në 1984 dhe 1985, Sheshi Trump dhe Kështjella Trump fillimisht ishin të suksesshme. Por manjati i pasurive të paluajtshme e shtriu më tepër se sa duhej perandorinë e tij me Taj Mahalin Trump, një kazino gjigante 1 miliardë dollarëshe, që “thithte” klientët nga Sheshi dhe Kështjella. Për të paguar kredinë që kishte marrë për ta ndërtuar, Taj Mahalit të Trumpit i nevojiteshin 1.4 milionë dollarë në ditë – më shumë se çdo kazino tjetër në histori.

Çfare ndodhi?

“Taj” humb sasi të mëdha parash, dhe perandoria e kazinove të Trumpit u zhyt në një spirale rënieje të pakthyeshme. Mes viteve 1991 dhe 2009, kompania e tij aplikoi katër herë për Kapitullin 11 të falimentimit. Por Trumpi u shpëtua nga fuqia e statusit të vet si figurë e famshme, që ai kishte ndërtuar përmes librave të tij, intervistave në media, si dhe “rrjedhjet” e llogaritura të informacionit, për tabloidët e Nju Jorkut. Sa herë që kreditorët kërcënonin ta falimentonin Trumpin personalisht, ai i bindte ata, se duke bërë kështu, do të shkatërronin markën e tij, duke bërë të pavlerë atë që kish mbetur nga perandoria e tij e kazinove. Në fund, sipërmarrja e kazinove të tij ishte një dështim që kushtoi mijëra vende pune, si dhe la pa paguar dhjetëra biznese të vogla, për punën e tyre në ndërtimin ose shërbimin e kazinove. Por Trumpi sërish fitonte miliona dollarë, duke i dhënë vetes miliona në paga e shpërblime. “Unë bëra shumë para në Atlantic City,” tha ai vitin e kaluar. “Dhe jam shumë krenar për këtë”. (Ky artikull u botua fillimisht në shqip në www.bota.al)

Po pasuritë e paluajtshme të Donald Trumpit ?

Këto sipërmarrje kanë qenë shumë më të suksesshme. Projektet e tij të mëdha të ndërtimit përfshijnë Kullën Trump në Manhattan, dhe Kullën Trump në Çikago, ndërtesa e katërt më e lartë në SH.B.A. Por, pas dështimit të tij në Atlantic City, bankat u bënë gjithnjë e më pak të prirura, për t’i dhënë hua. Kështu, Trumpi filloi të përqëndrohet në monetizimin e markës së tij personale. Në vend që të ndërtonte hotelet dhe banesat e tij, Trumpi filloi licencimin e ndërtuesve të tjerë nën emrin e tij. Tani ka Kulla Trump dhe Sheshe Trump kudo, duke përfshirë Florida, Vancouver, Panama, dhe Stamboll, por Trumpi në fakt zotëron vetëm disa prej tyre.

Ku tjetër e ka vendosur emrin e tij?

Si shkruan biografi i tij, Michael D’Antonio: “Pothuajse në çdo gjë që mund të shitet si cilësi e lartë, kosto e lartë, dhe klas i lartë”. Disa prej këtyre sipërmarrjeve – Koleksioni Donald J. Trump i këmishave dhe kravatave, të cilat janë bërë jashtë vendit, kanë patur sukses të moderuar. Por shumë të tjera – biftekët Trump, revista Trump, dhe vodka Trump – u fundosën pa lënë gjurmë. Dështimet e tjera të profilit të lartë përfshijnë Universitetin Trump tashmë të mbyllur, i cili është duke u paditur nga mijëra ish-studentë për mashtrim, si dhe dhe Trump Airlines, kompani e cila zgjati vetëm tre vjet. Por Trumpi ka gëzuar sukses të konsiderueshëm në një treg: fushat e kushtueshme të golfit. Që nga viti 1997, ai ka blerë ose zhvilluar 17 kurse në mbarë botën, në vende që përfshijnë Nju Xhersin, Skocinë dhe Irlandën.

Sa vlen Donald Trumpi?

Bloomberg.com e vlerëson pasurinë e tij aktuale, 3 miliardë dollarë; sipas Forbes ajo është 4.5 miliardë. Vetë Trumpi pretendon se vlen 10 miliardë, ndonëse ka pranuar se kjo shifër “ rritet dhe ulet sipas tregjeve, sjelljeve dhe ndjenjave, madje edhe ndjenjave të mia”. Refuzimi i tij i përsëritur për të nxjerrë pagimin e taksave ka nxitur spekulimet se vlen shumë më pak nga sa pretendon, dhe se ai përfiton prej ligjit të taksës mbi pronën, për të raportuar një të ardhur prej zero dollarë – një marifet që dikur e përdorte për të mos paguar taksë mbi të ardhurat për disa vite, në 1970 dhe 1980. Kompanitë e tij gjithashtu kanë rreth 650 milionë dollarë borxhe – disa prej tyre të marrë në Bankën e Kinës. Por Trumpi këmbëngul se vlera e tij neto nuk mund të shkëputet nga vlera unike e markës së tij personale. “Duhen tru për të nxjerrë miliona dollarë”, thotë Trumpi. “Duhet Trumpi për të bërë miliarda”.

No comments:

Post a Comment