2017-02-12

Mburrja e Serbisë për Krimet e Luftës

krimet e luftes

Pavarësisht pretendimit të kryeministrit serb Aleksandër Vuçiq se vendi i tij ka të dhënat më të mira në Ballkan për ndjekjet penale të krimeve të luftës, të dhënat sugjeruan se Serbia mbetet pas vendeve fqinjë si Bosnja dhe Kroacia.

Pretendimi i Aleksandër Vuçiq javën e kaluar se Serbia kryeson rajonin për ndjekjet penale të krimeve të luftës ka theksuar edhe një herë se si vendet e Ballkanit janë munduar shumë për të ndjekur penalisht personat përgjegjës për krimet dhe abuzimet e kryera gjatë shpërbërjes së Jugosllavisë.





Aleksandër Vuçiq megjithatë këmbënguli se Serbia ishte një përjashtim.

“Ne kemi dënuar më shumë se 153 persona për krime lufte – popullin tonë, serbë – ndërsa raste të tilla në Kroaci mund të numërohen me gishtat e dorës,” tha ai në një konferencë për shtyp pasi një gjykatë kroate vendosi të rrëzojë dënimin për gjeneralin e kohës së luftës Branimir Glavas për krime kundër serbëve.

Serbia ka ndjekur penalisht më shumë serbë sesa Kroacia ka ndjekur penalisht kroatë, por analizimi i BIRN i të dhënave të gjykatës dhe raportet e monitorimit të krimeve të luftës treguan se Serbia nuk ka ndjekur penalisht numrin më të madh të njerëzve në Ballkan, as nuk ka ndjekur penalisht më shumë njerëz se Kroacia.

Që kur u themelua në vitin 2003, zyra e krimeve të luftës në Serbi ka paditur 184 persona në 64 raste. Numri i përgjithshëm i personave të dënuar deri më tani është 84.

Prokurorët boshnjakë kanë paditur më shumë se 550 persona, ndërsa në Kroaci janë nisur 141 raste krimesh lufte, me më shumë se 400 persona të paditur.

Shumica e të pandehurve në Kroaci megjithatë janë ndjekur penalisht në mungesë për shkak se ata ishin në Serbi.
Aktakuzat pë krime lufte nga viti 2013 deri në 2015. Burimi: Documenta, HLC Kosova, zyra e prokurorisë serbe për krime lufte.
Aktakuzat pë krime lufte nga viti 2013 deri në 2015. Burimi: Documenta, HLC Kosova, zyra e prokurorisë serbe për krime lufte.

Aktakuzat pë krime lufte nga viti 2013 deri në 2015. Burimi: Documenta, HLC Kosova, zyra e prokurorisë serbe për krime lufte.

Gjatë viteve të fundit, prokuroritë e kanë ulur punën e tyre në ndjekjen penale të krimeve të luftës, përveçse në Bosnjë dhe Hercegovinë, e cila ka ende hetime të prapambetura me të cilat duhet të merret për mijëra autorë të dyshuar krimesh.

Nga viti 2013 deri në vitin 2015, Bosnja akuzoi 260 persona për krime lufte, e ndjekur nga Kroacia me 105 persona, Serbia me 23 persona dhe Kosova në vendin e fundit me 21 padi. Megjithatë, këto shifra më vete nuk tregojnë se sa serioze ishin krimet, apo sa të rëndësishëm ishin të dyshuarit.

Shumica e personave të akuzuar në Kroaci ishin serbë, edhe pse një ish-anëtar i Ushtrisë Kroate, dy ish-oficerë të policisë kroate dhe dy ish-luftëtarë të Këshillit Kroat të Mbrojtjes u akuzuan për krime lufte vitin e kaluar.

Shumica e çështjeve të nisura në Serbi gjatë tre viteve të fundit lidheshin me luftën në Bosnje. Në vitin 2015, prokuroria serbe e krimeve të luftës nuk ngriti asnjë padi.

Në vitin 2014, shtatë padi u ngritën kundër nëntë personave. Sipas një raporti monitorimi të publikuar nga Qendra për të Drejtën Humanitare, të gjitha këto çështje ishin relativisht të thjeshta, me gjysma e tyre kanë të bëjnë me krime në të cilat ka pasur një ose maksimumi pesë viktima.

Vetëm një nga këto padi, ajo kundër tre ish-trupave të Ushtrisë Jugosllave, ishte për krime të kryera gjatë luftës në Kosovë, ndërsa katër nga çështjet u transferuan nga Bosnja dhe Hercegovina.

Në vitin 2013, prokuroria ngriti tetë pati për 14 persona, gjithashtu shumica për krime lufte të kryera në Bosnje.

Misioni i OSBE-së në Serbi e ka kritikuar Beogradin se s’ka nisur mjaftueshëm çështje të reja krimesh lufte dhe se vazhdon të dështojë në ndjekjen penale të të dyshuarve të rangut të lartë nga konfliktet e viteve 1990.

Sipas një raporti të OSBE-së të publikuar vitin e kaluar, asnjë nga të pandehurit e ndjekur penalisht në Serbi nuk kishte poste të rangut të lartë në kohën e kryerjes së krimeve, vetëm 10 për qind e tyre ishin të rangut të mesëm.

Raporti thotë gjithashtu se institucionet e krimeve të luftës në Serbi “kanë qenë objekt presioni politik që prej krijimit të tyre” dhe se ka pasur një rënie të ndjeshme në numrin e padive të reja që prej vitit 2010. Partia Progresive Serbe e Vuçiqit ka qenë në qeveri që prej vitit 2012.

Kosova, e cila ka numrin më të ulët të ndjekjeve penale të krimeve të luftës nga viti 2013 deri në vitin 2015m është ende i vetmi vend në ish-Jugosllavi në të cilin sistemi i drejtësisë administrohet nga misione ndërkombëtare.

Prokurorët vendas duhet ende të nisin ndonjë çështje të tyren dhe më vonë këtë vit në Hagë do të hapet një gjykatë speciale për krime lufte, e cila do të gjykojë figura të larta të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, sepse është vërtetuar se është e pamundur t’i ndjekësh ata penalisht ë vendin e tyre, ku një përpjekje e tillë shihet si ofendim ndaj UÇK-së dhe luftës së saj kundër sundimit serb.

Edhe pse Bosnja dhe Hercegovina mund të mburret me numrin më të lartë të ndjekjeve penale, ajo ka gjithashtu numrin më të lartë të çështjeve të pazgjidhura dhe prokurorët e saj janë akuzuar gjithashtu se nuk kanë punuar shpejt dhe në mënyrë efikase.

Së bashku me çështje të tilla si numri i vogël i prokurorëve, kompleksiteti i hetimeve, si edhe fakti se disa nga të dyshuarit janë larguar në vendet fqinje dhe disa dëshmitarë kanë vdekur, Bosnja përballet gjithashtu me problemin e mungesës së mbështetjes politike për të ndjekur penalisht autorë krimesh të nivelit të lartë dhe një mungesë të dukshme dëshire midis prokurorëve për të paditur.

Gjatë një vizite në Bosnje dhe Hercegovinë vitin e kaluar, kryeprokurori në Gjykatën Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë, Serge Brammertz, tha për BIRN se sistemi gjyqësor i vendit duket se ka përkushtim të pamjaftueshëm për ndjekjen penale të rasteve të krimeve të luftës.

“Me gjithë respektin e duhur për kolegët e mi prokurorë, duhet të them se s’kam qenë gjithmonë i bindur se të gjithë ata ishin të angazhuar për të ecur para me rastet e krimeve të luftës,” tha Brammertz.

Hetimet për krimet e dyshuara të luftës nga të paktën 7,000 persona të tjerë në Bosnjë dhe Hercegovinë mbeten për t’u zgjidhur deri në dhjetor të vitit 2023, por edhe pse ministria e drejtësisë ka thënë se ky objektiv mund të arrihet, disa vëzhgues janë shumë skeptikë.

No comments:

Post a Comment