2017-02-10

Noel Malcolm: “Agjentë perandorakë” në dy kryeqytetet

noel_malcolm

Noel Malcolm

Përmes dokumentimit të historisë së dy familjeve shqiptare, asaj Bruni dhe Bruti, zbulohen kontaktet apo konfliktet në botën e “pëshpërimave të qyteteve”, rrjetit të shërbimeve inteligjente nga Europa Perëndimore në Azi.



Librin e tij e quan thellësisht një libër për shqiptarët, më shumë sesa libër për historinë e Kosovës apo historinë e Shqipërisë. Shqiptarët kanë pasur ekzistencë në shumë rajone ballkanike, për shekuj me radhë, tregon ai. Shqipja e tij rrjedhëse tregon dashurinë e tij për shqipen dhe libri që në këtë mesjavë, dhe një ditë më parë, promovoi në dy kryeqytetet, Tiranë dhe Prishtinë, e konfirmon ekspertizën e tij.

Libri është “Agjentë perandorakë”, një libër si rezultat i angazhimit të tij prej 20 vitesh në çështjen shqiptare. Një traktat i Antonio Brunit i pagjetur, e që më pas ai e gjeti në Bibliotekën e Vatikanit, u bë sebep që të shkruhet ky libër. “Nuk e kisha idenë që do të sillja një libër. Kur e nisa 20 vite më parë, hasa në një libër të një autori italian, ku tregohej ekzistenca e këtij traktati, nga një shqiptar për shqiptarët. Doja ta gjeja këtë traktat dhe e gjeta pas 15 viteve. Atë doja më pas ta botoja, ta bëja publik në ndonjë revistë shkencore ose kudo tjetër. Kësisoj përfundova në librin që po e promovojmë sot” tregon Malcolm.

Noel Malcolm është shkrimtar, historian, poliglot dhe gazetar britanik. Ka studiuar në Kembrixh, dhe është një nga analistët më të mirë britanikë në çështjet e Ballkanit. Ka qenë drejtor i revistës politike “The Spectator” dhe komentar i gazetës “Daily Telegraph”. Ka punuar gjatë për “British Helsinki Human Rights Group”, i njohur edhe në Shqipëri.

Libri “Agjentë perandorakë” ka ardhur i botuar nga Botimet Dudaj, në Shqipëri. Arlinda Dudaj, nga kjo shtëpi botuese, e ka quajtur librin një vlerë të veçantë të historisë sonë. Ajo ka shtuar se ky libër është edhe një arsye më shumë për t’u ndjerë krenarë me historinë tonë, dhe me një njeri që për vite me radhë u angazhua për shqiptarët, duke e futur kësisoj Shqipërinë dhe Kosovën në një hartë letrare e historike.

Përmes dokumentimit të historisë së dy familjeve shqiptare, asaj Bruni dhe Bruti, zbulohen kontaktet apo konfliktet në botën e “pëshpërimave të qyteteve”, rrjetit të shërbimeve inteligjente nga Europa Perëndimore në Azi.

Historiani Jahja Drançolli, gjatë promovimit tha se të flasësh mbi librin e Sir Noel Malcolm është si të futesh në ndonjë Bibliotekë të madhe a ndonjë arkiv me përmasa botërore.

“Materiali që trajtohet në këtë libër është i prekur nga të gjitha kohët. Malcolm ka punuar si analist dhe komentator i 600-të vjetorit të Betejës së Kosovës, kur me fjalim u paraqit edhe Sllobodan Millosheviq. Ky libër është vepër historike shkruar nga një historian që zotëron njohuri të shkëlqyeshme nga historia dhe shkencat e përafërta” ka thënë mes të tjerash, Drançolli.

Pasi ka promovuar librin në Tiranë e në Prizren, libri i tij shkoi edhe në Prishtinë. Malcolm ka shkruar mbi 11-të monografi dhe libra nga historia, ese, biografi e polemika gazetareske. Ai mori titullin “Sir” për shërbime ndaj akademisë, gazetarisë dhe historisë evropiane.

“Në libër doja t’i shpërfaqja kushtet e shqiptarëve, situatën dhe politikën evropiane që nga gjysma e dytë e shekullit 20-të. Ky libër, ky traktat, është për çdo shqiptar, është libër për historinë e të gjithë shqiptarëve” ka thënë mes të tjerash, autori në promovimin që sot ndodhi në Bibliotekën Kombëtare. Malcolm është anëtar i jashtëm i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, si dhe anëtar i Akademisë Britanike të Shkencës.

No comments:

Post a Comment