2017-02-15

Kosovë, parlamenti miratoi rezolutën për formimin e ushtrisë





Me 68 vota për dhe asnjë kundër, Parlamenti i Kosovës miratoi një rezolutë për shndërrimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në Forcë të Armatosur.

Në rezolutën e përkrahur nga të gjitha partitë politike, i bëhet thirrje qeverisë së Kosovës që sa ma parë, të bashkërendojë dhe ta procedojë në parlament për miratim strategjinë për transformim të Forcës së Sigurisë në Forcë të Armatosur të Kosovës.

Po ashtu në rezolutë thuhet së “duke shprehur solemnisht përkushtimin e pa alternativë për integrim në Organizatën e Paktit Veri-Atlantik (NATO), Parlamenti, qeveria e Kosovës dhe mekanizmat e tjerë institucional të bashkërendojnë angazhimet për harmonizimin e përpjekjeve të përbashkëta me NATO-n dhe SHBA-në për zhvillimin e kapaciteteve operacionale nën mandatit e ri të Forcave të Armatosura të Kosovës”.

Miratimi i rezolutës pasoi një debat të gjatë, në një periudhë të shtimit të shqetësimeve për gjendjen e sigurisë në vend.

Por, ngritja e Forcave të Armatosura që nënkupton miratimin e ligjit për formimin e tyre dhe ndryshime në kushtetutën e vendit, kërkon votat e dy të tretave të të gjithë deputetëve të Parlamentit dhe dy të tretat e votave të pakicave kombëtare.

Por, këto ndryshime janë pamundësuar për shkak të mospajtimeve të përfaqësuesve politike të serbëve të Kosovës të cilët bashkë me Beogradin vazhdojnë të kundërshtojnë ngritjen e tyre.

Kjo ka bërë që deputetët e shumicës të hapin debatet për ndryshime ligjore që do të mundësonin rritjen e përgjegjësive për Forcën e Sigurisë së Kosovës. Ata thanë se themelimi i ushtrisë së Kosovës nuk duhet të paraqes kërcënim për askënd.

Por, kryeministri i Kosovës Isa Mustafa, tha se shndërrimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës në Forca të Armatosura duhet bërë nëpërmjet ndryshime kushtetuese, pasi sipas tij kjo mënyrë përkrahet edhe nga faktori ndërkombëtar.

“Nga kontaktet e deri tanishme kemi kuptuar se NATO dhe partnerët tanë strategjik mbeten të përkushtuar që Forca e Sigurisë së Kososvës mund të transformohet në çdo kohë në Forcë të Armatosur, përmes ndryshimeve kushtetuese me përkrahje të nevojshme të deputetëve të Parlamentit të Kosovës, duke i ruajtur të arriturat e deritanishme në konsolidimin e vendit, dhe integrimin e komuniteteve. Kjo na është thënë qartë në të gjitha takimet që i kemi pasur me faktorin ndërkombëtar”, tha kryeministri Mustafa.

Autoritetet thonë se shndërrimi i Forcave të Sigurisë në Forca të Armatosura të Kosovës ka përkrahjen edhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duke iu referuar një dokumenti mbi seancën e konfirmimit në senatin amerikan më 12 janar të sekretarit Amerikan të Mbrojtjes, James Mattis, i cili citohet të ketë thënë se para çdo vendimi për shkurtimin e pranisë ushtarake amerikane në Kosovë, Forca e Sigurisë duhet të marrë mandatin për sigurinë dhe mbrojtjen territoriale.

Forca e Sigurisë së Kosovës u themelua në janar të vitit 2009 në bazë të planit të kryenegociatorit të Kombeve të Bashkuara, Martti Ahtisaari, në bazë të të cilit edhe është shpallur pavarësia e Kosovës.

No comments:

Post a Comment