2017-02-19

“Origjina e pasunive të mëdha toksore në Shqipni”



Në vitin 1944, revista “Fryma” (shih: “Origjina e pasunive të mëdha toksore në Shqipni”, Nr. 4, prill 1944, fq. 145-146) që dilte në Shkodër si e përmuajshme letraro-kulturore, merrte përsipër të botonte një studim.




Kanë pasunina të mëdha tokësore në vendin tonë vetëm disa pronarë, ish-trashëgimtarë të bejlerëve sundimtarë të Shqipnis. Para se të hyjmë në themel të këtij studimi, asht e domosdoshme të bajmë një dallim midis bejlerëve sundimtarë dhe bejlerëve të tjerë me qëllim që të mos bahen konfuzione. Siç dihet, nën regjimin turk ka pasë në Shqipni dy kategori bejlerësh, përposë atyne që vetquheshin të tillë: bejlerët sundimtarë dhe bejlerët e nderit. Bejlerët sundimtarë ishin ata aristokratë që Sulltani i ngarkonte me dekret që të qeverisnin një krahinë si mbas sistemit feudal të kohës. Bejlerët e nderit ishin të gjithë ata aristokratë që Sulltani, për arësyna shërbimi ose besnikërie u kishte dhanë titullin e beut, pa pasë këta kurrfarë të drejte qeverimi. Ndër ma të ndigjuemit bejlerë sundimtarë të Shqipnis kanë qenë familjet e Vezirëve të Shkokdrës, e Toptanasve të Tiranës, e Vrionasve të Beratit dhe e Pashallarëve të Vlorës. Bejlerët e nderit nuk kanë mungue n’asnji qytet të Shqipnis të math e të vogël. Këta formojshin legjione, prandej asht e kotë me dhanë emna.
Formimi i pasunive të mëdha tokësore në Shqipni ka një origjinë historike dhe shoqnore. Mbas okupimit të vendit tonë prej turqve rreth vjetve 1466-68, u shkatrrue nga themelet qeverimi i Shqipnis prej princërve shqiptarë, shumica e të cilëve u arratisën në dhé të huej, ose u çfarosën tue u vra prej invaduesit. Sulltanët menjiherë mbas shkeljes të Shqipnis organizuen administratën e vendit, tue i lanë qeverimin e çdo krahine ndër duert e një beu të besueshëm, të sjellun nga Anadolli, ose të rekrutuem në Shqipni midis atyne trathtarëve të rezistencës Shqiptare kundra okupacionit të huej.
Tash për me mundë me shpjegue themën tonë na mjafton me dhanë disa njoftime të thjeshta vetëm rreth pjesës të regjimit shoqnuer të ri të vendosun prej ivaduesit në Shqipni: regjimit feudal.
Marrdhaniet e Beut sundimtar të çdo krahine me qeverinë qendrore dhe t’administruemit nga pikpamja fiskale rregulloheshin në mënyrë që do përshkruejmë më poshtë: Sulltani nuk i paguente Beut sundimtar rrogë të caktueme me buxhet, siç u paguhej valijve dhe nëpunësave të tjerë t’adminsitratave të ndryshme kah mbarimi i shekullit XIX dhe deri sa u zbue Turqia prej Shqipnis më 1912, por as dhe t’administruemit ishin detyrue me i pague arkës shtetnore në bazë të nonjë ligje tue u marrë për bazë fuqia kontributeve e secilit. Beu sundimtar, për me u ba ballë shpenzimeve të Qeveris të tij krahinore kishte zaptue, aty ku ndodheshin, të gjitha pasunitë e princërve shqiptarë të rrëxuem nga fuqia ose kishte vënë dorë mbi t’ardhunat e atyne pasunive tokësore të katundeve ma të begatshëm, tue i deklarue me pëlqimin e Sulltanit të gjitha këto pasuni “bejlik”, dmth. pasuni, t’ardhunat e të cilave destinoheshin për shërbimet e parafoluna.
Qeveris qendrore beu sundimtar i pagunte si mbas rasteve një shumë të hollash fikse në vjet, ose një herë vetëm në disa vjet, të holla të nxjerruna jo në bazë të nonjë ligji, por në mbështetje të fuqis arbitrare me të cilën ishte i mveshun me dekret imperial, prej t’administruemve pasunit e të cilve nuk ishin deklarue “bejlik” dhe prej burimesh të tjera. Mirë po, me kalimin e kohës, bejlerët sundimtarë dalë nga dalë, filluen me u sjellë kundrejt pasunive bejlikale si pronarë të vërtetë, dhe posa u organizue në Shqipni sistemi kadastrial, asnjani prej këtyre bejlerëve nuk mungoi me regjistrue pasunit e sipërme si prona të veta, tue u përfshi në to toka të tana katundesh, me mulinj e tjera, pa përjashtim edhe të shtëpive të bujqve. Që kështu, bejlerët sundimtarë, tue përfitue prej sistemit qeveritar të kohës së kalueme, vunë dorë pa të drejt mbi shumë prona të t’administruemve të tyne, dhe i përvetsuen këto tue i kthye në pasuni private. Këtu e ka burimin ekzistenca e të gjitha atyne pasunive tokësore të mbëdha në Shqipni, të zotnueme edhe sod prej disa pronarësh privatë, trashëgimtarë t’atyne ish bejlerëve sundimtarë që bamë fjalë ma nalt.
Po t’ishte rregullue me drejtësi gjendja e pasunive bejlikale në Shqipni nga ana e qeveris Otomane mbas vumjes në fuqi të sistemit t’emnimit personal të valive dhe nëpunsave të tjerë t’imperatoris dhe shpërblimit të tyne me rrogë të caktueme për shërbimet që kryejshin, ato pasuni duhesh t’u ktheheshin të zotve dmth. atyne bujqve që i punojshin brez mbas brezit, sepse pronat e parafoluna nuk ishin pasuni personale e beut sundimtar, por vetëm nji pjesë e t’ardhunavet të tyre ishte destinue me kontribue në përmbushjen e një funkcjoni publik.
Por drejtësia, tue pasë vend aplikimi në këtë botë, dhe sidomos për ne Shqiptarët, bejlerët edhe kur u çveshën “de jure” nga pushtetet e tyne të qeverimit, mbajtën dhe vazhdojnë me i mbajtë edhe sot, në dorë, të gjitha pronat bejlikale si pasuni të ligjshme. Tash konfiskimi i tyne i thjeshtë nga ana e Qeveris Shqiptare asht i zorshëm dhe hasë në vshtirsina juridike, mbasi këtu ndërhynë dispozitat e ligjvet civile mbi parashkrim. Por bame këtë studim vetëm sa me e parashtrue çashtjen mbasi ka një karakter aktualiteti tash që asht tue u folë për reformën Agrare dhe për përkrahje të bujqve. R.A.

No comments:

Post a Comment