2017-02-12

Një ish-polici serb dëshmon për krimet e forcave serbe në Kosovë

Sllobodan Stojanoviq

Me gjithë përpjekjet për fshehjen e krimeve barbare të forcave ushtarake, policore e paraushtarake serbe gjatë luftës në Kosovë , herë pas here, paraqiten edhe dëshmi të ish-pjesëmarrësve në operacionet e këtyre forcave.
Sllobodan Stojanoviq, ish-pjesëtar i një prej njësive të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë që kanë marrë pjesë në operacionet e kryera gjatë luftës në Kosovë, ka treguar publikisht për krimet e kryera nga kolegët e tij.
Policia serbe_gjate luftes ne Kosove

Në një rrefim të dhënë ekskluzivisht për televizionin publik të Kosovës, RTK, ai ka thënë se pjesëtarët e policisë kanë vrarë, djegur e plaçkitur në Kosovë, në kundërshtim me konventat ndërkombëtare e ligjet e luftës.
“Gjatë vitit 1999, çdokush ka mundur të vritej edhe në rrugë. Çdokush ka mundur të shkrepë me armë, të hedhë bomba. Ne ishim të mashtruar. Nuk e dinim që po vinim në një luftë të vogël. Ajo, në fakt, ishte luftë e vërtetë. Flas për gushtin, shtatorin dhe pjesërisht tetorin e vitit 1998. S’ka vend ku nuk kemi qenë në Kosovë. Njësitet tona kanë lëvizur gjithandej dhe kanë luftuar, duke filluar nga fshatrat Planejë, Lubiçevë, Leskovec në rajonin e Prizrenit, pastaj në Podujevë, në Skenderaj, në Gllogovc dhe mbi Gllogoc kemi pasur beteja. S’ka vend ku nuk kemi qenë dhe në ato beteja kanë pësuar njerëzit krahasuar me tanët. E kam fjalën për popullatën, jo për policët”, ka thënë ai.
Stojanoviq ka dhënë disa fotografi të të rinjve shqiptarë që ishin plagosur nga kolegët e Stojanoviqit.
“Ne ishim 150 policë në çetë. Nga ata 150, 10 dalloheshin për vjedhje, vrasje, masakra që unë nuk mund ta besoja. Nuk konsumonim drogë, alkool, por më duket që në pyetje ishin vetëm paratë dhe pasurimi brenda natës. Ajo nuk më ngjante me asnjë polici në botë, sepse ne kemi kod të sjelljes. Të gjithë policët ishin nënoficerë të policisë dhe ata dinin çfarë duhet të bënin me të plagosurit, me të zënët rob, të dërgohen te komanda e parë, të merren në pyetje, çfarë kërkonin në atë uniformë dhe jo të vriteshin ose të digjej fshati”, ka thënë ai.
Edhe pse këto histori mund të kenë pasoja për Serbinë, Stojanoviq ka vendosur që këto të bëhen publike.

No comments:

Post a Comment