2017-02-10

Natasha Lako: Poezia nuk mbushet me mend…


Natasha Lako, kjo poete e njohur herët për talentin e saj të spikatur vjen me vëllimin e saj të ri “Kundërpërfytyrim” pasi solli në shqip poezinë e madhe të Trastomerit. Ndjehet se ka kaluar nga shkolla, apo më saktë nga lartësia e mjeshtrit suedez, pa u rrëzuar në plagjiaturë, pa e tradhtuar dhuntinë prej poeteje të lindur, por është bërë më e thellë, më fine, më brilante, më e sigurt në përftimin, kontrollin, seleksionimin dhe pasqyrimin estetik të kombinacioneve të panumërta metaforike që ofron realiteti





Vëllimi poetik “Kundërpërfytyrimi” është një ngjarje e vertetë për poezinë tonë bashkëkohore. Ai dëshmon sërish atë që kemi thënë më parë se ka shumë poezi në botë, në Shqipëri. Edhe atëherë kur duket se gjithçka e ka vënë poshtë cinizmi, egoizmi dhe degradimi.

Nga Preç Zogaj

Jam duke lexuar librin e ri me poezi “Kundërpërfytyrimi” të poeteshës Natasha Lako. Ndoshta do të duket e pazakonshme që po shkruaj këto rreshta pa e përfunduar. Pasi t’ju them arsyen, besoj se lexuesve të rubrikës nuk do t’u duket e tillë. Arsyeja është se një libër i mirë me poezi nuk përfundon ndonjëherë së lexuari sipas kuptimit që kemi për librat në prozë. Për një libër të mirë në poezi gënjejmë po të themi e mbarova. Kjo është pa kuptim. Libri i mirë me poezi është pa fillim dhe pa fund. Libri i mirë me poezi ka gjithnjë kërshërinë dhe shijen e leximit si për herë të parë edhe kur lexohet për herë të dytë, të tretë apo të tridhjetë. Kjo më ka ndodhur mua me disa vëllime poetike të autorëve shqiptarë apo të huaj. Për të përmendur një prej tyre po zgjedh vëllimin e nobelistit suedez “Perandoria e barit” të cilin e ka përkthyer pikërisht Natasha Lako. Kjo poete e njohur herët për talentin e saj të spikatur vjen me vëllimin e saj të ri “Kundërpërfytyrim” pasi solli në shqip poezinë e madhe të Trastomerit. Ndjehet se ka kaluar nga shkolla, apo më saktë nga lartësia e mjeshtrit suedez, pa u rrëzuar në plagjiaturë, pa e tradhtuar dhuntinë prej poeteje të lindur, por është bërë më e thellë, më fine, më brilante, më e sigurt në përftimin, kontrollin, seleksionimin dhe pasqyrimin estetik të kombinacioneve të pamunërta metaforike që ofron realiteti. Pasi kam lexuar ngadalë pjesën më të madhe të poezive të përfshira në këtë vëllim, mendoj dhe ndjej atë që thashë më lart: vëllimin e Natashës duhet ta vendos në radhën e librave që nuk mbarojnë se lexuari ngaqë u kthehemi e u rikthehemi vazhdimisht, siç ndodh vetëm me poezinë e mirë, e cila në çdo lexim fsheh çfarë na ka zbuluar dhe zbulon çfarë na ka fshehur.

“Unë ëndërroj si të dal e veshur një ditë me të gjitha stinët/

Që të kem një puthje vendimtare” ( nga poezia “ Në dollapin e rrobave”)

“Çfarë herorizmi ka zemra nuk e dimë/ gjera të tjera kërkojnë të flasin, por nuk i kemi ende/edhe unë dua të shfaqem e të bukurohem nga mendimet” ( nga poezia “Gjëra të ditura e të paditura”)

“Si t’ja bëj unë me diamantët e syve/në këtë botë që po vjen” ( nga poezia “Kërkohet urgjentisht një univers tjetër”)

“E nisur jam edhe unë nga ndonjë qiell që nuk më gjen më/e mbërritur jam dhe unë nga çdo lloj mbretëri” ( nga pozia “Pozë e përjetësisë”)

“Si t’ia bëjmë me dashurinë e tepërt/Ndërron rrugën e së vërtetës nga jargavani në jasemin/ në përzgjatimin e luleve” (nga poezia “Kur avitet bota”)

“Duket nuk është e volitshme/ të të kem të gjithin ty” (nga poezia “Godinë fjalësh”)

Këto janë disa vargje që unë i mora nga “grumbulli”, thjesht duke futur dorën, siç thuhet, për t’i hedhur si brilante në vitrinën e imagjinuar të këtij libri që në fakt është vetë libri. Janë vargje të një bukurie të rrallë, plot kuptim, ndjeshmëri, elegancë dhe muzikë, ku gjejmë të dendësuar vetitë me të qënësishme të poezive të autorës: ato bashkojnë magjepsjen e gjenezës me inteligjencën e lartë, spontanitetin me filozofinë poetike, ku fëmija dhe e rritura marrin pjesë bashkarisht, në unitetin e tyre brënda subjektit krijues, në kompozimin e vargjeve.

Kundërpërfytyrimi, fjala e përngjitur që i ka thënë titullin vëllimit, ka valencën e një përkufizimi të ri të vetë poezisë. Është shpërberja e lidhjeve të njohura e të dukshme, duke i rikombinuar në lidhje të reja, metaforike, prej nga përftohet poezia. Kështu, poezia e kundërpërfytyrimit bëhet poezia e krijimit të një bote artistike që nuk e gjejmë e nuk shohim kurrë perveçse me sytë e poetit dhe poezisë.

“Kujtohesha edhe unë se e kisha gjithnjë me vete atë labyrinth/ që kalon mespërmes ca brimëzave të komçave të xhaketës/ku giithnjë del briri/ i vlimit të një drite tjetër” (nga poezia “Kulla e Babilonit”)

Apo: “Qyteti ka vënë në mendje një protezë metali/ heshtja dashuron” (nga poezia “Hyrje nëpër natë”)

Ndoshta është më mirë të vazhdojmë të hedhin vargje në vitrinë se sa të formulojmë sentenca. Por duhet të themi edhe një konsideratë tjetër: vëllimi i Natasha Lakos tregon se poezia vazhdon të mos mbushet me mend, vazhdon të ngulmojë në pushtetin e gustos, vazhdon të mbledhë nga është e nga s’është atë dhimbjen e botës që jehon në akorde të larta, vazhdon të ekzistojë jo si kundërbota, por si pamja tjetër e saj. Shpalosjet metaforike të këtij rrafshi, si të endura me dritë dhe trishtim shpeshherë, marrin fuqi nga përdorimi me masë i sentencave poetike të mrekullueshme, që nisen nga uni-poetik por kanë një rezonancë pavetore: “Më mundon kjo largësi që largësi pjell”. Apo “Prej perendie e kam lumturinë”.

Vëllimi poetik “Kundërpërfytyrimi” është një ngjarje e vërtetë për poezinë tonë bashkëkohore. Ai dëshmon sërish atë që kemi thenë më parë se ka shumë poezi në botë, në Shqipëri. Edhe atëherë kur duket se gjithçka e ka vënë poshtë cinizmi, egoizmi dhe degradimi. Ekziston kjo përtëritje e vazhdueshme e frymës dhe inteligjencës artistike, s’ka të mbaruar ky hir i epshëm i jetës që është poezia. Por duhet të vijë poeti për t’i dhënë jetë, artikulim. Duhet të vijë poeti për të lexuar me sy mbyllur tekstin e stuhisë, dhimbjes apo të ajrit. Duhet të vijë një Natasha Lako për shkruar vargje si këto : “E dëbuar prej qiellit më ndjek prapa/Çdo ndodhi e jashtme mbremësore”.

No comments:

Post a Comment