2017-02-14

Një letër nga burgu presidentit të Francës


Ismail Kadare 

Dy vëllime me poezi i ka thurur prapa grilave, Besim Zymberi, ish-i burgosur politik. “Në prehrin e Orëve të Bardha” përfshin krijime poetike nga burgu. “Kam edhe një vëllim tjetër poetik me poezi nga burgu, por të pabotuar ende, si dhe shkrime të ndryshme, që do të botohen si publicistikë me kujtime të burgut”, tregon Zymberi.

Por është një letër e tij nga burgu që mori dhenë dhe mbërriti në adresë të Pallatit presidencial të Francës. Me detyrën e “postierit” e kishte ngarkuar publikisht shkrimtarin Ismail Kadare



Zhak Shirak 

Fundi i letrës i kishte lënë përshtypje shkrimtarit shqiptar me vendbanim në Paris. Dërguesi ishte koleg shkrimtar. Asnjëherë nuk e kishte takuar. Po mbahej prapa grilave në burgun e Mitrovicës së Sremit në Serbi. Mezi ia kishte dalë ta nxirrte jashtë letrën dorëshkrim.

“Unë, një i burgosur shqiptar në një kamp përqendrimi serb, ju kërkoj të hidhni dritë mbi një vuajtje për të cilën institucionet ndërkombëtare nuk kanë dijeni”, i shkruante poeti Zymberi “të dashurit shkrimtar” në vjeshtën e vonshme të vitit 2001. Ai dhe qindra shqiptarë ende po vuanin nëpër burgjet serbe për shkak të veprimtarisë së tyre politike.

Këtë fjali do t’i integronte Kadareja në letrën që do t’ia dërgonte më 12 dhjetor 2001 presidentit të atëhershëm francez, Jacques Chirac për rritjen e presionit ndaj autoriteteve serbe për lirimin e të burgosurve politikë.


*******

Ismail Kadare: Pengjet kosovarë, racizëm i ri


 Shkrimtari i madh, letër të hapur Presidentit të Francës Zhak Shirak: Ka një vend ?demokratik? si Jugosllavia, ku njerëzit mbahen në pranga për shkak të ideve të lirisë. Eshtë shqetësuese që ndaj popullit shqiptar lejohen gjëra që tashmë janë të tejkaluara dhe që nuk lejohen kundër asnjë populli tjetër në Europë.

Shkrimtari i shquar, Ismail Kadare, nëpërmjet një letre dërguar, Presidentit francez Zhak
Shirak, ka kërkuar ndihmën e zyrtarit të Lartë në zgjidhjen e çështjes së të burgosurve politikë shqiptarë, që mbahen ende në burgjet në Jugosllavi.
Shkrimtari i madh, thotë se shkak për ripërsëritjen e kësaj kërkese u bë dëshmia e shqiptarit me emrin Besim Zymberi, që arriti të dalë nga burgu i Mitrovicës së Sremit, në Serbi. Këtë dëshmi, thotë Kadare, ma ka drejtuar botërisht mua si shkrimtar, bashkë me thirrjen dëshpëruese që tia bëj të njohur publikut europian dhe mundësisht atij botëror.
"Unë, një peng shqiptar në një kamp serb të përqëndrimit ju kërkoj ndriçimin e një dëshmie për një ankth që mbahet i fshehtë nga institucionet e fuqishme ndërkombëtare", fillon letrën-dëshmi Besim Zyberi, duke e përfunduar atë me "Ne, pengjet shqiptare, jemi hebrejtë e fundit që mbahemi në kampet hitleriane të Millosheviçit, edhe pas rënies së tij... Dhe të gjithë bëjnë sikur nuk na shohin!!!"
Ismail Kadare, në letrën drejtuar Presidentit francez Shirak, duke përfshirë dëshminë e shqiptarit të posa-liruar shprehet: "Zoti Presdient ky është thelbi i çështjes: Në kontinentin tonë europian, të kësaj hapësire perëndimore, që është në ballë të luftës për një botë të re demokratike e morale,
ka një vend me emrin Jugosllavi, ku mbahen ende njerëz të vënë në pranga, për shkak të ideve të lirisë. Dhe ky vend pretendon të quhet demokratik, dhe këtij vendi i hapen çdo ditë dyert gjithkund, pa u kujtuar kush ta detyrojë të heqë dorë nga kjo mizori".

"E kuptoj fare mirë se çdo të thotë të mos kapërcehet masa e gjërave, e kuptoj sidomos se bota e sotme ka probleme të tjera dramatike dhe nuk mund ti lejojë vetes luksin për tiu kthyer e rikthyer halleve të një populli, qoftë edhe kur ky popull ka arsye. Jam i ndërgjegjshëm pra, për të gjitha këto, e megjithatë diçka tronditëse më shtyu të kapërcej këtë arsyetim e tju drejtohem publikisht me këtë letër", i shkruan Kadare Presidentit francez.

Shkrimtari i madh, thotë se ndryshe nga çtrumbeton propaganda antishqiptare populli shqiptar është tepër i duruar dhe i matur në kërkesat e tij, dhe për të vërtetuar këtë fakt ai jep dëshminë e shqiptarit besim Zyberi i cili shkruan: "Më 10 qershor 1999, fill pas Marrëveshjes së Kumanovës, që i dha fund konfliktit midis NATO-s dhe Millosheviçit, rreth 1 milion shqiptarët e Kosovës u turrën të kthehen në tokën e tyre, prej nga ishin shpërngulur mizorisht. Po atë ditë, më 10 qershor 1999, trupat serbe, duke u larguar nga Kosova rrëmbyen 2050 shqiptarë për ti marrë me vete e për ti lidhur me hekura në burgjet e tyre. Çdo burgim pa faj është një tragjedi, por të burgosesh ditën e lirisë, tragjedia është e dyfishtë, e dhjetëfishtë".

"Njeriu që me letrën e tij më ka shtyrë tju drejtohem Ju është një nga personazhet e kësaj tragjedie. Me të drejtë ai bën pyetjen: Si është e mundur që Kryqi i Kuq Ndërkombëtar, Komisariati i Lartë për të Drejtat e Njeriut në OKB, Këshilli i Europës (Komiteti kundër torturës) të jenë kaq shpërfillës për pengjet shqitpare? A do të ndodhte kështu në qoftë se këta pengje do të ishin amerikanë, gjermanë apo francezë? Si është e mundur që presidenti i shpallur demokrat, Kostunica, e aq më tepër me profesion jurist, të tregojë të njëjtën pandjeshmëri, të njëjtën egërsi e racizëm si Millosheviçi ndaj të burgosurve shqiptarë? Së fundi si është e mundur që askush nuk e qorton për këtë gjë?", shprehet Kadare.

"Pavarësisht se çmund të keni dëgjuar për mbrapështitë dhe gabimet e shqiptarëve, unë me përgjegjësi të plotë Ju përsëris se ky është një popull tepër i duruar dhe aspak ankimtar. Duke iu
referuar letrës nga burgu, po Ju kujtoj bombardimin prej avionëve të NATO-s të burgut famëkeq të Dubravës në Jugosllavi, ku ishin mbyllur qindra shqiptarë. Me qindra ishin të vrarët e të plagosurit. Sikur të mos majftonte ky tmerr, shhqiptarët duhej të duronin talljet cinike të rojeve serbe. Po prisni lirinë prej NATO-s? Ja, çju erdhi prej saj!
Çfarë ka ndodhur në të vërtetë, askush nuk e tregon. Si është e mundur që qindra shqiptarë të tjerë u vranë prej çlirimtarëve të tyre, në rrethana misterioze? Si ndodhte që rojet serbe largoheshin gjithmonë përpara bombardimit, kurse të burgosurit shqiptarë mbeteshin nën mëshirën e fatit, shpesh herë të lidhur në pranga? Çlodër makabre dhe e pashpirt është luajtur nën kurriz të tyre prej zbulimit serb dhe agjentëve të tyre në organizmat europiane?

Loja makabre u përsërit disa herë. E megjithatë, zoti President, besoj se nuk keni dëgjuar ndonjëherë prej popullit shqiptar as ankime, as protesta, as mitingje për këtë tmerr. Populli shqitpar, duke qenë mirënjohës ndaj Perëndimit që po i sillte lirinë, e uli kokën, as mallkoi, as ulëriu kundër avionëve perëndimorë, por në heshtje e rezinjacion varrosi viktimat e tij.
Kështu ndodhi në pranverën e vitit 1999, por kështu nuk mund të vazhdojë më. Pasi e ke shtypur dhe masakruar një popull për vite të tëra, pasi i ke shkuar në thikë së paku 1000 foshnja nën 5 vjeç, siç e ka pohuar vetë shtypi serb (gazetari Filipoviç në gazetën "Le Monde" e "Liberation"), pasi i ke përdhunuar qindra vajza e gra të reja, së fundi pasi i ke shpërngulur barbarisht rreth 1 milion njerëz, të vazhdosh prapë ta provokosh, ta fyesh, të tallesh me tragjedinë e tij, tia mohosh martirizimin, ta shtysh drejt dëshpërimit dhe akteve që pjell dëshpërimi, kjo zoti President është e papranueshme për çdo ligj të njerëzimit.

Mbajtja e të burgosurve politikë shqiptarë në Jugosllavi bën pjesë në strategjinë e provokimit sistematik, strategji e përpunuar me cinizëm vite me rradhë. Me anë të këtij provokacioni synohet që shqiptarët të bëjnë gabime, në mënyrë që të justifikohet pastaj goditja kundër tyre. Kjo lojë ka vite që vazhdon në Ballkan. Ju e dini zoti President se nuk është hera e parë që unë kam ngritur përpara jush çështjen e të burgosurve politikë shqiptarë. Nuk e di në qoftë se gjatë vizitës tuaj në Beograd u fol për këtë çështje.

Eshte shqetësuese që ndaj popullit shqiptar lejohen gjëra që tashmë janë të tejkaluara dhe që nuk lejohen kundër asnjë populli tjetër në Europë. Kjo tregon se një racizëm i ri po lind në kontinent. Ideja e Europës, realiteti i saj, nuk mund të bashkëjetojnë përbri asnjë lloj racizmi. Ndërgjegja europiane nuk mund të jetë e qetë me këtë njollë brenda saj. Liria e Europës nuk mund të jetë e plotë pa lirinë e popujve që së paku përfshihen brenda kufijve të kontinentit.
Për këtë hall të madh të popullit tim, e sidomos për tragjedinë e pengjeve të tij, që ishte dhe shtysa e kësaj letre, unë ju drejtova juve, zoti President.
Franca aq shumë e dëgjuar si në Shqipëri, si në Jugosllavi, e ka në dorë të ndërmarrë një aksion të ngutshëm për këta njerëz të lidhur në hekura, orët e të cilëve janë tepër të gjata, siç janë orët e robërisë. Ju drejtohem me shpresë se ju do ta bëni këtë zoti President, me shpresë se ky do të jetë fillimi i një aksioni më të gjerë për kthjellimin e atmosferës së rënduar të krejt gadishullit të vuajtur ballkanik" përfundon Ismail Kadare, letrën drejtuar Presidentit Francez, Zhak Shirak.


*******

Letra në origjinal ....


LETER NGA BURGU


Nga Besim Zymberi -

I dashuri shkrimtar!

Nuk e di a do t'ju duket e çuditshme, nëse në fillim të kësaj letre, Ju cilësoj si Mont Everest të letërsisë shqipe dhe asaj botërore. Se, nuk është fjala për një kompliment, do t'ju dëshmoj në vazhdim...

Unë personalisht mendoj, se prapa stilit Tuaj të përkryer letrar, qëndron diçka që është shumë më e thellë, shumë më filozofike, e cila juve ju zhvendos në të shumtën e rasteve nga pozicioni vetëm i një shkrimtari të përkryer.

 Duke lexuar pjesën më të madhe të veprës Suaj, unë kam vërejtur një përmbajtje krejt tjetër nga ajo që mund të përshkruhet vetëm në një roman apo novelë..

 Veprat Tuaja, për nga stili letrar i të shkruarit, ndoshta janë letërsi e përkryer, përderisa, për mendimin tim, thellësia psiko-filozofike e trajtimit dhe gjykimit të proceseve dhe ngjarjeve, që shtjellohet në romanet, novelat, tregimet dhe librat Tuaja publicistike-politike.

 Ju zhvendos shpeshherë juve, nga pozicioni i një shkrimtari të përkryer, në pozicionin e një mendimtari të thellë dhe përmbajtësor.

Nëse ju, i dashuri shkrimtar, përmes veprës Suaj, keni plotësuar historiografinë shqiptare në mangësinë e madhe të saj- psikologjinë e proceseve dhe të ngjarjeve,

Unë një peng shqiptar në një kamp serb të përqëndrimit, i jap vetes guxim t'Ju ftoj, që, thellësinë Tuaj të gjykimit, ta përdorni në ndriçimin e një dëshmie, e cila edhe më tutje mban botën në ankth, për arsye se mbahet e fshehur nga institucionet e fuqishme ndërkombëtare, perëndimore,

UNMIK-u, faktori politik gjithshqiptar, nga rrethet kulturore dhe në përgjithësi, nga njerëzorja e njerëzimi. Me siguri e kuptoni, se është fjala për dëshminë rreth holokaustit të fundshekullit njëzet, që është përplasur aq tmerrësisht mbi pengjet shqiptare të Kosovës në kampet serbe të përqëndrimit.

Merreni me mend, i dashuri shkrimtar, në çfarë çmendurie do të futej bota, sikur Koalicioni Antifashist, pas Luftës së dytë Botërore, të mbante edhe më tutje hebrenjt në kampet fashiste të përqëndrimit, duke u thirrur në " ligjshmërinë hitleriane?!...

Fatmirësisht, kjo atëherë nuk ndodhi, por bota e fortë demokratike-perëndimore, bëri këtë gabim me pengjet shqiptare, duke i lënë në shpërfillje në kampet hitleriane të Millosheviqit edhe pas rënies së tij!!!
Më 10 qershor të vitit 1999, u nënshkrua Marrëveshja e Kumanovës, e cila ishte, veç fitores kundër barbarisë serbe edhe fundi i një ankthi për më se një milion shqiptarë të zhvendosur me dhunë nga Kosova dhe poaq, që kishin përballuar tmerre, masakra, hi e zjarr, duke u fshehur bodrumeve nëpër Kosovë.

Më 10 qershor të viti 1999, një milion shqiptarët e zhvendosur, do të fillonin me kthimin masovik nëpër shtëpitë e tyre të kallura, të lumtur se po ktheheshin në gjirin e një lirie, qoftë edhe të kushtëzuar, por edhe të përlotur, sepse duhej të përballeshin me ankthin e gjetjes dhe hapjes së varrezave masive, prej të cilave duhej nxjerrur hiri ose eshtrat e të dashurve të tyre!

Do t'Ju përkujtoj, i dashuri shkrimtar, fjalët e ish sekretares amerikane të shtetit, zonjës Medlin Olbrajt, thënë të zhvendosurve shqiptarë në një kamp refugjatësh: " Shpejtë do të ktheheni në shtëpitë tuaja dhe më askush s'do të guxojë t'ju shpërngulë apo t'ju vrasë!"

Mjerisht, premtimi i zonjës së nderuar u mbajt vetëm pjesërisht. Me dhjetë qershor 1999, njëmend një milion shqiptarë filluan kthimin në shtëpitë e tyre, por në të njëjtën ditë, të shpërfillur nga Rezoluta 1244 e KS të OKB-ve dhe Marrëveshja e Kumanovës, 2050 pengje shqiptare viktima të Marrëveshjes së heshtur në mes të Natos dhe Millosheviqit, u deportuan në kampet serbe të përqëndrimit në Serbi.
Kam përshtypjen, i dashuri shkrimtar, se, edhe mendjes Suaj të thellë, i ka shpëtuar përmasa e gjërë dhe e dhimbshme e tragjedisë së pengjeve shqiptare.

Dua t'Ju përkujtoj, se Masakra e Dubravës, e cila ndodhi më 19-24 maj, në Kampin famëkeq të Dubravës, në të cilën, në bashkëpunim të skifterëve dhe gjarpërinjve (avionëve të Natos dhe forcave serbe ) shënon një nga tragjedi më të tmerrshme që kanë ndodhur gjatë gjithë historisë...


 Nga 953 pengje shqiptare, në oazën e tragjedisë në Dubravë, më 19-24 maj të vitit 1999, u vranë 180, ndërsa 350 të tjerë morën plagë të rënda dhe të gjithë të tjerët morën plagë dhe simptome traumatike dhe tani kanë simptome posttraumatike.

 Në të njëjtën kohë, në kampet serbe të përqëndrimit në Kosovë, gjendeshin mijëra pengje të tjera, prej të cilave, më 10 qershor ( në ditën e fitores?), në Serbi u deportuan 2050 shqiptarë, në të njëjtën kohë, kur në Kosovë po ktheheshin 1 milion shqiptarë të zhvendosur përdhunisht!

2050 pengje shqiptare, më 10 qershor 1999, derisa po deportoheshin në Serbi, nën sytë e NATO-s dhe me lejen e saj, morën me vete dhembjen për vëllezërit e masakruar dhe merakun, që shumicës prej tyre, nuk arritën as t'ua mbyllnin sytë për herë të fundit; morën me vete tmerrin e përjetuar gjatë torturave shtazarake deri në përdorimin në shkallë të gjërë të elektroshokëve; Morën me vete mallin për familjen, brengën për mirëqenien apo jo të tyre; morën me vete edhe nga një copë Atdhe!...

Unë, i dashuri shkrimtar, veç këtyre, mora me vete edhe një copë diell, duke dëgjuar urtësinë pellazge.

Mora me vete një copë diell, i vetëdijshëm, se ATA që bëjnë tmerre, mundohen t'i fshehin dëshmitë dhe dëshmitarët, e dielli është i vetmi dëshmitar, para të cilit nuk mund të fshihet as edhe një nga tmerret. Veçse ai kërkon një rreze të fortë për t'i dhënë dritë dëshmisë!...

Më thuani, i dashuri shkrimtar. A mund të quhet fitore e virtyteve, kur bota e fortë perëndimore mundëson kthimin e 1milion refugjatëve shqiptarë, në të njëjtën kohë kur lejon deportimin e 2050 të tjerëve, nga ana e po të njëjtit kriminel, që e kishte dënuar edhe vetë?

A është e drejtë që bota demokratike ta quaj të ligjshme mbajtjen peng të mijërave shqiptarëve në burgjet serbe të Millosheviqit, në të njëjtën kohë, kur ai, është paditur në Hagë për krime kundër tyre?


A është e drejtë që bota demokratike perëndimore edhe pas ndryshimeve demokratike në Serbi, të lejojë, që në burgjet e saj të mbahen pengjet shqiptare, ndërkohë që krimineli i tyre, ishte shpallur një kriminel edhe për vetë popullin e tij?

A është e drejtë që bota demokratike, ta vlerësojë dhe ta priveligjojë regjimin e tanishëm serb, kur e di, se ai bën një amnisti të gjymtë dhe lë në mëshirën e pamëshirës qindëra pengje shqiptare?

A do të mbaheshin në epokën Koshtuniciane në burgjet serbe, amerikanë, gjermanë a francezë, qoftë edhe me akuza si të pengjeve shqiptare?

A është e drejtë , që Kryqi i Kuq Ndërkombëtar, Komesariati i Lartë për të Drejtat e Njeriut i OKB-ve, Këshilli Evropian ( Komiteti i tij për Torturë ), të fshehin të vërtetën për gjendjen e vërtetë të pengjeve shqiptare, në planin emocional shëndetësor, diskriminimit etj.?

A është njerëzore që institucionet e fuqishme ndërkombëtare të jenë aq mospërfillëse ndaj jetës së qindra shqiptarëve të pafajshëm?

I nderuari shkrimtar, pengjet më së rëndi e kanë përjetuar një fenomen, të cilin aq bukur Ju e sqaroni në një libër tuajin:

SHPËRFYTYRIMIN!

Ky shpërfytyrim po zgjatë me vite. Ndaj pengjeve janë përdorur të gjitha format më shtazarake të gjymtimit fizik dhe shpirtëror.

Serbët kanë dashur që: pengjet shqiptare të neveriten nga fytyra e tyre, nga familjet e tyre, nga Atdheu i tyre.

Serbët kanë dashur, që pengjet shqiptare të harrojnë identitetin e tyre. Serbët kanë dashur, që pengjet shqiptare të bërtasin para botës. "

 Hej, sa bukur është të jetosh në thikën e krimit; sa bukur është të jetosh në robëri!" Vallë, a e kanë kuptuar njerëzit këtë tentim-shpërfytyrimi, i cili po ndodhë para syve të tyre?...

I dashuri shkrimtar. Ju kaloni një pjesë të kohës në Paris, në këtë vatër të kulturës, në të cilën ka spitale për kafshët shtëpiake.

 Mbase, meqë, zonjushat e Parisit dhe të Evropës janë pajtuar të mos japin më minjtë për shkencën, politikanët kanë vendosur, që ne pengjet shqiptare, të mbahemi në vend të minjëve, në laboratoret raciste serbe, në të cilat luhet loja e kanibalizmit modern!!!

Ju, i nderuari shkrimtar, që përfaqësoni identitetin shpirtëror, moral dhe human të njerëzores dhe njerëzimit, ashtu si edhe ata që ju rrethojnë, nuk do të duhej të lejonit, që kthetrat e krimit edhe më tutje të gërrithin pengjet shqiptare. Ju nuk do të duhej të lejonit, që krimi ndaj pengjeve shqiptare të mbetet i fshehur.

Unë, pengu i pathyeshëm, kam marrë me vete një copë diell, duke besuar se Ju do të jeni ajo rreze që do t'hedhë dritë mbi dëshminë!?

I dashuri shkrimtar. Ne, pengjet shqiptare në burgjet serbe, jemi hebrenjt e fundit, që mbahemi në kampet hitleriane të Millosheviqit edhe pas rënies së tij.


 Ne, pengjet shqiptare jemi një Frigo-kamion me kufoma të gjalla. Lundrojmë hapur nëpër Serbi, Kosovë, Shqipëri, Evropë, SHBA e botë dhe të gjithë bëhen sikur nuk na shohin!!!


Vëllazërisht ju përshëndes!


I juaji, pengu, Besim Zymberi

Më 26 tetor 2001

Mitrovicë e Sremit, Serbi

No comments:

Post a Comment